Glauk Konjufca, kryetari i Parlamentit të Kosovës, nëpërmjet rrjeteve sociale shprehu zhgënjimin e tij ndaj deklaratave të Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian, Josep Borell, i cili uroi qeverinë e re të Serbisë, në kabinetin e të cilës ka dy ministra të sanksionuar për korrupsion.

“Me keqardhje dëgjohet se BE-ja po pret me padurim të punojë me qeverinë serbe, duke përfshirë zëvendëskryeministrin Aleksandër Vulin, i cili është nën sanksionet e SHBA-së për lidhjet e tij të ngushta me Rusinë, ndërsa ata ende nuk janë të gatshëm të heqin masat e padrejta kundër Kosovës”, ka shkruar kryeparlamentari në platformën “X”.

Një ditë më parë, Josep Borrell, në të njëjtin rrjet social, shkruante: “Urime kryeministrit të ri të Serbisë, Millosh Vuçeviç. Mezi pres të punoj me ju, ministrin e Jashtëm Marko Gjuriç dhe Qeverinë serbe, për ta çuar Serbinë përpara në rrugën e saj drejt BE-së”.

Policia Rajonale e Ferizajt ka ndaluar sot katër persona në Ferizaj, tre të kërkuar për rastin “Vrasje e mbetur në tentativë dhe pjesëmarrje në rrahje” dhe një person i kërkuar me urdhërarrest ndërkombëtar.

Rasti kishte ndodhur me datën 17.10.2023 në një lokal në qendrën “The Village Shopping & Fun” ku kishte pasë të shtëna me armë të zjarrit.

Policia thotë se kishte pasë një zënke një person me armë të zjarrit (pistoletë) kishte shtënë në drejtim të një personi tjetër, ndërsa ishin përfshirë edhe në rrahje dhe tre të dyshuarit ishin larguar në drejtim të panjohur.

Që nga atëherë policia kishte nisur kërkimin e personave të dyshuar.

Ndërkaq, me datën 03.05.2024 rreth orës 23:43 ekipe të policisë së Njësisë së Reagimit të Shpejtë (NJRSH) dhe të Njësisë së Narkotikëve në rrugën ” Astrit Bytyqi” në Ferizaj kanë ndaluar një veturë Audi me targa të Maqedonisë së Veriut.

“Gjatë legjitimit të personave dhe kontrollimit të veturës janë gjetur tri armë zjarri ( pistoleta) dhe sasi e municionit. Ndërsa katër persona janë shoqëruar në stacionin e policisë, konkretisht në Sektorin Rajonal të Hetimeve me dyshimin si persona të kërkuar, të përfshirë në raste kriminale, ndërsa tre nga ta kanë prezantuar dokumente identifikimi të rrejshme”, njofton policia.

Gjatë verifikimit të personave ka rezultuar se tre personat ishin të dyshuar dhe të kërkuar për rastin në Ferizaj të datës 17.10.2023:

– A.K , mashkull, shtetas i Maqedonisë së Veriut,  i moshës 45 vjeçar, i dyshuar për ” Vrasje e mbetur në tentativë dhe pjesëmarrje në rrahje

– S.R , mashkull, shtetas i Maqedonisë së Veriut, i moshës 40 vjeçar, i dyshuar për pjesëmarrje në rrahje

– F.T, mashkull, shtetas i Maqedonisë së Veriut, i moshës 40 vjeçar, i dyshuar për pjesëmarrje në rrahje.

Ndërsa,  personi B.K, mashkull, shtetas i Maqedonisë së Veriut, i moshës 42 vjeçar, ka rezultuar i kërkuar me urdhërarrest ndërkombëtar, i lëshuar nga autoritetet e Maqedonisë së Veriut.

Të dyshuarit pas intervistimit nga hetuesit rajonalë me vendim të prokurorit të shtetit janë ndaluar në mbajtje për 48 orë për procedura tjera hetimore  dhe procedura tjera për ekstradimin e personit të kërkuar me urdhërarrest ndërkombëtar

Pas përfundimit të dëshmisë së dëshmitarit të 52-tënë seancë gjyqësore në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve, u trajtua kërkesa e Zyrës së Prokurorit të Specializuar për pranimin në prova materiale të disa dokumenteve gjyqësore që pretendohet se janë vënë në dispozicion nga autoritetet serbe. Këto dokumente u kundërshtuan nga mbrojtja e të akuzuarve për shkak që sipas tyre nuk është vërtetuar autenticiteti i tyre dhe mund të jenë të fabrikuara.

Fillimisht ishte kërkesë e trupit gjykues që të dihet se nga kanë ardhur këto dy dokumente, si u bënë pjesë e ZPS-së dhe se a kishte ndonjë person që mund të flas lidhur me këto dokumente.

“Sa i takon autenticitetit të dokumenteve, dokumentin ZPS-së ia ka dhënë TPNJ-ja dhe UNMIKU. Dokumentet fillimisht i kanë vënë në dispozicion autoritetet serbe të cilat i kishin sekuestruar në bazat e UÇK-së gjatë luftës. Në lidhje me këtë i mbështesim deklaratën e hetuesit të TPNJ-së të depozituar në çështjen Haradinaj që janë parashtrime të prokurorisë sa i takon zingjirit të kujdestarisë së provave informative të paraqitura nga Bislim Zyrapi të viti 2007. Duke qenë se janë të mjaftueshme sa i takon besueshmërisë, ZPS-ja nuk synon që të thërras dëshmitarë që të flas sa i takon origjinës së këtyre dokumenteve edhe pse ka dëshmitarë që kanë folur për sekuestrime të UÇK-së nga disa forca, kjo tregon që është një dokumentacion i asokohshëm që flet për mbledhje të UÇK-së dhe operacione të asokohshme të ndalimit të dëshmitarëve”, tha prokurorja.

Ajo tha se nëse ngrihen pretendime sa i takon autenticitetit, trupi gjykues mund të vendos pastaj se çfarë peshe të iu jep këtyre provave në kuadër të dokumentacionit gjyqësor.

“Por, në përgjithësi autenticiteti, lidhja, vlera provuese e këtij dokumenti nuk mund të shihet si i izoluar por në dritën e të gjitha provave. Kur shohim që ka dokumente të njëkohshme që flasin për bashkëpunimin vlera e përbashkëta është më e madhe se dokumentet e veçanta në zona të veçanta. Për të marrë provë të plotë të autenticiteti të një dokumenti si parakusht për pranueshmërinë në prova gjyqësore do të ishte sikur të kërkonim një standard shumë më të fortë nga ai që parashikohet në rregullore dhe Jurisprudencë që parasheh dëshminë prima-facie. Kur ngrihen pretendime sa i takon autenticitetit, trupi gjykues mund t’i pranojë dokumentet dhe pastaj mund të vendosë vetë se çfarë peshe të iu jap në kuadër të dokumentacionit të gjyqit në përgjithësi”, tha prokurorja.

Po ashtu, prokurorja tregoi se çfarë është duke tentuar që të vërtetojë me këto dokumente.

“ZPS-ja synon të vërtetojë arsyet e mundshme të ndalimit të këtij personi dhe të tjerëve duke përfshirë edhe atë që dëshmitari e ka identifikuar si të bashkë ndaluar…Në deklaratën që i ka dhënë ZPS-së ky dëshmitar dhe dëshminë e tij këtu sot, dëshmitari e pranon se ka pasur marrëdhënie të mira me një prej personave të përmendur shumë herë në këtë dokument”, tha prokurorja duke kërkuar pranimin e këtyre dokumenteve nëpërmjet dëshmitarit të sotëm me arsyetimin se atij iu është përmendur emri në shumë faqe.

Ndërsa, avokatja e Kadri Veselit, Ann Rowan tha se këto informacione që janë të përfshira në këto dokumente mund të jenë të ditura për autoritetet serbe dhe që ky dokument mos t’i përkas fare UÇK-së.

“Sa i takon sfondit të kësaj çështje gjyqësore dhe fakteve, kur shikon përmbajtjen e këtij dokumenti dhe duke e ditur se si është marrur ky dokument, ky dokument nuk mund të thuhet se ësht i lidhur vetëm me UCK-në. Ky dokument mund të jetë porositur nga vetë Zbulimi Sekret Serb sepse Zbulimi Sekret Serb mund ti ketë ditur këto informacione. Pastaj a është i vertetë dokumenti a po jo nuk e di, po këta mund të jenë serb që mund të kenë pasur dijeni po për këto gjëra. Një prej mundësive është që edhe UCK-ja ta ketë pasur këtë dokument, por këto dijeni mund t’i kenë pasur edhe civilët”, tha Rowan.

Ndërsa, mbrojtja e Thaçit përmes avokatit Luka Mishetiq tha se ZPS-ja nuk ka bërë një hetim të pavarur për autenticitetin e këtyre dokumenteve.

“ZPS-ja po mbështetet vërtetime të shkruara nga një çështje gjyqësore e vitit 2007 dhe kur pyetet nga trupi gjykues përgjigja e tyre është “po e themi atë që dimë” që për mua tregon që nuk është bërë një hetim i pavarur nga ZPS-ja sa i takon autenticitetit të dokumenteve të cilat po i paraqiten trupit gjykues. Nuk iu janë treguar njerëzve të UÇK-së apo personave që mendohet se i kanë bërë këto dokumente pos dëshmitarëve që vijnë këtu. Ky është një shqetësim që kemi”, tha Miishetiq.

Ai tha se sa i përket këtyre dokumenteve duhet pasur parasysh se në këtë çështje gjyqësore ka pasur prova të fabrikuara nga zbulimi sekret serb e po ashtu edhe deklarata të fabrikuara nga dëshmitarët nga po i njëjti shërbim

“E dyta që kam është që mu dha mundësia që ta verifikojë këtë deklaratë tani se gjendet online, burimi vërtetë duket se është Shërbimi i Zbulimit Serb për këtë dokument. Unë do të thosha që ka pasur prova që janë paraqitur nga ky trup gjykues për fabrikimin e provave nga Zublimi Serb edhe në këtë çështje gjyqësore, edhe për një dëshmitar që ka dëshmuar për një deklaratë dëshmitaresh të fabrikuar pikërisht nga kjo Agjenci Zbulimi. Pra, të gjitha këto janë faktorë  të cilët duhet mbajtur parasysh. Fakti që dokumenti pretendon të jetë ai që është i barasvlershme me deklaratën e dëshmitarit që tashme ju e keni në dispozicion nga ky gjykim që edhe gjatë pyetjeve që i bëmë ne doli që nuk ishte ashtu. Mund të ishte marrë vesh kjo gjë  përpos faktit që na u dha mundësia ta kundërshtojmë… e saj”, tha Mishetiq.

Mishetiq tha se informacionet brenda UÇK-së nuk i dinin vetëm ata por edhe Zbulimi Sekret Serb duke përmendur një të infiltruar e që nuk sqaroi shumë për të.

“Ju do të dëgjoni dëshmi relativisht shpejtë lidhur me faktin që Zbulimi Serbe e kishte penetruar brenda UÇK-së gjatë konfliktit dhe fakti që ky informacion dihej edhe jashtë UÇK-së është pikërisht një provë që do të jepet nga dëshmitari i Prokurorisë që ky person i infiltruar ishte në nivele të larta të UÇK-së. Dua të them që informacionet nuk i dinte vetëm UÇK-ja po i dinte edhe shërbimi i Zbulimit Serb që nga vitit 1998. Por, në thelb është se cfarë do të ndodhë nëse trupi gjykues e pranon këtë dokument, mbështetët në këtë dokument dhe pastaj zbulohet qartë se edhe kjo del një provë e fabrikuar se nuk kemi gjetur personin që është i përfshirë në hartimin e këtij dokumenti dhe të dëshmojë për origjinën e këtij dokumenti”, tha Mishetiq.

Ndërsa avokati Aiden Ellis tha se i mbështetë parashtrimet e ekipeve të mbrojtjes.

“Mbështesë shqetësimet e ekipeve të tjera të mbrojtës dhe mbështesim parashtrimet e tyre”, tha ai.

Mirëpo, përfaqësuesja e ZPS-së insistoi serish duke thënë se ka tregues të autenticitetit të këtyre dokumenteve.

“Ka shumë tregues të autenticitetit dhe mbështetëshmerisë së këtij materialit. Hollësitë në këtë dokument janë tregues të mirë që ky dokument është një dokument që buron prej UÇK-së. Dokumenti i dytë po ashtu përmend lista me emra të personave të arrestuar. Pra, relevanca të qon përtej këtij dëshmitari dhe bashkë të ndaluarit të tjetrit. Në gjithashtu duhet patjetër që të procesojmë standardin prima-facie për pranueshmërinë”, tha prokurorja.

Megjithatë, kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III tha se lidhur me pranueshmërinë apo jopranueshmërinë e këtyre dokumenteve do të merret me vonë vendim kështu duke përfunduar për sot seanca gjyqësore.

Ndryshe, gjykimi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit pritet të rifillojë të hënën me 25 mars.

Në sesion privat, po vazhdon edhe sot dëshminë dëshmitari i 52-të i ZPS-së në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, edhe të mërkurën po vazhdon dëshminë dëshmitari i 52-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) me kodin 04571 në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Ky dëshmitar është me masa mbrojtëse dhe dëshmia e tij është duke u dëgjuar në sesion privat për publikun, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Dëshmitari i 52-të e ka filluar dëshminë të martën. Ai është duke u marrë në pyetje nga avokati i Thaçit, Luka Mishetiq.

Ndryshe, kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III tha se do të merret ndërkohë edhe një vendim mbi parashtrimet që i ka bërë avokatja e Veselit, Ann Rowan.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit. 

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit  të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ministria e Jashtme e Spanjës tha të hënën se qytetarët kosovarë do të hasnin në telashe ta vizitonin ligjërisht atë dhe vendet e tjera të zonës Schengen që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, sikur ato të mos pajtoheshin për ta njohur pasaportën e zakonshme kosovare.

“Të gjitha shtetet e [Zonës] Schengen që nuk e njohin [Kosovën] e kanë pranuar përdorimin e pasaportave të zakonshme kosovare. Kjo, në asnjë mënyrë, nuk nënkupton, njohje të Kosovës”, tha për Radion Evropa e Lirë (REL) Elena Aljarilla Cortezon, zëdhënëse e Ministrisë së Jashtme spanjolle.

Prej 1 janarit, shtetasit e Kosovës me pasaporta biometrike janë në gjendje të udhëtojnë lirshëm në shtetet e zonës Schengen, pas hyrjes në fuqi të vendimit për liberalizimin e vizave.

Por, vetëm më 5 janar u bë e qartë se ata do të mundë ta vizitojnë edhe Spanjën, pas një njoftimi nga Departamenti për Migrim dhe Çështje të Brendshme i Komisionit Evropian, se Spanja njeh tashmë pasaportën e zakonshme kosovare.

Cortezon theksoi për REL-in se Spanja e mbështet dhe do të vazhdojë ta mbështesë dialogun Beograd-Prishtinë, “si një mënyrë e zgjidhjes së kësaj çështjeje dhe kërkon ta kufizojë ndikimin e saj tek qytetarët”.

Spanja është në mesin e pesë shteteve të BE-së që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, e ku bëjnë pjesë edhe Greqia, Qiproja, Sllovakia dhe Rumania. Megjithatë, të gjitha këto shtete njohin dokumentet e udhëtimit të lëshuara nga autoritetet në Kosovë.

Vendimin e Spanjës për njohjen e pasaportës e kanë përshëndetur ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, Donika Gërvalla, si dhe zëvendëskryeministri Besnik Bislimi.
Liberalizimi i vizave u mundëson qytetarëve të Kosovës, që kanë pasaporta biometrike, të qëndrojnë deri në 90 ditë – brenda gjashtë muajsh – në cilindo nga 27 shtetet anëtare të zonës Schengen.

Udhëtimet pa viza shërbejnë për vizita turistike, çështje familjare ose të ngjashme. Megjithatë, liberalizimi i vizave nuk nënkupton leje pune apo përfitime të tjera.

Kosova ishte vendi i fundit i Ballkanit Perëndimor, qytetarët e të cilit deri më 1 janar të këtij viti nuk mund të lëviznin lirshëm në zonën Schengen.

Kjo pavarësisht faktit se që nga viti 2018, Komisioni Evropian kishte konfirmuar disa herë që Kosova kishte përmbushur të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave, por që disa shtete vazhdimisht kishin shprehur rezerva./rel

I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar tha se marrëveshjet që Serbia dhe Kosova kanë nënshkruar janë një detyrim ligjor për të dyja palët dhe se nënshkrimi ose jo i tyre, nuk ndikon në detyrimin që ato kanë për t’i zbatuar ato.

Në takimin e fundit me udhëheqësit evropianë në Bruksel, Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, tha se është i gatshëm të pranojë dhe të nënshkruajë projektstatutin për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndërsa Presidenti serb Aleksandar Vuçiq bëri të qartë se nuk do të pranojë asgjë që nënkupton njohjen de-facto të Kosovës.

I pyetur se si do të vazhdohet më tej pas këtyre qëndrimeve, Escobar tha se këto dy deklarata nuk pasqyrojnë realitetin pasi ato marrëveshje janë të ligjërisht të detyrueshme, gjë që të dy udhëheqësit e kanë pranuar sikurse tha ai.

Po kështu ai tha se të dy udhëheqësit e kanë marrë këtë angazhim përpara Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara dhe se palët kanë detyrime specifike për të ndërmarrë, në rrugën drejt normalizimit. “Kosova Asociacionin dhe Serbia njohjen e dokumenteve doganore të Kosovës, targave, letërnjoftimeve e të tjera gjëra si këto, tha Escobar për Zërin e Amerikës.

Zyrtari amerikan tha se Shtetet e Bashkuara e mbështesin plotësisht dialogun dhe se ajo që ka mbetur lidhet vetëm me kohën dhe mënyrën se si do t’i zbatojnë të dyja palët detyrimet.

I pyetur lidhur me dorëheqjen sot të shefit të Agjencisë Serbe të Zbulimit (BIA) Aleksandar Vulin, Escobar tha se se ai ka qenë një një figure jashtëzakonisht destabilizuese në rajon për një kohë të gjatë, gjë mbi të cilën u bazuan edhe sanksionet amerikane.

Lidhur me komentet e Aleksandar Vulinit se ai dha dorëheqjen pasi Uashingtoni dhe Brukseli po e kërkonin një gjë të tillë si parakusht për të mos i vendosur sanksione Serbisë, Escobar tha se “ne (SHBA) nuk marrim vendimeve në emër të qeverisë serbe”. /VoA/

Kryeministri Albin Kurti dhe kreu i Kuvendit Glauk Konjufca, me rastin e 34-vjetorit të rënies së heronjve Afrim Zhitia e Fahri Fazliu kanë bërë homazhe te varrezat e tyre në lagjen “Velania” në Prishtinë, raporton Ekonomia Online.

Me këtë rast kreu i Qeverisë, tha se Afrim Zhitia e Fahri Fazliu janë sinonim i shprehjes “deri në frymën e fundit”.

“Erdhëm të bëjmë nderim para dy dëshmorëve të kombit, edhe para UÇK-së ne kemi pasur çlirimtare, edhe para dëshmorëve të luftës së fundit kemi pasur dëshmorë”.

“Afrimi dhe Fahriu janë sinonim të saj shprehjes ‘deri në frymën e fundit’. Punuan bashkë e vepruan bashkë deri në frymën e fundit”.

Më pas homazhe do të bëhen edhe në vendin e vrasjes së dy heronjve. Ata ranë heroikisht në këtë datë të vitit 1989-të, në lagjen “Bregu i Diellit.

Draft-statuti për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, i propozuar nga Bashkimi Evropian më 21 tetor, “siguron një vetëqeverisje kornizë me autonomi substanciale për komunitetin e serbëve të Kosovës”.

Draftin e plotë të statutit të Asociacionit, i cili ka dal nga zyra e emisarit të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, e ka siguruar Paparaci.

Ky draft-statut ka një përmbajtje prej 11-faqesh dhe përmban në të shkruar parimet, objektivat e kompetencat e themelimit të Asociacionit.

Një nga pikat e draft-statutit parasheh rregullimin e strukturës organizative të Asociacionit. Bazuar në draft-statut, asociacioni do të ketë kuvendin e tij, kryetarin, nënkryetarin, bordin, këshillin këshilldhënës dhe zyrën për ankesa.

Te pika “Objektivat kryesore” në draftin e statutit thuhet se ai “siguron një vetëqeverisje kornizë me autonomi substanciale për komunitetin e serbëve të Kosovës”.

Ndërkaq, në konkluzionet e draft-statutit theksohet se “projekt statuti nuk e kalon ndonjë nga vijat e kuqe të Kosovës”.

Edhe emisari Lajçak, në një deklarim për media më 23 tetor, ka thënë se draft-statuti për Asociacionin nuk shkel “vijat e kuqe” të palëve.

Ky draft, i propozuar nga Bashkimi Evropian, u është prezantuar Kosovës dhe Serbisë gjatë vizitës më 21 tetor në këto dy shtete të përfaqësuesve të BE-së, Shteteve të Bashkuara, Francës, Gjermanisë dhe Italisë.

Tri ditë më vonë, gjatë takimeve në Bruksel me tre liderët e BE-së, Emmanuel Macron, Olaf Scholz dhe Giorgia Meloni, si dhe me Përfaqësuesin e lartë të BE-së, Josep Borrell, kryeministri Albin Kurti tha se është pajtuar me propozimin për draft-statutin e Asociacionit.

Një muaj pas sulmit terrorist të 24 shtatorit, ende nuk ka përfunduar vlerësimi i dëmeve të shkaktuara në Manastirin e Banjskës. Kështu thotë ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, derisa potencon se ende nuk kanë marrë përgjigje zyrtare nga dioqeza Rashkë-Prizren. Ai shton se do të vazhdojnë të jenë insistues dhe t’i kryejnë detyrat ligjore për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore.

Manastiri i Banjskës ishte pika kryesore që u shfrytëzua nga grupi terrorist për t’u strehuar, pasi sulmuan Policinë e Kosovës, mëngjesin e 24 shtatorit, me ç’rast është vrarë rreshteri Afrim Bunjaku, si dhe u plagosën dy policë.

Më 27 shtator, tre ditë pas sulmit, ministri Çeku bëri të ditur se i kanë mjetet e nevojshme për të kryer sanimet, teksa shtoi se dëmet nuk janë të vogla në strukturën fizike të Manastirit.

Ministri Çeku në një intervistë për KosovaPress, ka thënë se janë të gatshëm për bashkëpunim, meqë sipas tij, është në pyetje trashëgimia kulturore dhe fetare e Kosovës. Ai shtoi se me vlerësimin e dëmeve, do të ndërmerren veprimet e duhura riparuese.

Përveç kësaj, ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku potencoi se është bërë një vlerësim preliminar i dëmit që i është shkaktuar trashëgimisë kulturore gjatë viteve 98-99’ nga forcat serbe. Ai thotë se i MKRS-ja, i ka shifrat e para që tregojnë se sa monumente e vepra arti janë dëmtuar.

Çeku shtoi se raporti do të mbetet konfidencial deri në një afat të pacaktuar, meqë sipas tij, është një dokument shumë i rëndësishëm me të cilin do të ballafaqohet Serbia. Ai thotë se përmes këtij raporti, do të kërkohet dëmshpërblim për dëmet e shkaktuara nga forcat serbe në mënyrë të qëllimshme gjatë luftës së fundit.

Ndryshe, kanë kaluar dy dekada prej përfundimit të luftës në Kosovë, por Serbia vazhdon t’i mbajë mbi një mijë artefakte arkeologjike të cilat vendin e kanë në Muzeun Kombëtar të Kosovës.

Deri më tani, nga thesari i artefakteve Kosovës i është kthyer vetëm “Hyjnesha në Fron”, një eksponat që daton nga mijëvjeçari i katërt para Krishtit dhe e cila u gjet në vitin 1956 në lokalitetin “Tjerrtorja”, të Prishtinës.

Për kthimin e këtij eksponati, në maj të vitit 2002, ishte angazhuar asokohe ish-shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara të Kosovës, Michael Steiner. /KP/

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha të premten se propozimi i të dërguarve perëndimorë për Asociacionin parasheh që Gjykata Kushtetuese të jep vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe është shkruar me kujdes ndaj shkronjës dhe strukturës kushtetuese të vendit.

Ai i bëri këto komente një ditë pasi shfaqi në Bruksel gatishmërisë së tij për të nënshkruar projektin e ofruar nga diplomacia perëndimore për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Nga takimi i 21 tetorit nga emisarët amerikanë dhe evropianë na është thënë që drafti për vetmenaxhim që e kanë sjellë është shkruar me kujdes ndaj shkronjës dhe strukturës së Kushtetutës dhe ligjeve të Republikës së Kosovës dhe që nëse do të nënshkruhej aty parashihej që ta kontrollonte Gjykata Kushtetuese menjëherë pra që Gjykata Kushtetuese jep vlerësimin e saj për kushtetutshmërinë e këtij propozimi si përgjigje”, tha ai.

Ai tha se Kosova do të respektojë kërkesën e diplomatëve që të mos flitet për hollësitë e projektit, të cilin kishte ofruar ta nënshkruaj dje gjatë takimit me udhëheqësit e Bashkimit Evropian.

“Ofruam që para tyre si dëshmitarë dhe si garantues të nënshkruajmë marrëveshjen bazë të Brukselit të 27 shkurtit, me gjithë aneks-implementues të Ohrit të 18 marsit dhe propozimin e zbatimin e nenit 7 të marrëveshjes në lidhje me nenin 10. Pra për idenë e vetmenaxhimit të shndërruar në vetpropozim. Nënshkrimi do të nënkuptonte pranim e për rrjedhojë edhe zbatim mirëpo pranimi do të thotë nënshkrim, e vetëm nëshkrimi do të thotë pranim dhe garanci për zbatim”, tha ai.

Kryeministri Kurti tha se tani është koha që Serbia të mbahet përgjegjëse për sulmin terrorist dhe kriminal ndaj Kosovës si dhe për refuzimin e nënshkrimit të marrëveshjeve.

“Ata gjithnjë insistojnë që të dërgojnë letra anësore, shkresa shtesë të cilët praktikisht e sulmojnë edhe zyrtarisht edhe formalisht marrëveshjen bazike dhe aneksin zbatues. Mbrëmë morëm vesh se presidenti i Serbisë kërcënoi dhe i përmbushë këto kërcënime me këso letra të cilat thonë tri gjëra. Serbia se njeh pavarësinë e Kosovës, është kundër anëtarësimit të Kosovës në OKB dhe nuk e pranon integritetin territorial të Kosovës, kjo e treta është një shtesë sepse këto dy të parat i kemi dëgjuar edhe më herët. Është qartazi tendencë për sulm ndaj Kosovës deklarata e tillë e papërgjegjshme se integriteti territorial i Kosovës na qenka i paparanueshëm”, tha zoti Kurti.

Partitë opozitare në Kosovë shfaqën të premten qëndrime të ndryshme lidhur me gatishmërinë e kryeministrit Albin Kurti për të nënshkruara projektin për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Lidhja Demokratike dhe Partia Demokratike e Kosovës kritikuan qeverinë për mos transparencë në raport dokumentet e fundit të paraqitura nga faktori ndërkombëtar.

“Mbrëmë vonë doli dhe tha se unë kam pranuar draftin për statutin e Asociacionit, unë nuk po e gjykoj a është i mirë apo i keq sepse nuk e di, nuk e kam parë, po e gjykoj vetëm lëvizjen politike të kryeministrit nga refuzues absolut dhe sjelljes së vendit të sanksionet dhe ndëshkimet e vazhdueshme me kosto edhe me humbjen e jetes së njerëzve ë këtë vend, me një pranim kaq të lehtë. Çka ndhodhi? A duhet të jetë i informuar ky vend dhe ky Kuvend?”, tha Arben Gashi deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës.

“Për më tepër qytetarët, shoqëria civile, publiku madje as ne deputetët u kkemi parë se çfarë ka pranuar kryeministri Kurti. Cili është drafti i pranuar? Cila është materia? Pra pse kaq shumë jo transparencë? Prej kujt është duke u fshehur kryeministri, prej qytetarëve të Kosovës? Pra cili është mesazhi i krejt këtzre zhvillimeve të fundit. Sa herë që Serbia sulmon Kosovën, Kosova duhet të lëshoj pe me diçka. Na sulmojë me 24 shtator dhe me 26 tetor Albin Kurti e pranoi një draft të Asociacionit”, tha deputetja Blerta Deliu Kodra nga Partia Demokratike e Kosovës.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj tha se mbrëmë Kosova ka bërë një hap të madh me pranimin e zbatimit të propozimit të diplomatëve perëndimorë.

“Në këtë rast e ka vendosë Kosovën në pozicion të duhur në këtë kohë pas shumë gabimeve dhe pas një kohe të gjatë të humbur në dialog. Sipas bindjeve të mija, me zhvillimet e djeshme BE-ja duhet t’i heq sanksionet ndaj Kosovës menjëherë pra qeveria e Kosovës, kryeministri i Kosovës ka marrë obligim, ka shprehur gatishmëri me zbatu dokumentin që ka sjellë pesëshja dhe nuk ka shprehë vërejtje në dokument, ka shprehë kërkesa tjera, me këtë besoj që BE duhet menjëherë me i heq sanksionet, pra është e pakuptimtë me vazhdu me sanksione”, tha zoti Haradinaj.

Më 21 tetor të dërguarit amerikanë dhe evropianë u dorëzuan palëve një dokument për zbatimin e marrëveshjes, pjesë e së cilës ishte edhe, siç thanë zyrtarët në Bruksel, “një propozim bashkëkohor evropian për statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, që është edhe pika më e vështirë e procesit të bisedimeve Kosovë – Serbi.

a.c./dita

Këtë javë në Bruksel, pas takimit me udhëheqësit e Bashkimit Evropian dhe presidentët e kryeministrat e Francës, Gjermanisë dhe Italisë, Kryeministri i Kosovës Albin Kurti shprehu gatishmërinë të nënshkruajë projektin e ofruar nga diplomatët perëndimorë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndërkohë që akuzoi Presidentin serb për mosgatishmëri për të zbatuar marrëveshjen e njohur si plani franko-gjerman.

Në një koment për Zërin e Amerikës, Departamentit i Shtetit tha se procesi i normalizimit i ndërmjetësuar nga BE-ja, është rruga e vetme për të siguruar marrëdhënie paqësore dhe produktive dhe për të realizuar aspiratat e dy vendeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian. SHBA përsëriti gjithashtu thirrjen që dy palët të angazhohen seriozisht dhe urgjentisht drejt këtij qëllimi dhe të zbatojnë plotësisht të gjitha angazhimet që dalin nga dialogu.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Ministrja e Jashtme e Kosovës Donika Gërvalla Schwartz tha se marrëveshja duhet të zbatohet e gjitha. Në intervistën që kryediplomatja e Kosovës i dha koleges Garentina Kraja të premten , ajo tha se një zbatim i pjesshëm nuk do të sillte përparimin e synuar.

Zëri i Amerikës: Zonja Gërvalla, Kryeministri Kurti e pranoi, por nuk e nënshkroi marrëveshjen e Asociacionit. Përse kryeministri Kurti e lidh krijimin e Asociacionit në Kosovë me nënshkrimin e marrëveshjes nga Beogradi për obligimet e veta nga ky proces?

Donika Gërvalla: Po tani në fakt Kryeministri çfarë i ka ofruar dje Kancelarit gjerman, Presidentit francez, Kryeministres italiane dhe përfaqësuesve të tjerë ndërkombëtarë është që më në fund të implementohet përfundimisht Marrëveshja bazike që kemi lidhur me Serbinë në Bruksel në shkurt të këtij viti dhe planin e implementimit të marsit, i cili parasheh në pikën 7 dhe 10 edhe një pjesë që lidhet me vetëmenaxhimin e serbëve të Kosovës. Në kuadër të kësaj marrëveshje, Kosova ka parë një draft të ri, i cili ka ardhur nga Bashkimi Evropian, i cili i respekton shqetësimet që i kemi shprehur gjatë dy viteve rreth substancës së atij mekanizmi dhe kryeministri Kurti i ka treguar partnerëve ndërkombëtarë që nëse ata do të mund të sigurojnë nënshkrimin nga ana e Serbisë të marrëveshjeve që kemi lidhur atëherë Kosova nuk do të bëhet pengesë në implementimin e tyre.

Zëri i Amerikës: A mund të ndani me ne çfarë parashikon modeli i ri i asociacionit? Deri dje e keni quajtur asociacionin të vdekur, ndërsa tani e keni pranuar.

Donika Gërvalla: Por ky është problemi kur edhe mediat serioze shërbehen me tituj dhe jo me përmbajtje të intervistave të përfaqësuesve politikë. Ne kemi biseduar në intervistën të cilën ju e citoni, kemi biseduar për asociacionin e vitit 2013 dhe 2015, të cilin siç ka thënë dhe Gjykata Kushtetuese, e shkel Kushtetutën e Republikës së Kosovës në më shumë se 22 nene. Pra ai asociacion, i cili e shkel Kushtetutën e Kosovës është i vdekur edhe për ne edhe për bashkësinë ndërkombëtare. Një dokument i ri që kemi marrë, i cili nuk e di a do të quhet asociacion apo si do të quhet, i cili shërben për implementimin e planit të lidhur në shkurt, i respekton shqetësimet, e respekton Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe të gjitha dokumentet e tjera që sigurojnë funksionimin e shtetit tonë.

Zëri i Amerikës: Me anë të një deklarate, udhëheqësit e Francës, Italisë, dhe Gjermanisë i bën thirrje palës kosovare të fillojë procesin e zbatimit të asociacionit pavarësisht nga Beogradi. A do të fillojë Kosova procesin e zbatimit të asociacionit, zonja Gërvalla?

Donika Gërvalla: Nëse marrëveshja e lidhur në Bruksel zbatohet si e tëra, ajo përfshin nenet 7 dhe 10, dhe në kuadër të zbatimit të marrëveshjes, ne jemi të gatshëm të japim kontributin tonë. Marrëveshje ose copëza të marrëveshjes, të cilat Beogradi madje as nuk i pranon, nuk kanë për të sjellë normalizimin e dëshiruar, normalizimin e nevojshëm mes dy shteteve tona dhe prandaj janë të pakuptimta. Marrëveshja zbatohet si e gjitha, përndryshe copëzat e saj nuk do të sjellin progres.

Zëri i Amerikës: Para sulmit të 24 shtatorit, qeveria juaj ka kritikuar komunitetin ndërkombëtar për presion të padrejtë ndaj Kosovës sesa ndaj Serbisë. A keni vërejtur ndonjë qëndrim ndryshe të Bashkimit Evropian dhe në tërësi të bashkësisë ndërkombëtare që atëherë?

Donika Gërvalla: Mendoj që jo vetëm qeveria jonë, por edhe shumë vëzhgues të proceseve në Ballkan, shumë studiues, shumë gazetarë, media serioze kanë kritikuar qasjen e Bashkimit Evropian si të njëanshme në raport me Kosovën dhe në kërkesën në vazhdimësi që Kosova të bëjë lëvizje të mëdha ndërkohë që ka pasur njëfarë mirëkuptimi të vazhdueshëm për Serbinë, e cila jo vetëm në rastin e Kosovës nuk lëviz, por nuk përmbush obligimet e saj ndërkombëtare as në raport me Rusinë dhe luftën e saj në Ukrainë dhe as në raport me të tjera fenomene që lidhen me forca të cilat nuk janë pjesë e strategjisë të Bashkimit Evropian dhe të Perëndimit në përgjithësi. 24 shtatori ka treguar që Kosova ka pasur të drejtë, që Serbia ndërkohë që ne përpiqeshim të arrinim rezultate në dialog, Serbia ka qenë duke përgatitur trupa paramilitare për t’i dërguar në Kosovë për të pushtuar territorin e Kosovës, prandaj ne shpresojmë që bashkësia ndërkombëtare më në fund të jetë më e vendosur në kërkesat e saj në dënimin e agresorit, por gjithashtu edhe në kërkimin e rrugëve të cilat mundësojnë një zgjidhje afatgjatë.

Zëri i Amerikës: Megjithëse zoti Kurti pranoi asociacionin, udhëheqësit e BE-së në deklaratën pas takimit të djeshëm e fajësuan njësoj Kosovën dhe Serbinë për zbatimin e Marrëveshjes për normalizim. Cili është komenti juaj për këtë vlerësim?

Donika Gërvalla: Dua ta theksoj edhe një herë se nuk e di për cilin pranim e keni ju fjalën. Unë u përpoqa në detaj t’ju shpjegoj se çfarë ka ndodhur dje, cili ka qenë zotimi i Kryeministrit të Republikës së Kosovës dhe në anën tjetër më lejoni të theksoj që Përfaqësuesi i Lartë i Politikës së Jashme të BE-së nuk është hera e parë që është shumë i njëanshëm në vlerësimin e situatës. Zoti Borrell edhe në të kaluarën është shquar për deklarata të cilat nuk e kanë pasqyruar realitetin e dialogut, nuk e kanë pasqyruar realitetin e qëndrimeve të Republikës së Kosovës. Nuk ka pasur dy palë dje. Kryeministri i Republikës së Kosovës ka ofruar një rrugë të qartë për dalje nga situata në të cilën ndodhemi dhe atë rrugë e ka refuzuar Presidenti i Serbisë dhe t’iu them të drejtën as nuk presim që Presidenti i Serbisë të tregohet konstruktiv në këtë proces.

Zëri i Amerikës: Çfarë prisni ju nga ky proces? Cili është vizioni juaj për rrugën përpara, zonja Ministre?

Donika Gërvalla: Rruga tutje është forcimi i Republikës së Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran, respektimi i interesave të qytetarëve të të gjithë Republikës tonë, pavarësisht nga përkatësia e tyre kombëtare, fetare, rajonale apo çfarëdo qoftë tjetër. Rruga tutje është përkushtimi i Qeverisë dhe institucioneve të Republikës së Kosovës për të ngritur sundimin e ligjit, për të forcuar demokracinë edhe për t’i ofruar gjithmonë të gjithë fqinjëve mundësinë e marrëdhënieve të mira fqinjësore. Kjo është ajo çfarë është në dorën tonë. Të gjitha të tjerat nuk janë vetëm në dorën e Republikës së Kosovës dhe prandaj shpresojmë që bashkësia ndërkombëtare të ushtrojë trysninë e duhur, të shprehë sanksionet e duhura ndaj Serbisë me qëllim që të kemi një mundësi të lëvizjes në normalizimin e marrëdhënieve tona.

Zëri i Amerikës: Shtetet e Bashkuara shpesh gjatë këtij viti kanë përsëritur se ekziston një trysni kohore për ta përmbyllur marrëveshjen me Serbinë. A ka ende mundësi që marrëveshja të përmbyllet para zgjedhjeve vitin e ardhshëm në Amerikë?

Donika Gërvalla: Sa i përket Republikës së Kosovës, ne e kemi treguar rrugën se si mund të përmbyllej menjëherë. Kryeministri Kurti ka ofruar mundësinë që që dje të finalizohej marrëveshja me nënshkrimin e të dyja palëve në prani të të gjithë liderëve evropianë. Një mundësi e tillë nuk është shfrytëzuar dje; të shohim se a do të ketë mundësi të ngjashme, parimore dhe të suksesshme për Republikën e Kosovës në të ardhmen. Kjo nuk varet, e thashë edhe një herë, vetëm nga ne. Kjo varet shumë edhe nga cili pozicion do të marrë bashkësia ndërkombëtare, do të marrin partnerët, miqtë dhe aleatët tanë në raport me kërkesat e drejta të Republikës së Kosovës, por edhe me përpjekjet e vazhdueshme të Serbisë për t’i ikur negociatave dhe për të forcuar agresionin ndaj Kosovës dhe fqinjëve të tjerë.

Zëri i Amerikës: Po i kthehemi edhe një herë çështjes së modelit të ri që është ofruar nga të dërguarit e posaçëm ndërkombëtarë për asociacionin. A mund të na detajoni çfarë e bën të pranueshëm këtë model për Republikën e Kosovës?

Donika Gërvalla: Shumë e thjeshtë: modeli i ri, i cili na është prezantuar, respekton Kushtetutën e Republikës tonë dhe si institucione të përgjegjshme, minimumi i asaj që kërkojmë me çfarëdo lloj propozimi që na vjen është respektimi i shtetësisë, i sovranitetit, i Kushtetutës së Republikës. Mendoj që ky është detyrim i çdo qeverie të çdo vendi demokratik.

Zëri i Amerikës: Dhe a ndiheni që modeli i ri respekton këto parime bazë?

Donika Gërvalla: Më duket që e theksova tre herë gjatë kësaj bisede të përbashkët që patëm, që ky është ndryshimi bazë i propozimit që na ka ardhur dhe kjo është arsyeja pse Kryeministri Kurti në një ofertë shumë të sinqertë dhe shumë parimore dje në Bruksel ka ofruar nënshkrimin e Marrëveshjes bazike të planit të implementimit dhe në kuadër të saj të implementimit edhe të nenit 7, i cili parasheh një mekanizëm të vetmenaxhimit për serbët e Kosovës.