Gjykimi për vrasjen e policit Triumf Riza, drejt epilogut
Sipas aktakuzës, të akuzuarit Arben Berisha e Fitim Avdiu, së bashku me të akuzuarit Enver Sekiraqa, Rrahim e Ilir Abdullahu si grup i organizuar nga i akuzuari Enver Sekiraqa, kanë marrë pjesë në vrasjen e policit Triumf Riza.
Prishtinë, 21 prill – Gjykimit të të akuzuarve në lidhje me rastin e vrasjes se ish policit të SHPK-së, Triumf Riza, dalëngadalë po i vjen fundi. Kështu të mërkurën në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, i akuzuari i fundit në lidhje me këtë vrasje, Agron Emini, i cili akuzohet për moslajmërim të veprave penale apo moslajmërim i kryesit të saj, e dha mbrojtjen e tij, para trupit gjykues të kryesuar nga gjyqtari Mejdi Dehari, pasi që dy të parët Arben Berisha dhe Fitim Avdiu, këtë e kishin bërë në seancën e kaluar. Gjatë mbrojtjes së tij Agron Emini, i cili bashkë me Arben Berishën dhe Fitim Avdiun po gjykohen për vrasjen e Triumf Rizës që kishte ndodhur në ditën e 30 gushtit të 2007 në lagjen “Dradania”, afër lokalit “Sekiraça, ka rrëfyer për ditën kritike kur ishte vrarë polici Triumf Riza, dhe ditët pasues se si i kishte ndihmuar policisë dhe të akuzuarit Arben Berisha, për t’u dorëzuar para organeve të ndjekjes. Ai tha se një ditë pas vrasjes së Triumfit, i akuzuari Arbeni Berisha, kishte shkuar te pompa e benzinës “Gollaku Petrol”, dhe kishte kërkuar ndihmë nga ai. “Atë ditë në mëngjes ka kërkuar ndihmë, i kam thënë pse nuk po paraqitesh ne polici, më ka thënë se ka frikë se mos e maltretojnë. Unë i kam thënë se e njoh avokatin Bajramin Tmava, të cilin atë ditë me 31 gusht e kam kontaktuar disa herë në telefon por deri pasdite nuk më është përgjigjur. Ai është dorëzuar në ditën e dytë me prezencën e Bajramit dhe timen te Xhamia e Llapit, afër hekurudhës”, tha Emini.
Prokurori thotë se i akuzuari ka ndryshuar deklaratën
Në vërejtjen e prokurorit Reshat Millaku, se i akuzuari Emini, po e devijonte deklaratën e tij të dhënë në polici nga ajo që po thoshte para trupit gjykues, i akuzuari Emini, tha se gjatë marrjes në pyetje nga ana e policisë kishte pasur shumë maltretime dhe se prej fillimit të marrjes në pyetje, nuk e kishte pasur avokatin. “Nuk e di çka kam deklaruar se kam qenë shumë i maltretuar e rrahur. Por për mua nuk ka qenë shumë interesant çka kam dëshmuar në polici, qëllimi im ka qenë vetëm të largohem nga aty sepse më kanë maltretuar shumë”, theksoi ai, duke shtuar se policët Burim Osmani dhe një tjetër që nuk i kujtohet emri i tij, e kishte bërë vetë deklaratën si kishin dëshiruar ata. Ai po ashtu ka rrëfyer edhe ngjarjen se si ishte takuar me avokatin Bajram Tmava, prej të cilit kishte kërkuar ndihmë për ta dorëzuar Arben Berishën në polici. “Kur kam shkuar te Bajram Tmava, ai më ka thënë mirë ia ke bërë që e ke paraqitur rastin, por nëse je i involvuar në rast unë nuk mund të ndihmoj. I kam thënë se nuk kam qenë i involvuar por djali është frikësuar prandaj nuk është paraqitur në polici. Unë e kam ndjerë si obligim t’i ndihmojë Arbenit por edhe policisë. Vetë i akuzuari ka kërkuar të ketë një avokat në mënyrë që mos të maltretohet nga policia”, tha Emini. Ai po ashtu deklaroi se si kishte shkuar në zyrën e avokatit Tmava, dhe e kishte takuar një oficer të policisë, me mbiemër Kllokoqi, i cili sipas tij e kishte inkurajuar për gjestin e bërë për dorëzimin e të akuzuarit Berisha në polici. “Kur unë kam shkuar aty ka qenë edhe ai Kllokoqi, i cili ka qenë diçka i lartë në polici por nuk e di saktë se çka. Ai më ka thënë se ke bërë shumë mirë që e ke ndihmuar Arbenin të dorëzohet dhe për këtë akt mund të kërkosh edhe dëmshpërblim. Madje ai me ka premtuar se as Arbenit nuk do t’i bëjnë asgjë”, tha ai.
Aktakuza
Sipas aktakuzës, të akuzuarit Arben Berisha e Fitim Avdiu, së bashku me të akuzuarit Enver Sekiraqa, Rrahim e Ilir Abdullahu, këta të fundit gjenden në arrati, si grup i organizuar nga i akuzuari Enver Sekiraqa, të shtyrë nga motivi i paskrupullt e me dashje që ta privojnë nga jeta Triumf Rizën, e kishin përcjell me veturën e tyre të ndjerin Riza, i cili ishte gjuajtur 11 herë nga i akuzuari Arben Berisha, gjersa kishte dalë nga lokali dhe po i drejtohej veturës së tij. Me këtë në bashkëveprim me të akuzuarin Enver Sekiraqa, Rrahim e Ilir Abdullahun, kanë kryer veprën penale vrasje e rëndë, ndërsa i akuzuari Agron Eminin, akuzohet për veprën penale moslajmërim i veprave penale apo moslajmërim i kryesit të saj. Seanca e radhës për këtë rast do të zhvillohet me 11 maj të këtij viti, ku do të jepet fjala përfundimtare e prokurorit dhe avokatëve mbrojtës.
T. Rexhepi
