Zhernovski: Qeveria ka shitur truall në qendër për 1 euro metër katror!
Kryetari i Komunës Qendër Andrej Zhernovski ka lëshuar sot akuza në adresë të Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve, se kjo e fundit ka shitur truall atraktiv prej 2.855 metra katrorë edhe atë në Qendër të Shkupit për vetëm 1 euro për metër katrorë. Bëhet fjalë për truallin i cili gjendet mes Stacionit hekurudhor dhe Bankëpopullore, ndërsa planifikohet të ndërtohet hotel 7 katësh.
‘Tani është e qartë se përse nuk mundemi assesi ta marrim në dorë çështjen e rregullimit të tokës ndërtimore në Qendër. Kur na refuzonin, arsyetoheshin se nuk mund të merret toka ndërtimore. Një ndër tokat kryesore ishte pikërisht kjo. Tani është e qartë se përse është në burg kryesuesi i komunës. Nuk bëhet fjalë për krim në Mashinopromet por gjithçka është me qëllim që të mos kemi shumicë në këshill’, deklaroi Andrej Zhernovski, kryetar i komunës Qendër.
Zhernovski tha se çështja e kësaj toke ka qenë në rend ditë të komunës para se të burgoset Mirosllav Shipoviqi. Por pas arrestimit të Shipoviqit, Komuna nuk mund të vendos për menaxhimin me tokën ndërtimore. I menjëhershëm ishte edhe reagimi i Minsitrisë së Transportit dhe lidhjeve.
“Kryetari i komunës Qendër duhet të njihet me rregullat ligjore në pjesën e ndërtimtarisë dhe urbanizmit, dhe të fillojë të bëjë dallimin ndërmjet tokës që është e paraparë për hotel dhe tokës për veprimtari komerciale, ashtu siç është Qendra Tregtare “Vero”, me të cilën vet ai bëri krahasimin’, thuhet në reagimin e Ministrisë.
Kryetari i Komunës Qendër Zhernovski tha se do ti shfrytëzojë të gjitha opsionet që i ka në dispozicion si Komunë për të parandaluar ndërtimin e hotelit. Sa i përket bllokimit të punimeve të Këshillit Komunal, ai tha se VMRO DPMNE-së i ka ofruar zgjedhje të parakohshme në këtë Komunë, por këta të fundit, nuk kanë pranuar një gjë të tillë.