kanabis_lazaratNjë polic i plagosur rreth orës 2 të mëngjesit të sotëm dhe 6 fshatarë të arrestuar është bilanci i deritanishëm nga përplasjet dy ditore me armë mes policisë dhe kultivuesve të kanabisit nga Lazarati. Polici i plagosur aktualisht gjendet jashtë rrezikut për jetën. Përleshjet dhe situata e tensionuar po vijon edhe sot. Policia ka rritur në 800 numrin e pjesëtarëve të saj që po mbajnë nën rrethim

Lazaratin. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shqipërisë, Artan Didi u ka thënë mediave shqiptare se policia e ka ndërmend të vendosë ligjin edhe në këtë pjesë të Shqipërisë, andaj iu ka bërë apel kultivuesve të drogës të lënë armët dhe gjithçka të përfundojë pa viktima.

“Ky është një grupim vërtet i strukturuar dhe i dirigjuar duke parë dhe lojërat që janë bërë dje përmes komunikimit me medien nga një pjesë të elementeve kriminalë. Ju them dhe njëherë që të vihen në dispozicion të policisë, të përgjigjen për atë që kanë bërë të mos e rëndojnë më pozitën e tyre. Policia nuk ka ndërmend të tërhiqet, jemi të vendosur të vendosim ligjin në çdo centimetër të Shqipërisë”, deklaroi Artan Didi, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shqipërisë.

Personi i cili akuzohet nga policia si udhëheqës i grupit të armatosur që po bën rezistencë ndaj shtetit, Razip Mahmutaj, në prononcim për median i ka mohuar akuzat. Ai madje thotë se do të dorëzohet menjëherë sa të ndalen të shtënat në fshat.

“Jam në Lazarat. Përjashta s’kam dalë të shikoj por dëgjoj që ka të shtëna armësh. Nuk dal dot. Të qetësohen gjërat sepse ka shumë të shtëna. Unë dorëzohem por s’dal dot jashtë në mes të plumbave”, tha Razip Mahmutaj, i dyshuar.

Ndërkohë kryetari i Komunës së Lazaratit, Dashamir Aliko ka bërë thirrje për ndërprerjen e luftës dhe kthimin e negociatave mes shtetit dhe banorëve të Lazaratit.

“Kjo situatë nuk mund të kalojë duke bërë luftë policia e shtetit me komunitetin e Lazaratit. Asnjë lloj fitimi nuk është i barabartë me një jetë njeriu. Kam biseduar me drejtorin e policisë për të ruajtur qetësinë policia”, tha Dashamir Aliko, Kryetar i Komunës së Lazaratit

Rezistenca e kultivuesve të drogës në Lazaratit është manifestuar disa herë edhe me predha anti-tank. Për shkak të vendosmërisë dhe agresivitetit të kultivuesve, policia nuk po arrin të depërtojë brenda fshatit, edhe pse mban të rrethuar Lazaratin, prej 3 ditësh tashmë. Gjatë ditës së djeshme, policia u afrua deri te arat në hyrje të fshatit dhe shkatërroi rreth 11 mijë rrënjë kanabis. Të gjitha hyrje-daljet nga Lazarati janë siguruar me 3 post-blloqe policore, ku identifikohet dhe kontrollohet cilido që hyn e del nga fshati. Ndërkohë, aksioni policor është vlerësuar edhe nga Brukseli Zyrtar. Komisioneri për Zgjerim Shtefan Fyle thotë se “ndërhyrja e policisë tregon vendosmërinë e Qeverisë shqiptare në luftën kundër trafikut të drogës”. Edhe mediat ndërkombëtare shkruajnë gjerësisht për aksionin policor dhe rezistencën e banorëve të Lazaratit. Britanikja “The Guardian” në faqen e saj online, shkruan se “qindra policë kanë nisur aksionin në fshatin e Jugut të Shqipërisë, ndërkohë që persona të dyshuar si kultivues dhe trafikantë, janë kundërpërgjigjur me artileri të rëndë”. Rai Njus raporton se policia shqiptare ka hasur në rezistencën e banorëve, që kanë krijuar skena lufte. Lazarati është përshkruar si fshat që prodhon 900 tonë marihuanë në vit. E përditshmja italiane në faqen e saj të internetit shkruan edhe për pritjen me anti-tank, granata dhe mitraloz ndaj policisë.