droga greqiPolicia greke ka sekuestruar mbi 1 ton heroinë dhe ka arrestuar 11 persona, në një operacion të zhvilluar në Athinë. Mediat greke informojnë se operacioni u zhvillua në bashkëpunim me rojen bregdetare të Greqisë, departamentin e Antidrogës, krimin ekonomik në Policinë Greke, si dhe agjentë të Agjencisë Amerikane të Antidrogës, DEA.

Janë sekuestruar më shumë se 1.13 ton drogë, e cila ishte mbështjellë në 443 qese plastike në dy magazina. Sekuestrimi i parë u krye në Koropi dhe i dyti në periferi të Filothei, në veri të Athinës. Të arrestuerit jane 6 grekë dhe 5 të tjerët janë shtetas të huaj.

Sipas njoftimeve paraprake, ndër grekët e arrestuar janë një pronar i njohur grek i anijeve, bashkëshortja e tij dhe djali i tyre 15-vjeçar. Identitetet e personave nuk janë bërë publike për arsye hetimore.

Dyshohet se heroina ka arritur në Greqi nëpërmjet Turqisë dhe më pas është fshehur në dërgesat e pluhurit të mermerit në magazina, prej nga është shpërndarë në tregun grek dhe evropian.

Sipas hetimeve, organizata kriminale e ka filluar aktivitetin e vet që nga korriku i vitit 2013. Si fillim, ajo përbëhej nga 5 anëtarë, që tashmë ndodhen në listën e të arrestuarve.

Mediat greke shkruajnë se në mesin e të arrestuarve dyshohet se mund të ketë edhe shtetas shqiptarë. Ky është ndër operacionet më të mëdha të policisë greke kundër trafikut të drogës.