imageAfrim TANALLARI-Botuesi i gazetës “Lajm”, Fejzi Hajdari thotë se një nismë e udhëhequr nga njerëz me eksperiencë do të merrte një mbështetje të madhe te qytetarët shqiptarë. Ndërsa, gazetari Isuf Kadriu shprehet se bashkimi i intelektualëve shqiptarë, do të ishte alternativë për të parandaluar politikat anti-integruese dhe destabilizuese të krerëve aktualë të ekzekutivit
 Nisma për formimin e një fronti shqiptar që pikësynim do të kishte artikulimin e interesave shqiptare në Maqedoni, është e mirëseardhur për opinionin shqiptar në vend, vlerësojnë analistët politikë dhe gazetarët. Sipas tyre, është më se e nevojshme kjo nismë, pikërisht pas dështimeve të subjekteve politike shqiptare.

Botuesi i gazetës “Lajm”, Fejzi Hajdari thotë se një nismë e tillë e artikuluar dhe e përgatitur mirë dhe e udhëhequr nga njerëz me eksperiencë, do të merrte një mbështetje të madhe te qytetarët shqiptarë. 

“Mendoj se një iniciativë e tillë përfundimisht do të ishte e mirëseardhur në skenën politike shqiptare, për shkak të debaklit të partive të deritanishme shqiptare, në kuptimin e realizimit dhe artikulimit të interesave kombëtare shqiptare në Maqedoni. Aktualisht, shqiptarët kanë humbur besimin te politika shqiptare në Maqedoni”, deklaroi për “Koha e Re”, Hajdari.

Sipas tij, një gjë të tillë më së miri e dëshmojnë rezultat e anketave, sidomos ato të cilat në mënyrë të tërthortë serviren nga Qeveria, siç ishte rasti me anketën e fundit të Institutit “Pavel Shatev”, që konsiderohet shumë i afërt me VMRO-DPMNE-në.

Hajdari është i mendimit se në këtë situatë të dëshpërimit të përgjithshëm, një iniciativë e menduar mirë, me një platformë politike të përpiluar në mënyrë serioze dhe studioze nga njerëz me eksperiencë të dëshmuar, do të kishte gjetur një mbështetje të madhe te shqiptarët e këtushëm.  

Ndërsa, gazetari Isuf Kadriu shprehet se bashkimi i intelektualëve shqiptarë ndoshta do të ishte alternativë për të parandaluar politikat anti-integruese dhe destabilizuese të krerëve aktualë të ekzekutivit. “Duke marrë parasysh dështimet e partive politike shqiptare në realizimin e programeve të tyre, apo pafuqinë për t’u bërë ballë politikave dhe projekteve monoetnike të Qeverisë, mendoj se bashkimi i intelektualëve shqiptarë ndoshta do të ishte alternativë për të parandaluar politikat anti-integruese dhe destabilizuese të krerëve aktualë të ekzekutivit”, deklaroi për “Koha e Re”, Kadriu. 

Ai thotë se deri më tani kanë qenë pikërisht intelektualët dhe organizatat joqeveritare që përmes formave të ndryshme kanë ngritur zërin dhe madje kanë parandaluar shumë projekte që në esencë dëmtonin interesat e shqiptarëve.

“I tillë ishte rasti me Enciklopedinë maqedonase, vendimin për mësimin e maqedonishtes, projektin ‘Shkupi 2014’, e shumë raste tjera që u kritikuan apo u denoncuan pikërisht nga personalitete të ndryshme dhe OJQ-të me ndihmën edhe të medieve në gjuhën shqipe”, shprehet gazetari Isuf Kadriu.

Mësohet se këtë nismë për t’ia besuar atë publicistit Kim Mehmetit, ka ardhur nga shoqatat joqeveritare shqiptare, kryesisht ata të cilët kohë më parë protestuan lidhur me proceset e montuara shqiptare, si Sopoti, Brodeci dhe katër rastet e Hagës.

Këtë nismë, siç mësohet jozyrtarisht, pozitivisht e kanë vlerësuar edhe politikanët. Synimet e këtij Fronti nuk janë shndërrimi i saj në parti politike.

Ndërsa, siç mësojmë, kësaj nisme do t’i bashkëngjitet edhe nënkryetarja e BDI-së, Teuta Arfi, e cila në vazhdimësi kundërshton politikat qeveritare.

 Kjo ide e mirëseardhur

“Mendoj se një iniciativë e tillë përfundimisht do të ishte e mirëseardhur në skenën politike shqiptare, për shkak të debaklit të partive të deritanishme shqiptare, në kuptimin e realizimit dhe artikulimit të interesave kombëtare shqiptare në Maqedoni”, deklaroi Fejzi Hajdari.

 Bashkimi i intelektualëve alternativë

“Duke marrë parasysh dështimet e partive politike shqiptare në realizimin e programeve të tyre, apo pafuqinë për t’u bërë ballë politikave dhe projekteve monoetnike të Qeverisë, mendoj se bashkimi i intelektualëve shqiptarë ndoshta do të ishte alternativë”, theksoi Isuf Kadriu