Protestat nuk janë vetëm kundër “Monstrës”, por edhe kundër partive shqiptare
Analisti politik Fejzi Hajdari është i mendimit se dhuna e shprehur në protesta është e pa zakontë për shqiptarët, andaj është i bindur se ka njerëz që duan ta kanalizojnë ndryshe nga qëllimi kryesorë
Kryetari i SHGM-së Naser Selmani dhe analisti politik Fejzi Hajdari në emisionin “Info Magazine” në “Klan Kosova” kanë folur për aktualitetin politik në Maqedoni, rastin “Monstra” dhe protestat e fundit.
Naser Selmani, kryetari i SHGM-së mendon se mos sigurimi i dëshmive të forta ka ndikuar për nxitje të pakënaqësisë tek shqiptarët
“Njerëzit kanë filluar ta kuptojnë se përdorimi i dhunës e diskrediton idenë fillestare, të shprehin pakënaqësinë ndaj vendimit skandaloz për rastin e “Monstrës”. I gjithë procesi i hetimit te opinioni shqiptarë ka pas dyshime të bazuara, dhe se prokuroria nuk ka siguruar dëshmi të forta për ta bindur opinionin, veçanërisht atë shqiptarë. Këtu qëndron gjeneza e problemit”, shprehet kryetari SHGM-së për “Klan Kosova” Naser Selmani.
Analisti politik Fejzi Hajdari është i mendimit se dhuna e shprehur në protesta është e pa zakontë për shqiptarët, andaj është i bindur se ka njerëz që duan ta kanalizojnë ndryshe nga qëllimi kryesorë.
“Ka një konfuzion se kush është organizatori, edhe pse unë pajtohem me idenë e protestave. Nuk është në natyrën e shqiptarëve ajo shkallë e dhunës, protesta kemi pas edhe më herët. Dhuna më bëri të dyshoj se ka njerëz që duan të kanalizojnë ndryshe nga qëllimi kryesorë”, ka thënë për “Klan Kosova” analisti politik Fejzi Hajdari.
“Dy partitë politike shqiptare nuk kanë kredi politike për të dalë dhe për ti përkrahë protestuesit, faktori politik shqiptar u dogj. Si rezultat i kësaj ndodhi edhe kjo pakënaqësi. Rasti i “Sopotit”, tani edhe “Monstra” bënë që qytetari i rëndomtë mos të ketë më besim në politikë. Asnjë lider politik nuk del para masës të siguroj se do të zgjidhte problemin, si rezultat i moszgjidhjeve të problemeve të deritanishme, ndodhi edhe ky rast”, tha Hajdari.
Nga ana tjetër Selmani është i bindur se këta protesta janë të organizuara nga vetë pushteti.
“Unë mendoj se pas këtyre protestave qëndron pushtetit aktual, jo se nuk duhet të protestohet, duke përfshirë të dy partitë shqiptare. Si është e mundur që populli shqiptarë të del në rrugë dhe ata të mos dalin në krye të tyre. Është e pa mundur nëse ata thonë se përfaqësojnë popullin shqiptarë, pa dallim se ata shprehin pakënaqësinë ndaj tyre. Por, obligimi i partisë shqiptare, qoftë pozitë apo opozitë është të mbrojnë shqiptarët nga manipulimet”.
“Tashti, partitë në pushtet keqpërdorin pushtetin kundër qytetarëve. Dhe tani, për të shpëtuar lëkurën e tyre ata i organizojnë këto protesta, unë jam i bindur se këto protesta i ka organizuar qeveria, që në një mënyrë të spinohet situata. Këto janë piroman e ndezin zjarrin dhe pas një jave dalin si zjarrfikës apo shpëtimtarë. Subjektet politike shqiptare, janë ulë në prehër të Gruevskit, këto nuk kanë as kredibilitetin, po as dijen që ti bëjnë ballë këtij vërshimi nacionalist të Nikolla Gruevskit” përfundon Selmani.
Brohoritjet e protestuesve po krijojnë përshtypjen sikur u harrua rasti “Monstra” dhe pakënaqësia u kanalizua kundrejt faktorit politik
“Protestat e një pas njëshme po tregojnë se pakënaqësia e shqiptarëve është serioze, tani sikur u harrua “Monstra” pakënaqësia u kanalizua kundrejt faktorit politik shqiptar, keni dëgjuar brohoritjet “Ali tradhtari”, “poshtë Aliu… poshtë Menduhi”, theksoi Hajdari.