Këshilli i Europës do të vendosë nga fundi i muajit nëse do të hapë bisedimet e anëtarësimit me Shqipërinë apo jo.

Franca dhe Hollanda mund të bllokojnë çeljen e negociatave me argumentin se Shqipëria nuk ka përmbushur kriteret e vendosura, por Raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian mendon ndryshe.

Eurodeputeti Knut Fleckenstein ka thënë në PE se Tirana i ka plotësuar kushtet për çeljen e negociatave.

“Në Shqipëri ka patur progres të qartë dhe çështjet sa i takon sundimit të ligjit po shkojnë në drejtimin e duhur dhe ndoshta edhe më mirë se në disa vende brenda Bashkimit Europian. Prandaj, ne duhet të hapim bisedimet e anëtarësimit me këtë vend”, apeloi ai në Parlamentin Europian.

Fleckenstein përmendi edhe çështjen e liberalizimit të vizave të Kosovës, duke thënë se “të mos harrojmë që kriteret për liberalizimin e vizave janë plotësuar tashmë.”

Eurodeputeti gjerman kërkoi gjithashtu edhe hapjen e negociatave me Maqedoninë dhe avancimin e tyre në fazat e tjera, për rastin e Serbisë dhe Malit të Zi.

“Duhet të dërgojmë në Ballkanin Perëndimor një sinjal të qartë se cila është qasja jonë për këtë rajon”, është shprehur ai.

Shpërndaje artikullin në: