Vjen ekspertiza e “audio-përgjimit të Babales”, laboratori anglez: Materiali nuk është origjinal
Laboratori anglez që kishte marrë përsipër ekspertizën e audiopërgjimit të publikuar nga Partia Demokratike për vëllanë e Ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, ka mbërritur në Prokurorinë e Përgjithshme, në Tiranë.
Në materialin që është në fazën e përkthimit për t’ju dorëzuar Krimeve të Rënda, ekspertët anglezë thonë se nuk mund të shprehen me siguri të plotë lidhur me vërtetësinë e bisedës dhe personat e përfshirë në të.
Kjo pasi sipas tyre, materiali i dërguar për ekspertim nuk ka qenë origjinal, por një kopje e regjistrimit i cili duket se ka pasur ndërhyrje.
Burime për Ora News kanë bërë me dije se sipas përgjigjes së mbërritur në Prokurorinë e Përgjithshme, materiali i dërguar nuk është origjinali që pretendohet se është regjistruar në Vlorë, madje dhe regjistrimi nuk është i plotë.
Për këtë arsye ekspertët në konkluzion rezervohen për të folur me 100 për qind në lidhje me origjinalitetin e regjistrimit.
Burime nga hetimi thanë se ekspertët e huaj kanë konstatuar se në bisedën e transmetuar ka shkëputje dhe ndërhyrje të zërave.
Gjithashtu ekspertët janë shprehur me përqindje edhe mbi kërkesën për përputhshmërinë mes zërit të Agron Xhafajt dhe atij që është në përgjim.
Përgjigja e ekspertizës ndodhet ende në Prokurorinë e Përgjithshme, ndërsa ende nuk ka mbërritur në Prokurorinë e Krimeve të Rënda pasi gjithë materiali është ende duke u përkthyer nga gjuha angleze.
Burime zyrtare të Prokurorisë së Përgjithshme dy ditët e fundit, nuk e mohuan mbërritjen e konkluzionit të ekspertizës nga Anglia, por as nuk e pohuan këtë fakt, shkruan Oranews.
Krahas përgjigjes së mbërritur nga ekspertët e huaj organi i akuzës ka marrë edhe rezultatet e qelizave telefonike te personave të përfshirë përgjim, vendet ku janë ndodhur në momentet kur janë bërë bisedat dhe më pas hetuesit kanë bërë edhe kryqëzimin e këtyre të dhënave.
Pas një analize të të gjitha fakteve pritet që Prokuroria e Krimeve të Rënda të marrë vendimin për ecurinë e çështjes.
Madje mësohet se për këtë dosje mund të ketë dhe të ndaluar pas shqyrtimit të plotë të saj.
Audiopërgjimi i cili tronditi politikën u publikua nga Partia Demokratike disa muaj më parë.
Sipas PD-së, rasti ishte një investigim i gazetarit Jetmir Olldashi i cili kishte hetuar trafikun e drogës duke përdorur si bashkëpunëtor Albert Veliun, i njohur ndryshe në Vlorë edhe me emrin Babale.
Sipas Olldashit, ai kishte degjiuar se vëllai i Ministrit të Brendshëm kishte lidhje me trafikun e drogës dhe për të provuar këtë kishte infiltruar Albert Veliun, i cili kishte patur më parë njohje me Agron (Geron) Xhafën.
Ai ka pretenduar se biseda është bërë në lokalin e Agron Xhafajt në Vlorë, ku ky i fundit kishte pranuar të ndihmonte Babalen për një ngarkesë kanabisi drejt Italisë.
E gjithe biseda është kundërshtuar menjeherë nga vëllai i Ministrit të Brendshëm, i cili ka mohuar të ketë qenë ai në bisedë.
Agron Xhafaj bëri një kallzim në Prokurorinë e Tiranës, ndërkohë që menjëherë u vetëdorëzua në Itali për të vuajtur dënimin e dhënë atje ndaj tij.