ilir-metaKryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta ka thyer heshtjen e tij të gjatë në puntatën e kësaj të enjteje të emisionit “Top Story” në Top Channel. Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarit Sokol Balla,

Meta ka prekur një seri çështjesh të ndjeshme si “shqetësimet” mbi shëndetin e tij, përgjimet, presidentin Nishani, reformat, bojkotin e opozitës, ekonominë, etj.

Sokol Balla: Zoti Meta, mirësevini në Top Story. Pyetja ime e parë është: a jeni mirë me shëndet?

Ilir Meta: Po, jam shumë mirë. Ata që kanë merak mund të qetësohen.

Sokol Balla: Aleanca Kuqezi ka thënë se keni edhe 8 muaj jetë?

Ilir Meta: Kjo është puna e tyre. Kemi të bëjmë me një keqinformim.

Sokol Balla: Çfarë ka ndodhur me Ilir Metën që është krejtësisht i transformuar?

Ilir Meta: Kam pasur luhatje në peshë, e kam tepruar dhe po përpiqem të normalizohem. Në këto dy vjet kam pasur një rënie të vazhdueshme. Por tani ngre më shumë kilogramë sesa kur kisha më shumë shëndet.

Sokol Balla: Pse keni mbajtur një profil kaq të ulët së fundmi? Keni shumë muaj që i jeni larguar debateve publike?

Ilir Meta: Ka çështje për të cilat duhet të mbaj qëndrim politik, por ka qenë edhe periudha e pushimeve pas një sesioni mjaft të ngarkuar parlamentar, sidomos gjatë muajit korrik. Kam kaluar kohë me familjen, etj. Besoj se prezenca ime ka qenë e mjaftueshme.

Sokol Balla: Qetësia ju ka karakterizuar këto kohë. Çfarë ka ndikuar tek ju?

Ilir Meta: Kam vendosur ta ruaj qetësinë si kryetar i Kuvendit sepse kjo është e rëndësishme për të kontribuar në zhvillimet politike. Mundohem të bëj më të mirën për t’i hedhur ujë konfliktit, jo benzinë, sepse konfliktet na harxhojnë energji të çmuara që duhet të përdoren për reformat e procesit të integrimit. Gjithashtu duhet të fokusohemi tek zhvillimi ekonomik i vendit.

Sokol Balla: Opozita vazhdon ta bojkotojë Parlamentin për shkak të dhunës së ushtruar…

Ilir Meta: Është për të ardhur keq për këtë ngjarje kaq të rëndë që ka ndodhur në ambjentet e Kuvendit, por nuk ka arsye për opozitën për të vazhduar këtë proces bojkoti pas veprimeve të ndërmarra nga prokuroria. Për një konflikt të tillë ka nisur një proces për ta çuar në gjykim dhe besoj se kjo duhet të jetë e mjaftueshme për opozitën që të kthehet në Parlament. Opozita dhe mazhoranca duhet të shprehin vullnetin e tyre të plotë për reformat dhe nëse ajo dëshiron mund të propozojë nisma jo vetëm për të rregulluar rregulloren e Kuevndit, por edhe për diskutimin e mandatit të deputetit në Kushtetutë në raste të ngjashme që mund të verifikohen në të ardhmen.

Sokol Balla: Opozita ka treguar fakte për prani të deputetëve kriminalë në Parlament…

Ilir Meta: Siç e thash, opozita është e ftuar të propozojë nisma dhe masa në rregullore për të gjitha palët. Pastaj, secili ka retorikën e vetë.

Sokol Balla: Incidenti me deputetin Strazimiri është për shkak të detyrës apo për arsye personale?

Ilir Meta: Është një çështje që i ka kaluar drejtësisë. Ne kemi bërë mbledhjen e Kuvendit për këtë çështje dhe kemi vendosur për ndëshkimin e autorëve të këtij incidenti.

Sokol Balla: Përse Kuvendi i Shqipërisë nxitoi të thoshte se nuk ishte administrata e tij që shpërndau videon e dhunës?

Ilir Meta: Ka qenë një reagim korrekt ndaj një dizinformimi.

Sokol Balla: Të ndalemi tek çështja e përgjimeve. Kur komisioni parlamentar për hetimin e veprimtarisë së SHISH drejtohet nga Spartak Braho, flitet për përgjime që i janë bërë deputetëve, diplomatëve dhe gazetarëve. A ka bërë SHISH përgjime? A keni ju një qëndrim me këtë çështje, pasi flitet se jeni nga personat më shumë të përgjuar?

Ilir Meta: Është kënaqësi për mua nëse jam kaq shumë i kërkuar, por më duhet të mbaj qëndrim institucional për rastin në fjalë. Që do të thotë se duhet të presim përfundimin e punës së këtij komisioni, që nuk ka përfunduar ende. Komisioni ka mbledhur një informacion paraprak që unë e disponoj, por ata janë në përpjekje për ta çuar në fund punën e tyre. Unë mbaj një qëndrim të rezervuar pasi nuk mund të debatoj çështje të tilla në publik. Qeveria dhe kryeministri kanë mjetet për të vepruar.

Sokol Balla: Përtej kësaj, deputetë të mazhorancës kanë mbajtur qëndrime. Këtë herë shohim një heshtje totale të liderëve të saj për një çështje që nëse është e vërtetë, është skandaloze. Nga informacionet paraprake që keni, rezultojnë të përgjuar këto kategori njerëzish, qoftë në mënyrë indirekte?

Ilir Meta: Nuk mund të tregoj pasazhe nga biseda, pasi nuk i kam patur pasion dhe nuk më tërheqin përgjimet.

Sokol Balla: Është dëgjuar edhe zot Basha të flitet…

Ilir Meta: Nuk e di, nuk kam informacion. Nëse ka pasur përgjime, mbetet një gjurmë që tregon nëse ka qenë veprim i paligjshëm apo tendencioz. Unë nuk kam qenë partizan i çështjeve të shërbimit sekret dhe besoj se kryeministri duhet ta lexojë këtë raport dhe të nxjerrë konkluzionet e tij.

Sokol Balla: Nëse rezulton se këto përgjime janë bërë në shkelje me ligjin, a do të mbajë mazhoranca një qëndrim ndaj krerëve të SHISH?

Ilir Meta: Ne do presim qetësisht rezultatet dhe çdo njeri që ka bërë shkelje do të përgjigjet për to.

Sokol Balla: Cila është e vërteta sipas jush, a ka një përpjekje të mazhorancës për të marrë nën kontroll institucionet si KLD, BSH apo dhe SHISH?

Ilir Meta: Sa u përket institucioneve, nëse flasim për shembull për çështjen e AMA-s, kemi ngërçin e krijuar nga mungesa e opozitës për të zhbllokuar situatën. Ne e kemi thirrur opozitën që të mos veprojmë të vetëm. Edhe në komisionet e tjera opozita është ftuar të ndjekë proceset hap pas hapi. Asaj do t’i krijohen të gjitha kushtet në Parlament për të realizuar reformat, me bashkëdrejtim, bashkëpërgjegjësi, etj. Për reformën territoriale, për shembull, do të duhej një reduktim i numrit të bashkive të vendit, sipas ekspertizës evropiane dhe asaj amerikane. Në këtë rast opozita mendoi ‘pse të marrim ne këtë përgjegjësi’ dhe ia la atë mazhorancës, e cila ka treguar fleksibilitet maksimal. Janë bërë ndryshime në minutën e fundit.

Sokol Balla: SISH varet nga kryeministri por drejtori zgjidhet nga presidenti. Disa ligje janë kthyer mbrapsht nga presidenti, disa janë çuar në Kushtetuese dhe mund të ketë të tjera që të kthehen mbrapsht. Cili do të jetë qëndrimi juaj institucional apo politik?

Ilir Meta: Është në të drejtën e tij në përmbushje të funksioneve kushtetuese të konfirmojë apo të kthejë pas një ligj. Ka pasur mundësi për opozitën për të thënë fjalën e saj. Por nuk paragjykojmë qëndrimin e presidentit apo atë që do të mbajë Gjykata Kushtetuese.

Sokol Balla: Presidenti Nishani ka deklaruar se do të rikandidojë, kjo mazhorancë do ta rivotonte atë apo do zgjidhte një kandidaturë tjetër?

Ilir Meta: Është e drejtë e tij të kërkojë një mandat të dytë dhe duhet respektuar. Por është ende herët të flitet për votat.

Sokol Balla: A ndjen përgjegjësi mazhoranca që opozita ndodhet jashtë Kuvendit dhe a do bëjë diçka që ajo të kthehet?

Ilir Meta: Bojkoti tregon se opozita nuk ka pranuar realisht humbjen. Shenjat e pranimit u treguan pas 15 muajsh nga kryetari aktual i PD. Natyrisht që në vazhdimësi të procesit parlamentar nga opozita ka pasur një retorikë agresive. Por natyrisht, kjo nuk justifikon aktet e dhunës në Kuvend. Komenti im për këtë është që opozita bazohet në direktivat e ish-kryeministrit Berisha, sipas të cilit opozita është protestë, protestë dhe vetëm protestë.

Sokol Balla: Pra, në PD mbizotëron Berisha?

Ilir Meta: Mbizotëron protesta dhe nuk mbizotëron alternativa.

Sokol Balla: Në Kavajë shembet monumenti i demokracisë që përkujtonte demonstratën e parë të këtij qyteti. Pse pikërisht u shemb ditën e kuvendit kombëtar të PD, ju duket normale?

Ilir Meta: Ka nisur një iniciativë në gjithë Shqipërinë për rikonstruksionin e qyteteve tona. Sheshi i Kavajës ka qenë i programuar prej kohësh për të ndryshuar dhe nuk besoj se kjo ka qenë diçka e qëllimshme. Është një keqkuptim dhe është dhënë një sqarim.

Sokol Balla: U komentua se zoti Rama i bëri një dhuratë zotit Basha me rastin e Kuvendit…

Ilir Meta: Nuk besoj se bëhet fjalë për një dhuratë. Bëhet fjalë për një plan rikonstruksioni të shumë qyteteve. Është një proces i pandalshëm. Për Kavajën ka një konkurs për ndërtimin e një sheshi të ri dhe demokratët duhet të jenë pjesë e këshillt bashkiak për të qenë pjesëmarrës në këtë proces.

VAZHDON