Kryeministri Berisha njofton ngritjen së shpejti të komisionit për përgatitjen e 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë

Shqipëria shkon në këtë 100 vjetor, siç e parashikuan dhe e projektuan ata që 98 vjet më parë, e shpallën atë, shtet të pavarur, anëtare e NATO-s, kandidate e BE, shqiptarët të lirë pa viza, por edhe një vend me progres të madh në dy infrastrukturat, tokësore dhe atë dixhitale. Kryeministri Berisha njoftoi sot ngritjen e një komisioni, me pjesëmarrje të gjerë e të kryesuar nga Kryeministri, për përgatitjen e 100 vjetorit të pavarësisë së vendit. Duke folur në hyrje të mbledhjes së Këshillit të Ministrave, Kryeministri Berisha tha se 100 vjetori i pavarësisë përbën festën më të madhe për mbarë kombin shqiptar. “Në këtë mandat, – u shpreh Kryeministri – kryengjarja e Shqipërisë dhe shqiptarëve, pas liberalizimit të vizave, është 100 vjetori i pavarësisë së vendit. 100 vjetori i pavarësisë përbën festën më të madhe për mbarë kombin shqiptar. Shqipëria shkon në këtë 100 vjetor, siç e parashikuan dhe e projektuan ata që 98 vjet më parë, e shpallën shtet të pavarur, anëtare e NATO-s, kandidate e Bashkimit Europian, shqiptarët të lirë pa viza, por edhe një vend me progres të madh në dy infrastrukturat, tokësore dhe atë dixhitale”. Kryeministri Berisha tha se komisioni duhet të jetë shumëpërfshirës, me faktorët më të rëndësishëm të kombit, në Shqipëri dhe jashtë saj, të qeverisë qendrore dhe asaj vendore, të botës akademike dhe shoqërisë civile. Për mënyrën e konceptimit të tij, Kryeministri udhëzoi ngritjen e një grupi pune, të drejtuar nga zëvendëskryeministri. “Komisioni, – tha Kryeministri – duhet të ndërtohet dhe fillojë nga puna sa më shpejt. Mendoj që një grup, me në krye zëvendësministrin, të merret me konceptimin e komisionit, i cili do të kryesohet nga kryeministri dhe të fillojë punën. Të bëjmë çdo përpjekje që Shqipëria të takohet me 100 vjetorin e vet në mënyrën më dinjitoze të mundshme. Shpresoj që gjatë dy-tre javëve të ardhshme, ne do të mund të vendosim këtu, për komisionin, i cili ka një punë jashtëzakonisht të madhe për të bërë. Duhet të bëjmë një përpjekje të gjithanshme, të gjitha objektivat duhet të përfshihen në buxhetet e viteve që vijnë dhe buxheti ekzistues, në funksion të takimit të Shqipërisë me 100 vjetorin e saj, mund të pësojë modifikimet e nevojshme”. 100 vjetori i pavarësisë së Shqipërisë, tha Kryeministri, duhet të jetë më i bukuri, më festivi, më dinjitozi që vendi ka njohur ndonjëherë.

Kryeministri Berisha: Policia e Shtetit do përputhet me detyrimet e reja që dalin nga procesi i heqjes së vizave

Kryeministri Berisha tha sot, në mbledhjen e qeverisë, se do të vazhdojë ristrukturimi i Policisë së Shtetit, në përputhje me obligimet e reja të Shqipërisë, që dalin nga procesi i heqjes së vizave. “Vazhdon reforma e policisë. Këtë herë jo me shkurtime, por hiqen nga objektet 200 inspektorë dhe punonjës të Policisë së Shtetit dhe dërgohen që të gjithë në policinë e kufirit, sepse procesit të heqjes së vizave, duhet t’i përgjigjemi me shkallë më të lartë të përgjegjësisë në sektorin e migracionit, të luftës kundër drogës. Në përputhje me obligimet e reja madhore që dalin nga procesi i heqjes së vizave, të gjithë sektorët që kanë të bëjnë me objektivat dhe kërkesat e udhërrëfyesit duhet të konsolidohen gjithnjë e më shumë”, u shpreh Kryeministri. Në këtë kontekst, Kryeministri theksoi se është bërë e qartë se sistemet tona janë ndër më modernet, duke informuar se një tjetër gjysmë milion euro është për fuqizimin e serverëve dhe të të gjitha potencialeve të këtyre sistemeve.

Qeveria zgjeron kategoritë e përfituesve të së drejtës për strehim

Qeveria miratoi sot zgjerimin e kategorive të subjekteve përfituese të së drejtës për strehim, duke përfshirë edhe akademikët, personalitete të shquara në fushën e shkencës, artit, kulturës, të sportit dhe fushave të tjera. Vendimi “Për trajtimin me strehim të nëpunësve civilë të administratës së lartë shtetërore dhe të funksionarëve politikë” përcakton se shqyrtimi dhe verifikimi i plotësimit të kritereve për përfituesit do të bëhet nga sekretarët e përgjithshëm të institucioneve dhe në rast se institucioni nuk e ka në organikë funksionin e sekretarit të përgjithshëm, nga titullari i institucionit. Vendimi përcakton që numri limit i përfituesve që deri më tani ka qenë 100, të jetë nga 150 deri në 200 subjekte përfituese.