politika-shqiptarePo ta lexosh sot “Kohën e maskarenjve” të Ali Asllanit mendon se sapo është shkruar, edhe pse Asllani ka gjysmë shekulli që ka vdekur. Po të lexosh mendimet e Branko Merxhanit, apo Faik Konicës, të duket se ata flasin për ditët e sotme. Një shekull të tërë kemi mbet në vend – numëro dhe nuk kemi bërë asnjë hap përpara

Kanë fol e shkruar para rreth një shekulli, kanë dhënë vlerësimet e tyre dhe ajo çka kanë thënë e shkruar ata dikur, duket sikur është shkruar sot, pasi nuk ka asnjë ndryshim nga realiteti i tanishëm. Po ta lexosh sot “Kohën e maskarenjve” të Ali Asllanit mendon se sapo është shkruar, edhe pse Asllani ka gjysmë shekulli që ka vdekur. Po të lexosh mendimet e Branko Merxhanit, apo Faik Konicës, të duket se ata flasin për ditët e sotme. Edhe pse janë shkruara para disa dekadash, duket se asnjëherë nuk kanë qenë më aktuale se sot këto vargje të petiti Ali Asllani,  nga poezia e tij “Koha e maskarenjve”:

“Hani, pini dhe rrëmbeni, mbushni xhepe, mbushni arka,

të pabrek’ ju gjeti dreka, milionier’ ju gjeti darka!

Hani, pini e rrëmbeni, mbushni arka, mbushni xhepe,

gjersa populli bujar t’ju përgjigjet: peqe, lepe!”.

 

Por nuk janë vetëm vargje e poezive të Ali Asllanit që të krijojnë përshtypjen se një shekull të tërë kemi mbet në vendnumëro dhe nuk kemi bërë asnjë hap përpara.

E njëjtë është përshtypja edhe nëse lexoni këto vargje të intelektualit dhe filozofit të madh Branko Merxhan.

Që para një shekulli Branko Merxhani shkruante: “Vlerat morale kurrë nuk kanë zënë rrënjë në zemrën tonë. Para një alternative materiale dhe interesave morale, shqiptari, në çdo kohë dhe në çdo rast, ka preferuar kurdoherë të parat. Interesi! Ky ka qenë gjithnjë “ideali ynë”. Por ç’lloj ideali? Një ideal primitiv, i ngushtë, i ulët sociologjikisht, protoplasmik, ose siç thoshte Lexy Bruhl “prelogiqur”.”

Lidhur me dukurinë e ngecjes në shoqërinë shqiptare gjatë shekujve, “Lajm” mori prononcimet e Zeqirja Ibrahimi dhe Salajdin Salihut. Ishte privilegj i jonë të bashkëbisedojmë me këta intelektualë të spikatur lidhur me këtë temë. Jemi të bindur se do të ndiheni edhe ju të privilegjuar lexues të nderuar, nëse lexoni deri në fund mendimet e tyre se pse rrota e historisë shqiptare lëviz aq ngadalë, e ndonjëherë edhe në drejtim të kundërt.

“Fakti se shqiptarët edhe tash, pra pas 100 viteve, ende nuk kanë arritur ta realizojnë as programin nacionalist të projektuar nga Sami Frashëri e Pashko Vasa e as të dalin përtej mendimit politik të autorëve të viteve të 30-ta të shekullin XX, flet jo vetëm për atë se kemi ngelur një komb që nuk ka lëvizur, por kjo është një dëshmi më shumë për atë se sa seriozisht e marrim ne avancimin e gjendjes së kombit. Nëse këtë e interpretojmë në rrethana të shqiptarëve të Maqedonisë, megjithëse as shqiptarët e Shqipërisë e ata të Kosovës nuk janë për t’u lavdëruar, kujtoj se te shqiptarët e Maqedonisë nuk kemi asnjë, ama bash asnjë, vizion për atë se si do të kishim dashur ta shohim shqiptarin e Maqedonisë pas dhjetë, pesëdhjetë ose njëqind viteve”, thotë për “Lajm”, intelektuali Zeqirja Ibrahimi. Në të vërtetë, thotë ai, projeksionet për këtë shqiptar krijohen aty për aty, sa herë që kemi zgjedhje, por letargjia mendimore, folklorizmi, provincializmi dhe mburrja duke manipuluar masat, vazhdon të jetë e vërteta e vetme e shqiptarëve të Maqedonisë.

“Megjithëse në shumë gjëra nuk pajtohesha me tashmë të ndjerin Arbër Xhaferin, që është krejt normale, tash lirisht mund të them se pas vdekjes së tij shqiptarët e Maqedonisë kanë pushuar të mendojnë. Ndërsa mendimin e zhvillojnë disa politikanë pa asnjë formim intelektual, bile e moral dhe me të kaluar shumë të dyshimtë, për çka dëshmon fjalori i tyre provincial dhe pa asnjë përmbajtje.

Sa për ilustrim: ata në vend që ta zhvillojnë betejën me palën maqedonase për ta avancuar statusin e shqiptarëve në Maqedoni, na terrorizojnë neve duke na bindur se sa mirë jemi e nuk jemi të vetëdijshëm. Ata nuk arrijnë ta ndryshojnë kushtetutën për të kërkuar që çështja e presidentit të shtetit të rregullohet me kushtetutë, ndërsa tash flasin për president konsensual. Kjo, për fat të keq, është gjendja. Prandaj sot ka ardhur koha të pyetemi seriozisht se cili është misioni i intelektualit në një shoqëri! Apo, aq më keq, a kemi ne fare intelektualë?”, thekson Ibrahimi.

Ndërkaq, profesor SalaJdin Saliu thotë se botës shqiptare nuk i është shfaqur ende një brez mendimtarësh i papërsëritshëm sikur ai i viteve 20, veçmas atij të viteve 30. “Ata krijuan një model shumë mbresëlënës për orientimin e shqiptarëve. Atëherë këto mendime ishin utopi. Vazhdojnë të mbesin të këtilla. Ne kemi njëfarë aversioni ndaj tyre, sepse nuk arrijmë të konsolidohemi në vijë të krijimit të një shoqërie morale. Ne ende nuk i kemi shëruar plagët tona për të cilat fliste Mithat Frashëri. Ende nuk e kemi ndjenjën për jetë të përbashkët sikur flisnin Merxhani, Harapi e të tjerë. Ende nuk e kemi shëruar rrëmbimin, nuk kemi durim e metodë në punë. Ende jemi mangët për ideale madhore për çka fliste Konica. Mjerisht sot jemi të bombarduar me diskurse shterpe. Me ide të budallafta. Përsërisim ide të vjetra, sepse, sikurse thotë një shkrimtar, kemi mungesë idesh të reja, ose refuzim ndaj ideve të reja. Ende duam ta formësojmë vetëdijen sipas një logjike fisnore, klanore, provinciale. Ashtu si dikur. Prandaj nuk ndryshon realiteti ynë. Nuk e çmojmë njeriun e ditur, as njeriun që ka ndjenjë për jetë të përbashkët. Pa i evituar këto probleme do të sillemi në qarkun e njëtrajtësisë dhe refreneve boshe dhe do ta mbysim forcën shpëtimtare, atë të kreativitetit”, thotë Saliu për “Lajm”.