oher-pogradecoher-pogradecLinja e tragetit mes Ohrit dhe Pogradecit u përurua në prani të dy ministrave të transportit të të dy vendeve Mile Janakievski dhe Edmond Haxhinasto. Bëhet një premtim prej më shumë se 10 vjetësh, që fillimisht ishte menduar të përfshinte edhe Strugën. Ministri i Transportit dhe Lidhjeve Mile Janakievski tha se projekti është fryt i marrëdhënieve të mira mes dy vendeve.

“Kemi 10 vjet që flasim për këtë linjë. Ky është një sinjal i mirë për marrëdhëniet e përbashkëta midis Maqedonisë dhe Shqipërisë. Është një projekti cili tregon rritjen e turizmit si në qytetin e Ohrit ashtu edhe në qytetin e Pogradecit. Në këtë sezon të gjithë turistët që do të vijnë në Ohër dhe në Pogradec do ta përdorin këtë linjë dhe të tregojnë bukuritë e dy qyteteve tona”, deklaroi Mile Janakievski, Ministër i Transportit.

Ndërsa homologu nga Shqipëria, Edmond Haxhinasto tha se hapja e kësaj linje, është një moment historik që do të forcojë më tej shkëmbimin mes njerëzve dhe mallrave, të të dy vendeve.

“Uroj që ajo të kontribuoj drejtpërdrejt në forcimin e shkëmbimeve midis dy vendeve, në komunikimin më të shpejt të qytetarëve të vendeve tona, në lidhjen edhe me një rrugë tjetër të Pogradecit dhe Ohrit, për krijimin e një hapësirë të përbashkët zhvillimi dhe turizmi…. Tashmë presim që operatorët shqiptarë të vendosin tragetet e tyre në liqen dhe ta bëjnë këtë linjë një linjë permanente.”, tha Edmon Haxhinasto, Ministër i Transportit dhe i Infrastrukturës i Shqipërisë.

Sipas marrëveshjes mes dy ministrive, në periudhën 15 Qershor deri në 15 Shtator është planifikuar vendosja e një linje trageti për sezonin turistik. Pas miratimit të të dy vendeve, pas kësaj periudhe, pritet që linja të bëhet e rregullt. Trageti i kësaj linje do të krijojë lehtësira jo vetëm për banorët e Pogradecit por edhe për ata të Strugës dhe Ohrit. Struga, jo vetëm që u anashkalua nga projekti, por në inaugurim nuk ishte ftuar as kreu i kësaj komune, Ziadin Sela. Durim Etemi