azem_syla Policia e Kosovës ka bërë me dije se sot në rrugën “Ahmet Delija” të Skenderajt ka ndodhur një rrahje në progres, ku, sipas informacioneve të para, dyshohet se është sulmuar fizikisht deputeti i PDK-së, Azem Syla dhe Adnan Koci, truprojë i Gani Kocit.“Nga informacionet e deritanishme dyshohet se personat e dyshuar janë Gani Geci me disa anëtarë të familjes së tij, ku njëri prej tyre dyshohet se ka mbajtur armë në dorë. Bazuar në hetimet fillestare, dyshohet se në vendngjarje ka ndodhur një e shtënë në ajër me armë zjarri, por mbetet të hetohen të gjitha rrethanat e mundshme të këtij rasti. Sipas informacioneve të deritanishme nga terreni, nuk është raportuar për ndonjë person të lënduar apo të plagosur. Njësitet relevante policore kanë reaguar me urgjencë në vendngjarje dhe kanë arritur ta vënë situatën nën kontroll, ku gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes është gjetur një gëzhojë e armës së zjarrit. Për të gjitha veprimet policore është informuar prokurori përkatës dhe për informacione të mëtutjeshme do t’ju mbajmë të informuar”, është thënë në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Syla për Gecin: Me të, të merret gjykata 
Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Azem Syla, nuk ka dashur të komentojë asgjë në lidhje me të shtënat me armë zjarri që u bënë sot në drejtim të tij, nga Gani Geci.
Syla në një prononcim të shkurtër për “Klan Kosovën”, ka thënë se këtë çështje do t’ia besojë prokurorisë dhe gjykatave. “Nuk dua të merrem me të. Me të (Gani Gecin), do të merren gjykata e prokuroria”, ka deklaruar Syla.

gani geci

Gani Geci: S’ka asgjë të vërtetë me të shtënat 
Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Gani Geci, ka mohuar të ketë sulmuar sot deputetin Azem Syla në Skenderaj. Ai ka thënë se nuk ka pasur sulm të armatosur e as shkëmbim zjarri.
Geci për “lajmi.net” ka dhënë versionin e tij për ngjarjen. “Absolutisht nuk ka asgjë të vërtetë në lidhje me të shtënat. Unë isha ulur para lokaleve të mia në Skenderaj, vetë i pesëmbëdhjeti kur përfundoi fushata e PDK-së. Në ndërkohë andej erdhi eskorta me njerëzit e PDK-së, në këmbë. Njëri prej tyre na ka fyer dhe na ka sharë. Pastaj unë nxora një revole joreale”, është shprehur Geci.
I pyetur që ta shpjegojë “revolen joreale”, Geci ka thënë: “E kam një revole të metaltë por joreale, që e mbaj kohëve të fundit. Më shumë si shkrepës. Nuk ka kurrfarë efekti”, ka thënë Geci, duke shtuar se pasi është provokuar ai e ka nxjerr revolen joreale. “Pas provokimit unë e kam nxjerr atë dhe ata kanë ikur. Tek atëherë e kam parë Azem Sylën duke ikur deri te Tjegullorja. Pastaj një truprojë e Gani Kocit, me emrin Adnan Koci, ka shtënë në ajër. Këta djemtë që ishin me mua, ia kanë marrë atij revolen dhe ia kanë kthyer pastaj. Ata na kanë provokuar dhe na kanë sharë. Gani Geci ka thënë se është i gatshëm të bashkëpunojë me Policinë e Kosovës për ngjarjen e sotme. “Jam në shtëpi, nuk kam qenë në polici”, është shprehur Geci.
OVLUÇK-ja dënon sulmin ndaj Azem Sylës 
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, ka dënuar ashpër sulmin ndaj ish-komandantit të SHP të UÇK-së, Azem Syla, që ndodhi sot në Skenderaj. “Sulmi kundër komandantit Azem Syla, nuk është vetëm sulm i drejtuar kundër tij, por dhe kundër të gjithë luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, sulm ndaj Luftës çlirimtare të kombit shqiptar për liri dhe bashkim”, është thënë në reagimin e OVLUÇK-së.
Gani Geci e gjuan me revole Azem Sylën 
Të shtëna armësh janë dëgjuar në Skenderaj derisa PDK-ja po mbante tubim elektoral. Siç raporton gazetarja e “Klan Kosovës” nga vendi i ngjarjes, është parë Gani Geci tek fyen me fjalë të rënda deputetin e PDK-së, Azem Sylën, i cili ishte i pranishëm në këtë aktivitet elektoral. Po ashtu, Geci është dëgjuar tek i kërcënon pjesëtarët e Policisë së Kosovës, duke u kërkuar atyre mos të tentojnë ta arrestojnë.
“Klan Kosova” ka kontaktuar me Policinë e Kosovës, por nuk ka dhënë asnjë informacion. “Klan Kosova”, një kronikë të zgjeruar me pamjet nga vendi i ngjarjes, do ta sjellë në edicionin e lajmeve të orës 20:00.