Ibrahim Xhemajli:Kërkesë për themelimin e një Qendre Kulturore Shqiptare në Danimarkë
Më 04.03.2018, Kopenhagë
- PandeliMajko – Ministër i Shtetit për Diasporën në Republikën e Shqipërisë
- DardanGashi – Ministër i Diasporësnë Republikën e Kosovës
- Edmond Ademi – Ministër pa portofol në Republikën e Maqedonisë i angazhuar për Diasporën
Propozim-kërkesë për themelimin e një Qendre Kulturore Shqiptare në Danimarkë – Kopenhagë
I impresionuar me rolin dhe gamën aktiviteteve të ndryshme të zhvilluara në Qendrën Kulturore të Kosovës në Suedi dhe duke pasur parasysh rëndësinë, rolin dhe nevojat e komunitetit shqiptar në Danimarkë ju paraqes këtë propozim – kërkesë për themelimin e një Qendre Kulturore Shqiptare në Kopenhagë.
Arsyetim:
Në Qendrën Kulturore të Kosoves në Suedi zhvillohen aktivitete të ndryshme, manifestime rasti e shënohen edhe data e ngjarje të rëndësishme të historisë sonë kombëtare si 28 Nëntori e 17 shkurti. Bëhen promovime librash e shfaqje filmash e ekspozita të ndryshme nga arti figurativ etj.
Këtu më 4 shkurt u shfaq edhe një ekspozitë e koleksionistës së pasionuar britanike Patricia Nugee me vepra të vjetra kushtuar kryeheroit tonë Gjergj Kastrioti – Skënderbeu (ku libri më i ri ishte i botimit të vitit 1742 dmth para 276 vite). Por jo vetëm kaq.
Kjo qender është bërë pikë takimi e unifikimi për shqiptarët e ardhur nga të gjitha trojet shqiptare e që jetojnë në Malmö e rrethinë.
Ministria e Diasporës e Republikës së Kosovës, si themeluese e saj, e ka furnizuar Qendrën me libra dhe mjete tjera shkollore për nivelin e I, II dhe III që u shpërndahen falas mësuesve të gjuhës amtare shqipe dhe nxënësve përkatës.
Ekziston pajtimi i një grupi veprimtarësh shqiptarë në Danimarkë që kemi vepruar e veprojmë në kuadër të disa asociacioneve shqiptare në Danimarkë, që t`iu drejtohemi me këtë propozim-kërkesë Juve, përfaqsues të institucioneve përkatëse shtetërore të vendeve tona nga vjen diaspora shqiptare e përqendruar në Kopenhagë e rrethinë, që të themelohet një Qendër Kulturore që mund të quhet me një emër unifikues psh QENDRA KULTURORE SHQIPTARE me seli në Kopenhagë.
Sa për informim, ne, në bashkëpunim me ambasadën e Shqipërisë, për opinionin danez , kemi organizuar shfaqjen e filmave shqiptarë “Nëntori I dytë”, ”Trishtimi i zonjës Shnajder”, ”Parullat”, “Skenderbeu”, ”Përralla nga e kaluara”, ”Nëna Terezë”, ”Shok” etj.
Në mungesë të një Qendre të tillë si ajo në Malmö të Suedisë, këto organizime i kemi bërë në Institutin Italian të filmit në Kopenhagë, në ambasadën Çeke, në Institutin danez të filmit, në SHKSH “Zenel Hasani“, në Qendren e Rehebilitimit të Viktimave të Torturës në Kopenhagë, në lokalet e Komunes së Frederiksbergut etj.
Në mungesë të një Qendre Kulturore, në muajin maj të vitit 2016 po ashtu në bashkëpunim me ambasadën e Shqipërisë dhe Ministrinë e Diasporës së Kosovës kemi organizuar Javën e Kulturës Shqiptare në lokalet e Komunës së Frederiksbergut. Një aktivitet shumë i suksesshëm, jehona e të cilit ka bërë të mundur ofertën e komunës së Herlevit që një javë të tillë të Kulturës Shqiptare ta organizojmë gjatë këtij viti në ambientet e kësaj komune, dhe organizimi ynë – parasheh i pari i komunes – të bëhet model i organizimit për komunitetet tjera të huaja që jetojnë në Herlev.
Ambasadori Kastriot Robo dhe kryetari i komunës Thomas Gyldal Petersen(A) tanimë janë dakorduar me përmbajtjen e këtij projekti.
Në mungesë të një Qendre Kulturore si ajo në Malmö të Suedisë, edhe Javën e Filmit Shqiptar në nëntor 2018 do ta mbajmë në lokalet e Institutit Danez të Filmit etj.
Për sa u shkrua më lartë dhe për nevojën e arsyen e themelimit të një Qendre të tillë kulturore shqiptare edhe në Danimarkë mund të konsultohen edhe përfaqsuesit shteteve nga vie diaspora shqiptare në Danimarkë si:
- Kastriot Robo – ambasador i Republikës së Shqipërisë në Danimarkë,
- Naim Mehmeti – ambassador i Republikës së Maqedonisë në Danimarkë,
- Arton Krasniqi – udhëheqës i Konsullatës së Republikës së Kosovës në Danimarkë.
Në pamundësi për t`i konsultuar të gjithë përfaqësuesit e asociacioneve shqiptare në Danimarkë, po e paraqes këtë propozim-kërkesë në emrin tim me shpresë se do të shqyrtohet me kompetencë duke pasur parasysh nevojat për aktivitete kulturore të ndryshme që të ruhet identiteti shqiptar dhe të afirmohet kultura shqiptare tek danezët, e të ngrihen ura bashkëpunimi.
Me respekt:
Ibrahim Xhemajli
- Bashkëthemelues i Organizatës së Rinisë Patriotike të Kosovës, Ferizaj 1977
- Bashkëthemelues i Radios “Zëri i Kosovës”, Kopenhagë 1989
- Bashkëthemelues i degës së SHH ” Nëna Terezë”, Kopenhagë 1990
- Bashkëthemelues i fondit ”Vendlindja Thërret”, Kopenhagë 1997
- Bashkëthemelues i TV “Zëri i Kosovës”, Kopenhagë 2002
- Bashkorganizator i aktivitetit ”Java e Kulturës Shqiptare”, Kopenhagë 2016