image Rreth 300 ish të burgosur politik dhe të persekutuar nga sistemi komunist, protestuan sot para Qeverisë së Maqedonisë, duke kërkuar miratimin e një ligji që do të kompensonte vuajtjet e shqiptarëve të burgosur politikisht nga sistemi komunist. Protestuesit thanë se nuk kërkojnë lëmoshë e rehabilitim pasi janë krenarë për atë që kanë bërë.“Diskriminimi tek të persekutuari politik shqiptar është i njejtë me atë të ‘Branitellave’ dhe dëshmorëve të UÇK-së. Do të ishim të lumtur dhe do të prisnim që një herë të sillet ligj për statusin e dëshmorëve të UÇK-së dhe mandej ligj për zhdëmtimin e të persekutuarve politik shqiptar. Njerëzit të cilët sot protestojnë dhe të cilët ju i përkrahni janë ata që mbrojtën dinjitetin tonë kombëtar dhe asnjëherë nuk kërkuan të shpërblehen. Ne nuk kërkojmë as lëmoshë dhe as rehabilim. Ne jemi krenar për gjithë çfarë kemi bërë. Ne kërkojmë që pushteti i sotëm si trashëgimtar i atij të djeshmit të na e kompensojë dëmin për zullumin që na është bërë”, tha Shpëtim Pollozhani, kryetar i Shoqatës së të burgosurve shqiptarë.  Pollozhani para protestuesve tha se sot protestojnë kundër gjitha proceseve të montuara politike dhe kundër diskriminimit institucional të shqiptarëve. Protestuesit shprehën të revoltuar për neglizhencën nga ana e subjekteve politike shqiptare për të zgjidhur çështjen e tyre “Më vitin 1981, më dënuan për arsye se unë isha si i pari që hapa shkollën e parë në gjuhën shqipe në fshatin Vrbjan dhe Zhirovnic dhe kështu ata më dënuan dhe prej atëherë mbeta pa punë, morra rrugën e kurbetit. Unë i dënuar, baba i dënuar”, u shpreh një protestues. “Nuk duam rehabilitim, nuk pendohemi. Rehabilitim do të thotë, kthyerja e gjendjes së mëparshme. A do të ma kthejnë ata vuajtjen time që kam qenë 3 vjet në internim. Rehabilitim është term i gabueshëm, ne kërkojmë dëmshpërblim”, tha një tjetër protestues. “Maqedonia nuk jep të drejta shqiptarëve. Ne na kanë faj partitë tona jo maqedonasit. Njeriu kur  merr një obligim duhet ta çon deri në fund, e jo të shkojnë të bëhen biznismen, ajo është një tradhti shqiptare, kombin e tradhton. Mos u bëftë ndonjë gjë, unë 76 vjeçar jam, unë të parët do ti vras dibranët e mi, pastaj do të dal tutje. Ata na tradhtojnë, nuk na tradhton kush ne, unë skam asgjë kundër Maqedonisë. Kam kundër popullit tonë, e marrin partinë, bënë luftën i vrasin djemt e nënave edhe prapë shkojnë bëjnë biznese”, u shpreh një protestues. “Këtu jam që të përkrahë ish të burgosurit dhe persekutuari politik, kjo është gjëja më e pakët që mund ta bëjmë për atë që e kanë përjetuar shqiptarët deri tani. Unë jam një anëtare e një familje që ka qenë e persekutuar dhe burgosur politikisht dhe shpresojmë ta fitojmë ligjin”, tha një protestuese. Këshilli organizativ i protestës së sotme, në mënyrë simbolike Qeverisë i dorëzoi ligjin e përpiluar nga Shoqata e ish të burgosurve politik si dhe 100 padi të cilat i kanë ngritur në gjykatat vendore. Në protestën e sotme morën pjesë edhe disa shoqata joqeveritare si dhe përfaqësues të Bashkimit Demokratik Kombëtar dhe të Demokracisë së re.