Victoria Eugenia Henao, bashkëshortja e lordit kolumbian të trafikut të kokainës rrëfen se që prej kohës së martesës, Pablo nisi të kalonte kohë të gjata larg shtëpisë për arsye “pune”.
“Vitet e para, nuk e kisha idenë që aktivitetet e tij ishin të rrezikshme apo të gabuara. Në botën time të atëhershme njerëzit nuk flisnin për droga, aq më pak për kokainë apo për kartelin e Medellín.”
Por ajo që e shqetësonte nusen e re, ishte rrjedha e gjatë e aferave të tij me të dashurat.
“Zhurmat për aferat e tij me gratë ishin të vazhdueshme, dhe duhet të pranoj se ishin të dhimbshme për mua. Kujtoj se qaja gjithë natën, duke pritur për agimin”, thotë Victoria.
Por shton se zgjodhi ‘të bënte një sy qorr’.
“Vendosa të mos e ndjek më, të mos kontrolloja telefonatat apo këmishat e tij për buzëkuq, preferoja të mos gjeja më gjë”.
Teksa paratë e drogave arkëtoheshin, Pablo vendosi familjen e tij në rezidencën luksoze Hacienda Napoles, prona panoramike 10 000 metra katrorë në rajonin e Antioquia.
Përveç shtëpisë e stallave, Pablo ndërtoi gjithashtu një pistë kalërimi dhe një kopsht zoologjik ku kishte elefantë, gjirafa, hipopotamë dhe strucë, i cili ishte hapur falas për fëmijë vendas.
Aty, Victoria thotë se jetonte jetën e saj të dyfishtë mes familjes së saj, miqve dhe të dashurave të Pablos.
“Për të takuar dashnoret e tij, Pablo pati guximin të ndërtonte një apartament të maskuar papa stallave, shumë afër shtëpisë tonë. Ai ndërtoi gjithashtu disa vileta të vogla në pjesë më të largëta të tokës, ku fshihej me të dashurat”.
Në një prej rasteve ai erdhi në Hacienda me një avion të mbushur me “vajza të bukura” duke besuar se Victoria nuk ishte në shtëpi.
Pablo betohej se vajzat nuk ishin për të por “që djemtë të zbaviteshin pak”.
Prej atëhere Victoria thote se sjellja e tij u bë gjithnjë e më e paturp. Në një darkë me miqtë në një zonë rurale kolumbiane, ndërprerja e energjisë i la të ftuarit në errësirë, dhe teksa Victoria vijonte bisedën në dritën e qiririt, Pablo u zhduk.
Më vonë ajo mësoi se Pablo i kishte kërkuar të zotit të shtëpisë të ndërpriste dritat, që ai të shkonte me një nga të dashurat në dhomën e gjumit.
Pablo i adhuronte festat dhe në rastet e rralla kur Victoria e shoqëronte, për të ishte një eksperiencë e vështirë prej konfrontimeve me të dashurat e tij pambarim.
Megjithse ishte e martuar me “mbretin e kokainës” ajo urrente marrjen e drogave dhe sidomos kur gjente “gra të të gjitha moshave duke thithur kokainë në tavolinën e banjës”.
Në një tjetër apartament luksoz që Pablo bleu në Medellin, ai kishte instaluar kamera të fshehta në dhomat e gjumit dhe tualetet, për të parë fshehurazi të ftuarat femra në momentet e tyre private, si dhe për të kontrolluar atë që ndodhte në apartament.
Thuajse çdo natë të dekadës së tyre të parë të martesës, Victoria kujdesej të vinte në gjumë femijët, ndërsa Pablo shkonte në klubet e natës me gra të bukura deri në orët e para të mëngjesit.
Pablo zakonisht nuk binte në shtrat para agimit, por ishte i fiksuar të flinte në krevatin e tij me gruan, me të cilën bashkohej zakonisht vetëm mëngjeseve.
Një nga femrat e tij trofe ishte gazetarja e njohur kolumbiane Virginia Vallejo, ashtu si dhe të tjera para e pas saj.
Virginia Vallejo
Në të njëjtën kohë ai besohej se kishte lidhje me dy bukuroshe të tjera kolumbiane, a një volejbollise nga Caldas dhe Wendy Chavarriaga Gil.
Me këtë të fundit ai u njoh në 1981 dhe historia e tyre zgjati disa vjet.
“Më lëndonte shumë fakti që burri im kishte rënë kokë e këmbë me këtë grua”, thotë Victoria duke shtuar se kishte kërcënuar të largohej, por Pablo e kishte bindur të qëndronte.
“Por megjithë tradhtitë e tij, Pablo vazhdonte të mbetej romantik me mua,” thotë ajo. “Ai mbetej bashkëshorti i kujdesur që më sillte lule të verdha sa herë që më tradhtonte, burri pasionant që njihja kur ishin vetëm”.
Historia me Wendy mori fund kur ajo mbeti shtatzënë dhe ai e detyroi të abortonte.
Por Wendy vijoi më tej duke nisur një histori me vrasësin e Escobar, ‘Popeye’ Valesquez – i cili më vonë rezultoi informator.
Wendy Chavarriaga
Wendy Chavarriaga Gil
Një natë kur Wendy ishte në krevat me të dashurin e ri, zilja e telefonit ra dhe ajo dëgjoi regjistrimin e provave nga agjencia amerikane anti-drogë DEA.
Në fund të telefonatës Escobar i tha ekzekutorit të tij: “Ose ty ose atë, dashuri ose vdekje.” Valesquez u kthye te krevati dhe qëlloi Wendy dy herë në kokë me pistoletë.
Në kulmin e pushtetit karteli Medellín arkëtonte rreth 60 milionë dollarë në ditë, ose rreth 25 miliardë në vit.
Megjithse thotë se nuk e kishte idenë e burimit të parave në vitet e para të martesës, Victoria e shijonte stilin ekstravagant të jetesës, duke fluturuar rreth botës me avionë privatë e duke krijuar koleksione pikturash nga Salvador Dali.
Por në prill 1984, aspekti brutal i biznesit të burrit të saj u ekspozua dhe Escobar urdheroi vrasjen e ministrit të drejtësisë Rodrigo Lara Bonilla, në kryeqytetin Bogota.
Vrasja e tij nisi luftën e bandave dhe lëshimin e fletë-arrestit për Pablon nga qeveria e SHBA.
Më pas Escobar kaloi shumicën e kohës në arrati deri në 1991, kur arriti një marrëveshje me autoritetet kolumbiane.
Ai pranoi të kryente pesë vjet burg, cka tregonte sa i fuqishëm ishte ai në vend, me kusht që të ndertonte burgun e tij në Medellin.
Kështu u krijua ‘La Catedral’, impjanti luksoz i ‘burgimit’ në majë mali, me ujëvara, fushë futbolli e sauna, dhe me roje të zgjedhura nga vetë Escobar.
Një vit më vonë pas përhapjes së lajmit të ‘burgut’ të luksit, duke iu trembur kapjes, Escobar u arratis bashkë me familjen e tij.
Në gusht 1993 familja e tij u izolua në një shtëpi pranë Medellin.
“Kur ishim aty, zgjohesha shpesh natën, e tmerruar nga frika dhe e bindur se kur të hapja sytë do të shihja grykën e një pushke në fytyrë”, thotë Victoria.
Më vonë Pablo i tha Victoria se duhet të ndaheshin dhe se ajo me fëmijët do të vendoseshin në një shtëpi të mbrojtur nga qeveria.
“Qava pa pushim,” thotë ajo. “U martova 15 vjeçe në një kishë katolike, duke menduar se kjo ishte përgjithmonë, isha shumë e dashuruar me Pablon.”
Pablo qau përqafoi fëmijët dhe tha lamtumirë.
75 ditë më vonë, në dhjetor 1993, ai u vra në një përplasje me armë në Medellin, në dukje nga policia kolumbiane, por shumë besojnë se ai vrau veten për të evituar kapjen.
Victoria u largua në Argjentinë dhe ndryshoi mbiemrin e saj në Marroquin. Në vitin 1999, ajo dhe i biri Pablo – tashmë i quajtur Sebastian Marroquin – u shpallën fajtorë për pastrim parash dhe u dënuan me 18 burg.
Sot Victoria, në fund të 50-ave të saj, thotë se “fantazma e burrit” vazhdon ta përndjekë.
“Ndjej trishtim e turp për dhimbjen e madhe që ka shkaktuar im shoq, megjithë pasojat që po vuajmë unë e fëmijët. Fantazma e Pablos nuk do të na lërë të qetë”.
SHISHJA E PARË E VAKSINËS ANTI-COVID DO TË VENDOSET NË MUZE
Shishja e parë e përdorur për të administruar vaksinën anti-Covid të Pfizer, do të vendoset në një muze në Londër.
Vaksina e parë iu dha një gruaje 90-vjeçare në Mbretërinë e Bashkuar, Margaret Keenan, më 8 dhjetor. Shishja historike, dhe shiringa që u përdor, do të ekspozohen kështu që prej fillimit të vitit të ardhshëm në Muzeun Shkencor të Londrës, përkatësisht në pavijonin e historisë së mjekësisë.
Vaksina mund të konsiderohet së shpejti edhe si një prej triumfeve më të mëdhenj të shkencës, pasi ofron një dritë shprese pas një viti të gjatë në pandemi, ku deri tani mbi 1,6 milionë vetë kanë humbur jetën.
Vaksina e realizuar nga kompania amerikane Pfizer dhe ajo gjermane BioNTech, ka rezultuar nga testimet se është 95% efektive. Ajo ka marrë miratim për përdorim në disa shtete, por Britania e Madhe ishte e para. Përveç saj, një vaksinë anti-Covid ka prodhuar edhe kompania tjetër amerikane Moderna, ndërsa Kina dhe Rusia kanë nisur prej disa javësh tashmë të vaksinojnë popullatën me vaksina të prodhuara “në shtëpi”.
Publikimi i disa fotove të një shtëpie të bardhë në një ishull të veçuar në jug të Islandës, ka bërë që të lindin shumë teori për të shpjeguar se përse dikush ka ndërtuar një banesë në atë vend shumë të izoluar, ku nuk ka asnjë ndërtesë tjetër.
Disa zëra thonë se shtëpia në Elliðaey është ndërtuar nga një miliarder, i cili ka në plan të zhvendoset aty në rast se na pushtojnë zombit.
Të tjerë thonë se aty jeton i izoluar një njeri fetar.
Një teori tjetër shpjegon se shtëpia është vendosur me “photoshop” në fotot e publikuara, pasi në këtë ishull nuk jeton askush që prej 300 vitesh.
Por, e vërteta e kësaj shtëpie është shumë më pak interesante sesa teoritë mbi të. Shtëpia është ndërtuar si bazë gjuetie ndaj zogjve që hanë peshqit e ishullit. Aty qëndrojnë gjahtarët për disa orë, përpara se të kthehen në banesat e tyre.
Toka është një planet në lëvizje të vazhdueshme, edhe pse këto lëvizje i identifikojmë më së shumti kur ndodhin fatkeqësi natyrore, si përshembull tërmetet, që gjenerohen nga përplasja ose rrëshqitja ndaj njëra tjetrës të pllakave tektonike. Evente shpesh herë katastrofike, por që ende sot nuk arrihen të parashikohen ekzaktësisht.
Por shumë pak dinë që ekziston një lëkundje, edhe pse shumë e lehtë, e cilësuar si mikrosizmike, që ndodh në mënyrë të pashmangshme çdo 26 sekonda, dhe përfshin të gjithë rruzullin tokësor. Një lëvizje, për më shumë, të cilës ende sot nuk i dihet shkaku.
I pari që ka identifikuar lëkundjen misterioze ka qenë në vitet ’60 gjeologu amerikan Jack Oliver, i Columbia University. Në atë kohë, ai nuk kishte mundësi të regjistronte me instrumente diçka kaq të lehtë, por konstante. Në vitet ’80 një tjetër studiues, Gary Holocomb, vuri re se lëkundja ishte më e fortë gjatë stuhive, por kjo dukuri nuk shpjegonte si gjenerohej, dhe ku.
Vendodhja ku mendohet se ka burimin lëkundja
Teoritë janë të shumta, nga ndikimi i rrezeve diellore, një vullkan nënujor ose një burim i panjohur energjie, por teoria më e ndjekur sot për sot është ajo që lëkundja, harmonike dhe ekzakte, vjen nga valët e oqeanit, që përplasen me platformën kontinentale.
Një lëvizje pothuajse “simfonike”, ndoshta e vjetër sa vetë Toka, që intereson pothuajse të gjithë planetin, fillon në Amerikën e Veriut dhe përfundon duke u përplasur në gjirin e Guinesë, aty ku sipas instrumenteve buron lëkundja, çdo 26 sekonda.
Viti 2020 ka qenë një nga më të ”heshturit” e historisë moderne, me pjesë të aktiviteteve njerëzore që u bllokuan për muaj të tërë nga masat kundër pandemisë. Heshtja e planetit ka evidentuar edhe më shumë lëkundjen e përhershme, dhe studiuesit mendojnë se të dhënat që u mblodhën gjatë vitit 2020 mund të shpjegojnë një herë e mirë misterin e kësaj dukurie.
Pasuria ‘e çmendur’ e amerikanëve, 50 miliarderët kanë paratë e gjysmës së popullsisë
50 amerikanët më të pasur zotërojnë një pasuri të barabartë me pasuritë e 165 milionë personave, që është pothuajse gjysma e popullsisë së vendit. Covid-19 e transformoi ekonominë në një formë që ka shpërblyer në mënyrë disproporcionale një klasë të vogël të miliarderëve.
Të dhënat e reja nga Rezerva Federale e SHBA’së, të publikuara në “Bloomberg Wealth”, kanë pasqyruar një vështrim gjithëpërfshirës të pasurisë amerikane deri në gjysmën e parë të vitit 2020.
Nga këto të dhëna tregohet një pabarazi e madhe sipas racës, moshës dhe klasës.
Ndërsa 1% e amerikanëve kanë një vlerë neto prej 34.2 trilionë dollarësh, rreth 165 milionë njerëz zotërojnë vetëm 2.08 trilionë dollarë.
Ashtu si vendi në tërësi, edhe pasuria e të rinjve amerikanë është e përqendruar në vetëm disa duar. Bashkëthemeluesit e Facebook, Mark Zuckerberg dhe Dustin Moskovitz, si dhe trashëgimtari i Walmart, Lukas Walton, zotërojnë 1 në çdo 40 dollarë që mban çdokush nga gjenerata e tyre.
DAKAU, VENDI KU HUMBËN JETËN MBI 10 MILIONË NJERËZ
Më 29 prill 1945, njësi të Armatës së Tretë të Shteteve të Bashkuara, që komandohej nga gjenerali amerikan, George Patton, çliruan kampin famëkeq nazist të Dakaut, në afërsi të qytetit Mynih.
Amerikanët zbuluan rreth 30 mijë të burgosur të uritur e të sëmurë dhe kufoma të panumërta pas gardhit të telave me gjëmba.
Më 1933 Dakau u bë kampi i parë i përqendrimit, i krijuar nga qeveria e Gjermanisë naziste, për të mbajtur të burgosurit politikë. Më vonë gjatë Luftës së Dytë Botërore, ai u bë një kamp pune prej skllevërish dhe një qendër kërkimesh shkencore ku mjekë nazistë kanë bërë eksperimente të frikshme me qindra të burgosur.
Dakau ishte një pjesë e rëndësishme e makinës shfarosëse naziste. Aty humbën jetën mbi 10 milionë njerëz, ndërmjet të cilëve 6 milionë hebrej evropianë.
Vetëm mbërritja e trupave amerikane i pengoi nazistët që drejtonin Dakaun, të vrisnin të burgosurit e tjerë.
Si mund ta shpëtoni veten nga një makinë që zhytet në ujë
Mbi 85 për qind e njerëzve, makina e të cilëve udhëton jashtë rrugës në ujë vdes, dhe vetëm në Evropë, rreth 400 njerëz në vit vdesin në këto rrethana.
Edhe pse të gjitha aksidentet rrugore janë të frikshme, ato ku makina përfundon në ujë janë një tmerr i vërtetë, pasi pasagjerët shpesh bllokohen në një veturë dhe fillojnë të bëjnë panik.
Të dish se çfarë të bësh në situata të tilla mund të duket e parëndësishme tani, por nesër ata mund të shpëtojnë jetën tënde, jetën e të dashurve tuaj ose kalimtarët që ke hasur, transmeton lajmi.net.
Edhe nëse makina është zhytur plotësisht, situata nuk humbet për shkak të xhepit të ajrit në makinë, thjesht duhet të qëndroni të pastër dhe të ndiqni këto këshilla, pasi makinat zakonisht fundosen midis 30 sekondave dhe dy minutave:
Bëhuni gati për të goditur
Sapo të kuptoni se si automjeti rrëshqet nga rruga dhe fluturoi në ujë, përgatituni. Është më mirë të vendosni të dy duart në pozicionin “nëntë dhe tre”, përkatësisht, në një drejtim të akrepave të orës. Ndikimi mund të aktivizojë kutitë e ajrit, kështu që pozicionet e tjera mund të shkaktojnë lëndime. Jastëkët zakonisht fryhen brenda 0.04 sekondave pas fillimit. Pas kësaj, qëndroni të qetë dhe mendoni se çfarë duhet të bëni më tej.
Lironi rripin
Nëse pasagjerët ose fëmijët e tjerë janë me ju, së pari zgjidhini rripat e tyre. Rripi gjithashtu duhet të përdoret për orientim nëse makina tashmë është zhytur nën ujë dhe lokalizoni se ku janë dyert dhe dritaret dhe mendoni se në cilën anë do të shkoni për të dalë në sipërfaqe. Zakonisht pjesa e përparme e makinës mbytet më shpejt, kështu që mbani në mend.
Provoni të hapni një dritare
Menjëherë pasi të keni hyrë në ujë, përpiquni të hapni dritaren – elektronika në të duhet të jetë funksionale rreth 3 minuta pas kontaktit me ujë. Dritaret zakonisht janë më të lehta për t’u hapur sesa dyert – pasi ato shpesh bllokohen menjëherë pasi uji i mbulon ato pjesërisht, dhe përveç kësaj hapja e derës do të përshpejtojë fundosjen.
Nëse nuk mund ta hapni dritaren, ju keni mundësinë e thyerjes – dritaret anësore dhe të pasme janë më të mirat. Ju mund të përdorni objekte më të rënda, të tilla si gur, çekan, por edhe telefona celularë dhe çelësa. Është e rëndësishme që ju të godisni qendrën e dritares me grusht. Sapo ta shkatërroni, shtyni copat e qelqit në këmbët tuaja për të pastruar shtegun.
Lëvizja nga makina është e mundur vetëm pasi të keni barazuar presionin
Ndërsa ka ende ajër në makinë, merrni frymë ngadalë dhe thellësisht dhe përqendrohuni në atë që do të bëni më tej. Merrni frymë thellë për herë të fundit dhe mos hapni më gojën dhe drejtohuni nga dritarja.
Notoni sa më shpejt që të keni mundësi
Përdorni këmbët për të larguar veten nga makina dhe për të marrë kohë dhe për të kursyer energji.
Nëse e humbni sensin e drejtimit, lëvizni drejt dritës ose flluskave. Nëse uji është i akullt, gjeni vendin ku makina theu akullin. Kur të dilni nga makina, menjëherë shikoni për kalimtarët të cilët do të thërrasin për ndihmë, dhe ju takon juve të përpiqeni të ngroheni derisa të arrijë ambulanca.
Babai dhe vëllezrit ja nxjerrin sytë,pse deshti të martohet me vajzën që e donte
Vëllezërit dhe babai i pakistanezit 26-vjeçar, Abdul Baqi, ia verbuan atij të dy sytë vetëm pse dëshironte të martohej me vajzën që e dashuronte.
“Mund të mbijetoj pa sy, por nuk mund të jetoj pa dashuri”, tha i riu përderisa e përshkruante traumën që e përjetoi nga anëtarët e familjes.
“Tash jam si peshk jashtë ujit”, shtoi 26-vjeçari nga qyteza Loralai, e cila shtrihet në pjesën verilindore të provincës Balochistan.
Rrëfimi i tmerrshëm i tij është dëshmi që gratë nuk janë viktimat e vetme të të ashtuquajturave “krime të nderit”, ku të kaluarën janë përfshirë sulmet me acid, verbërimet dhe vrasjet, të cilat janë kryer nga familjarët e personave që janë akuzuar se i kanë çnderuar familjet e veta.
Baqi thotë se u sulmua pasi babai i tij 73-vjeçar mori vesh se djali dëshiron t’i martohet me vajzën që e dashuron. Plaku kishte refuzuar ta jepte pëlqimin për këtë martesë shkaku i komunikimit me telefon mes të rinjve përgjatë tre vjetëve të kaluar.
Sipas traditave konservatore në Pakistan, martesat zakonisht organizohen nga të afërmit dhe vajzat nuk lejohen të bisedojnë me personat e panjohur ose të takohen me ta.
Babi i djaloshit e cilësonte të dashurën e tij të pamoralshme dhe të papërshtatshme për nuse për shkak të kontakteve të gjata në telefon mes tyre.
Baqi thotë se katër vëllezërit, që kanë lidhje me talibanët, e lidhën, e rrahën dhe e përdorën një lugë për t’ia nxjerrë të dy sytë, shkruan “Free Europe”, transmeton Gazeta Express.
Ai thotë se vëllai më i ri, 18 vjeç, i cili sapo ishte kthyer nga lufta si militant i talibanëve, ia mbante kokën me këmbë dhe e quante të pafe.
Jeta e të riut ka qenë e vështirë edhe para se t’i humbte sytë. Me tetë vëllezër e gjashtë motra, ai nuk kishte mundësi të shkonte në shkollë të mesme.
Kur e përfundoi klasën e pestë, babai ishte munduar të dërgonte në medrese, por ai kishte refuzuar, duke thënë se më mirë e kishte të punonte si pastrues dhe t’i ndihmonte familjes.
Ai thotë se është takuar me vajzën që e donte vetëm një herë dhe ra menjëherë në dashuri me të. Sidoqoftë, kjo kishte për të qenë edhe hera e fundit që ai po e shihte me sytë e vet njeriun e zemrës.
Si 16 vjeçe ‘theu’ kufirin jugosllavo-shqiptar, për 9 vjet dërgoi 1000 letra familjes
Ferdeze Mujaj Sadiku është një farmaciste shumë e suksesshme në Kosovë. Në vitet e 70-ta ishte arratisur për Shqipëri, atëherë kur kishte vetëm 16 vjet. Tre muaj, familja e saj nga Hogoshti i Kamenicës nuk kishte ditur se nëse vajza e tyre ishte e gjallë apo e vdekur. E për këta tre muaj, Ferdezja, bashkë me tre bashkudhëtarë ishte arrestuar nga ushtria shqiptare. Arratisja, kalimi i kufirit mes ish Jugosllavisë dhe Shqipërisë, qëndrimi në burg për tre muaj, lejeqëndrimi në Shqipëri, komunikimi i saj me familjen përmes 1 mijë letrave, takimi me nënën pas katër viteve dhe shumëçka tjetër, janë shpalosë ekskluzivisht në intervistën e dhënë për KultPlus, ku Ferdeze Mujaj Sadiku e ka ndarë edhe nëpërmjet lotëve.
Ardianë Pajaziti
“Baba ka me të qu në shkollë në Elbasan”, ishte premtimi i babait të Ferdezes, në njërën nga mbrëmjet në shtëpinë e familjes Mujaj në Hogosht të Kamenicës, ku Ferdezja ishte në atë kohë vetëm gjashtë vjeçe, dhe ishte me temperaturë.
Ajo mbrëmje sikur hapi një dritare të re për Ferdezen, dhe qysh prej asaj kohe, ajo filloi të ëndërronte për Elbasanin, Shqipërinë dhe shqiptarët. Babai i Ferdezes, njëri nga mësuesit e parë të asaj rrethine nuk e kishte pas idenë se një bisedë çasti, mund të zgjonte dashurinë e vajzës së tij të madhe për Shqipërinë.
Emocioni i Ferdezes, përderisa rrëfente dalëngadalë për krejt përjetimet e saj që kapërcejnë edhe një film, vërehej në sy, në tingullin e fjalëve e në lëvizjet e duarve. Përderisa fliste për Hogoshtin, për moshën e saj të vogël kur edhe kishte dëgjuar për Elbasanin, për rrugëtimin e mëtejmë të Ferdezës që lëvizi në atë kohë edhe kufijtë, shoqëroheshin edhe me lot, që nuk ndaleshin vetëm në bebëzat e syve, por rridhnin pavetëdijshëm në faqet e saj.
65 vjeçja, që është një farmaciste shumë e suksesshme, tregon rrëfimin e saj në intervistën e dhënë për KultPlus, që mund të jetë një ndër përjetimet e rralla që mund të hasë një njeri, sidomos kur bëhet fjalë për moshën e saj të vogël që kishte atëherë.
“Babai im kishte një dashuri të madhe për Shqipërinë, sikurse të gjithë shqiptarët e Kosovës. Përgjatë një mbrëmje, kur unë isha me grip, babai im ma përmendi Elbasanin”, rrëfente Ferdezja përgjatë takimit, takim që po shpaloste një jetë të tërë të një zemër gruaje, e që zanafillën e kishte qysh në vegjëli.
Dhe si fëmija më i madh i familjes, ajo jo vetëm që po rriste shtatin, por brenda saj po rriste dashurinë për Shqipërinë, një mollë super e ndaluar për kosovarët. “Dëgjoja tinëzisht radio Tiranën, lexoja letërsi shqiptare, dhe unë çdo ditë ëndërroja atë vend që po më tundte pafundësisht”, tregonte Ferdezja, me një gjuhë të pastër shqipe, që për nga theksi, tashti tingëllon si një zonjë nga Shqipëria, dhe jo nga Kosova.
Ajo tregon se si duke dëgjuar Radio Tiranën, dashurohej në aksionet rinore që zhvilloheshin në atë kohë në Shqipëri, dhe përmend se i ishte ngulitur në kokë emri i një vajze, që në atë kohë kishte moshën e Ferdezes. Ajo kishte humbur jetën gjatë një aksioni, dhe shteti shqiptar atë kohë e kishte shpallur heroinë. Emri i Shkurte Palvatës ishte bërë si një dritë për Ferdezen, që ta adhuronte edhe më shumë këtë shtet, që vetëm e imagjinonte, por që nuk e kishte idenë më të vogël se si mund të ishte.
Prindërit e dërguan për shkollim në Prishtinë, me çantë të shkollës u arratis në vitet e 70-ta për Shqipëri
Ferdeze Mujaj kishte vijuar shkollimin në Hogosht e Kamenicë, për të vazhduar më pas shkollën e mesme në Prishtinë, në medicinë, ku edhe përfundoi vitin e parë.
Ishte gjashtëmbëdhjetë vjeçe, dhe pikërisht në një kohë kur dukej se gjërat kishin marë rrjedhën e tyre, ajo kishte dëgjuar një informatë që e kishte goditur. Tre djem nga fshati i saj kishin vendosur të arratiseshin për Shqipëri, dhe kjo iniciativë e tyre kishte mjaftuar që të niste një rrugëtim të panjohur, por të ngulitur në shpirtin e saj qysh nga vegjëlia.
“Dëgjova se tre bashkëfshatarë të mi donin të arratiseshin për Shqipëri dhe pa menduar dy herë vendosa tu bashkëngjitem”, kujtonte ajo për këtë vendim, që më pas bëri të kalojë shumë peripeci, por asnjëherë t’ia thyente dashurinë për tokën e premtuar.
Me një çantë shkolle, me rrobat e trupit, një fund pak mbi gjunjë dhe me këpucë me taka të ulta, me pak para sa i kishte ndarë familja për qëndrimin e saj në Prishtinë, Ferdezja ishte nisur për Shqipëri, bashkë me Rexhep Malën, Isa Kastratin e Sami Dërmakun, dhe një rrugëtim të tillë kishte marë vetëm nga dashuria që kishte për Shqipërinë.
Pse kishte marë këtë vendim që të arratisej dhe që mos ti tregonte asgjë familjes, Ferdezja edhe sot është e bindur se nëse do ti tregonte, ata në asnjë mënyrë nuk do ta lejonin që ta merrte këtë hap. “Babai im më kishte premtuar që të më shkollonte në Shqipëri, por ai kishte menduar se deri sa të rritesha, do të ndryshonin edhe marrëdhëniet mes Jugosllavisë së atëhershme dhe Shqipërisë. Por gjërat ishin keq të bllokuara, dhe mënyra e vetme ishte arratisja, pa ia bërë me dije prindërve”, ka thënë Ferdezja.
“Në vitin 1970 kemi kaluar kufirin nga Gjakova, atje na informuan për një zonë ku nuk kontrollohej nga ushtarët e ish Jugosllavisë, dhe po në atë pikë kaluam pa na vërejtur, por rruga ishte shumë e vështirë për t’u kaluar, me shkëmbinj e me terren të papërshtatshëm, sa që disa herë jam rrëzuar përgjatë kalimit të kufirit. Duke pas parasysh se isha e veshur me fund e me këpucë me taka, gjendja ime u përkeqësua edhe me lëndime, shenja që i kam edhe sot në këmbë”, rrëfen Ferdezja për rrugëtimin e saj në një mbrëmje shtatori të vitit 1970, udhëtim që kishte zgjatë për shumë orë nëpër pyje ku nuk shihej qielli, dhe që ujë kishin pirë edhe nga prrockat.
Tre muaj burg në burgun e Laçit, familja e saj nuk kishte lënë vend pa e kërkuar
Dhe përderisa kaluan kufirin, brenda territorit të Shqipërisë u takuan me ushtarët shqiptarë, ku burgosën që të katër udhëtarët kosovarë, për ti vendosë fillimisht në Bajram Curr, aty i mbajtën tetë ditë si të burgosur, e më pas në burgun e Laçit, ku Ferdezja, bashkë me tre bashkëfshatarët e saj u mbajt për tre muaj.
“Ata dëshironin të dinin se pse kemi hyrë në Shqipëri dhe cili ishte qëllimi i arratisjes tonë, kemi pas pyetje çdo ditë nga hetuesit, por tretmani ka qenë i mirë, nuk na ka munguar as ushqimi dhe as kujdesi. Unë isha e ndarë nga djemtë, dhe nuk dija për ta, sikurse që as ata nuk dinin për mua, përgjatë këtyre tre muajve vetëm njëherë na kanë lënë që të takohemi, dhe pas atij takimi më nuk i kam parë. Pas tre muajve hetuesi, më erdhi lajmi se organet e shtetit kishin marë vendim që mua të më lejonin të qëndroja në Shqipëri, por djemtë i kthyen, nuk kemi arritë as të përshëndetemi. I pyeta se çfarë ka ndodhë me tre djemtë, më thanë se nuk mund të japim shpjegime, përpos asaj se mua më ishte dhënë leja e qëndrimit” shpjegon Ferdezja.
“Shteti ka vendosur që të qëndrosh në Shqipëri” ky ishte vendimi që ia kishin kumtuar dy shtetas të Shqipërisë, vendim që solli qëndrimin e Ferdezes në shtetin të cilin e kishte ëndërruar aq shumë.
“Kërkova që të më dërgonin në Elbasan, se u thash që aty do të shkollohem, po kur kuptuan se unë kam përfunduar një vit të shkollës së mesme të medicinës, dhe në kohën e arratisjes isha në fillim të vitit të dytë, ata më rekomanduan që të më dërgojnë në Vlorë, ku edhe zgjodha farmacinë, sepse profesionin e farmacistes e adhuronte nëna ime. Nuk arrita ta plotësoja dëshirën e babait, të paktën po vija në vend dëshirën e nënës”, shpaloste kujtimet Ferdezja, e cila tregon se si në atë kohë, ishte njoftuar edhe shkolla se kishte ardhur një vajzë nga Kosova, dhe kërshëria e njerëzve që ta takonin ishte shumë e madhe.
Dhe regjistrimi në shkollën e mesme të farmacisë, vendosja në konvikt sillte edhe një hap tjetër. Kishte ardhë momenti që të njoftonte familjen e saj që ishte gjallë. Kishin kaluar tre muaj që ajo nuk kishte asnjë komunikim me familjen, dhe përmes një telegrami, ajo po dërgonte përshëndetje nga Shqipëria.
“Unë jam në Vlorë, jam mirë, mos keni merak për mua”, kaq ishte përshkrimi i telegramit të parë të Ferdezes dërguar për në Hogosht
“Unë jam në Vlorë, jam mirë, mos keni merak për mua”, kaq ishte përshkrimi i telegramit të parë të Ferdezes dërguar për në Hogosht, e cila më vonë kishte mësuar se familja e saj për këta tre muaj e kishte kërkuar në të gjitha anët, dhe kishin pas shumë frikë se nëse i kishte ndodhë më e keqja.
“Edhe familja ime më pas më ktheu telegramin e tyre dhe kuptova se ishin lehtësuar për faktin se kishin kuptuar se jam shëndoshë e mirë, duke më këshilluar që të kem kujdes”, tregonte Ferdezja, e cila shpaloste etapat e jetës së saj, që kishin shumë përjetime, e në anën tjetër, për kohën kur fliste, ajo kishte një moshë jashtëzakonisht të vogël.
Por, nëse kishte shijuar atë Shqipërinë e Radio Tiranës dhe të romaneve që kishte lexuar para se të shkelte këtë tokë, Ferdezja këmbëngulë, se në kohën kur kishte shkuar në Vlorë, në vitet e 70-ta, Shqipëria nuk ishte ajo Shqipëria e viteve të 80-ta, e as e viteve të 90-ta, Shqipëri që e panë shumë kosovarë, por ishte një Shqipëri shumë stabile dhe e sigurt.
“Jetoja në konvikt, më pritën në mënyrën më të jashtëzakonshme, si mësuesit, si nxënëset, isha e vetmja kosovare që kam qenë edhe në shkollë të mesme, por më pas edhe në Universitet. Pastaj, shteti i Shqipërisë më shpërbleu për faktin se si një vajzë e re theu kufirin jugosllavo- shqiptar, dhe më dhuroi 20 mijë lekë të asaj kohe, të cilat kishin vlerën e tri rrogave të një doktori. Edhe në fakultet, përpos bursës, më ndanë 10 mijë lekë, kështu që nuk e kisha problem ekzistencën, më shkolloi shteti shqiptar dhe isha në një rreth shumë të sigurt”, vazhdonte këtë rrëfim Ferdezja, që me vite është jashtëzakonisht i largët, por emocionet e kësaj gruaje, tregonin që këto përjetime janë ende shumë të gjalla brenda saj.
Dhe përderisa vazhdonte jeta e Ferdezes në Shqipëri, ajo më vonë kishte mësuar se në fshatin e saj të lindjes, admirimi për të, rritej dita ditës. Tri vajza të fshatit ishin pagëzuar me emrin Ferdeze, me të cilat komunikon edhe sot nëpërmjet facebook.
Shkollohej, shërbente në akisone të ndryshme dhe dita ditës shndërrohej në një qytetare të Shqipërisë, e cila, duke mos komunikuar me asnjë kosovar, theksi i saj kosovar, dalëngadalë po i linte vend atij të Shqipërisë.
Ajo më pas kishte marrë të drejtën e studimeve, po në drejtimin e farmacisë, ku edhe ishte vendosur në konviktin me numër 18, konvikt ku qëndronin studentë të huaj, pasi në ato vite kur studionte Ferdezja, ajo tregon se kishte shumë shtetas të huaj.
Pas katër viteve takova për herë të parë nënën time, ishte plakur shumë
Dhe në vitin 1974, vjen një emocion i madh, ku Ferdezja katër vite pas arratisjes e përjeton. Nëna e saj, bashkë me vëllain që kishte lindur pas arratisjes së saj për në Shqipëri, kishin marë të drejtën e vizitës në Tiranë.
Ajo, përderisa kujton takimin e saj më nënën dhe vëllain, që pikërisht Ferdezja e kishte pagëzuar me emrin Alban, nuk mbanë lotët dhe kthen kohën dhe emocionin e vitit 1974.
“Takimi i parë me nënën më ka sjell shumë dhimbje, shumë emocion, nuk e harroj as sot. Edhe pse ishte shumë e re, atë kohë vetëm 41 vjeçe, mua më dukej se nëna ime ishte plakur shumë, ishte mbushur me rrudha, thjeshtë iu kishin thelluar rrudhat. Qëndruan një muaj në Tiranë, por asnjëherë nuk i treguam ndjenjat e vërteta, prej frikës që mos po e lëndojmë njëra tjetrën”, vazhdon Ferdezja, e cila shton se vragë të thellë i ka lënë edhe pritja dhe përcjellja e saj në kufi, që pasojat e asaj kohe e rrëqethin edhe sot, sa herë që kalon kufirin me Shqipërinë.
“Kur dola ta prisja nënën dhe vëllain në kufi, kishin ardhur edhe anëtarët e tjerë të familjes, babai, motrat dhe vëllezërit, vetëm që të më shihnin nga distanca. Rregullat e asaj kohe ishin që ti mund vetëm të shikoje, po në asnjë mënyrë që të lëshoje ndonjë zë, apo të bëje me dorë. Thjeshtë shikonim njëri tjetrin ashtu të shtangur, në një distancë diku prej 150 metrave. Thjeshtë isha e mpirë, shihja figura nga larg, e në të njëjtën kohë ishte familja ime”, tregon Ferdezja.
Vizita tjetër e radhës ishte ajo e babait, i cili kishte vizituar vajzën e tij në vitin 1978, dhe kishte qëndruar për 15 ditë. Gjithë atë dashuri që kishte pas për Shqipërinë, përgjatë atyre 15 ditëve, ai as që e kishte ndjerë. Ferdezja tregon se nga frika se çfarë do të ndodhte me të bijën, nëse do të mund të kthehej në Kosovë, e kishin mpirë babain e saj, i cili, më pas i kishte treguar asaj, se asgjë nuk i ishte regjistruar në memorie se si ishte dukur Tirana.
Kërkesën për riatdhesim e bëra në vitin 1978, shpesh mendoja se nëse veç edhe njëherë do të kthehesha, do të puthja tokën e Kosovës
Dhe ndryshimi i kushtetutës në vitin 1974, që ndryshonte situatën edhe në Kosovë, kishte bërë të mundur që Ferdezja të ëndërronte kthimin e saj në vendlindje, Kërkesën për riatdhesim e kishte bërë në vitin 1978, dhe leja për kthimin e saj në Kosovë i ishte aprovuar në vitin 1979.
Nëntë vite distancë kishin bërë që nga një vajzë 16 vjeçe, një vajze të arratisur nga Kosova për në Shqipëri, ta kthente për vendlindjen e saj si 25 vjeçe, por tashti jo si një çapkëne, por një farmaciste e diplomuar.
“U ktheva më 10 qershor të vitit 1979, sa isha në Shqipëri, kisha menduar se kurrë nuk do të mundja ta shihja edhe njëherë Kosovën, dhe shpesh mendoja se nëse veç edhe njëherë do të kthehesha, do të puthja tokën e Kosovës, dhe me të vërtetë ndodhi kthimi. Mbaj mend që kanë dalë mijëra njerëz të më prisnin në fshatin tim dhe fshatrat përreth, të cilët më preknin duart, më përqafonin dhe më puthnin, më shihnin si një heroinë që kisha thyer kufirin e Jugosllavisë me atë të Shqipërisë.
Por jo gjithçka shkoi lehtë, për tre javë rresht asaj i është dashur të lajmërohej për çdo ditë në Sekretariatin e Brendshëm të asaj kohe në Gjilan, dhe pyetjet dhe dhuna psikike që ia kishin bërë, e kishin dërguar edhe deri në vjellje. Ajo kujton që nuk kishte përjetuar dhunë fizike, por psikike po, dhe ata që merrnin në pyetje ishin shqiptarë, por për emrat e tyre nuk dëshiron të flasë.
Ferdezja, për 11 vite punon si farmaciste në Obiliq, vend në të cilin në atë kohë nuk kishte shkuar asnjë farmacist, dhe pikërisht në këtë vend lind edhe dashuria me bashkëshortin e saj, të cilët gëzojnë jetën e tyre me fëmijët dhe nipat e mbesat.
“Bashkëshortin tim e kam pas në klasë, në shkollë të mesme në Prishtinë. Isha e vetmja vajzë, dhe 40 djem. Kur u ktheva, pothuajse të gjithë shokët e shoqet e klasës erdhën e më vizituan, duke përfshirë edhe bashkëshortin tim. Po vizitat e tij u shpeshtuan aq shumë, sa që na dërgoi deri në martesë, ku sot jam nënë e gjyshe shumë e lumtur”, tregon Ferdezja, e cila shpjegon se sa herë që i bie malli për Shqipërinë, bashkëshorti i saj është i gatshëm që ta shoqërojë.
E martuar në një familje të madhe, me tetë vëllezër, ajo thotë se ishte e admiruar nga familja e burrit të saj, dhe se kurrë nuk e kanë trajtuar si grua, por gjithmonë ka bërë ndeja në odën e familjes Sadiku, të cilët dëgjonin rrëfimet për Shqipërinë, nga përvoja e Ferdezes. Me të njëjtën dashuri ka rritur edhe dy fëmijët e saj: Brikenën e Ermalin, ku vajza ka emrin e vajzës së Eqrem Çabejit, që Ferdezja e kishte shoqe gjatë shkollimit të saj në Shqipëri.
Edhe sot e blej bukën e zezë
Përpos gjuhës që edhe tash tingëllon si të jetë nga Shqipëria, Ferdezja ka edhe një ves tjetër, është adhuruese e bukës së zezë, që edhe sot e blen. Poashtu, ajo në vizitat e shpeshta në Shqipëri, vazhdon të vizitojë burgun e Laçit ku qëndroi për tre muaj, postën, ku kishte pas kutinë e saj, nëpërmjet të cilës kishte shkëmbyer një mijë letra, e që nuk e ka asnjë prej tyre, pasi që familja e saj kishte hequr të zitë e ullirit nga pushteti i atëhershëm në Kosovë.
Ajo ka edhe disa shoqe që edhe sot mbanë kontakte. Dhe befasitë për Ferdezen nuk mbarojnë, Shkurte Palvata, vajza heroinë që e kishte magjepsë qysh nga Radio Tirana, ngacmoi këtë vit që po e lëmë pas përsëri Ferdezen. Gjatë pushimit të fundit në Shën Gjin, duke treguar me një çift shqiptar historinë e saj, përderisa kishte treguar edhe për Shkurte Palvatën, rastisi që gruaja me të cilën po ndante rrëfimin, kishte qëlluar të jetë po motra e Shkurtes.
Ferdezja, e cila qysh prej viteve të 90-ta ka farmacinë e saj në Prishtinë, krejt këtë rrugëtim e adreson edhe te mosha e saj e re, sepse, sipas saj, në moshën që ka tashti, një hap i tillë do të ishte shumë i vështirë për tu menduar, por për krejt këtë përvojë jetësore ajo thotë se asnjëherë nuk është penduar, dhe se dashuria për Shqipërinë edhe sot është shumë e madhe./KultPlus.com
Studenti 36-vjeçar zakonisht qëndronte jashtë barreve në Mançester, ku i takonte dhe i ftonte burrat në shtëpinë e tij, me premtime për pije dhe vend për të fjetur.
Studenti që ka kryer të paktën 136 përdhunime dhe një numër krimesh të tjera, është dënuar me 30 vjet burg. Studenti 36-vjeçar është quajtur nga prokurori si “përdhunuesi më aktiv që është sjellë ndonjëherë para një gjykate në Mbretërinë e Bashkuar”.
Kor kanë hurrë brenda banesës së tij, ai i ka mpi ata me narkozë dhe seksualisht i ka dhunuar. Në shumë raste, ai regjistronte dhunimet në celularin e tij.
Në katër padi të ndara, 36-vjeçari u shpall fajtor, ndër të tjera, për mpirjen dhe dhunimin e 48 burrave.
Sinaga ka jetuar në Mbretërinë e Bashkuar që nga viti 2007, duke kryer 159 krime midis janarit 2015 dhe majit 2017.
Ai shkonte pas të rinjve që ishin të plotë dhe me probleme të ndryshme. Ata u anestezuan me ilaçe qetësuese dhe shumica nga ta ,fare nuk e dinin se kanë qenë të dhunuar nën ndikimin e narkozëz.
Sinaga u arrestua pasi një nga viktimat e tij u zgjua gjatë një sulmi seksual dhe filloi të rezistoi. Më pas, viktima shkoi në polici, të cilët më vonë pas kontrollit gjetën një numër të madhë fotografish me pamje nga veprat e dhunimeve seksuale të Sinagës.
Prokuroria beson se afro 200 burra ishin viktima të sulmit të Sinagës, por 70 prej viktimave nuk janë identifikuar nga autoritetet.