Intervistë ekskluzive me kryetarin e RDK-së, Rufi Osmani
Almakos: Si do ta vlerësonit situatën aktuale politike dhe të sigurisë në vend?
OSMANI: Në përgjithësi kemi të bëjmë me një situatë të brishtë në plan politik dhe etnik dhe me tendenca të jostabilitetit në rritje në plan ekonomik dhe social. Thënë më ndryshe, kemi një jostabilitet të kontrolluar në të gjitha drejtimet.
Vrasjet në Gostivar dhe në Shkup, argumentojnë bindshëm se situata e sigurisë është mjaft fragjile dhe se organet e rendit kryesisht nuk kanë kapacitete efektive për të menaxhuar situata të jashtëzakonshme dhe se shpejt bien pre e manipulimeve dhe spekulimeve politike. Mbaj bindjen se ruajtja e stabilitetit të brendshëm të vendit kryesisht i dedikohet pjekurisë së shumicës së qytetarëve të vendit me përjashtim të grupeve te manipuluara të të rinjve, ndërsa kontributi i institucioneve të vendit është asimetrik në raport me sfidat me të cilat ballafaqohet vendi.
Almakos: Cila do të ishte zgjidhja më optimale, sipas jush, për të tejkaluarën situatën e krijuar pas përplasjeve të fundit të partive të koalicionit?
OSMANI: RDK është subjekti i vetëm politik në vend që ka dhënë alternativën e saktë të daljes nga kriza politike dhe etnike në rastin e krijimit të qeverisë së vazhdimësisë të koalicionit Gruevski-Ahmeti, alternativë e cila tashme përsëritet nga te gjitha partitë opozitare në plan nacional. Kjo alternativë do të nënkuptonte krijimin e qeverisë së koalicionit të gjerë ngjashëm si në vitin 2001 me dy objektiva strategjike: pastrimin e listës zgjedhore dhe krijimin e parakushteve institucionale për zgjedhje të lira dhe demokratike dhe arritjen e konsenzusit nacional për çështjen e kontestit me Greqinë dhe më pas organizimin e zgjedhjeve paralele lokale dhe parlamentare.
Nëse për këtë opsion nuk është dakord VMRO e Gruevskit, atëherë duhet të krijohet shumicë e re parlamentare me objektivat e njëjta. Problemi bazë i tejkalimit të situatës në fjalë lidhet me faktin se LSDM nuk ka kapacitet të merr përgjegjësinë e krijimit të qeverise teknike si humbëse politike te maqedonasit, në njërën anë, dhe inferioritetin e skajshëm të BDI-së dhe hezitimin e udhëheqësisë së kësaj strukture të kushtëzojë VMRO për të tejkaluar këtë situatë nëpërmjet shpalljes së zgjedhjeve të parakohshme ose krijimit të shumicës së re parlamentare.
Pa diskutim se kësaj situate në masë të konsiderueshme i kontribuon indiferentizmi i faktorit të jashtëm i cili në rastin e BE ka probleme të skajshme me krizën e euros dhe bankrotin e Greqisë ndërsa në rastin e SHBA-ve me zgjedhjet presidenciale që duhet të mbahen në këtë fundvit.
Almakos: Si e shpjegoni situatën që përkundër faktit që qeveria e z. Gruveski varet nga deputetët e z. Ahmeti, BDI-ja vazhdon të jetë shoqëruese e verbër e politikave ekstreme nacionaliste të VMRO-së ?
OSMANI: Analizat e pavarura argumentojnë se hezitimi i BDI-së përkundër shtrydhjes politike që i është bërë nga VMRO, bazohet në faktin se nëse mbahen zgjedhjet e parakohshme, BDI do i humbte këto zgjedhje në raport me opozitën shqiptare dhe së dyti, si pasojë e faktit që njëra nga partitë maqedonase që do të fitonte zgjedhjet e radhës, nuk do të prefereonte që BDI si humbëse të jetë pjesë e koalicionit qeveritar. Nëse këtyre analizave do tu shtohen edhe aferat e ndryshme korruptive që lidhen me funksionarë të partisë shqiptare në qeveri gjatë privatizimit të Telekomit, EVN-së dhe tenderëva të tjerë me vlerë të madhe, e bëjnë të qartë mozaikun se pse kjo parti në qeverinë aktuale e luan rolin e opozitës verbale dhe nuk ka fuqi ndikimi në vendimmarrjen investive, buxhetore dhe kadrovike pavarësisht nga fakti se qeveria e VMRO-së varet nga përkrahja e deputeteve të BDI-së.
Almakos: A mendoni se politika nacionaliste promaqedonase e kryeministrit Gruevski dhe liderit të BDI-së Ali Ahmeti, mund të shkaktojë konflikt ndërnacional apo ndërfetar në Maqedoni, ngjashëm me atë të vitit 2001?
OSMANI: Lojërat politike nacionaliste të tandemit Gruveski-Ahmeti nuk mund të ripërsërisin konfliktin e vitit 2001 sepse definitivisht luftërat në territoret e ish Jugosllavisë kanë përfunduar dhe se nuk ka masë kritike në palën shqiptare, si palë e diskriminuar të merr këtë përgjegjësi dhe të mobilizojë popullin i cili është buzë greminës ekonomike dhe sociale për të filluar edhe një konflikt të armatosur. Ajo që është edhe më rinuese, si pasojë e këtyre politikave është indoktrinimi në rritje në kuadër të politikave etnonacionaliste të VMRO-së të cilat ushqejnë urrejtjen ndaj shqiptarëve te gjenerata e re maqedonase dhe që Maqedoninë vazhdojnë ta shohin vetëm si shtet maqedonas duke përjashtuar të tjerët, e në veçanti shqiptarët dhe myslimanët.
Jam thellë i bindur se ky skenar është një episod i kopjuar e një filmi të vjetër të gatuar nga kuzhinat e Beogradit dhe që zbatohet më me sukses nga kjo qeveri si mbulesë për politikat e dështuara ekonomike dhe sociale. Kjo qeveri dhe përkrahësit e saj nuk duhet të harrojnë se nëse do të vazhdojnë me këtë nacionalizëm agresiv, atëherë shqiptarëve edhe mund tu rrezikohen përkohësisht të drejtat nacionale dhe statusi ekonomiko-social por maqedonasit në plan afatgjatë mund të rrezikojnë ta humbin shtetin përgjithmonë.
Almakos: Cili do të ishte kompromisi historik në mes të maqedonasve dhe të shqiptarëve në kuptim të ruajtjes së Maqedonisë si shtet dhe mbylljes së çështjes shqiptare në Maqedoni ?
OSMANI: Në këto 20 vite pavarësie Maqedonia miratoi dy kushtetuta, njëra ne vitin 1991 duke i injoruar kërkesat e shqiptarëve ndërsa ne vitin 2001 nen trysnin e faktorit ndërkombëtar pas një kryengritjeje shqiptare te papërfunduar. Është koha për ndryshimin e tretë te kushtetutës në kushte paqeje dhe si një konsenzus i gjerë shqiptaro-maqedonas në funksion të tejkalimit të mosmarrëveshjeve aktuale dhe krijimit të një partneriteti të ri të bazuar në të drejta dhe përgjegjësi ekuivalente.
Nevoja e ridefinimit kushtetutar dhe juridik të Maqedonisë është parakusht bazë i stabilitetit aktual dhe qëndrushmërisë në perspektivë të këtij vendi. RDK ofron opsionin më të përshtatshëm për ridefinimin e Maqedonisë si shtet binacional (shqiptaro-maqedonas) me gjuhë zyrtare gjuhen maqedonase dhe gjuhen shqipe në të gjitha nivelet, me miratim të vendimeve me karakter nacional, buxhetor, zhvillimor dhe strategjik nëpërmjet parimit të koncenzusit të përfaqësuesve politikë të kombeve shtetformuese dhe me një decentralizim serioz të pushtetit lokal, ngjashëm me Kushtetutën e vitit 1974 pa komponentin ideologjik. Një ndryshim i kësaj natyre do te ishte kompromisi historik maqedono-shqiptar me të cilin shqiptarët do të identifikoheshin me shtetin, ndërsa maqedonasit do të eliminonin frikën se shqiptarët kanë qëllime të tjera finale. Këto ndryshime duhet të jenë të lidhura në pako me avancimin e procesit të integrimit të vendit në BE dhe NATO, si parakusht i tejkalimit të konflikteve aktuale.
Ky kompromis eviton ndarjen territoriale të vendit në dy etnitete, atë maqedonas dhe shqiptar, sepse gjysma e popullit shqiptar jeton në territore si pakicë në bazë të kufijve aktual të komunave dhe njëkohësisht një pjesë e konsiderushme e maqedonasve jetojnë në territoret ku shqiptarët janë shumicë. Personalisht jam kundër bosnjëzimit të Maqedonisë si një fatkeqësi e madhe për të gjithë qytetarët pavarësisht përkatësive etnike dhe kulturore .
Se fundi, nuk duhet harruar shumica e vendeve të BE-së janë vende që juridikisht janë të organizuara në principet e autonomive të gjera rajonale, federative dhe kantonale duke ruajtur multikulturalizmin dhe shumëgjuhësinë si vlerë e tolerancës, por edhe ruajtjen e veçorive dalluese etnike dhe gjuhësore.
Almakos: E deklaruat publikisht JO-në për bashkëpunimin me PDSH-në. A do të thotë kjo se me këtë hapini rrugë për afrim me BDI-në, ose vazhdoni të preferoni formimin e bllokut të tretë politik shqiptar në Maqedoni?
OSMANI: Mbaj bindjen se diversifikimi politik në rastin e shqiptarëve të Maqedonisë është dëshmuar si i pasuksesshëm dhe jorezultativ dhe i njëjti duhet të zëvendësohet me unitet etnik politik në baze të mandateve politike që ka çdo parti individuale. Ky unitet është dëshmuar se për shkak të rivaliteteve politike ekstreme BDI – PDSH nuk është praktikisht i mundshëm, fakt ky sa i papranueshëm aq edhe demaskues për të dy partitë në fjalë, të cilat me plot dëshirë bashkëpunojnë me partitë maqedonase, mirëpo nuk bashkëpunojnë me nëjra tjetrën.
RDK, pas lojës manipulative për bashkëpunim që u ekzekutua nga PDSH, nga pozicionet opozitare politike ofroi formimin e bllokut të tretë politik shqiptar në Maqedoni si një alternativë e cila do të duhej të rimëkëmb faktorin politike shqiptar.
Kjo ide tashmë nuk përkrahet nga DR-ja sepse kjo parti bën pazare vetëm me BDI dhe PDSH se kush do ti ofrojë më shumë mandate politike pavarësisht nga pesha e saj minore politike. Aktualisht janë në vazhdim bisedimet me BDSH-në e Bardhyl Mahmutit. Më duhet ta them me objektivitet se me përjashtim të RDK-së të gjithë përfaqësuesit e të gjitha partive politike shqiptare, marrjen me politikë e bëjnë ekskluzivisht për motive interesi dhe se të gjitha deklarimet e tyre për unitet kombëtar dhe interesa nacionale janë vetëm demagogji e pastër në funksion të bërjes së karrierave politike dhe pasurimit individual dhe grupor.
Në zgjedhjet lokale në vitin 2013, në rrethin e parë RDK do të garojë e vetme ose në koalicion me subjekte opozitare politike dhe civile me të cilat do të arrijmë marrëveshje, ndërsa në rrethin e dytë do te zbatojë portfolio teorinë në funksion të mbrojtjes së interesit kombëtar dhe partiak.
Almakos: Në qarqe të ndryshme flitet se përkundër deklaratave zyrtare të BDI dhe PDSH, tek to parti është formësuar bindja se roli i RDK-së ua ka prishur në masë te konsiderueshme llogaritë politike. Sa ka gjasa qe pikërisht RDK-ja të jetë shkaku që të ketë një rireshtim të forcave politike te shqiptarët. A pajtoheni me konstatimin se ata, në mënyrë tinzare bashkërendisin veprimet e tyre për të penguar këtë?
OSMANI: Pa dyshim se BDI dhe PDSH kanë pasur dhe kanë bashkëpunim anti-RDK edhe në vitin 2009 dhe në veçanti në vitin 2011. Paraqitja e RDK-së dhe në veçanti rikthimi im në politikë, nuk u mirëprit nga dy partitë konkurruese sepse u prish ekuilibri i jovlerave dhe politikanëve të paaftë dhe skajshmërisht të korruptuar në politikën shqiptare që identifikohet me subjektet në fjalë.
Shembulli i deputetit të RDK-së Izet Zeqiri dhe lënia në hije të të gjithë deputetëve shqiptarë të partive në fjalë, argumenton më së miri se konstatimi juaj është i qëndrueshëm. RDK duhet të jetë opsioni i ardhmërisë së shqiptarëve, sepse në RDK shqiptarët do të gjejnë dijen, guximin, nderin dhe mbi të gjitha, në RDK nuk ka individë të kompromentuar në plan kombëtar dhe politik.
Almakos: Disa herë e keni prolonguar mbajtjen e Kongresit të partisë. Nuk është RDK e përgatitur sa duhet, ose prisni që dobësimi i dy partive më të mëdha shqiptare të rezultojë me prurje të reja në radhët tuaja?
OSMANI: Arsyet e prolongimit të mbajtjes së Kongresit të RDK-së, bazohen në aktivitete paralele që u iniciuan në skenën politike dhe që lidheshin me formimin e grupimit të tretë opozitar politik dhe negociatat tona me personalitete të njohura intelektuale, politike dhe publike që të jenë pjesë e radhëve tona.
Tashmë kur ideja e formimit të grupimit të tretë politik është kristalizuar në kuptim më të ngushtë, pritet vendimi për organizmin ose jo të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare që të definojmë muajin e organizimit të Kongresit partiak gjatë fundvitit 2012. Thjesht, synimet tona kanë qenë shumë më të larta sesa të bëjmë një tubim partiak (kongres) ku do të legjitimoheshin personalitet kryesore që janë shenja dalluese e RDK-së.

Almakos: Komuna e Gostivarit nga institucione ndërkombëtare është vlerësuar si Komunë e sukseseve. Mendoni se edhe qytetarët, pikësëpari ata të Gostivarit por edhe të vendbanimeve tjera e ndajnë të njëjtin mendim, nëse kihet parasysh rezultati i zgjedhjeve të fundit parlamentare?
OSMANI: Mandati im si kryetar komune ka qenë i veçantë në më shume drejtime duke pasur parasysh se unë fitova si kandidaturë e pavarur në vitin 2009. Trashëgova një komune me borxhe të jashtëzakonshme prej 11 milion euro që ishin tri herë më të mëdha se buxheti baze. Trashëgova një administratë komunale tepër të politizuar, kisha në vazhdimësi bllokada permanente nga pushteti qendror dhe në një situatë të tillë, faza e konsolidimit të komunës më mori dy vitet e para të qeverisjes.
Për pasojë të kësaj situate emergjente, më duheshin dy vite me radhë të bllokoja nga 6 mijë llogari bankare të firmave dhe të qytetarëve për shkak të mospagesës së taksave komunale dhe të realizojë vetëm pjesërisht investimet kapitale.
Viti i tretë dhe i katërt i mandatit ishin projektuar të jenë vite të sukseseve në komunë, falë reformave dhe stabilizimit të arritur financiar, mirëpo në vitin 2011 qeveria organizoi zgjedhjet e parakohshme dhe për pasojë qytetaret nuk shijuan efektet e reformave dhe ndëshkuan politikat shtrënguese fiskale të zbatuara në dy vitet e para. Rezultati zgjedhor në vitin 2011 u shoqërua me korrupsion masiv nga BDI dhe VMRO-DPMNE dhe ishte vit kur unë më shumë u koncentrova në shtrirjen e RDK-së në vendbanimet tjera, duke lënë Gostivarin në menaxhim politik të bashkëpunëtorëve të mi të cilët nuk e dhanë provimin politik zgjedhor në Gostivar.
Almakos: Rufi Osmani si kryetar komune ka pasur mbështetje të fortë nga institucionet ndërkombëtare në planin financiar, por sa është përfillur Rufi Osmani në politikë nga faktori ndërkombëtar, përfshirë këtu edhe Shqipërinë dhe Kosovën?
OSMANI: Raportet e RDK dhe të Rufi Osmanit me diplomatët në vend kanë qenë ekuivalente me peshën politike që ka sot RDK në skenën politike në vend. Së fundi është një tendencë që në Maqedoni nga diplomatet e jashtëm të takohen përfaqësuesit e dy partive më të mëdha maqedonase dhe shqiptare, qasje kjo që në esencë nënkupton cementimin e statuskuosë të politikave dhe politikanëve jorezultativ. Rasti i Shqipërisë në veçanti është rast për tu analizuar sepse Shqipëria është shteti amë i shqiptarëve.
Më duhet të jap vlerësimin tim personal dhe jopartiak se në kontinuitet ambasadorët e Shqipërisë kryesisht nuk kanë qenë në nivel të obligimit nacional që të interesohen për të drejtat e popullit shqiptar në Maqedoni, por kryesisht kanë qenë në mision të krijimit të miqësive private me persona me ndikim politik dhe afarist.
Anashkalimi që i bëhet RDK-së nga përfaqësuesit politik të Shqipërisë është kopjim i politikave të vendeve të tjera dhe bie ndesh me obligimet kushtetutare të shtetit shqiptar dhe të diplomacisë shqiptare. Në instancë të fundit, legjitimiteti politik i RDK dhe Rufi Osmanit nuk buron nga kontaktet me ambasadorët e vendeve të tjera dhe të ambasadorit shqiptar, por nga vullneti demokratik i popullit shqiptar i shprehur në zgjedhje.
Almakos: Ekziston një bindje në qarqet diplomatike se kombi shqiptar në përgjithësi nuk e arsyetoi përkrahjen e fuqishme që faktori ndërkombëtar ia dha në dy dekadat e fundit dhe se tashmë shqiptarët gradualisht por me siguri nuk janë populli i preferuar në vendimmarrjen ndërkombëtare në Ballkanin Perëndimor. Cili është vlerësimi juaj për këto shqetesime dhe cilat mund të jenë pasojat për shqiptarët në të ardhmen?
OSMANI: Konstatimi juaj pa diskutim se është i saktë. Faktori ndërkombëtar luajti rolin kyç në ruajtjen e tërësisë territoriale të Shqipërisë në vitin 1997, në çlirimin e Kosovës nga okupimi serb në vitin 1999 dhe po ky faktor kishte rolin vendimmarrës që luftërat në Preshevë dhe në Maqedoni të përfundojë me rezultat të barabartë dhe me ndryshime të pjesshme të statusit juridik të shqiptarëve në Maqedoni. Dëshpërimi i faktorit ndërkombëtar me një klasë politike tepër konfliktuale dhe shumë të korruptuar në territoret shqiptare në Ballkan, ka humbur entuziazmin e këtij faktori dhe gradualisht nga një komb ndaj të cilit kishin simpati dhe i dhanë përkrahje ekzistenciale dhe zhvillimore, transformohemi në një komb ndaj të cilit ky faktor bëhet indiferent dhe mohues.
Konfliktet deri në armiqësi shkatërruese në mes të PD dhe PS që mbajnë peng çështjen e integrimit të vendit në BE, korrupsioni i jashtëzakonshëm institucional në Shqipëri dhe Kosovë dhe privatizimet masive korruptive të pasurisë kombëtare të vendeve më të varfra në Evropë dhe korrupsioni i skajshëm dhe paaftësia menaxheriale e përfaqësuesve shqiptarë në qeverinë e Shkupit, kompletojnë mozaikun e një klase politike të dështuar në të gjitha drejtimet.
Fakti që shqiptaret janë populli i vetëm në Ballkan ku mandatet politike blihen me para korruptive dhe ku procesi zgjedhor shoqërohet me vjedhje masive elektorale, na bën të cilësohemi si popull me kulturë demokratike të nivelit të vendeve afrikane. Gjithsesi faji i adresohet së pari klasës politike, institucioneve skajshëmrisht të politizuara, intelektualëve dhe së fundi vet popullit shqiptar.
Këto trende tepër negative demokratike dhe politike të shoqëruara me një status ekonomik dhe social tepër të brishtë, përbëjnë shkakun kryesor se pse sot shqiptarët vullnetarisht lëshojnë territoret e veta autoktone dhe nëse vazhdon ky trend, në një periudhë dhjetë vjeçare do të jemi populli i vetëm në Evropë që mbi gjysma e popullsisë do të jetojë në emigracion, me perspektivë të sigurt të shpopullzimit masiv të tokave tona.
Almakos: Votuesit shqiptarë në Maqedoni janë në apati të madhe politike. Mbi gjysma e tyre, tashmë disa cikle zgjedhore abstenojnë nga votimi. Sa do të mundet RDK-ja me Programin dhe Platformën që ka, ta ulë këtë përqindje duke tërhequr nga vetja abstenikët dhe të ndryshojë strukturën aktuale në Parlament?
OSMANI: Analizat tona flasin se problemi bazë i abstenimit të elektoratit shqiptar lidhet me kohën e organizimit të zgjedhjeve krahas dëshpërimit të madh politik. Të gjitha zgjedhjet politike në vend në këto 20 vite pavarësi organizohen në kohën kur mërgimtarët tane që përbëjnë afërsisht 30% të elektoratit shqiptar, nuk janë në vendlindje dhe kur këtij numri do t’i shtohen edhe 20-25% abstinentët, do të vijmë deri te një pjesëmarrje shumë e ulët prej 45-50%.
RDK-ja ofron programin dhe kuadrot më cilësore në raport me konkurrentët tjerë, mirëpo mungesa e mjeteve financiare, injorimi nga mediat publike dhe private dhe kriza e madhe ekonomike dhe sociale, ka bërë që RDK pjesërisht të pranohet nga qytetarët shqiptarë si opsion i shpresës politike.
Ne këtë drejtim mendoj se një përgjegjësi serioze për dështimin politik të faktorit politik shqiptar do të mbajë klasa politike aktuale skajshmërisht e korruptuar, inteligjenca shqiptare e ciklit universitar, inteligjencë kjo qe në shumicën e rasteve nuk arsyeton titujt shkencorë dhe që nuk ka guximin intelektual dhe kombëtar të kyçet më aktivisht në politikë.
Populli shqiptar paguan koston e të qenurit popull i ndarë dhe historikisht i vonuar dhe me përfaqësues politikë dhe inteligjence margjinale në raport me standardet vlerore të BE-së.
Almakos: Gjasat që të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare janë të mëdha, por ato të rregulltat lokale gjithsesi do të mbahen në kornizën e përcaktuar ligjore. Marsi është afër. Cilat do të jenë kandidaturat e RDK-së në komunat më të mëdha shqiptare?
OSMANI: Rufi Osmani u kthye në politikë në vitin 2009 me një fitore madhështore në komunën e Gostivarit, për të kthyer në vend mandatin politik që politika maqedonase me dhunë ia ndërpreu në vitin 1997. Në vitin 2011, RDK-ja për dy muaj aktivitet në një konkurrencë skajshmërisht të pabarabartë, me 30 mijë vota arriti të ketë dy deputetë, edhe pse së paku meritonte pesë deputetë. Zgjedhjet e radhës lokale ose parlamentare, do të jen kyçe për të ardhmen e RDK-së.
Sot jemi shumë më të përgatitur, politikisht më të pjekur, në aspekt strukturor të konsoliduar dhe jemi partia shqiptare e cila në mënyrë të mirëfilltë kemi luajtur rolin e opozitës në raport me qeverinë aktuale dhe kemi menaxhuar me suksesin më të madh komunën e Gostivarit nga pozicioni i pozitës lokale. Në zgjedhjet lokale do të garojmë me kuadrin tonë më të mirë në komunat ku kemi gjasa reale të fitojmë kryetarët e komunave dhe mandate respektabile në këshillat e komunave.
RDK i ka dyert e hapura për bashkëpunim parimor dhe konstruktiv me struktura politike dhe civile në funksion të nominimit të kandidatëve më të mirë, kandidatë këta që do të artikulojnë më së miri interesat e qytetarëve në pushtetin komunal.
Mendoj se menaxhimi shumë i suksesshëm i komunës së Gostivarit që ka edhe verifikimin e institucioneve kryesore financiare ndërkombëtare dhe profesionaliteti dhe produktiviteti shumë i lartë i deputetit tonë Izet Zeqiri, duhet të jenë garanci e mjaftueshme se RDK-ja ka modelin dhe sistemin e menaxhimit te suksesshëm në plan lokal dhe nacional që duhet të përkrahet nga shqiptarët./Almakos