koalicioni-vetvendosje-Të shtunën caktohet agjenda e Kuvendit të ri të KosovësLëvizja Vetëvendosje duket se është gjithnjë e më afër hyrjes në Qeveri, apo minimalisht, që ta mbështesë seriozisht dhe besueshëm qeverinë e koalicionit LDK-AAK-NISMA.

Nikoqir i takimit të partnerëve të koalicionit ishte lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti. Për herë të parë pas zgjedhjeve, Kurti i priti në një takim në selinë e Vetëvendosjes, liderët e LDK-së, AAK-së dhe atë të Nismës.

Derisa Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, e ka caktuar datën e konstituimit të Kuvendit të Kosovës, e që do të bëhet më datën 17 korrik. Duket se takimi i tyre ishte bazuar në këtë vendim dhe përgatitjet para konstituimit të Kuvendit. Por ata kanë diskutuar edhe një çështje tjetër me shumë rëndësi, kushtin e Vetëvendosjes për bisedimet me Serbinë.

Afrohen qëndrimet për bisedimet!

Pas takimit të liderëve i vetmi që foli nga ky takim, ishte lideri i Vetëvendosjes Albin Kurti. Kryetari i VV-së ka deklaruar se gjatë takimit, liderët opozitar, Isa Mustafa, Ramush Haradinaj, Fatmir Limaj kanë pasur përafrime me kushtin e VV-së për bisedimet me Beogradin.

“Kemi biseduar për hapat që do të merren gjatë seancës konstituive të Kuvendit më 17 korrik. Kemi përafrime sa i përket kushtit për bisedimet me Serbinë, pasi që ne jemi pro bisedimeve me parime, por jo bisedime pa parime, ashtu siç i ka bërë deri më tani Kryeministri Hashim Thaçi”, ka thënë Kurti.

Një nga kushtet kryesore që Kurti dhe Vetëvendosje u ka vënë liderëve të partive të koalicionit, Isa Mustafa, Ramush Haradinaj e Fatmir Limaj për të mbështetur qeverinë e re të krijuar nga ky bllok, është ndryshimi i pozicionit dhe vendosja e parimeve në lidhje me dialogun më Serbinë.

”Ne nuk jemi kundër dialogut në parim, por në gjithsesi që jemi kundër dialogut pa parime. Le të mos harrojmë që çdo dialog ka kushte dhe dialogu që e ka zhvilluar kryeministri në ikje, dhe zëvendëskryeministrja në ikje, ka qenë dialog me kushte, por dialog me kushte të Serbisë”, ka thënë Kurti.