bardhyl-mahmuti“Epoka e re”: z. Mahmuti,  ju keni qenë një ndër pjesëmarrësit e protestave  gjithëpopullore të vitit 1981.  Si i kujtoni këto protesta? Çfarë dimensioni i kanë dhënë këto protesta rrjedhave të gjithëmbarshme politike?

 Bardhyl Mahmuti:Kanë kaluar më shumë se tri dekada nga shpërthimi i asaj që do të quhet «Pranvera e Madhe 1981» dhe mendoj se duhet t’i rikujtohet lexuesit konteksti i kësaj kthese. Jugosllavia e asaj kohe gëzonte një reputacion tepër pozitiv sa i përket rregullimit të çështjeve kombëtare. Madje, propaganda se gjoja “Jugosllavia e Titos ishte parajsa e kombeve dhe kombësive të barabarta” kishte marrë një shtrirje të përmasave botërore, sidomos në kuadër të shteteve të Organizatës së Shteteve të Painkuadruara.

Shpërthimi i demonstratave të vitit 1981dhe brutaliteti ushtarako-policore i treguar gjatë përpjekjes për të shtypur këtë revoltë nxorën në shesh se prapa kësaj “parajse të barazisë” fshihej ferri i diskriminimit dhe shtypjes kombëtare.

Gjaku i 11 protestuesve të vrarë dhe i rreth 300 të plagosur të tjerëve do të ngjallë një dinamikë të konfliktit që do të përfshijë tërë hapësirën e Federatës jugosllave. Për ne, shqiptarët e Kosovës dhe viseve tjera që ishin të pushtuara nga ish-Jugosllavia, ky gjak i derdhur do të trasojë rrugën e kontekstit të ri historik:rrugën e lirisë.

Kur shoh progresin e madh dhe të paimagjinueshëm që është bërë në mundësitë dhe mjetet e komunikimit, ku informata qarkullon me «shpejtësinë e internetit», ajo që më kujton me dhembje atë kohë lidhet me vështirësitë që kemi pasur për t’u informuar saktësisht me atë që ndodhte në tërë Kosovën dhe me mundësitë tepër të kufizuara për të shpërndarë të vërtetën.

Për këtë arsye, një konsideratë të veçantë meritojnë të gjitha strukturat që ishin të organizuara në formë klandestine dhe të cilat mundoheshin me ato mjete të pakta që kishin në dispozicion të strukturonin veprimin e rezistencës kundër pushtetit ilegjitim në trojet shqiptare.

 

“Epoka e re”: Sa ka qenë e vështirë të organizohen këto protesta duke pasur parasysh rrethanat politike në të cilat është gjendur Kosova dhe shqiptarët në përgjithësi? A mund të thuhet se nga ajo kohë, populli shqiptar ka filluar të organizohet për një luftë çlirimtare siç ishte lufta e UÇK-së, UÇPMB-së dhe Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare?

Bardhyl Mahmuti:

Shpërthimi i revoltës në vitin 1981 duhet të shihet si rezultat i një procesi që tejkalon aspektin “teknik” të organizimit të protestave. Ky proces duhet të merr parasysh një veprimtari të larmishme që është bërë në disa fusha dhe sidomos veprimtaria lidhur me organizimin e 100 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit është e domosdoshme për të kuptuar shpërthimin e vitit 1981.

Institutet e ndryshme shkencore, kulturore dhe artistike ndriçuan dimensione të ndryshme të periudhës vendimtare të krijimit të shteteve në Ballkan. Në këtë kontekst u botuan dhe u shpërndanë (në shumicën e rasteve fshehurazi) me qindra vepra shkencore që denonconin padrejtësitë që na ishin bërë neve si shqiptarë, me qindra vepra artistike (romane, drama, novela, poezi, këngë, piktura, skulptura etj) iu kushtuan kësaj periudhe dhe të gjitha në formën e vet patën ndikim që në mars të 1981 të hapet një faqe e re e historisë të popullit tonë.

Sa i përket ndërlidhjes së këtyre protestave me organizimin e luftërave çlirimtare unë do të kufizohem vetëm në një aspekt. Ajo që mund të thuhet me siguri ka të bëjë me faktin se në protestat e vitit 1981 ishin të përfshirë veprimtarë të disa gjeneratave që ishin dëshmuar në rezistencën kundër pushtuesve jugosllav të territoreve tona. Aty ishin edhe gjenerata e pas Luftës së Dytë Botërore që kishte ëndërruar për lirinë e vendit dhe në mesin e demonstruesve më në moshë ishte veprimtari i shquar i çështjes kombëtare, Rexhep Balidema. Aty ishin edhe gjenerata e veprimtarëve të vitit 1964, ata të protestave të vitit 1968 dhe gjenerata jonë (e 1981-isht).

Vazhdimësia e rezistencës në hapësirat tona krijoi atë hapësirë rezistence ku në mesin e veprimtarëve do të shquhen Jusuf e Bardhosh Gërvalla e Kadri Zeka, Rexhep Mala e Nuhi Berisha, Afrim Zhitia e Fahri Fazliu, Jakup Krasniqi e Hydajet Hiseni, Ali Lajçin e Nezir Myrtajn, Rafi Halili e Zaim Beqiri, Ramadan Avdiu e Halil Selimi, Fatmir Ibrahimi e Bilall Sherifi, Xhafer Shatri e Ibrahim Kelmendi, Fadil Vata e Behajdin Allaqi, Xhavit Haliti e Ali Ahmeti, Kadri Veseli e Ramush Haradinaj, Hashim Thaçi e Fatmir Limaj e shumë veprimtarë të tjerë.

Nëse ndonjë ngjarje mund të krahasohet me demonstrata që filluan studentët e vitit 1981, të cilat i hapën rrugën realizimit të aspiratave të popullit shqiptarë të Kosovës, atëherë demonstrata e studentëve të mbajtur më 1 tetorit të vitit 1997 është pikërisht ajo ngjarje historike që i dha një shtytje të fuqishme luftës çlirimtare të UÇK-së. Kjo protestë nxori në skenë udhëheqësit e rinj të lëvizjes studentore (Albin Kurtin, Muhamet Mavrajn e Bujar Dugollin).

Përtej kontributeve të veçanta të secilit veprimtarë,  kjo hapësirë e rezistencës sonë kombëtare nxori në shesh dy vektorë që ndërlidhin më shumë se pesë dekada rezistencë:Adem Demaçin dhe Adem Jasharin!

 

 “Epoka e re”:  Çfarë rëndësie kanë pasur këto protesta në zhvillimet të cilat kanë pasuar deri në çlirimin e Kosovës?

Bardhyl Mahmuti:

Protestat e studentëve të vitit 1981, që shumë shpejtë u shndërruan në mobilizime të përgjithshme, kanë domethënie të madhe për historinë tonë kombëtare. Por, këto manifestime tejkalon kornizat e ngjarjeve të veçanta dhe mund të shërbejë si referencë se si artikulohen mobilizimet rreth një kërkese politike. Shumica e veprave të autorëve të ndryshëm që i kushtohen  shpërbërjes së Federatës jugosllave këto protesta i shohin si katalizator të një dinamike që rezultoi me krijimin e shtatë shteteve të pavarura.

Përkujtimi i këtyre ngjarjeve duhet të shërbejë si pikënisje për analiza shumë dimensionale dhe të nxirren konkluzione se si duhet të mobilizohen të gjitha energjitë tona kombëtare për të dalë sa më të fuqishëm nga procesi i globalizimit dhe integrimeve euroatlantike.

Në asnjë rast nuk duhet të hiqet nga mendja se shqiptarët në Luginë të Preshevës, në Maqedoni dhe në Mal të Zi janë qytetarët më të shtypur dhe më të varfër në Evropë.

Sa do të përfitojmë nga përvoja pozitive e mobilizimeve që kanë dhënë rezultate të pakontestueshme dhe të ndihmohemi reciprokisht do të varet nga secili individ veç e veç. Në këtë botë të komunikimit me «shpejtësinë e internetit» pesha e çdo personi është shumë më madhe se në kohën e “shaptilografit mesjetar”!

Nëse studentët e vitit 1981 iu kundërvunë njërës nga fuqitë e mëdha politike dhe ushtarake të kohës dhe nuk pranonin të jetonin si robër të askujt, sot nënshtrimi ndaj kujtdo qoftë është në kundërshtim me vlerat dhe parimet për të cilat janë bërë aq shumë sakrifica.