Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e hapur” ka botuar librin tim “Kurthet terminologjike në funksion të mohimit të gjenocidit në Kosovë”. Botimi i këtij libri është bërë me qëllim të harmonizimit dhe përdorimit të saktë të terminologjisë që duhet të përdoret, sidomos nga politikanët dhe gazetarët, kur përkufizohen ngjarjet e luftës në Kosovë dhe shmangien e grackës së mohimit të gjenocidit përmes një terminologjie jo të saktë.

Në këtë libër sqarohet përdorimi i gabuar i termave “shfarosje”, “zhdukje, “asgjësim”, në vend të termit “shkatërrim”; dallimi i nocionit “gjenocid” nga ai “holokaust” dhe “shoah”; përdorimi i gabuar i termit “eksod” në vend të “spastrimit etnik” dhe termave të tjerë, që janë tejet të rëndësishëm dhe ne duhet t’i përdorim saktë ata.

Të gjithë të interesuarit për këta terma, librin mund ta shkarkojnë falas në faqen e internetit të qendrës  “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e hapur” (https://kosovogenocide.com/).

Përkundër asaj se më datë 8 maj 2019 Kuvendi i Kosovës miratoi rezolutën, që përkufizon si krim të gjenocidit atë që shteti serb ka bërë gjatë luftës në Kosovë, kohët e fundit ka filluar të përdoret shprehja “tentim për gjenocid”, që nuk është asgjë tjetër, përveçse mohim i gjenocidit.

Përkufizimi juridik i gjenocidit, si kategori e së drejtës penale ndërkombëtare, e gjen bazën e vet në Konventën për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit. Sipas të drejtës penale ndërkombëtare, te termi “gjenocid” përfshihet cilitdo nga krimet e numëruara në nenin II të kësaj konvente: a) vrasja e anëtarëve të grupit; b) cenimi i rëndë i integritetit fizik ose mendor i anëtarëve të grupit; c) vënia e grupit qëllimisht në kushte të tilla të jetës, që sjellin zhdukjen e plotë fizike ose të pjesshme të tij; d) ndërmarrja e masave për pengimin e lindjeve brenda grupit; dhe e) transferimi i dhunshëm i fëmijëve nga njëri grup në tjetrin, kur krimi është bërë, me qëllim që të shkatërrohet tërësisht ose pjesërisht një grup kombëtar, etnik, racor ose fetar, si i tillë.

Është e vërtetë se konventa e lartpërmendur parashikon dënimin edhe të akteve që mbesin pa u realizuar, pra si “tentim gjenocidi” [neni III, paragrafi (d) i kësaj konvente]. Mirëpo në rastin e krimeve gjatë luftës në Kosovë vrasjet, dhunimet, spastrimi etnik dhe shkatërrimet nuk kanë mbetur “në tentativë”, por janë kryer nga forcat serbe.

Pa marrë parasysh divergjencat e juristëve rreth numrit të viktimave që ky krim të cilësohet si gjenocid, ajo që vlen të theksohet ka të bëjë me faktin se, edhe në tekstin e titulluar “Elemente të krimeve”(Élémentdescrimes, Publication de la Courpénaleinternationale), që është dokument zyrtar i Asamblesë së Shteteve Anëtare të Statutit të Romës të Gjykatës Penale Ndërkombëtare, theksohet se kemi krim të gjenocidit kur:

1. Autori ka vrarë një apo më shumë persona.

2. Personi apo personat e vrarë i përkasin një grupi të veçantë kombëtar, etnik, racor ose fetar.

3. Autori kishte për qëllim të shkatërronte tërësish ose pjesërisht këtë grup kombëtar, etnik, racor ose fetar…

Nga cilido këndvështrim juridik që të trajtohet numri i të vrarëve gjatë luftës në Kosovë, vrasjet e 1392 fëmijëve shqiptarë, vrasjet e 1739 grave shqiptare, vrasjet e mijëra civilëve të tjerë shqiptarë të të gjitha moshave dëshmojnë se forcat serbe aplikuan gjenocidin në Kosovë, sepse kishin për qëllim shkatërrimin e tërësishëm ose të pjesshëm të shqiptarëve të Kosovës si grup kombëtar, etnik apo fetar i ndryshëm nga serbët.

Përveç vrasjeve kur kryhen me qëllim për shkatërrimin e tërësishëm ose të pjesshëm të grupeve të përkufizuara me konventën e lartpërmendur, cenimi i integritetit fizik dhe mendor i anëtarëve të një grupi të caktuar kombëtar, etnik, racor apo religjioz, si i tillë, përbën gjenocid në përputhje me Konventën për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit [Konventa për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit, neni II, paragrafi (b)]. I njëjti përkufizim është përfshirë tekstualisht edhe në Statutin e Gjykatës Penale Ndërkombëtare [Statuti i Romës i Gjykatës Penale Ndërkombëtare, neni 6, paragrafi (b)], ndërsa në sqarimet e dhëna rreth asaj se cilat akte hyjnë në këtë kategori, në dokumentin e Kombeve të Bashkuara, të titulluar “Elemente të krimeve”, thuhet:

“Elementet e gjenocidit përmes cenimit të integritetit fizik dhe mendor janë në rastet kur:

1. Autori i krimit ka cenuar rëndë integritetin fizik dhe mendor të një personi apo të më shumë personave;

2. Ky person ose këta persona i takojnë një grupi kombëtar, etnik, racial, fetar të veçantë;

3. Autori i krimit kishte për qëllim ta shkatërronte tërësisht ose pjesërisht këtë grup kombëtar, etnik, racial, fetar;

4. Një sjellje e tillë është bërë në kuadër të një serie veprimesh të ngjashme, të drejtuara kundër këtij grupi, apo që mund të shkaktonte një shkatërrim të tillë.

Pa u kufizuar në format e shfaqjes, kjo sjellje përfshin aktet e torturës, të dhunimit, të dhunës seksuale, të trajtimeve çnjerëzore ose degraduese” (“Elemente të krimeve”).

Me një fjalë, me të gjitha normat e së drejtës ndërkombëtare, dhuna seksuale është gjenocid dhe jo “tentim për gjenocid”. Në Kosovë dhuna seksuale nuk ka mbetur vetëm si “tentim dhunimi”, por kemi të bëjmë me dhunimin e rreth 20 mijë femrave shqiptare. Përdorimi i shprehjes “tentim për gjenocid” është mohim i dhunimeve seksuale, që u bënë me qëllim të shkatërrimit të njërës nga shtyllat e familjes shqiptare.

Me Rezolutën 47/121 të Asamblesë së Përgjithshme Kombeve të Bashkuara, “largimi i dhunshëm i popullsisë nuk është pasojë e luftës, por qëllim për të pushtuar më shumë territor” në funksion të shkatërrimit të hapësirës së domosdoshme jetësore të një grupi të caktuar kombëtar, etnik, racor ose fetar dhe nëpërmjet këtij akti të shkatërrojë tërësisht ose pjesërisht grupin si të tillë. Në përputhje me të gjitha të dhënat që zotëronin lidhur me agresionin serb, në rezolutën e lartpërmendur autoritetet e Kombeve të Bashkuara e cilësuan si “formë të gjenocidit politikën e neveritshme të ‘spastrimit etnik’”…

Dëbimi i rreth 1 milion shqiptarëve nga Kosova nuk mbeti “në tentativë”, por ishte realizimi i kësaj forme të neveritshme të gjenocidit.

Mund të vazhdoj me renditjen e argumenteve të shumta dhe të vijmë tek i njëjti pëfundim:  në Kosovë nuk ka pasur “tentim për gjenocid”, por shteti serb ka kryer gjenocid ndaj shqiptarëve. Për këtë arsye politikanët, gazetarët, intelektualët e fushave të ndryshme dhe kuadri pedagogjik që ndikojnë drejtpërdrejt në formimin e botëkuptimeve dhe të opinioneve, duhet të jenë të kujdesshëm në përdorimin e terminologjisë së saktë dhe të shmangin përdorimin e gabuara të terminologjisë që mohon gjenocidin në Kosovë.

Nga Agim Jazaj – Qytetarët shqiptarë, sidomos ata të Durrësit, Thumanës, Fushë Krujës, Tiranës, Laçit rezultojnë me bilancin më katastrofik, humbjet më të mëdha të jetëve njerëzore, shkatërrimit të pallateve, banesave, shkollave, etj, nga tërmeti i 26 Nëntorit.

“Fatkeqësia natyrore e përballur me papërgjegjshmërinë shtetërore”, e thotë dhe e ndjen çdokush…

Deficenca qytetare, shkon në sinkron me moseficencën qeveritare.

Qytetarët e krisur, të marrë, shkojnë e ndërtojnë me leje nga xhepi edhe buzë detit… Shteti u ka berë dhe u bën sehir, ditën për diell. I nxit, u premton, dhe i legalizon!

Qytetari pa mend në kokë, blen shtëpi, në pallatet shumëkatëshe, pa hipotekë.

Dhe kur i ka hedhur vetes litarin në qafë, ulërin e sokëllin:  Ku je o shtet?

Të marrët thyejnë këmbët e pallateve dhe hanë kokat e tyre të parët, poshtë tyre nga tërmeti.

E gjithë kjo marrëzi përballë institucioneve, të shtet-rrumpallës, të shtrira vertikalisht dhe horizontalisht: heshtin, qeshin e përqeshin…

Dhe kur qytetarët i ankimojnë këto krime sheshit, ditën me diell, të dokumentuara edhe te PORDHALI i Bashkëqeverisjes, deri dhe te Timonieri – ndeshen me Bashkëvithisjen Qeveritare…

Pra nëse nuk shemben si deri më tani, së pari: Muret e Trurit, nuk mund të shemben kurrsesi Muret e Gurit, të lidhura, madje me ato të oshkurit!

Përgjatë tri dekadave në vendin tonë, është instaluar sistematikisht, sistemi informal, nga politika informale, e zbatuar; duke përzgjedhur, zgjedhur e graduar; njerëz informal të certifikuar, në gjithë fushat e nivelet e administratës publike…

Në administratë u futën “derri dhe dosa“, me mend e pa mend, njerëz pa emër, të panjohur as brenda mëhallës…

Në Greqi më thotë miku im Lorenci, i cili ka punuar disa vjet atje, i zgjedhur edhe sindikalist: Ministri i Punës nuk mund të zgjidhej nëse nuk do të kishte qenë për dy legjislatura sindikalist.

Pra, të njihte punën, të ishte i rrahur me punën, të kishte kallo në duar.

Dhe krahaso ministrat dhe ministreshat e qeverisë sonë, aguridhe axhamij, nuk kanë punuar asnjë ditë: Pa ngrënë asnjë lugë supë, direkt e në thela.

Vërtetë mban përgjegjësi çdokush: për vete, veprimet e mos veprime, por (“prijësi“) që duhet të zgjidhet dhe të zgjedh nga turma e më të mirëve,  “epruveta“  ka rezultuar, duke përzgjedhur jo pak, monstra, rasate që kanë dëmtuar e shëmtuar keqas, deri racën shqiptare, institucionet dhe shoqërinë…

Bilanci rezulton-drithërues në tabelat e publikuara, sidomos të “Rilindjes“: Të zgjedhurit me këto modele; të korruptuar, kompromentuar dhe të kriminalizuar, sepse me të tillë rezulton të jetë e mbushur stalla, me rasat zullumqar, mëkatar, hileqar dhe haleqar.

Kjo shfaqje pas tërmetit ngjan si me shoferin e kapërdisur të atij llafit të moçëm: me hundën në qiell e b…në diell.

Me timonin dhe tepsinë mbi mjetin gërmadhë, kabinën e shqyer, gomat në shesh, motorin rrengallë, karburantin këllirë.

Madje duke mos nxënë mend edhe pse ka thyer disa herë turinjtë.

Mos i fol shoferit – të thonë. Shoferin e kalibrit dikur e çmonim nga mjeti si e mbanin dhe si drejtonin.

Ata nuk hipnin në kabinë të kapardiseshin në timon, pa e kontrolluar gjithë mjetin, e sidomos autobusin; qysh nga kabina, gomat, motorin, shasinë. I vinin rreth e qark. E kontrollonin për karburant, vaj e valvolinë. Nuk tundeshin në majë timonit, pa futur, kontrolluar e marrë OK nga kolaudatori.

Dhe shoferë të tillë i përmendim ne vlonjatët edhe sot: nuk bënë asnjë aksident, i mbanin mjetet xham.

Udhëtarët nuk kishin aspak frikë nga “tërmeti“, edhe kur udhëtonin në rrugë shumë të vështira, të kalldrëmta, nëpër kthesat e Salarisë, për në Tepelenë, Gjirokastër e deri për në Selanik etj, me: Esat Abazaj, Bego Sinanaj, Vjero Vjeron, Avdul Binaj, Nikolla Odisea, Hajdar Muka, Duro Çarçanaj, Yzedin Ymeraj, Jani Koculi, Selamet Labaj, Skëndër Bodo, Bujar Isaraj, Thanas Lika.

Tërmeti nuk lajmëron, por paralajmëron.

Masat merren, sikur do të bjerë, edhe në mos rentë.

Quhen “autoritete përgjegjëse”, dmth me autoritet dhe përgjegjësi duhet të kontrollojnë, të ekzaminojnë gjithë hartën Shqipëri!

Të vihet gishti në plagën e hapur, për pallatet e ngritura mbi mëkatet.

Të parandalojnë tërmetin e paralajmëruar!…

Kur u kërkojmë të marrin masa për të përballuar tërmetin, zjarret, përmbytjet e të tjera katastrofa natyrore, u kërkojmë të bëjn= punën për të cilën i paguajmë, nuk hapim panik!

Tërmetin e dërgon Zoti, po masat i merr i Zoti!

Nga Bardhyl Mahmuti-Këmbëngulja e Isa Mustafës që të sigurojë funksionin e presidentit, përkundër gjendjes së tij shëndetësore, nuk mund të interpretohet ndryshe pos si përpjekje e fundit që shtetin e kapur të Kosovës ta vendosin në karrocën e invalidit. Nëse kuadri i ri i LDK-së, që ka marrë mandatin për të përfaqësuar elektoratin e vet, apo LVV-ja i nënshtrohen tekeve të një njeriu të sëmurë, atëherë shtetësisë së Kosovës i mungon vetëm arkivoli.

Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur”, me kryetar Bardhyl Mahmutin, përmes një deklarate për media ka thënë se propaganda e shtetit serb në funksion të mohimit të gjenocidit në Kosovë është intensifikuar, sidomos pasi Kuvendi i Kosovës miratoi “Rezolutën për gjenocidin e kryer serb në Kosovë” më 8 maj 2019.

Në këtë deklaratë të kësaj qendre, është theksuar se krimi i gjenocidit që njihet në opinionin publik si “Masakra e Reçakut”, ka qenë dhe mbetet objekt i sulmeve të vazhdueshme të strategjisë̈, që synon mohimin e vërtetësisë së saj.

“Në kuadër të kësaj strategjie duhet të shihet edhe deklarata e fundit e presidentit aktual të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili e cilëson krimin e gjenocidit në fshatin Reçak si ‘trillim i sajuar nga William Walkeri’. Kjo deklaratë e Aleksandar Vuçiqit nuk paraqet asnjë risi. Përkundrazi është përsëritje e fjalëpërfjalshme e asaj që ka thënë disa herë gjatë luftës në Kosovë, sidomos pas 17 janarit të vitit 1999, kur Qeveria e Serbisë e shpalli William Walkerin ‘persona nongrata’ dhe i dha afat prej 48 orësh që të largohej nga Kosova”, thuhet në deklaratën e Qendrës “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur”.

Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur” mbështet reagimet e shumta ndaj deklaratës së presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e cila ka për qëllim mohimin e gjenocidit në Kosovë.

“Me qëllim që të jemi koherentë lidhur me qëndrimet tona, Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur” kërkon që të mobilizohemi si shtet dhe si shoqëri, që më 15 janar të shënojmë në mënyrën më të mirë të mundshme Ditën e Përkujtimit të Gjenocidit ndaj Shqiptarëve në Kosovë”, thuhet në këtë deklaratë.

Deklarata e plotë:

Duke u nisur nga fakti, se gjenocidi është krimi më i rëndë që njeh njerëzimi dhe që është i ndëshkueshëm sipas të drejtës penale ndërkombëtare, Serbia si shtet ka ngritur një sistem të tërë veprimtarish, në funksion të shkatërrimit të vërtetësisë së gjenocidit që kreu gjatë luftës në Kosovë. Përpjekja për të humbur dhe shkatërruar gjurmët e krimeve ka qenë dhe mbetet strategji e vazhdueshme e Serbisë, me qëllim mohimin e gjenocidit. Gjatë luftës në Kosovë këtë funksion e ka orkestruar Ministria e Informatave e Qeverisë së Serbisë, me në krye me Aleksandar Vuçiqin, ndërsa pas përfundimit të saj, për këtë qëllim janë angazhuar ministri të shumta dhe sektorë të veçantë të shtetit serb, të cilin e drejton po i njëjti person: Aleksandar Vuçiq.

Propaganda e shtetit serb në funksion të mohimit të gjenocidit në Kosovë është intensifikuar, sidomos pasi Kuvendi i Kosovës miratoi “Rezolutën për gjenocidin e kryer serb në Kosovë” më 8 maj 2019. Nga rezoluta e lartpërmendur do të veçojmë vetëm faktin, se “Kuvendi i Kosovës kërkoi që 15 janari të shpallet “Dita e Përkujtimit të Gjenocidit ndaj Shqiptarëve në Kosovë”, për arsye se në këtë datë, në fshatin Reçak të komunës së Shtimes, forcat serbe kanë kryer një nga krimet më të shëmtuara gjenocidare që kishte ndodhur deri në atë kohë, që revoltuan komunitetin ndërkombëtar dhe e mobilizuan, për t’i dhënë fund politikës së gjenocidit në Kosovë. Pikërisht për këtë arsye, krimi i gjenocidit, që njihet në opinionin publik si “Masakra e Reçakut”, ka qenë dhe mbetet objekt i sulmeve të vazhdueshme të strategjisë, që synon mohimin e vërtetësisë së saj. Në kuadër të kësaj strategjie duhet të shihet edhe deklarata e fundit e presidentit aktual të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili e cilëson krimin e gjenocidit në fshatin Reçak si “trillim i sajuar nga William Walker-i”. Kjo deklaratë e Aleksandar Vuçiqit nuk paraqet asnjë risi. Përkundrazi është përsëritje e fjalëpërfjalshme e asaj që ka thënë disa herë gjatë luftës në Kosovë, sidomos pas 17 janarit të vitit 1999, kur Qeveria e Serbisë e shpalli William Walker-in “persona nongrata” dhe i dha afat prej 48 orësh që të largohej nga Kosova.

Tani që po mbushen 21 vjet nga krimi i gjenocidit në Reçak, shteti serb dhe presidenti i saj dëshirojnë ta mbulojnë të vërtetën për Reçakun me propagandë, duke menduar se pluhuri i kohës mund të ketë mbuluar edhe të vërtetën për këtë krim të planifikuar e të zbatuar nga shteti serb. Arsenali propagandistik i shtetit serb duke u përpjekur ta shkatërrojë të vërtetën, ka sajuar gënjeshtrën se gjoja të vrarët paskëshin qenë pjesëtarë të UÇK-së dhe se gjoja pas përfundimit të betejës, trupave të tyre u janë hequr uniformat dhe u janë veshur GJENOCIDI NË KOSOVË – PLAGË E HAPUR 1200 Genève E-Mail: [email protected] Online: www.kosovogenocide.com – 2 – rroba civile. Se kjo është një gënjeshtër dhe një fyerje e rëndë ndaj viktimave, këtë e dëshmojnë edhe ekspertët mjeko-ligjorë finlandezë, që ishin ngarkuar nga Bashkimi Europian për të bërë një ekspertizë të pavarur. Sa për ilustrim për ata që nuk kanë pasur mundësi të informohen hollësisht rreth rezultateve të analizave të kësaj ekspertize, do të citojmë deklaratën e udhëheqëses së këtij ekipi mjeko-ligjor, Helena Ranta: “Me autopsinë e trupave, me gëzhojat që u gjetën në vendin e krimit, me hulumtimet në përrua, ku çdo centimetër e tokës së tij është përshkuar me lopatë, me lugë dhe me detektor metalesh, çështja e Reçakut është tema e shoshitur më së miri në historinë e Gjykatës së Hagës (…). Të vdekurit bartnin veshje civile, shtatë-tetë shtresa njëra mbi tjetrën, sepse ishte dimër. Autopsia vërtetoi se ata ishin vrarë me këto tesha. Gjatë hulumtimeve u gjetën plumba në gropën e përroit, nën sipërfaqen e dheut, aty ku u gjetën viktimat. Kategorikisht, përjashtohet mundësia që 23 njerëzit e gjetur në përrua të jenë vrarë në ndonjë vend tjetër. Nuk janë vendosur më vonë në këtë përrua dhe nuk ka pasur asnjë inskenim. Civilët shqiptarë janë vrarë nga afër dhe nuk ka asnjë rëndësi nëse ishin vrarë nga distanca një apo dy metra. Sido që të jetë, ata nuk janë vrarë në betejë”.

Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur” mbështet reagimet e shumta ndaj deklaratës së presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e cila ka për qëllim mohimin e gjenocidit në Kosovë. Me qëllim që të jemi koherentë lidhur me qëndrimet tona, Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur” kërkon që të mobilizohemi si shtet dhe si shoqëri, që më 15 janar të shënojmë në mënyrën më të mirë të mundshme Ditën e Përkujtimit të Gjenocidit ndaj Shqiptarëve në Kosovë.

Gjenevë, 8 dhjetor 2019
Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur”

Kryetari Bardhyl Mahmuti

Nga Rexhep Qosja.

1.

Jemi të tronditur.

Të gjithë.

Jemi të tronditur, me shpirt e me mendje.

Të gjithë.

Të tronditur në këto ditë para e gjatë Ditës së madhe në historinë tonë- Ditës së Flamurit kombëtar e shpalljes së Shqipërisë shtet.

Të gjithë.

Të tronditur për shkak të gjithë atyre viktimave, të gjithë atyre të plagosurve, të gjithë atyre traumave që nuk kalojnë lehtë e shpejtë, për shkak të gjithë atyre dëmeve të mëdha lëndore, ekonomike, shoqërore e kulturore.

Jemi të tronditur për shkak të tragjedive që pësuan nënat, fëmijët, vajzat e reja e djemtë e rinj, në lule të rinisë.

Tronditja e shkaktuar kësaj here prej tërmetit të 26 nëntorit është tronditje që zgjat shumë. Dhe, zgjat shumë për shkak se pushton ndjenjat, pushton shpirtin, pushton ndërgjegjen e gjithë atyre që mendojnë përgjegjshëm.

Kjo është tronditje në të cilën përmblidhen ndjenja e mendime për historinë, për bashkëkohësinë dhe për ardhmërinë tonë, por edhe për historinë, bashkëkohësinë, ardhmërinë në përgjithësi. Kjo tronditje na nxit të vetëpyetemi:

A kemi mësuar krejt çka duhej prej historisë?

A e kemi vështruar dhe kuptuar sa e si duhet bashkëkohësinë?

A kemi menduar largpashëm për ardhmërinë?

2.
Në këtë gjendje tronditjesh mund të jesh i pushtuar edhe prej mendimesh kundër natyrës dhe me mendime të tilla t’i drejtohesh asaj:

Natyrë! Natyrë! Natyrë e mrekullueshme në këtë planet që i thonë Tokë, Tokë me bukuri të jashtëzakonshme që nuk mund të merren me mend në asnjë planet a trup tjetër qiellor. Na e ke bërë të mundshme jetën në hapësirat tua tokësore, ujore e ajrore. Pse kohë pas kohe po na e helmon jetën edhe me tragjedi, me tronditje, me pikëllime.

Përpos prej njerëzve, popujve, shteteve, fatkeqësitë, tronditjet po na vijnë edhe prej teje, Natyrë?!

Dhe po na vijnë me padrejtësi.

Hajde e mos e shpreh këtë mendim që nuk mund të mos thuhet këto ditë zie, kur i sheh arkivolet e tragjedisë dhe të pamëshirës natyrore!

Hajde e mos i shpreh këto mendime kur i sheh arkivolet dhe i dëgjon fjalët e medieve për tragjeditë që u mbyllën në ato arkivole:

Për tragjeditë e familjes Lala, të cilën e përbënte edhe Nëna me katër fëmijët, mes të cilëve binjakët dyvjeçarë, ndoshta ende duke u mëkuar nga qumështi i nënës.

Asnjë fjalë, asnjë figurë, asnjë mendim, asnjë pamje nuk është e mjaftueshme për të përshkruar, për të paraqitur gjithë tronditjen që na shkaktoi pamëshira tragjike me të cilën natyra e dënoi këtë nënë me katër fëmijët e saj, me binjakët e saj! Dhe të tjerët bashkëviktima me ta.

Hajde e mos i shpreh këto mendime kur i sheh arkivolet në të cilat u mbyllën tragjeditë e anëtarëve të familjeve Cara, Ndreu, Gregu, Vata, Reçi, Meçja. E të tjera, tragjeditë e të cilave na e copëtojnë zemrën.

Hajde mos i shpreh këto mendime kur i sheh arkivolet e dy vëllezërve kosovarë, Abazi, të valltares, të piktores, të studentes që donte të studionte arkitekturën e bëhej mjeke, të të rinjve të tjerë e të rejave të tjera që nuk pritën të provojnë të mirat e gëzimet që sjell pjekuria!

Por, hajde e mos e thuaj edhe një mendim tjetër që kë krejt nuk do e ngre kundër shqiptuesit të këtij mendimi: tronditjes që na ka pushtuar i kanë kontribuar disa njerëz, disa nga ata njerëz të zgjedhur gjatë 30 vjetëve tona për të krijuar institucionet e për të ngritur ekspertët që do të merreshin me të priturat e me të papriturat që mund të na sillte kur natyra e pamëshirshme e kur njëmendësia e keqkuptuar.

Dhe, këta njerëz i quajmë politikanë e shtetarë!

3.
Në këto ditë tronditjesh unë nuk mund të mos mendoj edhe për ato që kam parë e kam dëgjuar qe tridhjetë vjet në jetën partiake, politike, shtetërore shqiptare. E ato që dëgjoja dhe ato që shihja gjatë njëzet e katër orëve të ditës e të natës ishin e janë mosmarrëveshjet, zënkat, konfliktet, mosdurimet, urrejtjet e ndërsjella të forcave politike, në radhë të parë të prijësve politikë dhe të argatëve të tyre.

Deri në ditën e tërmetit tragjik nuk gjendej arsye, nuk gjendej mjet, nuk gjendej qëllim kombëtar, shoqëror, shtetëror a moral, më në fund njerëzor, që prijësit partiakë e shtetërorë të këtyre tridhjetë vjetëve do t’i bënte e do t’i detyronte , më në fund, të merreshin vesh. Jo.

E mosmarrëveshjet e tyre, mosdurimet e tyre, zënkat e tyre, konfliktet e tyre, privilegjet e tyre dhe lukset e tyre janë ndër arsyet e degdisjes së gati dy milionë shqiptarëve nga Shqipëria e Kosova në Botë gjatë10-15 vjetëve të fundit!

Tani, përnjëherë, pas tërmetit, pas fatkeqësisë natyrore, u pajtuan: gjetën atë që as këta e as ata paraardhësit e tyre nuk e gjenin kurrsesi më parë: u pajtuan!

Dhe, ai, kryetari partiak që qe sa vjet në Shqipëri, në Kosovë, në Ballkan, në Evropë e në SHBA flet vetëm për më të këqijat, më të ulëtat, më të poshtrat, më të zezat, më të krimshmet e Shqipërisë në politikën e atyre ndaj të cilëve është në opozitë, përnjëherë tha: me gjithë ndasitë që kemi, në nevojë jemi një komb! Por, Por!

Mendja e tij na mësoi se vetëm në nevojë, e jo edhe në tragjedi, vetëm në nevojë e jo edhe në gëzime, në nevojë e jo edhe në varfëri, jemi komb, jemi një komb!

Dhe kjo fjali megjithatë shumë shpejt u botua në rrjetet sociale të kundërshtarit politik – të të sulmuarit pa pushim shumëvjeçar!

Dhe, kështu u pajtuan! I pajtoi tragjedia e të varfërve! I pajtoi tragjedia e të shpërfillurve. I pajtoi tragjedia e të konsideruarve të tepërt! Por u pajtuan rrejshëm.

Mund të them siç po them se pikërisht tani kur këta rreshta po i qes në shkrimin tim po dëgjoj sulmet e dy Sulmuesve të pandalshëm ndaj të Sulmuarit të gjithnjëshëm – kryeministrit Edi Rama! Dhe, po i shoh Sulmuesit duke u sjellë ndaj pasojave tragjike të tërmetit si qeveri e dytë e Shqipërisë, që e shpërfill, s’e pranon Qeverinë që zgjodhi populli! Dhe, Shqipëria e Abdyl Frashërit, Vaso Pashës e Ismail Qemalit na bëhet Shqipëri me dy qeveri të papajtueshmë në ditët paskajshëm pikëlluese, tronditëse në historinë e saj!

4.
Dua të shpresoj, dua të besoj se pas tërmetit të 26 nëntorit të vitit 2019 populli shqiptar do të jetë forcë politike me sy, me të cilët do të shohë më qartë se deri tash, forcë politike që e sheh qartë, që e kupton qartë gjendjen e vet, që e mendon qartë ardhmërinë e pasardhësve të vet, që mendon jo vetëm për premtimet e të priturat, si deri tani, por edhe për të papriturat natyrore, politike, shtetërore.

Njëmendësia aq e pritur, aq e ëndërruar, aq e dëshiruar na ka sjellë edhe shumë të papritura e shumë dëshpërime gjatë këtyre tridhjetë vjetëve. NA e solli edhe “qeverinë” e dytë në ditët më dhembjesjellëse!

Por, nuk jam pesimist.

Pesimist nuk mund të më bëjnë ata që postet politike i shfrytëzojnë për t’u qëndisur me miliona duke shfrytëzuar postet politike, ata që postet politike i shfrytëzojnë për t’u stolisur me vila në Gjirin e Lalzit e përgjatë bregdetit, në Brezovicë e Prevallë. Dhe jo vetëm. Jo. Kurrë.

Pas tronditjes sado e gjatë qoftë, që solli tërmeti, fatkeqësia, megjithatë, do të bëhet nxitje për forcim, për ngritje shpirtërore, etike, shoqërore, kombëtare, shtetërore.

Populli shqiptar, përpos gjatë këtyre tridhjetë vjetëve tranzicion, kurrë, në asnjë epokë a periudhë historike, nuk ishte pa figura historike si Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, Jeronim De Rama, Konstandin Kristoforidhi, Pashko Vasa, Hoxha Tahsini, Jani Vreto, Abdyl Frashëri, Sami Frashëri, Naim Frashëri, Luigj Gurakuqi, Hasan Prishtina, Isa Boletini, që politikën e përdorën jo duke u pasuruar prej saj po duke u flijuar për Shqipërinë e për shqiptarët.

Durrësi, më i dëmtuari në tërmetin e 26 nëntorit, do ta marrë veten. Shumë tërmete ka përjetuar Durrësi: më 177 para erës sonë, më 334, 506, 1273, 1869, 1870, 1926, 1979… dhe shpejt e ka marrë veten. Ishte qytet i dëshiruar edhe prej të huajve, prej miqve dhe prej pushtuesve. Takimet me popuj të tjerë e kanë pasuruar kulturën e tij e qytetërimin e tij dhe e kanë shtuar lavdinë e tij historike e kombëtare. Fatkeqësinë e fundit natyrore, si edhe herët e tjera, Durrësi do ta përballojë, do ta mundë me dhuntinë e tij të madhe jetëkrijuese, gjallëruese ndërtimore e gjithëkombëtare.

Në sajë të dhuntive të Durrësit, në sajë të solidarësisë që treguan bashkatdhetarët kudo që janë sot e, sidomos, Kosova, shqiptarët e goditur prej tërmetit do të kenë gatishmëri e do të dinë të zbatojnë mësimet e rilindësve të mëdhenj të cilët me gjithë sakrificat e pamatshme e bënë Shqipërinë dhe e bënë shqiptarin: më të fortë, më të ngritur e më të zhvilluar në të gjitha pikëpamjet.

Fatkeqësia e 26 nëntorit do të përfundojë me fuqizim të përgjithshëm të shqiptarëve: të mundësive ndërtuese e krijuese.

E kuptueshme. Nuk është thënë pa dëshmi shumëshekullore se dhembjet e vuajtjet i bashkojnë njerëzit më shumë se gëzimet.

E tani për tani më e rëndësishmja është: të jemi – të gjithë me Durrësin, me Tiranën, me Thumanën e të gjitha qytetet, qytezat, fshatrat që i dëmtoi tërmeti, të jemi me ta me çka kemi, me çka mundemi e me çka dimë. Se ashtu do të jemi me shtetin amë, Shqipërinë, me Kosovën, me gjithë bashkëkombëtarët kudo ndodhen ata.

Prishtinë 26-29 nëntor 2019

Nga Bedri Islami-Ky është urdhri më i fundit i kryeministrit Edi Rama ndaj mediave.

Duke iu rikthyer një armiku të vjetër, shefi i qeverisë, si duket, i lodhur nga gjithë ajo mori punësh që synon t’i përballojë fillikat, bën thirrjen më të habitshme për një njeri që median e ka përdorur dhe e përdor gjithë ditën e gjithë natën për dëshirën e tij.

Rama e ka gjetur armikun e tij tek media, megjithëse disa nga pronarët më të fuqishëm të tyre janë miqtë e tij të tavolinave, me të cilët ndan jo vetëm hallet e qeverisë.

Por, nëse deri tani ka synuar t’i nëpërkëmbë gazetarët përmes rrumpallës fjalomane, duke i cilësuar kazan, apo kadri, tashmë kërcënimi ka arritur në një stad më të lartë, thuajse më të lartin e mundshëm: të qepin gojën.

E bën këtë në një kohë të pazakontë, ku faji nuk është vetëm i tërmetit, por edhe i shtetit.

Edhe i atyre që nuk u ndëshkuan kurrë për shembjen e themeleve shtetërore, edhe të këtyre që vijuan shembjen dhe qeverisin tani,

Media nuk është pronë qeveritare e aq më pak pronë e shefit të qeverisë.

Ky mund ta blejë, siç ka bërë, shumicën dërmuese të saj, por nuk ka asnjë të drejtë të sillet si po sillet me gazetarët.

Pronarët e mediave sot janë ndër ndërtuesit më të përhapur, e, megjithëse kjo nuk ka asgjë të paligjshme, përsëri, vetë ajo që po ndodh me godinat e goditura nga tërmeti, ka të bëjë edhe me to.

Bashkim Ulaj është pronar mediesh, por mbi të gjitha ndërtues.

Është i njëjti që, përmes një adoleshenti sportelist synoi të marrë tinëzisht një tender të rëndësishëm në Unazën e Madhe dhe që po ashtu po bëhet gati të kapë një ndërtim autostrade, ku, nga të gjitha raportet e Kontrollit të Lartë të Shtetit, abuzimi është i hapur!

Por Bashkim Ulaj është mik i afërt i shefit të qeverisë, po aq sa ishte mik i ish shefit të qeverisë dhe familjes kryeministrore Berisha.

Vetëm ndërhyrja e një shefi të fuqishëm mund të mbyllë dy afera të mëdha, pas së cilave, me një spekulim spektakolar, sipas “Zërit të Amerikës, ishte pikërisht zoti Ulaj.

Tani Ulaj duhet të qepë gojën. Si kanë ndodhur gjërat ai duhet të ketë mbyllur shumë gojë!

Aleksandër Frangaj është pronari më i madh i mediave shqiptare, por edhe ndërtues.

Mendohet se pas firmës që fitoi tenderin e habitshëm dhe “mbresëlënës” për nga çmimi, është pikërisht një njeri i lidhur me të.

Me zotin Frangaj, jo një natë po, një jo, shefi i qeverisë takohet rregullisht.

Të qepë gojën Frangaj? Atëherë cilat media do i bëjnë jehonë vizitave të tij?

Dulaku është pronar medial dhe ndërtues. Ndoshta më i larguari nga tutela qeveritare, por gjithsesi është i varur prej tyre. Sepse qeveria jep tenderë, jep sheshe ndërtimi, jep lejet, të hapë rrugën ose ta mbyllë atë.

Ta qepë gojën Dulaku dhe të heshtë Vizion Plus edhe kur shefi i qeverisë bën sikur është zot i këtij vendi?

Thuaj të gjithë pronarët medialë janë ndërtues, disa prej të cilëve edhe miq të Edi Ramës.

Një gazetar i zakonshëm, në terren ose jo, që jeton me pagat e ulëta, të cilat ose nuk i paguhen në kohë ose i shkurtohen sipas qejfit të pronarit, nuk përbën më lajm.

Për tutelën ndaj tyre nuk ka folur asnjëherë shefi i qeverisë dhe as qeveritarët afër tij.

Ata e dinë se një gazetar, sado i zoti të jetë, nuk e bën dot vijën editoriale të një media, vizive apo në print.

Atë e bëjnë shefat dhe vetëm shefat.

Ata nuk i bën dot Edi Rama të qepin gojën.

Ata, kur t’u interesojë, do e bëjnë Ramën të qepë gojën.

Sepse aleanca mes tyre është më e fuqishme se autoriteti në rënie i një shefi qeverie.

Është e vërtetë se media të ndryshme, në këto ditë të jashtëzakonshme, e kanë tepruar duke luajtur me panikun, duke kërkuar të shëmtuarën, duke marrë pozën e një të gjithëdituri, duke u futur në kanalet e lajmit të zi, po pa e sjellë të bukurën, që, edhe në këtë mizori, ka ndodhur.

Është e vërtetë se media të ndryshme ndjellin të keqen, por askush nuk i detyron ata të qepin gojën.

As edhe një urdhër kryeministror.

Qeveria i bën ata të qepin gojën, nëse sjell transparencë, e jo nëse fton në mbledhje qeveritare, në njërin kreh personifikimin e një djali të ndershëm dhe në krahun tjetër një spekulator të dhimbjes që bëhet pronar spitalesh.

Qeveria mbyll gojën e medias nëse ajo hap të gjitha sekretet e mbledhjeve, të gjithë enigmat dhe vendos në krye të punëve njerëz të panjollosur në të shkuarën dhe, në këtë qeveri, ka plot të tillë, që nga rangjet e larta dhe deri tek zyrtarë të nivelit të mesëm.

Shumë vetë do të ishin më të lehtësuar nëse shefi i qeverisë e shpërndan përgjegjësinë dhe punët nëse ai sjell frymë përbashkuese dhe jo arrogancë meskine; nëse ai u hap rrugë vartësve të tij dhe jo t’i verë ata në pozitën e të nënshtruarit.

Përse mediat duhet të qepin gojën?

Të mos dëshmojnë se, nesër, një ditë të ardhshme, jo shumë të largët, mund të ketë abuzime? Duhet të jesh naiv të besosh se këto qeveritarë, shumë nga të cilët janë pjesë e skandaleve, do të dalin me duar të pastra nga gjithë ajo që do të ndodhë!

Duhet të jesh naiv të besosh se komitetet shtetërorë, qofshin kombëtare a jo, do të përbëhen vetëm nga njerëz të ndershëm dhe personalitete të shquara!

Media është aleati më i madh i një qeverie të ndershme dhe armikja e shpallur e një qeverie korruptive.

Përgjithësisht është pushteti i katërt, por, kur, në këtë vend njihet vetëm një pushtet, ai kryeministror, media është fuqia e dytë, që, sa është mbështetëse, është edhe kontrolluese.

Media nuk mund të qepë gojën.

Janë të tjerë ata që duhet të heshtin dhe të punojnë ndryshe!

Shaban-Murati-Gjëra të çuditshme po ndodhin në marrëdhëniet ndërkombëtare të Shqipërisë. Në datën 10 nëntor presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, pas minisamitit trepalësh në Ohër me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut dhe me kryeministrin e Shqipërisë, njoftoi se do të shkonte në Paris dhe do të takonte presidentin francez Makron për t’i kërkuar mbështetje për projektin e tij të “zonës së përbashkët ekonomike ballkaniko-perëndimore” dhe deklaroi tekstualisht: “Me lejen e Ramës dhe të Zaevit, unë do t’i kërkoj Makronit gjërat, që për ata të dy janë të rëndësishme, dhe gjithashtu çfarë është e rëndësishme për mua dhe do t’i kërkoj mbështetje për këtë projekt”.

Është e habitshme në kufijtë e skandalit që kryeministri i Shqipërisë ka ngarkuar dhe i ka dhënë mandat presidentit të Serbisë t’i paraqesë presidentit të Francës çështjet dhe kërkesat e rëndësishme për Shqipërinë. Është e habitëshme për disa arsye:

Së pari, që presidenti i Serbisë do t’i flasë presidentit të Francës në emër të Shqipërisë. Një tagër, që nuk ia ka dhënë as Kushtetuta e Shqipërisë dhe as parlamenti i Shqipërisë.

Së dyti, Shqipëria është shtet i pavarur, që ka marrëdhënie diplomatike me Francën që nga viti 1945, që kanë ambasada në kryeqytetet e tyre respektive dhe që çdo vit shkëmbejnë vizita zyrtarësh të lartë në kryeqytetet përkatëse dhe marrin pjesë në forumet e larta europiane, atlantike e rajonale, ku krerët e shteteve dhe të qeverive kanë rastin të takohen rregullisht çdo vit.

Së treti, Shqipëria është shtet anëtar i NATO-s, dhe në bazë të nenit 5 të Traktatit themelues të NATO-s të dy shtetet tona janë të detyruar të luftojnë për njeri-tjetrin në rast sulmi nga një palë e tretë, përshembull nga Rusia. Befas Shqipëria, shtet anëtar i NATO-s, për t’i transmetuar presidentit të Francës çështjet e rëndësishme të anëtarit të NATO-s me emrin Shqipëri, i jep mandat presidentit të një shteti si Serbia, e cila e ka të ndaluar me ligj hyrjen në NATO, dhe e cila çdo vit celebron një ditë zyrtare anti NATO.

Së katërti, presidenti i Serbisë me mandatin zyrtar, që i ka dhënë kryeministri i Shqipërisë dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut për t’i përfaqësuar te presidenti francez, përuron dhe sanksionon rolin e tij si lider i bllokut të ri ekonomiko-politik, të sapo krijuar në Novi Sad, me emrin “zona e përbashkët ekonomike ballkaniko-perëndimore”.

Ajo, që është për të vënë duart në kokë, është fakti që presidenti i Serbisë nuk po shkonte për vizitë dypalëshe në Francë, por për të marrë pjesë në “Forumin e Paqes” të organizuar në 11-13 nëntor në Paris, ku është ftuar edhe Shqipëria, dhe merr pjesë presidenti i Republikës, Ilir Meta. Është lehtë të imagjinohet habia e presidentit francez, kur dëgjon që kërkesat e Shqipërisë qeveria e Shqipërisë i ka ngarkuar presidentit të Serbisë t’ia paraqesë atij, në një kohë që në Paris po atë ditë ndodhet presidenti i Shqipërisë.

Na vjen apo nuk na vjen mirë ta pranojmë, Serbia me këtë mandat shqiptar përfaqësimi shfaqet me një rol të ri të protektorit të Shqipërisë, të cilin vetë qeveria shqiptare e ka autorizuar të bëjë tratativa me kryetarë shtetesh të huaja për çështje të rëndësishme të Shqipërisë. Me apo pa dëshirë qeveria e Shqipërisë i ka deleguar Serbisë sovranitet në një fushë jetike dhe për një atribut jetik të shtetit shqiptar, siç është politika e jashtme dhe marrëdhëniet ndërkombëtare.

Pra menjëherë pas minisamitit të dytë në Ohër të bllokut të ri ekonomiko-politik ballkaniko-perëndimor të udhëhequr nga Serbia, shfaqet asimetria e funksionimit të këtij blloku, i cili meqë është nismë dhe projekt i presidentit të Serbisë, do të drejtohet nga Beogradi dhe nga Vuçiçi si lider rajonal. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, që kanë pranuar rolin e vasalit, do të kënaqen duke patur nga një aheng diplomatik serb në Durrës apo në Ohër. Burime të MPJ të Shqipërisë thonë se edhe draftet e dokumenteve të minisamiteve i përgatit dhe i paraqet diplomacia serbe. Serbia pritet të udhëheqë bllokun e ri ballkaniko-perëndimor jo vetëm për çështjet e këtij blloku, por edhe në arenën ndërkombëtare, për çështje që u takojnë individualisht dy shteteve të tjera anëtare.

Në këtë mënyrë, menjëherë pas dalldive falso të firmosjes së dokumenteve themeluese të mikrosamitit ballkaniko-perëndimor, Shqipëria po hyn në rrugën e humbjes së sovranitetit. A është ky sinjali i vetëm i rrokullisjes së sovranitetit dhe pavarësisë politike të shtetit? JO.

Në datën 8 gusht 2019 kryeministrja e Serbisë Ana Bernabiç njoftoi se Serbia do të hapë së shpejti një pikëkalim kufitar të integruar me Maqedoninë Veriut, dhe njoftoi gjithashtu se pikëkalime të tilla kufitare të integruara Serbia do të ndërtojë edhe me Shqipërinë dhe me Bosnjë-Hercegovinën. Kam pritur me ankth disa muaj që njëra apo tjetra zyrë e lartë shtetërore në Tiranë të sqaronte apo të përgënjeshtronte njoftimin e kryeministres së Serbisë për ndërtimin e pikëkalimit të përbashkët të integruar kufitar midis Serbisë dhe Shqipërisë. Nuk pipëtiu kush. Kam pyetur autoritete diplomatike shqiptare lidhur me këtë njoftim bombë, por ata nuk kishin asnjë dijeni se çfarë po ndodh në tunelin e marrëdhënieve Shqipëri-Serbi.

Njoftimin e krijimit të pikës së përbashkët kufitare të integruar midis Serbisë dhe Shqipërisë e dha kryeministrja e Serbisë dhe jo ndonjë tabloid apo portal trotuaresh. Kjo do të thotë që kryeministrja e Serbisë ka dalë me një njoftim zyrtar pasi janë zhvilluar tratativa për çështjen në nivelet më të larta me qeverinë e Shqipërisë. A e din kryeministrja e Serbisë se midis Serbisë dhe Shqipërisë nuk ka kufij të përbashkët dhe se është absurde të flasësh për pika kalimi të përbashkëta të integruara midis dy shteteve jokufitare? A e din kryeministrja e Serbisë se midis Serbisë dhe Shqipërisë shtrihet një shtet tjetër që quhet Kosovë, dhe i cili ka kufij shtetërorë me Serbinë? Natyrisht i di, por ajo nuk po shprehte opinione për kufijtë, por po jepte njoftimin zyrtar se Serbia do të ndërtojë pikëkalimi të përbashkët të integruar kufitar me Shqipërinë.

Dikush nga nivelet më të larta të Shqipërisë duhet t’i ketë ofruar qeverisë serbe gatishmërinë për të ndërtuar pika kalimi kufitar të integruara midis Shqipërisë dhe Serbisë, përderisa ajo del publikisht dhe e njofton si fakt të kryer se do të ndërtohen, dhe përderisa Tirana zyrtare nuk e përgënjeshtron për muaj me radhë. Nuk përbën habi që kryeministrja nacionaliste e Serbisë nuk i njeh kufijtë shtetërorë të Kosovës me Serbinë dhe as shtetin e pavarur të Kosovës, dhe i ngul kufijtë shtetërorë të Serbisë në kufijtë midis Shqipërisë dhe Kosovës. Çështja qëndron te guximi i saj që të shpallë ndërtimin nga Serbia dhe Shqipëria të pikave të kalimit kufitar të integruara midis Shqipërisë dhe Serbisë dhe qeveria e Shqipërisë të heshtë dhe as të mos sqarojë popullin dhe kombin se si është e vërteta, pa le më të protestojë, që është një folje që nuk e njohin rajatë. Në mungesë të reagimit të gjatë disamujor të qeverisë së Shqipërisë dhe kur ajo me vetëmohim internacionalist po futet në një bllok ekonomiko-politik të ri ballkaniko-perëndimor nën udhëheqjen e Serbisë, natyrshëm lind dyshimi se cedime të prapaskenshme mund t’i jenë bërë qeverisë serbe lidhur me statusin e kufijve shtetërorë. Nëse marrim të mirëqenë njoftimin e kryeministres serbe, kjo do të thotë që i është deleguar Serbisë e drejta e kufirit shtetëror me Shqipërinë dhe është fshirë kufiri shtetëror i Kosovës me Shqipërinë dhe me Serbinë, dhe është fshirë edhe vetë Kosova si shtet i pavarur.

Nëse i shtohet këtyre provave të dhimbshme edhe mjerimi që Tirana po hyn në një bllok të ri ekonomiko-politik nën udhëheqjen e Serbisë, në një kohë që Serbia nuk e njeh Kosovën dhe po lufton ta zhbëjë atë, atëherë konturohet një situatë tragjike e humbjes graduale të sovranitetit të shtetit shqiptar dhe të kombit shqiptar. Ndaj veproi me përgjegjësi shtetërore dhe kombëtare Kosova, që refuzoi të bashkohej me këtë bllok serb, që sanksionon statusin e saj kolonial si provincë e Serbisë.

Deri tani të gjitha organizatat rajonale të krijuara në Ballkan pas shembjes së komunizmit, që nga SEECP e deri te “Ballkan 6” e “Procesi i Berlinit”, kanë patur si bosht lidhjen e vendeve të rajonit me integrimin europian dhe anëtarësimin në BE. Blloku i ri i krijuar nga Serbia nuk ka asnjë lidhje me integrimin europian, por është alternativa serbe dhe ruse si kundërvënie ndaj integrimit europian. Është rruga e hegjemonisë serbe në bllokun e ri. Ndaj entuziazmi i presidentit serb shkon në kulme euforike si në 10 nëntor, kur ai shpall që “nuk ka asgjë më të mirë të krijuar në Ballkan në 30 vitet e fundit se sa mini Shengeni”, duke zhvleftësuar me lapsin nacionalist serb si shembjen e komunizmit, ashtu dhe anëtarësimin në BE dhe në NATO të vendeve të rajonit. Qëllimet e këtij blloku të ri ekonomiko-politik të Serbisë i përkufizon saktë presidentja e Këshillit të Dhomave të Tregtisë së Maqedonisë së Veriut, ekspertja e ekonomisë, Danela Arsovska, kur deklaron: ”Nën pretekstin se asosiacioni ekonomik është i rëndësishëm po përkrahet një izolim i ri, ku Beogradi do të udhëheqë Shkupin dhe Tiranën. Për Serbinë ne kemi një pozicion të shkëlqyer gjeostrategjik dhe është e rëndësishme për Serbinë të ketë hyrje në Greqi dhe në portet shqiptare. Projekti është hyrje në një sistem të mbyllur të tre shteteve, në vend që të integrohen në BE. Sikur ne nuk ishim mjaftueshëm të izoluar në një geto të Ballkanit Perëndimor, dhe tani ne do të izolojmë vetveten në një format edhe më të vogël “mini Shengen”. Një mini Shengen për Serbinë, Maqedoninë dhe Shqipërinë, është një ide që duhet hedhur poshtë para se të lindë”.

Një nga efektet e para të këtij blloku të ri ekonomiko-politik të udhëhequr nga Serbia është humbja graduale e sovranitetit të dy shteteve pjesëmarrëse. Është e kuptueshme për Maqedoninë e Veriut, e cila që në aktin themelor të krijimit të saj në referendumin për pavarësinë në shtator 1991 ka votuar që të bashkohet në të ardhmen me një aleancë të shteteve jugosllave dhe e ka bazën ligjore të bashkimit në një bllok të ri ish-jugosllav të udhëhequr nga Serbia. Por ç’punë ka Shqipëria me një aleancë të shteteve jugosllave apo me “rikrijimin e Jugosllavisë së vjetër, plus Shqipërinë”, sikurse e ka pohuar vetë presidenti serb Vuçiç në deklaratën e tij të famshme të 6 prillit 2017 në mediat amerikane sapo u zgjodh president? Po qeveria e Shqipërisë çfarë baze ligjore ka që po futet në një bllok ekonomiko-politik të udhëhequr nga Serbia dhe që po i delegon Serbisë sovranitet në politikën e jashtme dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare të Shqipërisë? Ka qenë një kohë që Shqipëria ishte vasale e Serbisë në vitet 1944-1948, siç ka qenë një kohë që ishte vasale e Rusisë në vitet 1948-1961, dhe Tito e Hrushovi flitnin në arenën ndërkombëtare në emër të Shqipërisë.

Tekstet shkollore na thonë se ajo kohë ka perënduar dhe ka mbetur pas krahëve, sepse Shqipëria është bërë anëtare e NATO-s. Por befas shohim në vitin 2019 që presidenti i Serbisë i deleguar nga qeveria e Shqipërisë do t’i flasë presidentit të Francës në emër të Shqipërisë. Është një situatë tragjike, ku aq shumë përshtaten vargjet e mikut tim të shquar dhe poetit nga më të mëdhenjtë e Shqipërisë, Xhevahir Spahiu: “Qaj moj Shqipëri, ulër moj e gjorë!”.

Mazhoranca dhe Presidenca janë përfshirë në një luftë të ashpër për zgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

Institucioni më i lartë si garant i Kushtetutës është futur një kaos të paprecedentë sa dy palë gjyqtarë shkojnë në zyrë për të njëjtën karrige.

Në pamje të parë duket si një luftë për Kushtetutën, por që në fakt për Presidentin dhe Kryeministrin është më tepër se kaq.

Fati politik i Ilir Metës dhe Edi Ramës është në dorën e Gjykatës së re Kushtetuese.

Me të krijuar kuorumin e vet, Gjykata do të duhet të vihet në provë së paku me dy çështje shumë të rëndësishme.

Së pari është procesi i votimeve të 30 qershorit. A janë legjitime pa praninë e opozitës dhe a do rrëzohet dekreti i Metës për 13 tetorin?

Nëse Rama merr shumicën në këtë gjykatë siguron një vendim në favor dhe legjitimon procesin, edhe pse ky u bë pa praninë e opozitës.

Veç kësaj Rama po e përdor mungesën e kësaj gjykate për të ndërmarrë ligje që janë në shkelje të Kushtetutës sipas njohësve të saj, por certifikimi i shkeljeve ose konfirmimit kushtetues të vendimeve mund të bëhet vetëm nga kjo trupë e re që po ngrihet.

E dyta është fati personal i Presidentit. Parlamenti ka ngritur një komision hetimor i cili do të përmbyllet me një raport për shkarkimin e Metës.

Nëse plotësohen 94 vota në Kuvend që tashmë mazhoranca i ka, do të duhet vendimi i gjykatës kushtetuese që certifikon ose jo shkarkimin e kreut të shtetit.

Vitore Tusha dhe Besnik Muçi janë dy të listës së Metës dhe një gjykatë që funksionon me gjashtë anëtarë e bën jetike praninë e anëtarit tjetër në favor të presidentit që në këtë rast është Marsida Xhaferllari.

Këto dy vendime por dhe të tjera që pritet të depozitohen janë në themel të thelbit të përplasjes mes Metës dhe Ramës.

Është një konflikt për kontrollin e këtij segmenti të rëndësishëm të drejtësisë.

Përpos artificave ligjore që janë përdorur në rastin e përzgjedhjeve, ajo që është e qartë në Kushtetutë është fakti se presidenti ka tre anëtarë, kuvendi tre dhe po aq janë dhe nga gjykata e lartë.

Beteja për t’i marr njëri-tjetrin anëtarë sapo ka nisur dhe duket se do të vijojë.

Publikut i tundet flamuri i rreckosur i Kushtetutës, por ajo që thuhet në korridoret e politikës dhe mediave është se kush merr gjykatën kushtetuese ka në dorë dhe fatin politik të kundërshtarit.

Por edhe më me siguri mund të thuhet se një gjykatë e kontrolluar, është një reformë e dështuar.


e.h. / dita

Bedri Islami-Do të jetë e vështirë, jo vetëm për brezin tonë, por edhe për gjeneratat që do të vijnë, më shumë për këto të fundit, që liria e Kosovës, e gjithë ajo që ndodhi në fundshekullin e shkuar, të perceptohet pa praninë, jo vetëm politike e diplomatike, por shumë më të gjërë, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Do të jetë e vështirë të përceptohet se si ndodhi kjo prani e pazakontë në një trevë ballkanike, e një shteti të largët, Amerikës, duke krijuar një precedent të pazakontë shtetëror dhe të jashtëzakonshëm politik, krijimin e një shteti të dytë shqiptar, një ëndërr e hershme, që, në shumë breza kishte kushtuar pafund mund, gjak e jetë njerëzore.

Ajo që, në vitin e largët 1913, në fillimin e shekullit të XX, ishte një ndërprerje e përbashkësisë shqiptare, do të merrte një përmasë të mrekullueshme në fundin e këtij shekulli, duke bërë të prekshme, të jetësueshme dhe reale një pamundësi brezash.

Si ndodhi e gjithë kjo? Ishte vetëm në një ditë, në një çast, apo vazhdë e një përpjekje të gjatë, të vazhdueshme, këmbëngulëse, ku humbjet kishin qenë të rënda edhe për një komb të madh, e aq më tepër një përgjysmim shteti, i cili, megjithë ëndrrën e tij për mëvetësi dhe bashkim me pjesën amë, kishte mbetur i ngujuar në robërinë e tij?

E bëri atë vetëm një grup njerëzish apo ishin përpjekje të pazakonta, të të gjithë shqiptarëve, nga secila trevë a bashkësi?

Si u bë e mundur, për here të parë, në një përmasë të tillë, bashkimi i shqiptarëve, pa dallim vendi ku ndodheshin, bindje politike që kishin, vizioni që bartin, gjeneratave që u takonin, punëve që bënin?

Si ndodhi që presidenti amerikan, Klinton, ndërmori hapin e madh historik të ndërhyerjes në një shtet sovran, i cili kishte përdhosur sovranitetin dhe dinjitetin e një shteti –ëndërr; si u bë e mundur që një bashkësi e madhe dhe e fuqishme shtetesh, më e madhja në historinë njerëzore, ndër to edhe miqtë shekullorë të shtetit serb, të bashkoheshin dhe të ndërmerrnin aktin e parë, të fuqishëm ushtarak dhe të menduar politikisht, i pari i këtij lloji, në këto përmasa, në një vend tjetër, aq më tepër europian, e, për më shumë, në një trevë ballkanike, e cilësuar si fuçi baruti, ku serbët kishin qenë gjithë me urat e zjarrit në duar?

Çdo gjë e ka fillimin e saj. Ka edhe një moment kur ndryshon boshti i gjërave dhe nis një epokë e re, tejet e ëndërruar, rrugë e mundimshme, shpesh herë e përgjakur.

Ka një ditë që, edhe pse e heshtur, e mbajtur brenda vetes, gjen shpalljen e saj si ndër më të veçantat, megjithëse për shumë kohë ka qenë një e panjohur e madhe.

Ajo mund të jetë një ditë lirie, e cila tërheq pas vetes shumë ngjarje, zhvillime, mbresa, përjetime dhe, si çdo e tillë, edhe mbetet në memorjen e një kombi.

Në përpjekjet e pashembullta të shqiptarëve, sidomos të shqiptarëve të Kosovës, ka një ditë të tillë, të heshtur, por e pazakontë.

Si çdo ditë e parë drejt lirisë.

AJO ISHTE DITA E PARË E LIRISË SË KOSOVËS

Në majin e vitit 1998 ndodhi një ngjarje e cila, më shumë se shumëçka tjetër, shpejtoi një proces që kishte nisur të lëvizte, por që nuk dihej ende kahu i lëvizjes së tij. Në Zvicër, në një heshtje të plotë dhe pa patur një përgatitje të mëhershme, do të zhvillohej takimi i parë mes zotit Holbrook dhe tre përfaqësuesve të Drejtorisë Politike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ata, të tre, ishin ndër figurat e larta drejtuese të Lëvizjes Popullore të Kosovës, strukturë politike, e cila, në vitin 1993, në Mbledhjen e saj IV të Përgjithshme, në shtëpinë e Brajshorëve, në mesin e Prishtinës, në klandestinitet të thellë, mori Vendimin për krijimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Për shumë kohë ky takim me zotin Holbrook, do të mbahej brenda vetes, ai nuk do të shpallej, por frytet e tij do të ishin të një rëndësie të jashtëzakonshme.

Si ndodhi?

Siç dihet, në fillimin e shfaqjes publike të vemendjes së SHBA në trajtimin e UÇK-së, ka patur disa probleme, paqartësi dhe moskuptime, sidomos në qëndrimin e zotit Gelbard, pasi ai, fillimisht, kishte informacion jo të plotë dhe të gabuar lidhur me Lëvizjen Çlirimtare. Kemi qenë të bindur se mekanizma të informuar mirë në SHBA, mes tyre edhe lobi shqiptaro – amerikan, me të cilin ishin vendosur lidhje që në fillimin e vitit 1997, njerëzit e përgjegjshëm në Kosovë dhe jashtë saj, me të cilët zoti Gelbard ka pasur më vonë kontakte, kanë bindur atë se ndaj UÇK-së dhe të ardhmes së Koovës, duhet të kishte një qasje tjetër.

Më vonë, nga zoti Gelbard është kërkuar një takim informues dhe u synua që takimi të jetë i fshehtë, të mos ketë rrjedhje informacioni, por pastaj ata vetë e bënë publik, ata deklaruan publikisht se administrata amerikane ishte në lidhje me UÇK-në, dhe kjo ishte një nismë e mekanizmave shtetërorë të SHBA-ve. Pikërisht, pas deklarimit të parë, jo favorizues dhe të përkohshëm, ndaj luftës çlirimtare, ka një impenjim të fuqishëm, do të thoja, të pazakontë të lobit shqiptar në SHBA, për të krijuar një mendim tjetër, mbështetës dhe përkrahës ndaj luftës që po niste në Kosovë.

Përfaqësuesit e qeverisë amerikane kërkuan që të organizohej takimi i parë në Gjenevë, pikërisht me zotin Gelbard dhe të tjerë, dhe në këtë takim janë trajtuar të gjitha problemet politike dhe ato të luftës. Si të thuash, janë hapur të gjitha letrat, që nga gjendja politike në Kosovë, qëndrimet e subjekteve të veçanta, raportet e tyre me UÇK-në, shtrirja e saj, koncepti për luftën, ekzistenca e krahut politik të rezistencës së armatosur, lidhjet e lëvizjes çlirimtare me figura të ndriçuara të shqiptarëve në SHBA, etj.

Nga ana e zotit Gelbard, por edhe nga takimet e zhvilluara në Tranë, përfaqësuesit amerikanë e kanë bërë të qartë se ato nuk e përkrahin terrorizmin, se UÇK-ja nuk guxon të bëjë veprime terroriste ndaj civilëve, se ajo nuk përkrah asnjë lëvizje, e cila merret me kontrabandën e armëve, drogës, se nuk duhej të kishte asnjë lidhje me vendet islamike, sidomos me lëvizje fondamentaliste dhe, si nuk është pritur, është kërkuar prej UÇK-së që të mos e trazojmë situatën në Maqedoni, ku asaj kohe shtrihej Zona e dytë Operative e UÇK-së.

Pikërisht në këtë kohë, jo papritmas dhe jo pa nisma të tjera diplomatike, për të patur një nivel më të lartë në takimet e diplomatëve të njohur amerikanë me UÇK-në, vjen takimi me zotin Holbrook.

Në Zvicër, në ato ditë, zhvillohej Forumi Botëror për Ekonominë , në të cilin merrte pjesë edhe kryeministri i Shqipërisë, zoti Fatos Nano. Gjatë pjesëmarrjes në këtë takim tradicional, zoti Holbrooke i kërkoi zotit Nano që ky të ndërhyjë për të takuar përfaqësuesit e UÇK-së në Perëndim.

Deri asaj dite kishte patur shumë paqartësi dhe një mjegull mbi atë se çfarë përfaqësonin forcat e rrjeshtura në rradhët e gueriles shqiptare në Kosovë; dihej pak për programin e saj politik e ushtarak, cilat forca politike e mbështesin, çfarë synimesh kishte dhe në cilat rrugë mendonte të shkonte për të bërë të mundur realizimin e një aspirate të vjetër, shtetin e pavarur të Kosovës. Dihej vetëm se ilegalja e vjetër, Lëvizja Popullore e Kosovës , ishte e vetmja që e kishte përkrahur publikisht dhe se e mbështeste financiarisht, por, edhe këto të dhëna, gjithnjë të mangëta, nuk përbënin helbin e asaj që kishte ndodhur në të vërtetë.

Në fakt, jo shumë kohë më parë, zoti Hill, njeriu i plotfuqishëm i diplomacisë amerikane për të zgjidhur çështjen e Kosovës, kishte pasur takime të veçanta me njerëz afër strukturave të UÇK-së dhe të LPK-së, si dhe një takim të veçantë me përfaqësuesin e saj në shtetin shqiptar, Xhavit Haliti.

Nga ana tjetër, përfaqësuesi amerikan në Kosovë, Robert Gelbardi, në 22 shkurt 1998, duke miratuar mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare në Kosovë, të planifikuara një muaj më pas, me 22 mars 1998, kishte hedhur mendimin e paplotë , se Ushtria Çlirimtare e Kosovës,, sipas tij, “ rrezikohej të cilësohej si organizatë terroriste” dhe i kishte kërkuar zotit Rugova një distancim edhe më të ashpër ndaj saj.

Ishte , ndoshta, periudha më e jashtëzakonshme në jetën e shqiptarëve të Kosovës, të cilët tani, pas 10 viteve të rezistencës paqësore, ishin thirrur të vendosnin se në cilin pol do të shkonin; drejt polit të lëvizjes paqësore, që drejtohej nga zoti Rugova, apo drejt polit tjetër që po krijohej me shpejtësi, Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Mbi Kosovën ishte një kohë e turbullt, pasi kishin rënduar mbi të dy rreziqe të mëdha; e para, të krijohej vija e ndarjes, që mund të ishte tragjike, mes asaj pjese të popullsisë që mendonte dhe shpresonte ende në një zgjidhje paqësore; dhe, nga ana tjetër, të një lëvizje guerile, e cila do të tërhiqte rreth vetes shumë të rinj, ish të burgosur politikë, militantë dhe figura të njohura për rezistencën e tyre.

Vlerësimi diskualifikues i zotit Gelbard se ,UÇK-ja mund të cilësohej si organizatë terroriste, do të kapej me vrull nga lideri serb, Millosheviq, që e trajtoi këtë si një mbështetje ndaj aksioneve që kishte ndërmarrë ai deri asaj dite, por edhe të atyre që kishte ndër mend të bënte. Millosheviqi e trajtoi këtë si një hapje dere për politikën e tij, megjithëse deri asaj dite, të gjitha veprimet e SHBA dhe të diplomacisë së saj, edhe pse nuk do të kishin agresivitetin e mëvonshëm, kishin treguar se kësaj here ajo nuk do të lejonte bosnjëzimin e Kosovës.

Nga 22 shkurti 1998 dhe deri në takimin me zotin Holbrook, kishin rrjedhur shumë ujra. Kishte ndodhur masakra e Prekazit, ku brenda një dy ditëshi shfarosës ishin vrarë më shumë se 80 shqiptarë etnikë, mes të cilave edhe lideri i njohur i luftës, Adem Jashari.

Zoti Gelbard, duke ditur se makineria vrasëse serbe sapo ishte vënë në lëvizje, do të jetë diplomati i parë amerikan, që do dërgojë ngushëllimet e tij familjes Jashari. Me 10 mars 1998 ai do të vendosë mbi tavolinën e Millosheviqit fotot e të vrarëve në këtë masakër dhe do të thotë i nervozuar se “ këto i gjeni në internet dhe në mbarë botën”. Ishte kthesa e parë e madhe e qëndrimit amerikan ndaj lëvizjes së armatosur, por nuk ishte gjithçka.

Gjërat vazhdonin të qëndronin në tehun e thikës. Ishin para luftës tre opsione, tre mundësi:

Mundësia e parë, Shtetet e bashkuara, duke dashur të fuqizonin figurën e “kolosit të brishtë të Kosovës,”, si e quanin ata Ibrahim Rugovën, pra, duke e nxjerrë nga inaktiviteti dhe të bënin më të lëvizshme figurën e tij, të shpallnin se nuk e përkrahin UÇK-në dhe se ajo ishte një organizatë terroriste.

Shembuj të ngjashëm kishte pasur në botë, bile në vendet europiane, si IRA apo ETA, dhe, megjithëse UÇK po shfaqej ndryshe, si një lëvizje klandestine e armatosur, më e përmbajtur dhe jo me akte terroriste, rreziku qëndronte gjithnjë mbi kokë.

Në asnjë nga vendet e Bashkimit Europian nuk ishin dhënë sinjale , qoftë edhe të largëta, nëse do të kishte një qëndrim të tillë, kaq të rreptë ndaj një force që kishte vendosur të luftonte. Si dukej , ata pritnin, si edhe në raste të tjera, qëndrimin e Shteteve të Bashkuara dhe të diplomacisë së saj, e cila kishte vendosur në Prishtinë një Zyrë të Posaçme dhe ku , veç zotit Gelbard, herë pas here ndodhej edhe njeriu që mendohej të lëviste gjërat nga vendi, dhe që në fakt i lëvizi, Kris Hill.

Shpallja e UÇK-së , si organizatë terroriste, do të ishte fundi i saj. Pra, megjithëse mund të bëheshin përpjekje për mbijetesën e saj, në fakt ajo do të ishte një strukturë gjithnjë drejt rrezikut dhe drejt asgjësimit.

E gjithë veprimtaria e saj do të cilësohej terroriste dhe portat për të do të ishin të mbyllura, jo vetëm në perëndim, por edhe në shtetin shqiptar, vendi amë i shqiptarëve të Kosovës, i cili, sapo kishte dalë nga kriza e rëndë e vitit të prapshtë 1997 dhe, nuk kishte as fuqinë e as dëshirën për një përballje tjetër me perëndimin.

Mundësia e parë do të kishte qenë fatale për Kosovën dhe të ardhmen e saj

Mundësia e dytë: UÇK-ja të shpallej si një organizatë ekstremiste, pra të ishte ende nën vëzhgimin e perëndimit, duke i mohuar mbështetjen, pa e nxjerrë ende jashtë ligjit.

Një shpallje e tillë, në fillimin e vitit 1998, kur shteti serb po përgatitej për ofensivën më të fuqishme ndaj Kosovës, ofensivë ushtarake, politike e diplomatike për mbylljen përgjithnjë të aspiratës së saj për pavarësi, do të kishte qenë, po ashtu, në mos fatale, shumë e dhimbshme.

Mundësia e tretë, UÇK-ja të shpallej, qoftë haptas, qoftë brenda strukturave të botës perëndimore, si një njësi që përfaqësonte njërën nga rrugët për shpejtimin e zgjedhjes së problemit të Kosovës, për të kaluar më tej , në një përcaktim tjetër, si një forcë që duhej mbështetur.

Në kohën e duhur ajo u shpall, u trajtua dhe u mbështet sinjë force çlirimtare.

Të kthehemi tani tek takimi i zotit Holbrook me përfaqësuesit e lartë të Drejtorisë Politike të UÇK-së dhe pse kishte një rëndësi themeltare, për të kaluar po ashtu në një moment tjetër, po aq historik: do të ishte një pohim i çastit apo ishte një mbështetje e filluar më heret për të ardhur në këtë ditë.

Takimi, i cili zgjati më shumë nga sa ishte menduar,deri në orët e vona të natës, krijoi mundësinë për të shfaqur pikëpamjet e duhura për qëllimin e ngritjes së UÇK-së, për sqarimin e mendimit politik të saj, forcat që e mbështesnin dhe synimet për lidhjet perëndimore; IDETË E SAJ PËR TË ARDHMEN e KOSOVËS dhe kalimin e saj përfundimisht në kahun perëndimor të zhvillimeve të mëtejshme.

Për përfaqësuesit e UÇK-së ishte i qartë mendimi, i shprehur në takim, se thyerja e gjendjes së status quosë në Kosovë nuk mund të arrihej më me apele të vazhdueshme dhe të përsëritura të Perëndimit drejtuar Beogradit, si kishte qenë nisma e dy ministrave të jashtëm, francez e gjerman, Vedrine – Kinkel, në vjeshtën e vitit 1997.

Kishte ardhur koha që paraqitja e lëvizjes së armatosur të mundësonte që Kosova të hyjë dhe të bëhet pjesë e halleve të qeverive perëndimore, por, edhe më tej, të mund të depërtojë deri në Shtabin e NATO-s, si një rivitalizim i çështjes së Kosovës, dhe, nga ana tjetër, as vetë Perëndimi nuk mund të bëhej faktor aktiv dhe vendosës në çështjen e Kosovës pa UÇK-në.

Çështja e Kosovës nuk do të mund të zgjidhej pa inkuadrimin e Perëndimit, çka në rradhë të parë, nga njerëzit e UÇK-së, kuptohej se se nuk mund të zgjidhej pa inkuadrimin e Sheteve të Bashkuara, sidomos të diplomacisë së saj.

Pas porosive të zotit Holbrook, këshillave dhe direktivës së qartë se mund të gjenin mbështetje, vetëm nëse do të qëndronin fuqishëm në linjën e një lufte çlirimtare, aspak terroriste , do të vijë edhe thënia e tij, ndoshta më e rëndësishmja deri asaj dite se, “ më vjen mirë që u takova me njerëz që e dinë se çfarë duan, si duan të ecin dhe ku duan të arrijnë. NE DO JU PËRKRAHIM”.

Kjo është në fakt edhe dita e parë e pavarësisë së Kosovës.

Vijon….

Nga Bardhyl Mahmuti-Varianti publik i përkthimit në shqip të ekspertizës së çështjes “Astrit Dehari” është PËRPJEKJE E QËLLIMSHME PËR TË FSHEHUR KRIMIN

Pas ndërhyrjes sime me anë të linjës telefonike në emisionin “Pressing” të T7, të datës 24 tetor 2019, rreth pasaktësive të përkthimit të Raportit të Qendrës Universitare Romande të Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës, lidhur me çështjen ”Astrit Dehari” reagoi Ismail Ismaili, personi që ka përkthyer këtë material. (Gazeta “Express”: Deklarohet përkthyesi i ekspertizës për rastin “Dehari”: Katër ditë nuk dola nga shtëpia, nuk kam guxuar ta interpretoj”, 25 tetor 2019).

Shpërthimi në lot i Ismail Ismailit para kamerave televizive është çështje e përjetimit personal ndaj kësaj forme të shprehjes së pikëllimit dhe nuk ka vend në këtë debat. Ajo që vlen të theksohet lidhur me këtë çështje, ka të bëjë me shkallën e saktësisë së përkthimit të një raporti të tillë.

Lidhur me këtë aspekt, Ismail Ismaili thotë: “Raporti shkencor duhet të përkthehet pothuajse fjalë për fjalë. Nuk kam guxuar t’i interpretoj thëniet e ekspertëve mjeko-ligjorë”, kurse gabimet e mundshme teknike ia lë kohës së shkurtër që ka pasur përkthyesi për të përkthyer 60 faqe.

Çështja “e përkthimit fjalë për fjalë të një teksti shkencor” do të trajtohet në shkrimet e ardhshme. Tani për tani po ndalem vetëm në çështjen e kohës së shkurtër, për të përkthyer këtë raport mjeko-ligjor.

Ismail Ismailit katër ditë i duket kohë e shkurtër për të përkthyer këtë raport, ndërkaq disa orë pas ndërhyrjes sime ai deklaron: “Asnjë pikë, as presje kush s’ka qit në të, sepse katër ditë nuk kam dalë prej banese. Sa kam mujtë me përkthy që me ia bo gati atyre që ma lypën shpejt. E kam dorëzuar të mërkurën në orën 13:00”. Është e çuditshme se si arriti që, brenda disa orësh, të bëjë verifikimin e dy teksteve dhe të dalë në përfundimin nëse është ndërhyrë apo jo në materialin që ka përkthyer!

Lidhur me tërësinë e detajeve, që Ismail Ismaili jep për kohën kur i janë dorëzuar materialet për përkthim, reagoi edhe Prokuroria Themelore në Prizren. Sqarimi i këtyre detajeve u takon palëve kontraktuese për përkthimin e këtij materiali dhe nuk do ta përfshijë në kuadër të këtij shkrimi.

Nga reagimet lidhur me ndërhyrjen time nuk do të përmend asnjë nga qindra njerëzit që më kanë mbështetur për ndërhyrjen time. I falënderoj publikisht të gjithë! Falënderoj edhe Leonard Kërqukin, gazetarin e T7-ës, për mundësinë që më dha të ndërhyj në emisionin që po shfaqej drejtpërdrejt. Në këtë shkrim do të përmend vetëm reagimin e Sefedin Krasniqit, mikut të Ismail Ismailit, që ka bërë “dy kurse (formation continue) për përkthyes” në Zvicër.

Në letrën e tij publike, që portali “Lidhja e Prizrenit” e publikoi me titull: “Sefedin Krasniqi fundos gënjeshtrat e Bardhyl Mahmutit”, ai i drejtohet Ismail Ismailit: “Ti ke bërë një gabim dhe uroj që të mos e përsëritësh më kurrë! Gabimi yt është se je munduar të bësh mirë”!

Përmes këtij reagimi, njoftoj opinionin publik shqiptar, se në kohën më të shkurtër të mundshme, do të përkthej pjesët kryesore të raportit në fjalë dhe çdokush do të ketë mundësi të shohë manipulimet që janë bërë nëpërmjet përkthimit, me qëllim fshehjen e përmbajtjes së plotë të ekspertizës mjeko-ligjore në Zvicër.

Deklarata e Ismail Ismailit, se askush nuk ka ndërhyrë në raportin e tij, se “asnjë pikë as presje kush s’ka qit në të” e bën përgjegjës të vetëm për të gjitha manipulimet që janë bërë në tekstin e ekspertizës, që u publikua nga pothuajse të gjitha mediet në gjuhën shqipe.

Nuk e gjykoj Ismail Ismailin për cilësitë njerëzore, sepse nuk e njoh. As lotët e tij nuk më bëjnë përshtypje, sepse jemi në një debat, ku çdo fjalë ka peshën e vet, ku çdo faqe e raportit përshkohet me gjakun dhe vuajtjet që ka përjetuar Astrit Dehari në momentet e fundit të jetës së tij.

I bëj thirrje publike Ismail Ismailit, që të bëjë krahasimin e dokumentit që ka dorëzuar ai si përthyes dhe dokumentit që i është dorëzuar familjes Dehari dhe që është bërë publik. I bëj thirrje publike, që të shohë me kujdesin më të madh, nëse dikush ka hequr “ndonjë pikë a ndonjë presje” nga ajo që ka dorëzuar ai. (Mund të kërkojë ndihmën e Sefedin Krasniqit apo të kujtdo qoftë tjetër që është trajnuar).

Nëse pas krahasimit të detajuar të dy teksteve Ismail Ismaili pohon se nuk ka asnjë ndryshim ndërmjet dy teksteve, atëherë përgjegjësia është e përkthyesit.

Unë do të dëshmoj se varianti publik i përkthimit në gjuhën shqipe të ekspertizës së Qendrës Universitare Romande të Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës është PËRPJEKJE E QËLLIMSHME PËR TË FSHEHUR KRIMIN.

Jam plotësisht i vetëdijshëm për peshën e kësaj akuze publike dhe garantoj se kjo PËRPJEKE E QËLLIMSHME PËR TË FSHEHUR KRIMIN do të argumentohet në mënyrën bindëse.
I takon Prokurorisë Themelore në Prizren dhe Ismail Ismailit të tregojnë se kush qëndron prapa këtij qëllimi.

P.S.
Në letrën e tij, Sefedin Krasniqi deklaron se unë qenkam “një MASHTRUES, që nuk ka mbaruar kurrë fakultetin dhe që nuk guxon t’i tregoj publikisht diplomat e veta, sepse i ka të rrejshme”! Madje, gjatë luftës në Kosovë paskam qenë “zëdhënës apo përfaqësues i UÇK-së (dikund në hënë)”!

Sa i përket periudhës së luftës, nuk kam çfarë t’u shpjegoj “njerëzve me hënë”. Ata që kanë dashur ta dinë, kanë pasur mundësi ta marrin vesh ku kam qenë në atë periudhë.

Ndërsa për diplomat e mia që nuk i treguakam publikisht, sepse qenkëshin të rrejshme, Sefedin Krasniqi mund t’i drejtohet komunës së Lozanës, e cila më ka punësuar si edukator, për shkak të diplomave të Universitetit të Lozanës që kam prezantuar. Kështu do të kishte nxjerrë të vërtetën në shesh dhe do të kishte dëshmuar cilësitë e përgatitjet e veta që i kanë dhënë gjatë trajnimeve (formation continue), që në kohën para se të dërgohej jashtë shtetit