alajdin-demiriAnalistët politik e cilësojnë si të dështuar rolin e BDI-së si pjesëmarrëse në qeveri dhe si parti shqiptare me besimin më të lartë të qytetarëve. Analistët vlerësojnë se në vend që të kërkojë ekspertizë të huaj, Ahmeti duhej të siguronte sundim të së drejtës përmes ministrave që ka në ekzekutiv. Alajdin Demiri madje vlerëson se BDI vazhdon me avazin e vjetër të premtimeve boshe,

ndërkohë që shqiptarëve u mohohen të drejtat bazë. 

“Ai ekspertizën duhet ta kërkojë në shtëpi me pjesëmarrjen e tij në qeveri, me ministrat që i ka. Nëse edhe ai shpreh mosbesim, dhe gjithsesi që shpreh mosbesim në shqiptimin e dënimeve do të thotë një politikë e një agonie, një politike e premtimeve lehtë të dhëna që i ngjan BDI-së, të cilat kanë filluar të funksionojnë që nga premtimet e para për ish ushtarët e UÇK-së dhe kjo vazhdon sot e kësaj dite…BDI-ja, Ali Ahmeti vazhdon me avazin e vjetër, premtimeve boshe dhe është jashtë realitet”, deklaroi Alajdin Demiri, analist.

Analisti Mersel Bilalli ndërkohë thekson se mënyra e vetme për të dalë nga kjo situatë është nëse BDI kushtëzon Gruevskin me pjesëmarrjen e saj në qeveri dhe parlament, nëse çështjes nuk i jepet një trajtim serioz. 

“Ata duhet të bëjnë maksimumin e së mundshmes madje ta kushtëzojnë Gruevskin se qeveria dhe parlament nuk ka pa një trajtim serioz. Por së pari atë çështje duhet ta pastrojnë vet brenda dhe partizimin që kanë ta eliminojnë, nëse nuk pastroni vetveten nuk mund të kërkoni të pastrohet shoqëria si tërësi”, tha Mersel Bilalli, analist.

Ndërkaq duke komentuar jehonën e protestave të Shkupit edhe në Tiranë dhe Prishtinë, Demiri thotë se kjo paraqet  një përpjekje për rritje të demokracisë dhe nevojën për rishqyrtimin e rastit ‘Monstra’. Ndërkaq Bilalli nuk përjashton as opsionin që situata aktuale të çojë deri në ndarjen e Maqedonisë. 

“Duket se është një zë real i një shqetësimi real të Kosovës dhe Shqipërisë për atë që ndodh në Maqedoni. Nuk bëhet fjalë për shkatërrim apo trazira që do ta rrënojnë  Maqedoninë por një proces të rikthimit të demokracisë në Maqedoni, rishqyrtimit të lëndës, të situatës, sepse provokimit të situatës, nuk duhet të kuptohen në mënyrë nxitëse se ato protesta në Tiranë dhe Prishtinë do ta destabilizokan Maqedoninë”, u shpreh Alajdin Demiri, analist.

“Ne shkojmë drejt një ashpërsimi të gjendjes dhe nëse nuk gjendet zgjidhje e shpejtë e cila është shumë vështirë të gjendet, Maqedonia do të shkojë drejt ndarjes, drejt hapjes të një faqeje të re të bisedimeve e cila mund të përfundojë edhe me ndarjes apo federalizmin e saj”, theksoi Mersel Bilalli, analist.

Vala e protestave që u përhap jo vetëm në më shumë qytete te Maqedonisë por edhe Tiranë dhe Prishtinë, erdhën pas shqiptimit të burgimit të përjetshëm për 6 të akuzuarit në rastin ‘Monstra’, por edhe kundër dhunës policore që iu ushtrua protestuesve shqiptarë gjatë protestave të së premtes.  Semra Jakupi