TIRANË- Partia Socialiste ka kujtuar sërish sot qytetarët për protestën e madhe të 30 prillit. Gjatë një deklarate për mediat, deputeti Taulant Balla e ka cilësuar këtë protestë si ditën e çlirimit nga korrupsioni dhe të zgjidhjeve për gjithë shqiptarët.

Duke iu referuar premtimit të kryeministrit Sali Berisha për hapjen e 160 000 vendeve të reja të punës, Balla theksoi se pas vjedhjes së votave, iu vu shkelmi ekonomisë.

“Saliu me korrupsionin dhe papërgjegjshmërinë e tij i vuri shkelmin ekonomisë dhe mirëqenies së shqiptarëve duke shkaktuar humbjen e mbi 100.000 vendeve të punës në më pak se një vit të mandatit të tij të vjedhur”- tha ai.
Balla është ndalur në rrugën e Kombit, që sipas tij nuk është tjetër veçse rruga e korrupsionit patriotik të Saliut, të Lulit e të Kolit dhe që ka kushtuar deri më sot mbi 1 miliard euro, prej të cilave vetëm abuzimi për interes të xhepave të pushtetit shkon në mbi 230 milion euro.
“100 milion eurot e marra borxh për ndërtimin e TEC-it të Vlorës, sot na rezultojnë të jenë para të hedhura në plehra, por as Saliu e as ministrat e tij nuk marrin mundimin t’ u shpjegojnë shqiptarëve se kush ishte ajo mendje e ndritur në qeveri që shpenzoi 100 milion për një investim të tillë pa kryer më parë studimin e fizibilitetit”- tha ai.
Sipas Ballës, Shqipëria duhet të çlirohet nga ky sistem korrupsioni që sot vjedh gjithçka dhe në fund vjedh edhe votat për të mbajtur pushtetin me forcë.

Përshkallëzim i protestave deri në zbardhjen e së vërtetës së zgjedhjeve të 28 qershorit dhe forcim të luftës politike në funksion të mbrojtjes së shtetit të së drejtës dhe interesave të qytetarëve nga kriza ekonomike. Këto janë piketat kryesore ku Partia Socialiste do të fokusojë aksionin e saj politikë në ditët në vijim, të cilat janë bërë pjesë e rezolutës së miratuar disa dite me pare nga Kongresi i socialistëve, si institucioni më i lartë vendimmarrës i kësaj force.