– Industria e paqes
– Thellimi i ndarjes
– Greva e gazetarëve
– Të menduarit e GjND-së
– Kategorizimi
– Shkëmbimi i territorit për ulëse?
– Kujt dhe pse i duhen negociatat e reja?
– Leja fetare për politikë
– Mungesa e sovranitetit i riprodhon koncesionet
– Zhvillimi i privatizimit

Greva e gazetarëve

Paramendoni sikur gazetarët në Kosovë të bënin një grevë të përgjithshme ndaj takimeve dhe mbledhjeve të Qeverisë dhe politikanëve tjerë që kryesojnë institucionet e partitë. Paramendoni sikur ata të refuzonin për një muaj politikanët si lëndë e parë që janë për lajmet e tyre, dhe të jepnin vetëm lajme nga jeta e njerëzve të thjeshtë. Politikanët gjithsesi do t’i kapte paniku.

Në Kosovë prodhohet pak. Prandaj ka pak punëtorë, pak njerëz të punësuar. Shumica e popullsisë së Kosovës janë të papunë. Tregtia dhe administrata kurrë nuk mund ta zgjidhin problemin e papunësisë. Pa prodhim, s’ka punësim. Prodhimtarisë i duhen punëtorë dhe jo anasjelltas. Kur planifikohet dhe mundësohet prodhimi atëherë nis edhe punësimi. Punësimi nuk realizohet nga dëshira për punë e të papunëve, por nga nevoja e prodhimtarisë për të punësuar të rinj. 

Mirëpo, ka një lloj prodhimi në Kosovë që vazhdimisht e konsumojmë pa e vërejtur këtë gjë. Spontaniteti dhe familjarizimi me të na bëjnë të pavetëdijshëm për të. Ky prodhim është aq masiv dhe i përditshëm saqë duket se është e vetmja industri e mbetur në Kosovë. E kam fjalën për industrinë e mediave, për prodhimin e lajmeve nga televizionet, radiot e gazetat. Nuk është i rëndësishëm këtu lajmi si prodhim i fabrikuar në kuptimin pezhorativ të fjalës dhe as shitja e opinionit të redaksisë si lajm për publikun. Secili lajm, pavarësisht vërtetësisë a saktësisë së tij, pavarësisht aktualitetit a ndikimit të mëpastajmë, është produkt i prodhuar nga gazetarët. Gazetarët janë punëtorët që e prodhojnë lajmin, ndonëse ata mund të mos e përjetojnë veten fare si punëtorë, e lëre më si punëtorë që e prodhojnë lajmin. Ngjarjet e ndodhura rishtas, zhvillimet e ndryshme politike dhe të tjera, të gjeturat e zbuluara nga e kaluara që ishin të panjohura deri më tani, paraqesin lëndën e parë të cilën gazetarët e përpunojnë për ta bërë produktin lajm që shitet mandej. Qytetarët e blejnë lajmin në forma të ndryshme: nga blerja e gazetës dhe pagesa e energjisë elektrike për 3.5 euro më shtrenjtë, e deri te blerja e produkteve të tjera për të cilat morëm vesh ose u cytëm t’i blejmë nga reklamat në media të ndryshme.

Lajmi tashmë është produkt të cilin nuk mund të mos e konsumosh. Kur qytetari ynë shikon, dëgjon a lexon, ai zakonisht shikon, dëgjon a lexon lajme. Lajmin e konsumon sepse e ka të pamundur të mos e konsumojë, dhe normaliteti i këtij konsumimi vështirë të jetë i pakrahasueshëm me çkado tjetër. Lajmi më parë sesa të jetë produkt i zgjedhur, është produkt i munguar. Secili pyet se ‘çka ka të re’, në kuadër të një ping-pong loje midis kureshtjes dhe mërzisë. Fundja, a nuk është kureshtja e njerëzve sot komplementare me mërzinë? Je i mërzitur para se të bëhesh kureshtar, e mandej mërzitesh sërish atëherë kur e reja s’është më e re, kur të resë i kalon risia me nxitim.

Qytetari gjithsesi është i informuar edhe pse kjo nuk tregon asgjë për vetëdijësimin dhe emancipimin e tij. Madje, mund të jetë e kundërta: sa më i informuar, aq më pak i vetëdijshëm është ai. Kur banorët e një lagjeje të Vushtrrisë patën protestuar sepse për disa ditë rresht kishin mbetur pa energji elektrike, flitej në formë shakaje se ata nuk u ngritën në protesta që të kenë energji, por pse nuk patën: disa ditë radhazi ata nuk kishin parë lajme në televizion dhe realiteti u ishte bërë i padurueshëm meqë ai u kishte mbetur i pandërmjetësuar nga lajmet televizive. Porsa kishin filluar të përballen me realitetin e çliruar nga thjerrat që ua impononte televizori, ata ishin rebeluar. Sido që të jetë, karakteri i produktit lajm, pra të qenit e tij virtual karshi realitetit apo materialitetit të tij, çon më pak peshë për atë që do të lexoni në vijim sesa për atë që tashmë e lexuat.  

Gjendjen e një shoqërie, cilëndo gjendje në cilëndo shoqëri, e ruajnë forca të caktuara shoqërore. Asnjë status quo nuk është e vetëqëndrueshme pa forcat prodhuese të status quo-së. Kur punëtorët e një fabrike bëjnë grevë ata e ndërprejnë prodhimin e asaj fabrike dhe hedhin farën e ndryshimit të status quo-së. Ata e refuzojnë mirëmbajtjen e gjendjes ekzistuese duke e kërkuar një gjendje tjetër të cilën njësoj do ta mirëmbanin pastaj. Kërkojnë kushte të reja, kushte më të mira, për veten e tyre në punën e tyre. Greva e punëtorëve në fabrikë është shkëputje e hallkës së zinxhirit që lidh lëndën e parë me produktin përfundimtar. Punëtorët refuzojnë të punojnë duke refuzuar të përpunojnë. Gazetarët janë punëtorë. Ata janë prodhuesit kryesorë në Kosovën pa prodhim. Askush nuk mund të bëjë grevë të suksesshme sikurse punëtorët që prodhojnë. Paramendoni sikur gazetarët në Kosovë të bënin një grevë të përgjithshme ndaj takimeve dhe mbledhjeve të Qeverisë dhe politikanëve tjerë që kryesojnë institucionet e partitë. Paramendoni sikur ata të refuzonin për një muaj politikanët si lëndë e parë që janë për lajmet e tyre, dhe të jepnin vetëm lajme nga jeta e njerëzve të thjeshtë. Politikanët gjithsesi do t’i kapte paniku. Njerëzit do të dyshonin nëse ata ekzistojnë. Të tjerëve që u kujtohet t’i kenë parë gjallë do të hamendësoheshin nëse ato ishin veçse holograme. Do të kuptohej se shumë më tepër se që televizionet kanë nevojë për politikanët, janë politikanët ata që kanë nevojë (sidomos) për televizionet. Greva e gazetarëve ndaj gjithë këtyre politikanëve që e lanë Kosovën pa ekonomi e pa ushtri, pa arsim e pa shëndetësi, dhe me gjithnjë e më pak territor, pa dyshim që do ta trondiste status quo-në e tanishme. Sepse në Kosovë gazetarët janë prodhuesit më të mëdhenj, sepse në Kosovë nuk prodhohet asgjë sikur lajmet, sikur lajmet prej politikanëve e për politikanët. E, ndoshta atëherë edhe banorët e lagjes pa energji të Vushtrrisë, jo vetëm që nuk do të ndjeheshin më të vetmuar, por edhe do të rebeloheshin pikërisht pse patën energji elektrike.  

Prishtinë, 15 korrik 2010

Albin Kurti

 

Industria e paqes

Rendi dhe mbikëqyrja, rregulli dhe kontrolli, janë vendi ku militarizimi takon industrializmin.

Paqja në Kosovë nuk është ndërtim, nuk është diçka që ndërtohet apo që tashmë u ndërtua. Ajo nuk e ka pamjen e ndonjë godine a ngrehine, konstruksionin e ndonjë ure apo hekurudhe. Paqja në Kosovë nuk është paraprirë nga paqe-ndërtimi. Nuk kishte inxhinierë dhe as arkitektë. Paqja nuk u përmbush pak e nga pak për t’u bërë ajo që është. Paqja nuk u vërtetua as siç konfirmohet një tezë fillestare nga përvoja përkundër dyshimit. Nuk ishte analitike dhe as sintetike. Nuk kishte induksion dhe as deduksion. Paqja nuk është shkencë.

Paqja në Kosovë nuk është as krijim, nuk është diçka që krijohet apo që tashmë u krijua. Nuk e ka formën e ndonjë pikture a fotografie, strukturën e ndonjë sonate apo kompozimi. Paqja në Kosovë nuk është paraprirë nga paqe-krijimi. Nuk kishte artistë apo autorë të paqes. Paqja e këtillë të josh ose të neverit, por ajo asnjëherë nuk të step. Nuk e cilëson harmonia ose ritmi i brendshëm, por as mungesa e këtyre. Paqja nuk është art.

Paqja në Kosovë është produkt. Nuk është as ndërtesë dhe as krijim. Nuk është as punim dhe as vepër. Nuk është as shkencë dhe as art. Paqja është industri. Paqja është përsëritje. Ushtria e policia ndërkombëtare si dhe mekanizmat e tjerë të paqes janë fabrikë. Ato nuk e sollën paqen njëherë e përgjithmonë. As njëherë e deri vonë. Paqja nuk ka lindur dhe as nuk jeton. Paqja nuk merr frymë. Paqja nuk është gjallesë. Paqja nuk është paraprirë nga paqe-bërja. Paqja është paqe-bërje e përhershme. Për çdo ditë kemi paqe sepse për çdo ditë prodhohet ajo. Paqja është përsëritje e llojit të produktit serik në shiritin gjithmonë të njëjtë, gjithmonë të lëvizshëm. Punëtorët ndërrohen me turne, por shiriti është aty. Ajo është e njëjta që nxjerr produktin e njëjtë. Është e përbashkëta e ditëve të njëpasnjëshme. Ajo është dita dhe nata, secila ditë dhe natë. Kurrë nuk kryhet ngase kurrë nuk bëhet një herë e mirë. Ajo ekziston për t’u përsëritur. Përsëritje si përsëritje-për-vete. Vazhdimisht bëhet që kurrë të mos bëhet. Përsëritje e pambarim që e zhduk fillimin dhe fundin. E harron fillimin dhe s’e shpreson më fundin. 

Billboard-at dhe videoclip-et e KFOR-it janë reklamë e paqes si produkt i KFOR-it. Kompanitë e ndryshme reklamojnë produktet e tyre që i prodhojnë për t’i shitur. KFOR-i e reklamon paqen të cilën e prodhon për të na e shitur. KFOR-i nuk e solli paqen me vete, por e bëri këtu. Dhe, nuk e bëri në qershor të vitit 1999, por secilën ditë të secilit muaj të secilit vit që prej atëherë. Një ditë më shumë është një ditë më shumë me paqe, është edhe një ditë paqësore. Meqë ky produkt i nevojitet çdonjërit për çdo ditë, kemi prodhim të mekanizuar dhe masiv të paqes. Masoviteti i produktit e kushtëzon të qenit e tij si produkt industrial. Produktiviteti i lartë i industrisë e ka zhvendosur paqen nga zejtaria te industria. Vetë njerëzit janë lënda e parë, përpunimi dhe produkti, si tri faza të të njëjtit njeri, të secilit njeri. Njeriu është lënda e parë që përpunohet për t’u bërë produkt. Vetëm mund të blesh. Mund ta blesh vetëm veten. Të jesh duke rimarrë atë që është bërë prej teje. Sepse procesi i prodhimit asimilohet në produkt. S’e gjen dot lëndën e parë dhe as përpunimin në produkt. S’ka gjurmë në produkt. Produkti është krim i përsosur. Ne nuk e dimë njeriun. Njeriu paqësor është paqja pa njeriun. 

Për prodhimin e paqes punojnë mijëra punëtorë nëpër uzinat e shumta të fabrikës. Industria nënkupton anonimitetin e punëtorëve, masën e gjerë të tyre, që i sillen rrotull makinerisë për t’u bërë zgjatim i saj. Sikurse te çdo industri, edhe këtu, secili repart kontribuon në prodhimin e pjesëve të ndryshme dhe të caktuara të produktit, të cilat pastaj montohen; rutinat e veçanta sinkronizohen dhe zënë etapa të posaçme në linjën e prodhimit. Gjithçka tashmë është programuar: alokimi i detyrave, standardizimi i procedurave, planifikimi i hollësishëm, nënndarjet e punëve, dhe menaxhmenti i disiplinuar që disiplinon. Nëse dikur industria kopjonte nga ushtria tani është ushtria ajo që e imiton industrinë. Rendi dhe mbikëqyrja, rregulli dhe kontrolli, janë vendi ku militarizimi takon industrializmin. 

Mijëra ushtarë e policë janë mijëra punëtorët e fabrikës së paqes. Sa më e sofistikuar makineria, aq më i vogël numri i nevojshëm i punëtorëve që vazhdimisht zvogëlohet. Racionalizimi i zbulon tepricat teknologjike për t’i eliminuar ato. Zyrtarët e ICO-së dhe EULEX-it janë burokracia dhe administrata e kësaj fabrike që përbëhet prej ushtarëve e policëve që prodhojnë paqen.

Paqja e këtillë shitet si produkt themelor. Mirëpo, kur paqja është fjala kryesore, atëherë lufta është mendimi kryesor. Jo lufta që tashmë mbaroi prej më shumë se dhjetë vjetësh pas së cilës kemi paqen, por lufta në kuptimin e mundësisë së përsëritjes së saj. Dhe, gjersa lufta mund të përsëritet një ditë, për çdo ditë prodhohet paqja. Kjo paqe nuk ndodhet përkundruall luftës së fundit, por kundrejt luftës së ardhshme. Edhe një ditë më shumë me paqe është edhe një ditë më tej pa luftë. Nuk është lufta përjashtim a devijim nga paqja, por paqja na shfaqet si pauzë e luftës që duhet zgjatur. Misionet ndërkombëtare paqebërëse në Kosovë nuk janë misione të pasluftës (së fundit) por të paraluftës (së ardhshme). Prandaj ato brengosen se si mund të bëhet (sërish) keq, e jo se si mund të bëhet mirë në Kosovë; shqetësohen se çka mund të humbet, e jo çka mund të fitohet; kanë hall shpërthimin e krizës në të ardhmen dhe parandalimin e këtij shpërthimi, e jo shkaqet e krizës nga e kaluara dhe eliminimin e tyre. Prandaj shprehjet e regjimit në fuqi janë stabiliteti, qetësia dhe siguria, e jo demokracia, drejtësia dhe zhvillimi. Prandaj kjo paqe (gjithnjë në bërje e sipër) është kaq e militarizuar dhe e pashkëputshme nga lufta (si mundësi). Kjo paqe bëhet vetëm që të mos bëhet luftë. Kjo paqe prodhohet që ta shtyjë luftën. Ajo, në fakt, e pohon atë që e mohon. 

Paqja sot e ka kuptimin e punëtorit të heshtur pranë zhurmës ritmike të rotorit të makinës që ky i shërben. Paqja në Kosovë nuk është as shkencë dhe as art. Paqja në Kosovë është industri. Paqja nuk ta sjell ndërmend Arkimedin, Newtonin, Lavoisierin, Darwinin, Riemannin apo Heisenbergun. Paqja nuk ta sjell ndërmend as Michelangelon, Shakespearein, Cervantesin, Beethovenin, Renoirin apo Ligetin. Ajo ta sjell ndërmend Fordin dhe Taylorin. Politika në Kosovë dhe për Kosovën është industri e paqes. Fabrikë që s’prodhon asgjë për njerëzit përveç vetë realitetin e tyre që ata e përbëjnë dhe përbëhen prej tij. S’ka më industri në realitet sepse realiteti është industri. 

Prishtinë, 1 korrik 2010

Albin Kurti

Kategorizimi

Në Kosovë kurrsesi nuk duhet të mjaftohemi duke ndryshuar vetëm gjendjen në të cilën jemi, por, mbi të gjitha, duhet ndryshuar kategorinë në të cilën na kanë futur.

Nga pikëvështrimi ndërkombëtar Kosova është një vend i kundërt me Greqinë. Kosova gjykohet të ketë një gjendje të mirë brenda kategorisë së vendeve të krizës kurse Greqia vlerësohet të jetë në gjendje krize brenda kategorisë së vendeve të mira, ku gjithsesi hyjnë vendet e BE-së. Pra, Kosova cilësohet si një rrëfim i suksesshëm porse në kategorinë e vatrave të krizës (ku na krahasojnë me Irakun, Afganistanin, Palestinën etj.), ndërkaq Greqia e zhytur në krizë financiare dhe ekonomike tregohet si një rrëfim i dështuar në kategorinë e shteteve të përparuara e normale (ku ajo krahasohet me shtetet e tjera të BE-së). Faktorët ndërkombëtarë Kosovën e shohin si një vend jonormal me gjendje normale ndërsa Greqinë si vend normal me gjendje jonormale.  

Kjo është arsyeja pse këta faktorë mobilizohen për Greqinë por jo edhe për Kosovën. Gjendja në Kosovë është shumë më e keqe sesa në Greqi (ndoshta me një përjashtim të vogël në borxhin publik), por këto dy vende me gjendje të ndryshme, në sytë e ndërkombëtarëve, para së gjithash, janë dy kategori të ndryshme. Gjendja e keqe në Kosovë është e mirë. Gjendja e mirë në Greqi është e keqe. Me gjendjen në Kosovë janë të kënaqur dhe nuk marrin mundin që ta përmirësojnë atë. Konferencën e donatorëve të para dy viteve dhe paratë e premtuara aty askush nuk i përmend më. Duke na krahasuar me Irakun, Afganistanin, Palestinën etj. ne nuk dalim keq, apo jo? Në anën tjetër, me gjendjen në Greqi janë të brengosur shumë dhe andaj u organizuan që t’i ndihmojnë asaj duke i dhënë miliarda euro. (Mbase është një çështje tjetër që po i ndihmojnë me borxhe për të dalur nga borxhet sipas praktikës së etabluar neoliberale ku sëmundja ofrohet si ilaç.) 

Këto dy kategori të ndryshme vendesh kanë ndikime të ndryshme në shtetet e fuqishme botërore. Ndikimet e ndryshme janë konstituive për kategoritë. Kategoritë dallohen sepse ndikimet dallohen. Përderisa çfarëdo abnormaliteti në Greqi si një shtet normal i prek dhe shqetëson menjëherë shtetet kryesore të cilat nominalisht po ashtu i përkasin kategorisë së shteteve normale, abnormaliteti në Kosovë si një shtet jonormal nuk mund të jetë befasues dhe mund të ketë vetëm ndikime dytësore e jo të drejtpërdrejta për ta.       

Vatrat e krizës përgjithësisht vijnë në ekzistencë vetëm si problem. Bota merr vesh për to atëherë kur iu shpërthen kriza ose, në rastin më të mirë, atëherë kur forca të brendshme arrijnë ta problematizojnë krizën para se të shpërthejë ajo. Përndryshe, çështjet e vatrave të krizës presin. Fakti që ato janë në krizë nuk do të thotë se ka diçka urgjente aty. Fundja, kriza është vetë emri i kategorisë së cilës i përkasin ato. 

Kategorizimi i Kosovës si një vend jonormal por me situatë të mirë meqë të qetë, përkundër ndodhjes së saj përbrenda kategorisë së jonormalitetit dhe pikërisht për shkak të ndodhjes përbrenda kësaj kategorie, do të thotë që faktorët ndërkombëtarë besojnë që puna e Kosovës pret. Relaksimi dhe komoditeti me të cilin qeveritarët kosovarë i presin në vizita e takime ndërkombëtarët me gjasë atyre vetëm sa ua vërteton bindjen që çështja e Kosovës dhe e shqiptarëve pret.

Në këtë kontekst, problemet e Kosovës si stagnimi ekonomik dhe mjerimi social, sovraniteti dhe integriteti territorial, nuk do të merren asnjëherë seriozisht dhe as urgjentisht. Këto janë përmbajtja e krizës që paraqet kategorinë tonë. Vetëm në masën në të cilën këto rrezikojnë ta shpërthejnë krizën ato do të konsiderohen. 

Kriza në Kosovë po thellohet dhe krejt çfarë duan ndërkombëtarët është që ajo të mos shpërthejë përkundër thellimit të saj. Situata në Kosovë është përherë e tensionuar dhe shpesh ndodhet para eksplodimit. Si në aspektin politik e të sigurisë po ashtu edhe në atë socio-ekonomik, Kosova i ngjan një fuçie baroti që sa vie e rritet, që zgjerohet edhe në drejtim të shkëndijave që do ta eksplodonin, e nganjëherë duket që thuajse është në kërkim të këtyre shkëndijave. Mbase, atëherë kur shkëndija nuk shkon te baroti, është baroti ai që shkon te shkëndija.

Qeveria e Kosovës e ka pranuar plotësisht rolin e shkruar për qeverinë e një vatre të krizës. Ajo pak nga pak po e bën liberalizimin e vizave prioritet të politikës së saj. Në vend se t’iu garantojë qytetarëve liri në Kosovë, iu premton atyre liri nga Kosova, në formën e liberalizimit të vizave. Të gjithë e duan liberalizimin e vizave por duket që askush nuk e do këtë si vetë Qeveria. Nuk ka dyshim që liberalizimi i vizave është prioritet artificial. Po i pyete qytetarët e Kosovës se çfarë duan, para se të thonë se duan viza, ata të thonë që duan vende pune, integrim të veriut, shëndetësi e arsimim cilësor etj. Ata duan ta kenë mirë këtu, jo diku në perëndim. Ndoshta kanë më shumë shpresë për vendin sesa politikanët që thuhet se i përfaqësojnë.

Edhe marrëdhëniet e Kosovës me Serbinë i përkufizon ky kategorizim i Kosovës si një vatër krize e cila, për pasojë, sundohet nga misioni i politikës së sigurisë dhe mbrojtjes së BE-së i mirënjohur si EULEX. Faktorët ndërkombëtarë në vend se të angazhohen për atë që Serbia të mos e pengojë Kosovën në integrime botërore, ata më shumë angazhohen që Kosova të mos e pengojë Serbinë (si barrë legale e juridike) në integrime evropiane. Brengosen për atë se si Serbia e ka një fqinj jugor problematik, kur, në fakt, do të duhej të ishte e kundërta: Kosova e ka një fqinj shumë problematik verior i cili financon struktura paralele për t’ia rrënuar pavarësinë asaj.

Ndërkombëtarët edhe mund të mos na quajnë hapur vatër krize. Kur për një vend thuhet që është ‘në zhvillim’ atëherë ai është, në fakt, i pazhvilluar dhe vende të tjera e korporata të ndryshme po zhvillohen në kurriz të tij. Kur një vend thuhet se është ‘postkonflikt’, në fakt, mendohet e aludohet që në atë vend nuk janë eliminuar gjasat që të rinisë konflikti. Të qenit ‘në zhvillim’ dhe ‘postkonflikt’ sot është veçse eufemizëm për vatrën e krizës.

Tash 11 vjet jemi dëshmitarë se si shumica e zyrtarëve ndërkombëtarë të EULEX-it, UNMIK-ut, ICO-së e madje edhe ambasadave të huaja, fillimisht vijnë në Kosovë si njerëz shumë pozitivë e dashamirës dhe në fund largohen si famëkeq. Kosova i bën të tillë, ama jo Kosova jonë por Kosova e këtillë çfarë e kanë kategorizuar vetë ata, vetë shefat e tyre nga kryeqendrat botërore.

Në Kosovë kurrsesi nuk duhet të mjaftohemi duke ndryshuar vetëm gjendjen në të cilën jemi, por, mbi të gjitha, duhet ndryshuar kategorinë në të cilën na kanë futur.

29 korrik 2010  

Albin Kurti

Kujt dhe pse i duhen negociatat e reja?

Serbia po vazhdon në rrugën e integrimit evropian pa e arrestuar dhe dorëzuar paraprakisht Ratko Mladiqin. Hapja dhe mbyllja e negociatave për MSA dikur si dhe ratifikimi i MSA-së tash nuk varen më nga çështja Mladiq.

Arrestimi i Radovan Karaxhiqit dhe dërgimi i tij në Hagë është shfrytëzuar nga Serbia edhe për të mos e dorëzuar Mladiqin. Kësisoj Serbia duket bashkëpunuese me Gjyqin e Hagës: mosarrestimi i Mladiqit paraqitet si pamundësi e autoriteteve serbe e jo mungesë e vullnetit nga ana e tyre.  

Nuk ka dyshim që shteti serb e di se ku ndodhet Ratko Mladiq. Ashtu siç u ‘zbulua’ dhe arrestua Radovan Karaxhiq, njësoj do të mund të vepronin edhe me Mladiqin. Serbia po e ruan ‘zbulimin’ e tij për ndonjë moment kur përfitimi politik e diplomatik do të ishte maksimal. E, nëse vonohet momenti i tillë, dihet që përderisa Serbia nuk do të jetë e detyruar ta kap Mladiqin, ajo nuk do ta zë atë.

BE-së po i ngutet me Serbinë. Së pari, BE-ja dëshiron stabilitet në Ballkan dhe konsideron që nëse Serbinë e mban në rrugën e integrimit evropian do të mund ta kontrollojë shumë më tepër atë. Dhe, së dyti, me anëtarësimin e Rumanisë dhe Bullgarisë, BE-ja e ka definuar zonën evropiane dhe nuk dëshiron që Serbia të jetë element i Rusisë në kopshtin e saj. BE-ja i thyen edhe rregullat e veta nëse i duket që kështu arrin ta mbajë Serbinë në rrugën e integrimit. BE-ja nuk përton t’i japë Serbisë që ta marrë atë. BE-ja e trajton Serbinë si rast sui generis.  

Për këtë arsye BE-së i nevojiten negociatat ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Së pari, që Kosova dhe Serbia të mos duken si dy vende armike ani se Serbia nuk ka kërkuar falje për krimet e luftës, nuk i arreston dhe as nuk i dorëzon kriminelët e luftës, nuk i paguan dëmet e luftës, nuk i kthen trupat e të pagjeturve dhe nuk jep informata për ta, nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe me strukturat e saj në Kosovë ia dëmton Kosovës integritetin territorial dhe funksionimin normal. Së dyti, qeveria e Serbisë nuk mund t’i plotësojë pyetësorët e pafund të nevojshëm për udhëtimin e saj drejt Brukselit, pa u marrë vesh për shumëçka me Kosovën. Negociatat e reja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të duhej të rezultojnë me ca dakordime që i mundësojnë përgjigjet e Beogradit në pyetjet e Brukselit.  

Në anën tjetër, edhe asaj pjese të politikës dhe shoqërisë serbe që nuk i intereson integrimi evropian, i nevojiten negociatat me Kosovën. Së pari, për t’u faktorizuar Serbia edhe njëherë për Kosovën. Së dyti, për ta rritur autonominë territoriale të serbëve në Kosovë me ç’rast veriu i Kosovës do t’i përngjante republikës serbe të Bosnjes kurse enklavat do t’i përngjanin veriut duke u bërë eksklava.

Nëse edhe BE-ja, edhe Serbia kanë interes për këto negociata, atëherë cili është interesi i Kosovës? Cila është levërdia për Kosovën për të cilën do të duhej që Qeveria e Kosovës të shkonte në këto negociata? Kërkesa e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës për një rezolutë të re në KS të OKB-së dhe mbledhja e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së me 14 shtator sipas kërkesës së Serbisë për rezolutë të re tregojnë tri gjëra themelore. E para, që Qeveria e Kosovës dhe ajo e Serbisë pajtohen formalisht për nevojën e një rezolute të OKB-së për Kosovën ndonëse mund të mos pajtohen për përmbajtjen e saj. E dyta, që KS i OKB-së po riaktualizohet si adresë ndërkombëtare për Kosovën përkundër faktit që njihet si instanca që gjithmonë duhej evituar meqë e bllokonte Kosovën. Dhe, së treti, që po përgatitet terreni për t’ia premtuar Kosovës ulësen në OKB mbase pa u njohur nga Serbia edhe për një kohë.

Sido që të jetë, një pazar i tillë patjetër që është i padrejtë meqë është pazar, por gjithsesi është edhe i dëmshëm sepse Kosovës eventualisht vetëm i rriten të drejtat për përfaqësim ndërkombëtar kurse Serbisë i rritet kontrolli mbi territorin e Kosovës dhe vetë ky territor. Kosovës po i gatitet skenari i Bosnjes – jo më i luftës në Bosnje, por i paqes së Bosnjes që është jo më pak famëkeqe.  

Prishtinë, 15 gusht 2010     

Albin Kurti

Leja fetare për politikë

Në Serbi çështjet fetare nuk janë jopolitike. Përkundrazi. Vizita e Ivica Daçiqit ishte politike pikërisht pse ishte fetare dhe jo vetëm pse ai bëri deklarata politike.

Ivica Daçiq, Ministër i Punëve të Brendshme të Serbisë, e që njëkohësisht është edhe zëvendëskryeministër, mori leje nga Qeveria e Kosovës për të hyrë në Kosovë. Sigurisht që Daçiqi nuk ka kërkuar leje nga Qeveria e Kosovës. Po të ekzistonte kërkesa me të cilën Daçiqi i drejtohet Qeverisë sonë për leje, atëherë do ta kishim parë atë dokument në lajmet qendrore të RTK-së. Por, siç e dimë, nuk e pamë. Pra, e dimë dhe e pamë që Qeveria e Kosovës i dha leje, por nuk e dimë e nuk e pamë kërkesën për leje. Ivica Daçiq mbase ka kërkuar leje nga EULEX-i, KFOR-i dhe Përfaqësuesi Special i BE-së (si njëra prej dy kapelave të Pieter Feithit) pasi që asnjëra nga këto instanca nuk e pranon pavarësinë e Kosovës. Mirëpo, s’kemi se si të besojmë që ai kërkoi leje nga Qeveria e Kosovës për të hyrë në Kosovë.

Ivica Daçiq nuk ka problem me EULEX-in i cili u shtri në Kosovë në dhjetor të vitit 2008 vetëm pas 6 Pikëshit të Ban Ki-moonit që paraqiste marrëveshje të re ndërmjet Serbisë dhe OKB-së për Kosovën. Për më tepër, në shtator të vitit 2009, shefi i policisë së EULEX-it, Rainer Kuehn, dhe zëvendësdrejtori i policisë së Serbisë, Branislav Mitroviq, patën nënshkruar një protokoll për bashkëpunim policor. Ivica Daçiq nuk ka problem as me KFOR-in, qëndrimi i të cilit në Kosovë bazohet në Marrëveshjen e Kumanovës të 9 qershorit 1999 të bërë me gjeneralët serbë të ushtrisë jugosllave. Dhe, nuk ka problem as me PSBE-në që shpreh dominimin e pakicës prej pesë shteteve që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës në BE-në që vepron me konsensus. Ivica Daçiq ka probleme pikërisht me Qeverinë e Kosovës meqë ajo nominalisht është e Republikës së Kosovës. Mirëpo, për dallim nga ai, Qeveria e Kosovës duket se nuk ka probleme me Ivica Daçiqin. Qeveria e Kosovës dakordimin e saj me lejen e EULEX-it, KFOR-it a PSBE-së po e interpreton tash si leje të saj, duke u përpjekur kështu që të duket tamam si Qeveri para qytetarëve të Kosovës. Qeveria e Kosovës është dëshpërueshëm e uritur që të duket se po njihet nga Daçiqi saqë nxitohet që ta njohë Daçiqin dhe t’i sigurojë atij përcjellje sigurie me policë shqiptarë. Kjo mënyrë e Qeverisë së Kosovës, e praktikuar më herët edhe ndaj Koshtunicës, Tadiqit etj., ndodhet tashmë përtej politikës së saj dhe paraqet vetë fenë e Qeverisë së Kosovës. Prandaj edhe leja e saj, së paku deklarativisht, bazohej në besim (ndaj Daçiqit që thuhej se s’do të bëjë deklarata politike).

Në kohën e Slobodan Milosheviqit, Ivica Daçiq ka qenë zyrtar i lartë dhe zëdhënës i Partisë Socialiste të Serbisë, partisë famëkeqe të njohur si SPS. Ai ka qenë zëri i krimeve të Serbisë në vitet 1998 e 1999, por edhe i apartheidit në Kosovë përgjatë viteve të ’90-ta. Ivica Daçiq i ka arsyetuar rregullisht dhe publikisht krimet serbe dhe tash si ministër i brendshëm i Serbisë vjen në Kosovë. Që prej kur ai është ministër jeta e shqiptarëve në Luginë të Preshevës është bërë edhe më e rëndë: arrestimet e shqiptarëve dhe ekspeditat ndëshkuese policore, shtypja politike, diskriminimi ekonomik dhe social i shqiptarëve atje janë rritur. Përkundër kësaj, Qeveria e Kosovës ndjehet krenare që po i jep atij leje të hyjë në Kosovë.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi tha se kjo vizitë lejohet meqë bëhet për qëllime fetare. Nuk e kemi dëgjuar që Ivica Daçiq ka thënë se do të bëjë vizitë vetëm për qëllime fetare. Përkundrazi, mediat në Serbi kanë paralajmëruar se ai do t’i takojë edhe strukturat paralele të Serbisë në Graçanicë. Por edhe sikur ai të ketë thënë që kjo vizitë bëhet me arsye fetare, megjithatë janë dy probleme të pakapërcyeshme këtu. Së pari, kjo do të thotë që Qeveria e Kosovës i beson Ivica Daçiqit. Dhe, së dyti, dihet që tradicionalisht institucionet fetare të Serbisë kanë qenë gjithmonë më politike edhe se vetë institucionet politike të saj. Kisha serbe bashkë me Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Serbisë si dhe me ushtrinë, policinë dhe shërbimin sekret serb, i kanë definuar dhe orientuar të gjitha qeveritë e ndryshme të Serbisë gjatë shekullit XX. Në Serbi gjithnjë ka ekzistuar një politikë shtetërore që i ka përcaktuar politikat qeveritare dhe jo anasjelltas. Karakteri i shtetit të Serbisë gjithmonë ka qenë gërshetim i religjionit, politikës dhe fuqisë, porse punët i kanë pasur të ndara: akademia ka planifikuar, kisha ka bekuar ndërsa ushtria e policia kanë ekzekutuar. Edhe ata që s’kanë lexuar e kanë përjetuar këtë gjë (sidomos në luftën e fundit). Kur policia lidhet me kishën, si me rastin e Ivica Daçiqit dhe vizitës së tij të ‘pafajshme’ në Manastirin e Graçanicës, nuk ka se si të mos na kujtohet e kaluara e hidhur. Fakti që vizita e ministrit të brendshëm serb Daçiq thuhet të jetë bërë për qëllime fetare do të duhej të ishte një argument më shumë pse nuk është dashur të lejohet ajo. Në Serbi çështjet fetare nuk janë jopolitike. Përkundrazi. Vizita e Ivica Daçiqit ishte politike pikërisht pse ishte fetare dhe jo vetëm pse ai bëri deklarata politike.      

Prishtinë, 17 gusht 2010

Albin Kurti         

Mungesa e sovranitetit i riprodhon koncesionet

 Negociatat e reja do të bëhen për ta thelluar decentralizimin e Kosovës mbi baza etnike. Modelet e ndryshme që propozohen për veriun e Kosovës, si p.sh. ai i Tirolit Jugor, janë parapërgatitje psikike për koncesionin madhor të radhës.

Krerët partiakë e institucionalë të Kosovës vazhdimisht thonë se Plani i Ahtisaarit është i paprekshëm dhe i pandryshueshëm. Dihet që ky plan ndodhet brenda Kushtetutës së Kosovës dhe sipër saj për shkak të nenit 143 të Kushtetutës. Mirëpo, nuk është e vërtetë që ky Plan përfillet a zbatohet me përpikëri. P.sh. neni 4.1 i Aneksit IX – Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar, te Plani i Ahtisaarit, thotë që “PCN-ja do të emërohet nga një Grup Drejtues Ndërkombëtar pas konsultimeve me BE-në. GDN-ja do ta kërkojë miratimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për këtë emërim. Në GDN do të marrin pjesë: Franca, Gjermania, Italia, Rusia, Britania e Madhe, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Evropian, Komisioni Evropian dhe NATO-ja.” Dihet që sot nuk është kjo përbërje e GDN-së sepse shtetet që nuk e pranuan pavarësinë e Kosovës nuk janë më në GDN. Po ashtu dihet që nuk po themelohet dot komuna e veriut të Mitrovicës meqë strukturat e Serbisë atje nuk po e lejojnë këtë gjë. Ka edhe shumë shembuj të tjerë të ngjashëm të mosrespektimit të dispozitave të Planit të Ahtisaarit. Pra, ky Plan nuk është aspak i paprekshëm dhe patjetër i zbatueshëm. Nuk është çështja nëse mund të ndryshohet dhe nëse do të ndryshohet Plani i Ahtisaarit. Kjo tashmë ka ngjarë. Çështja është nëse do të formalizohen ndryshimet dhe sidomos nëse do të ketë ndryshime për të mirë apo për të keq .

Kjo është arsyeja pse kaq shumë politikanë të ndryshëm të Kosovës kaq shpesh thërrasin në pacenueshmërinë e Planit të Ahtisaarit. Për çdo ditë ata na rrëfejnë se si nga Plani i Ahtisaarit nuk do të lëvizet asnjë milimetër. Në fakt, që të gjitha këto janë dëshmi pikërisht për të kundërtën. Plani i Ahtisaarit gjithsesi do të ndryshojë dhe politikanët frikësohen se mos ai do të ndryshojë për të keq. Frika e tyre është e arsyeshme. Nëse në negociatat e Vjenës të vitit 2006 e 2007 qëndrimi fillestar i Grupit Negociator të Kosovës ishte pavarësia e Kosovës dhe kompromisi në fund ishte Plani i Ahtissarit, në negociatat e reja të paralajmëruara qëndrimi fillestar i Qeverisë së Kosovës do të jetë Plani i Ahtisaarit, ndërsa kompromisi në fund do të jetë edhe më poshtë se kaq. Më poshtë se Plani i Ahtisaarit dhe jo më lart se ai për disa arsye. Së pari, këto negociata po i kërkon Serbia dhe jo Kosova. Së dyti, tema e negociatave është vetë Kosova për të cilën dihet se çfarë qëndrimi mban Serbia. Së treti, dy vjet e gjysmë pas shpalljes së pavarësisë çerekun e territorit të Kosovës e kontrollojnë strukturat e dirigjuara nga Serbia ndërkohë që Qeveria e Kosovës së pavarur ndodhet përfundi protektoratit ndërkombëtar i cili më shumë ka instanca që nuk ia njohin Kosovës pavarësinë sesa që ia njohin atë. Dhe, së katërti, kur varësisë së përgjithshme të institucioneve të Kosovës i shtohen edhe varësitë e veçanta të politikanëve të korruptuar e të shantazhuar, rezultati përfundimtar i negociatave me Serbinë sigurisht që s’ka se si të dalë pozitiv. Me Planin e Ahtisaarit shteti i pavarur i Kosovës mbeti pa sovranitet. Pikërisht pse nuk kemi institucione sovrane, Plani i Ahtisaarit nuk mund të jetë kompromisi i fundit. Kur lëshohet pe në çështjet themelore a thelbësore nuk mund të frenohen koncesionet. Nëse pas shpalljes së pavarësisë erdhi 6 pikëshi famëkeq i Ban Ki-moon-it, tash pas GjND-së po vijnë negociatat e reja për kompromise të reja.

Ashtu qysh dikur thoshin që 6 Pikëshi i Ban Ki-moon-it nuk e prek Planin e Ahtisaarit, edhe tash qeveritarët po thonë që idetë kreative për veriun nuk e prekin Planin e Ahtisaarit. Por, këtë gjë ne e kemi dëgjuar edhe para më shumë se dy dekadave, përkatësisht në vitet ’88 e ’89 kur thuhej se ndryshimet kushtetuese nuk e cenojnë autonominë e Kosovës. Veçse kësaj radhe, në fakt, po krijohet autonomia (për veriun) brenda Kosovës. Negociatat e reja do të bëhen për ta thelluar decentralizimin e Kosovës mbi baza etnike. Modelet e ndryshme që propozohen për veriun e Kosovës, si p.sh. ai i Tirolit Jugor, janë parapërgatitje psikike për koncesionin madhor të radhës.  

Pse Kosova pafundësisht të zbatojë njëanshëm kompromis pas kompromisi? Pse koncesionet që ia ka bërë Grupi Negociator Serbisë, institucionet e Kosovës tash na u dashka t’i zbatojnë njëanshëm? Pse të zbatohet neni 143 i Kushtetutës kur nuk zbatohet ai 1.1 dhe para se të zbatohet ai? 11 vjet janë bërë eksperimente me neve në Kosovë: spin off-i, spin off-i special, multietniciteti, diskriminimi pozitiv, standardet e llojllojshme, negociatat me Serbinë, eksterritorialiteti fetar, decentralizimi etnik e përplot solucione tjera arbitrare e abnormale. Këto duhet të pushojnë dhe Kosova duhet të bëhet një shtet normal. Për këtë ndryshim të karakterit të shtetit duhet ndërruar pushtetin. Kosova duhet të zhvillojë programe që janë në shërbim të interesave, perspektivës dhe mirëqenies së qytetarit. Jo Kosova dhe populli i saj, por Plani i Ahtisaarit dhe koncesionet ndaj Serbisë e meritojnë etiketën abnormalizuese sui generis. Qasja ndaj Kosovës është sui generis dhe jo ajo vetë. Kjo qasje tregon se çka mund të bëhemi e të na bëjnë dhe jo se çka jemi. 

24 gusht 2010

Albin Kurti

Shkëmbimi i territorit për ulëse?

 Në negociata të reja me Serbinë nuk mund të thuhet se kanë shkuar të mashtruarit. Eventualisht, d.m.th. në rastin më të mirë, do të mund të thuhet që kanë shkuar ata që deshën të mashtrohen.

Përpjekjet kundër pavarësisë së Kosovës Serbia i ka zhvilluar në dy fronte. Së pari, në rrafshin diplomatik, juridik e ndërkombëtar duke e problematizuar statusin e Kosovës si një çështje ende të pazgjidhur e për të cilën nevojiten negociata shtesë. Dhe, së dyti, në rrafshin e sigurisë dhe atë territorial duke problematizuar çështjet e brendshme të Kosovës përmes strukturave të saj në Kosovë. Duket që pas mendimit këshillues të GjND-së do të qetësohet ca fronti i parë e do të intensifikohet ky i dyti. Nga fronti i parë do të mbetet forma e kërkesës (pra, negociata të reja), kurse fronti i dytë do të jetë përmbajtja e obstruksioneve të Serbisë. Nga problematizimi i statusit të Kosovës po kalohet te problematizimi i statusit të serbëve, përkatësisht i vendbanimeve ku ata janë shumicë. Nëse deri më tani Serbisë i duheshin kundërvënë Ministria e Punëve të Jashtme dhe Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës, tash e tutje më shumë punë do të ketë për të dytën sesa për të parën.

Serbia është e diktuara që dikton. Serbia e diktuar nga mendimi i GjND-së, po i dikton këto negociata të reja. Qeveria e Kosovës me pasivitetin e saj, me relaksimin e saj pas mendimit të GjND-së, po e mundëson këtë gjë. Shahistët e mirë e dinë që lojën e shahut mund ta humbësh edhe atëherë kur s’duket që ke gabuar dikund. Thjesht, vetëm pse ke bërë lojë pasive e humbet lojën. Ndoshta ka diçka prej fitoreje në vetë sulmin. Mendimi i GjND-së ishte shansë që Kosova të sulmojë. Por, Qeveria e Kosovës nuk besonte që ky mendim i GjND-së do të ishte kaq i mirë. Ajo u gëzua shumë mandej dhe, natyrisht, u relaksua së tepërmi. E gëzuar ashtu siç gëzohet spektatori mosbesues, në vend se ta përdorte mendimin e GjND-së kundër negociatave me Serbinë, Qeveria e Kosovës po e bën të kundërtën: po ndjehet komode karshi qytetarëve e vetvetes dhe borxhli ndaj ndërkombëtarëve. Ajo me lehtësi po rrëshqet drejt pranimit të negociatave të reja me Serbinë. Dukuria e JO-ve të buta dhe gjithnjë e më të buta para PO-së përfundimtare po rishfaqet.

Edhe rritja e numrit të njohjeve, si temë e preferuar e Qeverisë, po ngec përkundër përparësisë së krijuar. Shumë shtete të reja do të duhej ta njihnin pavarësinë e Kosovës tash pas mendimit këshillues të GjND-së. Por, paralajmërimet për negociatat e reja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë sigurisht që po ndikojnë negativisht. Nga vetë sjellja e Qeverisë së Kosovës ato shtete po inkurajohen për hezitim të ri. Kur Qeveria e Kosovës nuk e shfrytëzon mendimin e GjND-së dhe nuk i refuzon parimisht e kategorikisht negociatat e reja me Sebinë, nuk është e çuditshme pse po e vazhdojnë ngurrimin e tyre shtetet që deri më tani nuk e njohën pavarësinë e Kosovës. Ndonëse, duhet pranuar që këtu kanë rol edhe ShBA-të. Duke qenë përkrahëset më të mëdha të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, pikërisht nëse mendimi i GjND-së do të ishte negativ për Kosovën, ShBA-të do të ndjeheshin të detyruara që ta detyrojnë ndonjë shtet të ri të na njohë. Kujtoni p.sh. njohjet e Malit të Zi e Maqedonisë që ndodhën në të njëjtën ditë dhe menjëherë pasi që Asambleja e Përgjithshme e OKB-së e aprovoi kërkesën e Serbisë që çështjen e shpalljes së pavarësisë së Kosovës ta trajtojë GjND-ja. ShBA-të e bënë atëbotë këtë për ta balansuar OKB-në që kishte shprehur mirëkuptim për kërkesën e Serbisë. Të gjithë e dimë se pa ndikimin e ShBA-ve Maqedonia e Mali i Zi nuk do ta njihnin pavarësinë e Kosovës. Tash, pasi që mendimi i GjND-së ishte negativ për Serbinë, ShBA-të janë po ashtu disi të relaksuara dhe nuk e cysin ndonjë shtet të ri që të na njohë. Fundja, shumica dërrmuese e njohjeve të pavarësisë së Kosovës dihet që nuk erdhën nga lobimi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës por nga influenca e ShBA-ve dhe disa shteteve të tjera të fuqishme në ato shtete që na njohën.   

Kosovën nuk po e thërrasin në negociata të reja për t’i dhënë, por për t’i marrur asaj. E, megjithatë, ajo nuk shkon dot atje pa ndonjë premtim a shpresë që do të mund të marrë diçka. Është e qartë që nuk arritën t’i shesin negociatat e reja me Serbinë si negociata për çështje teknike dhe as zëvendësimi i kujdesshëm i fjalës ‘negociata’ me fjalën ‘bisedime’ nuk i bëri kujt përshtypje. Gjithashtu edhe teza e shkëmbimit territorial pak e ngapak u demaskua si e njëanshme: territori në veri të Ibrit kundrejt maksimalisht vetëm Preshevës dhe atë pa fshatrat në anën tjetër të magjistrales A-10. Atëherë cili do të jetë ambalazhi i ri për negociatat e reja? Me çfarë do të përpiqen t’ua shesin qytetarëve negociatat e reja? Duket që ulësja e Kosovës në OKB do të jetë karrota e radhës për Kosovën. Prandaj edhe ajo kërkesa idiotike e Qeverisë së Kosovës për zëvendësimin e Rezolutës 1244 menjëherë pasi që kjo rezolutë kishte përjetuar një interpretim ndërkombëtar liberal në favor të Kosovës. Qeveritarët me gjasë do të shkojnë në negociata që të japin autonomi territoriale për serbët në këmbim të anëtarësimit të Kosovës në OKB; pra, të japin territor për të marrur ulëse. Zaten, qeveritarët do ta bëjnë atë që na e kanë dëshmuar që dinë ta bëjnë më së miri. Do të japin territor e resurse (të Kosovës) për ulëse (të Kosovës në OKB, ku do ta ulin ndonjërin prej klanit të tyre). Kësisoj, çmimi i ngjitjes lart do të jetë zvogëlimi i dheut nën këmbë.   

Në negociata të reja me Serbinë nuk mund të thuhet se kanë shkuar të mashtruarit. Eventualisht, d.m.th. në rastin më të mirë, do të mund të thuhet që kanë shkuar ata që deshën të mashtrohen.

Prishtinë, 5 gusht 2010

Albin Kurti

Të menduarit e GjND-së

Ky mendim këshillues i GjND-së në favor të Kosovës gjithsesi duhet të shfrytëzohet për t’i kundërshtuar thirrjet e Serbisë për negociata të reja për Kosovën. Kosova duhet ta konsolidojë veten përbrenda dhe jo të bëhet pjesë e kontestimeve që i bëhen nga jashtë.

Më parë sesa që Kosova fitoi 10 me 4, është Serbia ajo që humbi 4 me 10. Kosova as që ka dashur të ketë një proces të këtillë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Shqiptarët e Kosovës duan ta shohin Serbinë të paditur në ndonjë gjyq ndërkombëtar për krejt çfarë ajo iu bëri atyre përgjatë shekullit XX, e jo të jetë shpallja e pavarësisë së Kosovës aty. Okupimi i Kosovës më 1912, mandej kolonizimi, diskriminimi e deri te gjenocidi në vitet 1998 e 1999, janë krime për të cilat asnjëherë nuk pati drejtësi e zhdëmtim për popullin e Kosovës.      

Në tetor të vitit 2008, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së e kishte ftuar GjND-në ta japë mendimin e vet këshillues mbi atë nëse shpallja e njëanëshme e pavarësisë nga ana e institucioneve të përkohshme të vetëqeverisjes së Kosovës ishte në përputhje me ligjin ndërkombëtar. Mirëpo, fillimisht ajo dha një sërë mendimesh paraprake që ndërtonin kontekstin e përgjigjes përfundimtare në pyetjen e shtruar nga Serbia. GjND-ja radhazi shprehu qëndrimet e saj që nuk ka pse të mos e jep një mendim për këtë çështje, që nuk ka ndalesë të përgjithshme në ligjin ndërkombëtar për të shpallur pavarësinë, që Rezoluta 1244 dhe Korniza Kushtetuese janë pjesë të ligjit ndërkombëtar, se ata që e shpallën pavarësinë nuk e konsideronin veten, thjesht, njerëz të IPVQ-ve, se heshtja e PSSP-së atëbotë e konfirmonte këtë gjë, se KS i OKB-së në bazë të R1244 nuk e kishte të rezervuar të drejtën për përcaktimin e statusit të Kosovës, dhe se, përfundimisht, as R1244 e as Korniza Kushtetuese nuk e ndalonte nxjerrjen e deklaratës së pavarësisë.   

Përvoja na mëson që sa më i lartë niveli i gjykatës, aq më konservative është ajo. Madje, gjykatat e larta ndërkombëtare kujdesen sidomos për veten e tyre – ato brengosen se çka mund t’iu ndodhë vetë atyre nga qëndrimet që i marrin. Mbase kjo është arsyeja pse pothuajse të gjithë ekspertët juridikë ndërkombëtarë, e për pasojë edhe ata vendas, thoshin që do të ketë një mendim të paqartë e të ndërlikuar të GjND-së. Mirëpo, ajo që dëgjuam të enjten pasdite ishte më parë një interpretim dhe mendim liberal e pozitiv sesa konservativ i gjykatës sipas logjikës se çka nuk thuhet që ndalohet, lejohet. E, ndoshta, kishim edhe situatën ku më shumë gjykatës kanë menduar që një mendim i paqartë do të diskreditonte gjykatën si një institucion i dobët sesa një mendim çfarë patëm.   

Ky mendim i GjND-së do të ketë ndikime të shumta për Kosovën, nga përmirësimi i përshtypjes së opinionit publik ndërkombëtar për ne e deri te rritja e numrit të njohjeve të pavarësisë. Mirëpo, nuk duhet entuziazmuar shumë meqë ky mendim sigurisht se nuk do ta ndryshojë gjendjen brenda Kosovës në kuptimin e sovranitetit, integritetit territorial, demokracisë apo zhvillimit ekonomik.  

Megjithatë, mendimi këshillues i GjND-së mbase është po aq i rëndësishëm për botën sa për Kosovën. Janë dy lloj shtetesh që janë më së shumti të brengosura me këtë rast. Bile, mund të thuhet që në njëfarë mase ky mendim këshillues u bë i rëndësishëm për Kosovën pikërisht pse ishte aq i rëndësishëm për shumë shtete të botës.

Së pari, me antena të ngritura lart ishin shtetet që brenda vetes kanë regjione me popuj që duan shkëputje si p.sh. Spanja, Kina, India etj. Këto shtete frikësohen se mos qëndrimi i GjND-së për Kosovën do të mund t’i inkurajonte sadopak popujt e shtypur në këto shtete që po ashtu duan pavarësi. Pra, këto shtete kanë hall se mos mendimi këshillues i GjND-së do t’i ‘këshillojë’ për ndonjë gjë nënshtetasit rebelë të tyre dhe jo nëse ky mendim do të mund t’i këshillonte Kosovën a Serbinë për diçka. Arsyeja pse këto shtete ishin të interesuara për mendimin e GjND-së është e njejtë me arsyen kryesore pse ato nuk e njohën pavarësinë e Kosovës tash dy vjet e gjysmë. Së dyti, kemi shtetet që e kanë mbështetur dhe koordinuar shpalljen e pavarësisë së Kosovës me 17 shkurt 2008. Të tilla janë ShBA-të, Britania e Madhe, Franca, Gjermania etj. Këto shtete provuan përgjatë muajve të pranverës së vitit 2007 që ta kalojnë një rezolutë të re në KS të OKB-së, në vend të R1244, e cila do ta bënte Kosovën me pavarësi të mbikëqyrur. Mirëpo, pa sukses: Rusia e bënte aq të qartë përdorimin e saj të vetos në rast të prezentimit të një rezolute të re saqë nuk erdhi fare puna deri te votimi. Pas katër muajve shtesë të negociatave u pat përgatitur shpallja e pavarësisë për të cilën konsiderohej që R1244 nuk është më pengesë. Bëhej fjalë për një lëvizje të dyfishtë – në njërën anë, u shpall një pavarësi pa sovranitet real por, në anën tjetër, edhe u riinterpretua ca R1244. Kjo është arsyeja pse për këto shtetet e llojit të dytë ishte shumë i rëndësishëm një mendim i GjND-së të tillë çfarë e patëm. Ato patjetër e dëshironin legalizimin e kësaj doze të riinterpretimit të R1244.

Ky mendim këshillues i GjND-së në favor të Kosovës gjithsesi duhet të shfrytëzohet si argument shtesë për t’i kundërshtuar thirrjet e Serbisë për negociata të reja për Kosovën. Kosova duhet ta konsolidojë veten përbrenda dhe jo të bëhet pjesë e kontestimeve që i bëhen nga jashtë.

22 korrik 2010       

Albin Kurti

Thellimi i ndarjes

 Në kushtet kur Kosova s’është sovrane, investimi në Bojan Stojanoviqin dhe të ngjashmit herët a vonë do ta ketë fatin e investimit në Oliver Ivanoviqin e Milorad Todoroviqin.

Serbia e ka orientuar gjithë vëmendjen e opinionit publik në veriun e Kosovës, pra aty ku institucionet e Kosovës me politikën e tyre aktuale nuk kanë kurrfarë shansi. Këtë gjë ajo e bën para vendimit të GjND-së dhe sidomos para bisedimeve të reja me Kosovën ku pritet që veriu i Kosovës të fitojë status special të autonomisë edhe përtej parashikimeve të 6 Pikëshit të Ban Ki-moon-it. Përfundi lumit Ibër vijon të zbatohet Plani i Ahtisaarit. Serbisë i nevojitet qetësi për komunat e reja me shumicë serbe në Anamoravë. Atje pa zhurmë serbët po e territorializojnë pushtetin e tyre lokal.

Plani i Ahtisaarit, pa rekomandimin për pavarësi të mbikëqyrur që erdhi më vonë, dhe përveç në veri të Kosovës, është i pranueshëm për Serbinë. Boris Tadiqi nuk ka problem me zbatimin e Planit të Ahtisaarit në jug të Ibrit meqë konsolidimi i komunave të reja me shumicë serbe është i volitshëm për të. Serbët në Graçanicë, Ranillug, Partesh, Kllokot etj. dolën në zgjedhje sepse nuk u penguan nga strukturat e dirigjuara nga Beogradi. Kuvendet e reja komunale në këto fshatra nuk mbajnë mbishkrimin ‘Republika e Kosovës’ dhe kanë simbole e stema serbe.    

Në veri të Kosovës Serbisë nuk i mjafton Plani i Ahtisaarit, e mbase as 6 Pikëshi i Ban Ki-moon-it, sepse ajo e kontrollon më shumë se kaq këtë pjesë të Kosovës. Ndërkaq nëpër enklava në brendi të Kosovës, Serbisë i forcohet pushteti me Planin e Ahtisaarit. Në veçanti Plani i Ahtisaarit në veri, por edhe cilado strategji për veriun, do ta dëmtonte ekonomikisht Serbinë. Veriu i Kosovës me pika të djegura doganore është shumë i vlefshëm për Serbinë nga e cila Kosova e merr një pjesë të madhe të importit të vet.    

Meqë Plani i Ahtisaarit për veriun është i pamjaftueshëm për interesat e Serbisë, tash thuhet që veriu i Kosovës do të jetë tema kryesore e bisedimeve të ardhshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Bisedimet janë paralajmëruar jo pse në pjesën tjetër të Kosovës Qeveria e Kosovës po arrin ta zbatojë Planin e Ahtisaarit, por pse Serbisë vetëm në veri nuk i konvenon zbatimi i këtij Plani. Pra, bisedimet e reja do të bëhen në kuadër të ofertave më të reja për Serbinë që është përherë e pakënaqur, e jo për hir të sovranitetit a funksionalitetit të Kosovës. Shkëmbimi territorial paraqet një shprehje karrem dedikuar krerëve partiakë e institucionalë të Kosovës për retorikën e këtyre para qytetarëve. Pas defaktorizimit ekonomik dhe ushatarak të Kosovës, asaj vetëm do t’i marrin territor por nuk do t’i japin territor. Shkëmbimi do të jetë veçse njëkahor, që do të thotë se nuk do të jetë shkëmbim, aq më tepër që bëhet fjalë për Serbinë, e cila si gjithmonë, do më shumë territor dhe nuk e jep territorin që e kontrollon. Beogradi nuk i ka dashur komunat e reja me shumicë serbe për shkak se ato komuna janë njësi administrative por, para së gjithash, për shkak se ato janë njësi territoriale. Serbia mund të të jep ca të drejta por ajo s’të jep territor. Serbëve mund t’iu ofrosh sa të duash të drejta e privilegje por Serbia do territor. Pakrahasimisht më të rëndësishme Serbia e konsideron komunën e Graçanicës a Parteshit me territorin e këtyre sesa p.sh. ulëset e rezervuara në Kuvendin e Kosovës. Ata të cilët besojnë në Bojan Stojanoviqin e Graçanicës duhet ta kujtojnë Oliver Ivanoviqin e Mitrovicës apo Milorad Todoroviqin e Cërnicës. Tetë vjet kanë investuar institucionet e Kosovës në integrimin e Oliver Ivanoviqit i cili në fund u bë Sekratar i shtetit në Ministrinë e Serbisë për Kosovë. Oliver Ivanoviq fort u pat integruar dikur në institucionet e Kosovës, por të gjithë e shohim se ku është ai sot. Ngjashëm edhe Milorad Todoroviq i cili, pasi punoi disa vite në institucionet e Kosovës dhe u pagua aty nga taksat tona, u bë këshilltar në po të njëjtën Ministri të Serbisë për Kosovën. Javë më parë, ndërprerjen e punimeve në kompleksin ‘Marigona’, Bojan Stojanoviq e pat arsyetuar pikërisht me ruajtjen e strukturës etnike në Graçanicë (sic.). Serbia dëshiron që në komunat me shumicë serbe të mos lejohen ndërtime ku do të mund të banojnë edhe shqiptarët, gjë që ajo e ka bërë tashmë në veri. Në kushtet kur Kosova s’është sovrane, investimi në Bojan Stojanoviqin dhe të ngjashmit herët a vonë do ta ketë fatin e investimit në Oliver Ivanoviqin e Milorad Todoroviqin. Serbët e Graçanicës, Ranillugut, Parteshit a Kllokotit nuk po integrohen në Kosovë siç mendojnë ministri Sadri Ferati dhe Qeveria e Kosovës. Një mendim i tillë është shumë shkurtpamës. Serbët dalin në zgjedhje edhe në Bosnje që prej 15 vitesh, por njohja formale që ata ia bënë Bosnjes ishte për hir të dëmtimit të vazhdueshëm substancial të Bosnjes. Serbët patën dalur masivisht në zgjedhjet e Kosovës në vitin 2002. Atëbotë i kishin 22 deputetë në Kuvendin e Kosovës, por dihet se sa u integruan ata në vitet në vijim. Këto integrime formale dhe koniukturale në sistem vetëm sa e maskojnë ndarjen e thellë në terren dhe bëhen mjet shtesë për thellimin e kësaj ndarjeje.

Kosova gjithnjë i ka bërë koncesione Serbisë. Këto koncesione janë zbatuar pastaj ndonëse Serbia nuk pranoi marrëveshje si tërësi të atyre koncesioneve. Si është e mundur kjo? Çka e mundëson apo kushtëzon këtë dukuri? Serbia e ka luksin e mospranimit të marrëveshjes përfundimtare pikërisht pse Prishtina i zbaton ato koncesione mandej edhe njëanshëm. Duke e ditur që koncesionet e arritura do të zbatohen ashtu-kështu, Serbia nuk e pranon marrëveshjen në fund. Por, sërish, pse ajo mund ta bëjë këtë? Pse Serbia i fiton koncesionet pa humbur gjë që s’bëri marrëveshje? Thjesht, për shkak se marrëveshja të cilën nuk e pranon Serbia megjithatë mbetet marrëveshje midis Kosovës dhe faktorëve ndërkombëtarë që sundojnë me Kosovën. Dokumentin e Ahtisaarit nuk e ka pranuar Serbia, por ai po zbatohet. Faktorët ndërkombëtarë që sundojnë me Kosovën dhe, njëkohësisht, ndërmjetësojnë midis saj dhe Serbisë, e imponojnë edhe zbatimin e marrëveshjeve të dështuara. Shpallja e pavarësisë nuk ndryshoi gjë në këtë aspekt.  

Prishtinë, 8 korrik 2010

Albin Kurti

Zhvillimi i privatizimit

Politikanë vendës e ndërkombëtarë thonë që ndërmarrjet publike duhet të shiten meqë po vjedhen. Ky është dorëzim i shtetit para hajnave. Meqë nuk qenka e mundur të ndalen hajnat, u dashka ta shesim atë që hajnat patjetër do ta vidhnin! Por, a nuk e konfirmon mu kjo qasje privatizimin si vjedhje, si kopjim e imitim që iu bëhet hajnave?

Privatizimi përherë i nxituar në Kosovë po bëhet thuajse ndodhemi para ndonjë apokalipsi. Gjithçka duhet shitur shpejt pa marrë parasysh çmimin. Njëfarë vetëdije paniku paraapokaliptik. Janë neoliberalët ata që neoliberalizmin si njëra nga alternativat doktrinare për zhvillim ekonomik, duan ta paraqesin si nevojë të ngutshme për zhvillim ekonomik. Kjo është pjesë përbërëse e doktrinës së tyre dhe jo mbështetje për të – ajo s’jeton dot pa u paraqitur kështu.   

Neoliberalizmi iu premton të varfërve se do t’i nxjerr nga varfëria meqë të pasurit, pronarët e mëdhenj, do të rriten aq shumë saqë do t’iu nevojitet shumë fuqi punëtore dhe, rrjedhimisht, të varfërit do të punësohen. Pra, neoliberalët premtojnë se do të ketë dromca për të varfërit të cilëve, kësisoj, iu mbetet të shpresojnë tek efektet dytësore dhe indirekte të pasurimit të të pasurve, e që do të jenë të dobishme për ta. Por i ashtuquajturi ‘trickle down effect’ gjithnjë na është aktualizuar vetëm si ‘down effect’. Jo pse punësimi nuk është e thënë ta nxjerr njeriun nga varfëria; ne, thjesht, nuk arritëm as deri aty.

Privatizimi është proces depolitizues. Privatizimi i nxjerr qytetarët prej politikës. Kur privatizohen prona shoqërore dhe publike, sigurisht që dobësohen shoqëria dhe publiku, qytetarët e humbin të përbashkëtën e tyre, por edhe rritet hendeku midis institucioneve politike dhe qytetarëve. Vendimet kryesore politike merren nga ata të cilët nuk preken nga ato vendime. Prona (e bërë) private është ekskluzive: ajo është e dikujt dhe e askujt tjetër. S’ka se çfarë flitet aty – të tjerët janë të përjashtuar.

Politizimi i qytetarëve sot imponohet si emancipim për socialen dhe publiken të cilat neoliberalizmi i ka shporrë jashtë prej politikës duke e degraduar politikën në menaxhim e teknikë. Kontrolli demokratik është i privuar nga sfera ekonomike si askund tjetër dhe si asnjëherë tjetër. Qeveria teknike, qeveria e ekspertëve apo profesionistëve, pikërisht ky është ideali i neoliberalizmit. Qeveria të jetë teknikalitet që e rrit efikasitetin e një politike të paradhënë. Problemi rritet kur vetë politikanët duan të jenë teknikë dhe jo politikë. Me gjasë, ata vetëm duke qenë teknikë, e pikërisht pse ishin teknikë, u pasuruan. Politikanët që kanë biznese sigurisht që janë biznesmenë, apo jo? Konflikti ndërmjet qeveritarëve dhe qytetarëve është konflikt ndërmjet përfitimit privat dhe interesit shoqëror. Privatizimi nuk është një gjë por ai është një marrëdhënie (midis shoqërisë e publikut që shpronësohen dhe politikanëve, korporatave dhe bankierëve që pasurohen).

Kjo është arsyeja pse regjimi ndërkombëtar teknikisht nuk e lejon qeverinë teknike vendore. Ajo do të ishte formalizim i asaj që gjithmonë e kishim. Nuk është çështja që kemi shumë parti politike por pse kemi shumë parti e pak politikë.

Qeveria e Kosovës nuk mund të na ndihmojë për kurrfarë zhvillimi ekonomik për mirëqenien e qytetarëve pasi që ajo i konsideron kapacitetet ekonomike të Kosovës si një barrë nga e cila do që të lirohet. Sektori publik nuk po shkatërrohet sepse po keqmenaxhohet, por pse qëllimi është që të shkatërrohet ai. Nuk e kanë për qëllim që ta ruajnë e rregullojnë sektorin publik por që ta shkatërrojnë atë. Nëpërmjet privatizimit po e bëjnë mu këtë. Tash Kosova është bërë një vend në të cilin shumë më kollaj e humbet vendin e punës sesa që mund ta gjesh një të tillë. Asistenca sociale në Kosovë nuk iu jipet qytetarëve për të pasur ata jetë të dinjitetshme, por për të mos u ngritur kundër Qeverisë dhe rendit ekzistues.

Politika pa politikën ekonomike është spektakël. Kosova ka nevojë për zhvendosje paradigmatike nga ‘tregu i lirë’ te ‘prodhimi vendës’. Tregu i hapur na ka sjellë në situatën ku jemi vërshuar nga produktet e huaja e posaçërisht nga ato të Serbisë. Tregu i hapur e ka mbytur prodhimin edhe ashtu të pakët vendës duke e pamundësuar rritjen e tij. Është ekonomia ajo që duhet ta përmbajë tregun dhe jo tregu ekonominë. Për këtë zhvendosje paradigmatike parakusht është që politika ta nënkuptojë politikën ekonomike. Pra, jo sikurse tani ku edhe furnizimi me energji elektrike është më i larti në Prishtinë meqë aty lulëzon tregtia e burokracia dhe jo prodhimi.

Zhvillimi socio-ekonomik duhet të jetë plan kurse privatizimi eventualisht pjesë e planit. Dhe jo privatizimi të jetë pikënisje kurse zhvillimi ekonomik eventualisht pasojë. Ashtu siç pat konstatuar prof. Ismet Hamiti në një punim të tij, me privatizimin si argument të vetvetes ngjan veçse privatizimi i profitit dhe nacionalizimi i humbjeve. Zhvillimi i tanishëm në Kosovë nuk është më shumë sesa zhvillim i privatizimit.  

Prishtinë, 31 gusht 2010

Albin Kurti