NGA FARAONËT TE BEYONCE, PSE PËRDORIM ENDE MOTIVE LEOPARDI?
Në një foto bardhezi të viteve 1950, këngëtarja dhe aktorja Ertha Kit shihet e veshur me një kostum të dekoruar me motiv leopardi. Ajo duket sfiduese, me vetëbesim, dhe pranë saj është një gepard i lidhur me zinxhir.
Është foto ikonike, një nga fotot që tre dekada më parë frymëzoi balerinën Xho Ueldon të kërkonte historinë e motivit të leopardit. Zbulimet e saj janë përmbledhur në një libër: “Egërsia: Historia e Motivit të Leopardit”, ku Ueldon ndan në grupe, gjen origjinën dhe evolucionin e një prej motiveve më të kudogjendura të modës.
“Kit ishte pika e nisjes. Kur isha e vogël, mahnitesha prej saj”, thotë Ueldon në një intervistë. “Dukej fantastike me ato motive, një figurë e fortë. Por ishte gjithashtu grua e mençur. Për mua, motivet e leopardit ishin ato që i bashkonin këto dy aspekte”.
Rosalindë Rasëll vesh një fustan mëndafshi “Galanos” në një foto reklamuese për “Baba, i gjori baba, mamaja të vari në dollap dhe unë ndihem keq”, në vitin 1967. Foto nga Everett Collection
“Motivet e leopardit dhe pamjet me feline, në përgjithësi, janë përdorur për të treguar pushtet, pavarësi dhe vetëbesim për shekuj të tërë”, thotë Ueldon.
“Leopardët janë parë si kafshë të egra, shumë të zhdërvjella”, thotë ajo. “Mendoj se njerëzit ndiejnë një lidhje të lashtë me to.”
Historikisht, leopardët kanë luajtur një rol mbizotërues nëpër ikonografitë e botës. “Gruaja e Ulur e Çatalhöyük”, një figurë argjile, që mendohet të jetë bërë 6000 vite më parë, tregon një femër që e ka vendosur krahun mbi një leopard.
Një pllakë e gdhendur e Egjiptit të lashtë tregon Nefertiabetin, një princeshë egjiptiane, që ka fustani leopardi. Foto Everett Collection
Seshat, perëndia egjiptiane e mençurisë, përshkruhet shpesh e veshur me një gëzof leopardi apo gepardi. Perëndesha Xi Uangmu, e njohur gjithashtu si Nëna Mbretëreshë e Perëndimit në mitologjinë kineze, përshkruhet me dhëmbë tigri dhe me bisht leopardi.
“Gjatë shekujve të 18-të dhe të 19-të, gëzofet dhe rrobat e leopardit përdoreshin për të treguar pasuri dhe status”, thotë Ueldon. “Kur hymë në shekullin e 20, me prodhimin në masë, rrobat me motive leopardi hynë në tregjet kryesore dhe nisën të kenë domethënie moderne”.
Një trend evolucioni
Reputacioni i motiveve të leopardit ka pësuar ndryshime të shumta që atëherë. Janë quajtur provokuese dhe të ulëta, të rrezikshme. Edhe janë veshur nga yjet më të njohura, por edhe janë quajtur si rroba shumë të lira. Në botën e muzikës e të kinemasë, gratë e veshur me motive leopardi janë identifikuar si të liga, të cekëta e të lehta, gjë që Ueldon e vë në dukje me një sërë kapitujsh, të titulluar “Gruaja Trofe”, “Mamaja e Keqe” dhe “Femra Fatale”.