imageSkandal në turneun ndërkombëtar të mundjes “Margaritari i Maqedonisë”, i cili është zhvilluar të shtunën në Radovish.

Tifozët maqedonas edhe njëherë janë shfryrë ndaj shqiptarëve, duke i fyer në baza etnike. Fyerjet e llojit “Shqiptarë i mirë është shqiptari i vdekur” dhe të tjera janë dëgjuar sa herë që në dysheme kanë dal mundës shqiptar nga Kosova, Shqipëria, por edhe garues që mbronte ngjyrat e Maqedonisë. Kjo ka bërë që kosovarët të refuzojnë të marrin pjesë në ndarjen e medaljeve.

Përjetimet nga ky turne i sjell trajneri i KM Çairi, Hasan Bislimi.

“Kulmi i të gjitha padrejtësive dhe fyerjeve ndaj shqiptarëve nisi gjatë meçeve të mundësve nga Kosova dhe Shqipëria me kundërshtar të tyre. Mundësit shqiptarë ishin shumë më të mirë, por kjo nuk vlente pasi referët maqedonas i dëmtonin duke ia rrëmbyer fitoret. Duke i parë këto hile që bëheshin ashiqare selektori i Kosovës në shenjë revolte i tërhoqi mundësit e tij dhe nuk mori pjesë në ndarjen e çmimeve. Sa herë që dilte në dysheme ndonjë mundës shqiptar kundër një mundësi tjetër publiku vendas fillonte me fyerje që nuk duroheshin. Ishte shumë keq kur dëgjon sharje të tilla, dhe e vetmja mënyrë ishte të braktisësh garën”, shprehet Bislimi për “Lajm”.

Ai pastaj tregoi diçka edhe më rrëqethëse: “Më tragjikja ka qenë se nga ana e sigurimit është rrahur mundësi shqiptar që garonte për Maqedoninë, vetëm pse ishte shqiptarë. 20 sigurimsa e kanë rrahur duke e goditur me grushte. Kjo besoj se nuk do koment”, tha ai.

Bislimi tregoi se dy mundësit e tij nuk kanë marrë pjesë, sepse FMM-ja nuk e kishte bërë pagesën për licencim për pjesëmarrje. “Federata është dashur të paguaj licencimin e jo klubet. Dhe, në pamundësi të paguajmë nuk morëm pjesë, sepse në turnet e tillë që janë të njohur nga FILA nuk mund të garosh”, tregon Bislimi.

Në turne kanë marrë pjesë rreth 70 mundës nga Maqedonia, Shqipëria, Kosova, Serbia, Bullgaria dhe BeH.

 

Në FMM duhet të jenë dy Shabanat

“Nuk mund të besoj se si në Federatën e mundjes nuk ka vend për dy legjendat e mundjes Shaban Sejdiu dhe Shaban Tërstena. Ata dy e kanë vendin në krye të mundjes së Maqedonisë. Kjo strukturë që është duke udhëhequr FMM-në ende i shfrytëzojë të mirat e këtij sporti nga fama që kanë Sejdiu dhe Tërstena. Këta dy të fundit janë ata që e kanë dridhur mundjen dhe nga sukseset e tyre neve na njohin. Është turp i madh të mos ketë vend për Sejdiun dhe Tërstenën. Nga këta dy duhet që kreu i mundjes të marrë këshilla. Deri kështu?”, thotë i revoltuar Bislimi.