upupSenati i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, në mbledhjen e mbajtur sot i ka propozuar ministrit të Arsimit, Ramë Buja, që ta bëjë funksional Këshillin Drejtues të UP-së, në mënyrë që ky organ të zgjedhë ushtruesin e detyrëups së rektorit deri në zgjedhjen e rektorit sipas procedurave të rregullta ligjore.
Në mbledhjen e Senatit, që është zhvilluar pa praninë e medieve, që ka zgjatur rreth një orë e gjysmë, senatorët e UP-s ia kanë kthyer mbrapshtë rekomandimet ministrit Buja, që ky Senat të zgjedhë një ushtrues detyre. “Senati i UP-së mendon se pikat e rekomandimit nr. 029-01B të datës 12 shkurt 2014, nuk janë në përputhshmëri me dispozitat e Statutit të UP-së dhe dispozitat e LAL nr. 04/L-037”, është thënë në propozimin e lëshuar nga Senati.
Ndërkohë zëvendësministri i Arsimit, Nehat Mustafa e ka quajtur këtë vendim të pakuptimtë. “Ky vendim tregon mosgatishmërinë e Senatit që të merret me zgjidhjen e problemit aktual, duke tentuar që të instalojnë komunikimin në stilin e lojës së pingpong- ut”, ka thënë Mustafa.
Përndryshe, sipas tij, ministri Buja ka qenë shumë i qartë se nuk do t’i emërojë katër anëtarët e tjerë në Këshill Drejtues. “Ne nuk dëshirojmë që ta rikthehemi në pikën zero”, ka theksuar zëvendësministri Mustafa.