Numër rekord i doktoraturave, punimet mund të blihen për 100 euro
Vitin e kaluar Maqedoninë e kaploi një cunami e doktoraturave të shkencës. Këtë titull vitin e kaluar e fituan 219 persona që është numër rekord.Numri i doktorëve të rinj të shkencave viteve të fundit është në rritje të vazhdueshme ndërsa si shpjegim për këtë është rritja e numrit të paraqitjeve të shumta të temave të doktoraturës nga ana e qytetarëve që kanë dashur të marrin këtë titull.
Rritja e numrit të doktoraturave që është për 50 përqind më shumë se në vitin 2012, hap dilemat për kualitetin e tyre, shkruan Dnevnik.
Arsye për këtë është fakti se në vend ende ekziston mundësia që punimet e doktoraturës apo magjistraturës mund të blihen në shpallje. Çmimi i tyre sillet nga 100 deri diku 1 mijë euro.
Në vitin 2011 në vend kanë doktoruar 197 qytetarë ndërsa në 2010 157. Vitin e kaluar 52.1 përqind e punimeve të doktoraturës kanë qenë nga fusha e shkencave shoqërore.