Ekonomia në vitet e pavarësisë, nuk ka treguar ndonjë zhvillim që mund të ndikonte në përmirësimin e mirëqenies sociale të qytetarëve, konsiderojnë ekspertë për çështje ekonomike dhe ish-zyrtarë të Qeverisë së Kosovës.

Me gjithë disa përparime, kryesisht në aspektin ligjor, sipas tyre, gati 11 vjet pas shpalljes se pavarësisë se Kosovës, vlerësohet se shteti më i ri në Evropë, nuk ka arritur të zbatim të mirëfilltë të ligjeve, nuk ka arritur të përmirësojë kushtet për sektorin privat dhe për investitorë të huaj, rrjedhimisht ende përballet me shkallë të lartë të papunësisë dhe varfërisë, pasi rritja ekonomike për gjatë këtyre viteve nuk ka siguruar një zhvillim të përgjithshëm ekonomik.

Nga viti 2008 , kur Kosova shpalli pavarësinë, rritja ekonomike nuk ka mundur të arrijë as në nivelin 5 për qind. Sipas të dhënave zyrtare të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), në vitin e pavarësisë niveli i rritjes ekonomike ka qenë 4.5 për qind, kurse ndër vite, kryesisht ka shënuar rënie, ndërkaq vitin e kaluar rritja ekonomike në Kosovë ka arritur në 4.2 për qind.

Me fokus të veçantë gjatë kësaj periudhe, ekspertët dhe ish-zyrtarë të Qeverisë së Kosovës, përmendin trendin e rënies se investimeve të huaja.

Investimet e huaja, që para zgjidhjes se statusit përfundimtar të Kosovës, zyrtarë të Qeverisë dhe ekspertë për çështje ekonomike, vlerësonin se vlera e investimeve do të rritet për shkak se Kosova konsiderohet se ka resurse të mjaftueshme për investitorët e huaj, pas shpalljes së pavarësisë ndodhi e kundërta.

Në vitin 2007, shuma e investimeve të huaja kishte arritur në 440 milionë euro, në vitin 2008, 355 milionë euro, vlerë kjo që asnjëherë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës nuk ka arritur në Republikën e Kosovës.

Ndërkaq, sipas të dhënave zyrtare, në nëntë muajt e vitit të kaluar, vlera e investimeve të huaja, ka arritur në 164 milionë euro.

Bajram Hasani, ish-ministër i Tregtisë dhe Industrisë në Qeverinë e Kosovës, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, thotë se situata politike po ndikon në rënien e investimeve të huaja.

“Fatkeqësisht deri sa të bisedohet për korrigjim të kufijve, për cenimin e integritetit dhe sovranitetit të Kosovës, unë mendoj se ky është një dëm i madh, apo një ndalesë e fuqishme, moslejimi i investimeve të huaja”, tha ish-ministri Hasani.

Megjithatë, eksperti për çështje ekonomike, Naim Gashi duke e vlerësuar si shqetësues trendin e rënies se investimeve të jashtme, ai thotë se pritet që këto investime të rikthen më aktivizimin e kapaciteteve të reja energjetike të Kosovës, siç është ndërtimi i Termocentralit “Kosova e Re”.

Në anën tjetër, Gashi e konsideron si hendikep të madh, sidomos viteve të fundit, bilancin tregtar negativ me vendet e rajonit dhe të botës.

“Importi që vitin e kaluar ka arritur në 3 miliardë euro kurse eksportet nga Kosova mbulohen vetëm 10 për qind në këtë import”, thekson Gashi.

Për dallim nga rritja ekonomike dhe investimet e huaja, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, është rritur shuma e dërgesave të emigrantëve.

Në vitin 2008 vlera e remitencave ishin 409 milionë euro, përderisa në vitet tjera, vlera e parave të dërguara nga diaspora, brenda një viti arrin shumën rreth 600 milionë euro.

Edhe pse shfrytëzimi i tyre është orientuar më tepër në patundshmëri dhe konsum, sipas ekspertëve, kjo ndikon në rritjen e përmirësimit të mirëqenies sociale.

Element tjetër negativ, sipas Gashit, gjatë kësaj periudhe është emigracioni i fuqisë së kualifikuar punëtore.

“Një element tjetër negativ që unë e shoh gjatë këtyre viteve të pavarësisë, sidomos gjatë viteve të fundit, është ikja e fuqisë punëtorëve të kualifikuar në vendet e Bashkimit Evropian, kryesisht në Gjermani dhe Zvicër. Dhe rreziku kryesor i zhvillimit ekonomik të Kosovës, vjen kryesisht nga emigracioni i fuqisë së kualifikuar punëtore dhe ikjes së trurit, kuadrove të profesionalizuar të profileve të larta”, tha Gashi për Radion Evropa e Lirë.

Në vitet 2014-2015, mijëra qytetarë në mënyrë të paligjshme kishin braktisur Republikën e Kosovës për shkak të, siç thuhej, “një perspektive më të mirë në vendet e Bashkimit Evropian”.

Të gjitha ngecjet ekonomike në vitet e pavarësisë, Haki Shatri, këshilltar për ekonomi i kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj, i arsyeton me gjendjen ekonomike të trashëguar të pasluftës, me tregje të humbura rajonale, evropiane dhe botërore dhe fabrika të shkatërruara. Në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, Shatri thotë se ka pasur përparime në fushën e ekonomisë, por që nevojitet ende përkushtim institucional.

“Në aspektin ekonomik është filluar me transformimin e pronës dhe me tranzicionin në përgjithësi. Kemi filluar me privatizim dhe ndërtimin e institucioneve të ekonomisë së tregut të lirë sepse Kosova nuk e ka pasur këtë. Është themeluar Banka Qendrore e Kosovës, janë ndërtuar institucionet tjera bankare private, dhe këto kanë bërë të mundur një funksionim normal të ekonomisë që e kemi trashëguar. Janë ndërtuar politika ekonomike dhe fiskale që janë të favorshme për bizneset, sektori privat është duke u konsoliduar si duhet”, shprehet Shatri.

Megjithatë, Shatri përmend se në vitet e shtetësisë, Kosova ende vuan nga shkalla e lartë e papunësisë dhe varfërisë, edhe pse ndër vite ka pasur rënie.

Në vitin 2008 papunësia ishte mbi 43 për qind, ndërkaq 45 për qind e popullsisë jetonin në varfëri relative.

Kurse në vitin e kaluar, sipas të dhënave zyrtare, shkalla e papunësisë ishte 30 për qind, derisa rreth 17.6 për qind të popullatës jeton në varfëri të plotë.

Paga mesatare për punonjësit në institucionet publike në Kosovë ka arritur në rreth 500 euro, kurse pagan në sektorin privat, 384 euro në muaj.

aga minimale në Kosovë është 130 euro për të punësuarit e moshës nën 35 vjeç, dhe 170 euro për të punësuarit e moshës mbi 35 vjeç.

Kurse, shporta mujore e një qytetari në Kosovë llogaritet të jetë 115 euro, konsumi për ekonomitë familjare mbi 7500 euro në vit, shumë kjo që nuk siguron një standard të mirë jetësor për qytetarët.

Po sipas të dhënave të zyrtare të ASK-së, Bruto Produkti Vendor për vitin 2017 ishte mbi 6.4 miliardë euro, kurse Bruto Produkti Vendor për kokë banori ka qenë 3,566 euro, vlera këto më të ulëta, krahasuar më vendet e rajonit.

Pavarësisht faktit se Kosova llogaritet e fundit sa i përket standardit jetësor, krahasuar me vendet e rajonit, të dhënat e Agjencisë të cilat përfshijnë periudhën 2008- 2017 tregojnë se gjatë kësaj periudhe, vazhdimisht ka pasur rritje të BPV-së, pasi në vitin 2008 kjo normë ka qenë 2.200 euro për kokë banori.

Pavarësisht, këtyre shifrave, edhe në Kosovë figurojnë milionerë me pasuritë e tyre, ku përveç biznesmenëve, milionerë janë edhe zyrtarë të lartë të institucioneve qendrore dhe lokale.

Por, Kosova vazhdon të kritikohet nga institucionet ndërkombëtare për nivel të lartë të korrupsionit.

Sidoqoftë, gjatë periudhës se shtetësisë, Kosova është anëtarësuar në disa institucione ndërkombëtare financiare, si në Bankën Botërore, Fondin Monetar Ndërkombëtar, Bankën Ekonomike për Rindërtim dhe Zhvillim, kurse nga viti 2016 ka hyrë në fuqi zbatimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA).

Kosova po ndjek rrugën drejt anëtarësimit në NATO dhe BE, por sfidat e saj kryesore burojnë nga agresioni rus dhe terrorizmi në përgjithësi – ka deklaruar kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj në një intervistë të dhënë për mediat amerikane.

Ajo që e quajmë agjendë talebane apo islamike, ishte shumë agresive ndaj nesh. Por gjithashtu rusët janë shumë agresivë. Ata e bazojnë pjesën më të madhe të aktiviteteve të tyre nga Serbia, ata kanë 3 mijë monitorues të tyre që i quajnë humanitarë në Serbi, shumica prej tyre janë në të vërtetë anëtarë të shërbimeve të sigurisë, shërbimeve të sigurisë ruse. Por ne kemi detyrat tona të shtëpisë dhe nuk jemi vetëm. Ne punojmë në partneritet të ngushtë me ShBA-të dhe aleatët e tjerë, kryesisht aleatë të NATO-s”, ka thënë Haradinaj për CNBC, në Munih.

Ai nuk ka komentuar dhurimin e disa avionëve luftarakë nga Rusia për shtetin serb, shtet ky që vazhdon të mos e njohë shtetësinë e Kosovës.

Haradinaj ka ripërsëritur se është koha për një marrëveshje në mes dy vendeve, që sipas tij është në interes të Kosovës dhe Serbisë, përcjell Klankosova.

Mirëpresim bashkëpunimin e Washington-it, shpresojmë se do të kemi përkrahjen e njëjtë edhe nga vendet tjera dhe pas anëtarësimit të Maqedonisë në NATO, besoj se tani është koha jonë”.

I pari i Qeverisë së Kosovës është pyetur se sa përkrahës është presidenti amerikan, Donald Trump, për arritjen e një marrëveshjeje Kosovë-Serbi, duke u përgjigjur se Trump po ofron përkrahje e cila është shumë e dobishme për vendin dhe gjithë rajonin.

Haradinaj për CNBC tha se përkrahja në drejtim të Kosovës nuk ka munguar që nga vitet e 90-ta, por që tani ka tjetër qasje, pra ka të bëjë me stabilitetin dhe arritjet shtetërore bashkë me të gjithë aleatët ndërkombëtarë.

Kur bëhet fjalë për luftimin e terrorizmit, mendoj se jemi një partner i mirë në adresimet e duhura”, ka përfunduar Haradinaj intervistën e dhënë për CNBC gjatë qëndrimit të tij në Munih.

Të dielën e 17 shkurtit 2008 në orën 15:39 në Kuvendin e Kosovës u lexua Deklarata e Pavarësisë.

Sot qytetarët e Kosovës dhe të gjithë shqiptarët kudo që janë, festojnë 11-vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.

Me rastin e 11-vjetorit të pavarësisë, institucionet e vendit kanë organizuar aktivitete të ndryshme.
Por, ky do të jetë përvjetori i parë në të cilin do të parakalojë ushtria e Kosovës në sheshin kryesor të Prishtinës, raporton “Epoka e re”.

Republika e Kosovës ka siguruar 116 njohje, që nga data e shpalljes së pavarësisë.

Ndërkaq këtë vit nuk dihet se cili është ky numër i njohjeve, ngaqë disa shtete kanë vendosur të tërheqin vendimin e tyre, duke pritur rezultatin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Për nder të 11-vjetorit të shtetësisë do të mbahet një seancë solemne e Kuvendit të Kosovës, drejtuesit e shtetit do të bëjnë homazhe te varrezat e të rënëve për liri si dhe do të mbahet pritja shtetërore e pavarësisë e organizuar nën përkujdesjen e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj.

Sipas agjendës për shënimin e 11-vjetorit të pavarësisë, fillimisht më 17 shkurt, nga ora 8:00 deri në orën 8:30 do të mbahet mbledhja festive e Qeverisë së Kosovës.

Më pas, në orën 8:45, në prani të liderëve shtetërorë para ndërtesës së Qeverisë do të ngrihet flamuri i Republikës së Kosovës.

Aktivitetet për 11-vjetorin e pavarësisë liderët shtetërore do t’i vazhdojnë me homazhet te shtatorja e ish-presidentit Ibrahim Rugova nga ora 9:40 deri në orën 9:50, e më pas do të vazhdojnë me vendosjen e kurorave në kompleksin “Adem Jashari” në Prekaz nga ora 10:45 deri në orën 11:30.

Ndërkaq seanca solemne e Kuvendit të Republikës së Kosovës për 11-vjetorin e pavarësisë do të mbahet në orën 12:20.

Kurse në orën 13:00 deri në orën 14:00 do të parakalojnë trupat e Forcës së Sigurisë së Kosovës prej Sheshit “Nënë Tereza” deri te Sheshi “Ibrahim Rugova”.

Pastaj do të organizohet një koktej rasti për të gjithë të ftuarit në parakalimin e ushtarëve të FSK-së në orën 19:30 në “Swiss Diamond”.

Kurse aktiviteti përmbyllës për shënimin e 11-vjetorit të pavarësisë do të jetë pritja shtetërore për të gjithë të ftuarit nën përkujdesjen e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, në Hotel “Venus”.

Presidenti Hashim Thaçi, i shoqëruar nga kryeministri Haradinaj dhe Ministri i Jashtë, Pacolli bën homazhe tek varrezat e familjes Jashari.

Pasi përfunduan homazhet, presidenti foli për media. 

Ai u shprehë se sakrifica e familjes Jashari është bazament i Pavarësisë së Kosovës por i së ardhmes euroatlantike. 

“Sot jemi së bashku me kryeministrin Haradinaj, me kryetarin e Skenderajit z. Jashari, gjithë anëtarët  e kabinetit qeveritar për të bërë nderimet shtetërore Komandantit Legjendar dhe bashkëluftëtarit tonë Adem Jashari dhe familjes së tij, për sakrificën sublime që është bazament i lirisë dhe pavarësisë, por edhe të ardhmes euroatlantike të shtetit të Kosovës. Nderime dhe respekt të përjetshëm Komandantit Legjendar, familjes së tij dhe gjithë dëshmorëve të kombit” u shprehë presidenti. 

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në fillim të këtij muaji i ka kthyer përgjigje letrës së Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump.

Në letrën e tij dërguar Presidentit Trump, Presidenti Thaçi është zotuar se do ta kryejë pjesën e tij të punës dhe do të apelojë tek qytetarët që të ndjekin thirrjen e bërë nga Presidenti Trump në letrën e dhjetorit që “të flasin me një zë gjatë bisedimeve për paqe dhe të përmbahen nga veprimet që do të bënin një marrëveshje më vështirë të arritshme”.

Presidenti Thaçi e ka siguruar Presidentin Trump se është i gatshëm dhe i vullnetshëm që të bëjë kompromiset e nevojshme për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe të balancuar, e cila do t’i përfshinte të gjitha çështjet e hapura dhe do i jepte fund konfliktit shekullor me Serbinë.

“Siç kemi diskutuar në Paris – dhe siç u kam shpjeguar më në detaje Sekretarit të Shtetit, Mike Pompeo, si dhe Këshilltarit për Siguri Kombëtare, John Bolton, gjatë vizitave të mia të paradokohshme në Uashington – pajtohem me ju se një marrëveshje që do të zgjidhte të gjitha çështjet e hapura në mes të Kosovës dhe Serbisë është afër tani. Prandaj, më lejoni t’ju ofroj garancitë e mia personale se si President i Kosovës do të jem i gatshëm dhe i vullnetshëm që të bëj kompromiset e nevojshme për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe të balancuar, që do të përfshijë të gjitha çështjet e hapura, duke i dhënë kështu fund konfliktit shekullor me Serbinë”, deklaron Thaçi.

Presidenti shton më tej se “marrëveshja e arritur nuk do të jetë paqe e përkohshme apo konflikt i ngrirë. Ne po mundohemi të dalim nga ky qark dhe të arrijmë një marrëveshje permanente në të cilën të dyja palët e njohin njëra-tjetrën dhe heqin dorë nga konflikti dhe sipas të cilës Kosova bëhet anëtare e Kombeve të Bashkuara”.

Sipas tij, një arritje e tillë historike kërkon angazhim maksimal nga të dyja palët. “Unë zotohem se do të kryej pjesën time të punës. Do u apeloj bashkëqytetarëve të mi kosovarë që të ndjekin thirrjen që keni bërë në letrën e dhjetorit që “të flasin me një zë gjatë bisedimeve për paqe dhe të përmbahen nga veprimet që do të bënin një marrëveshje më vështirë të arritshme””.

“I gëzohem mundësisë që të bashkëpunojmë ngushtë me Ju dhe me shumë miq tonë në Shtetet e Bashkuara në zhvillimin e kësaj iniciative diplomatike. Dhe, siç keni sugjeruar me zemërgjerësi, nuk ka mënyrë më të mirë për të celebruar suksesin tonë se sa të ndjekim lidershipin tuaj dhe do t’iu bashkohemi në Shtëpinë e Bardhë, ku paqja dhe historia krijohen bashkë. Në fund, më lejoni të shfrytëzoj këtë mundësi dhe t’Ju ftoj për të vizituar Kosovën, të takoni popullin më proamerikan dhe amerikanët që shërbejnë në Kosovë, si dhe të bëheni dëshmitar i suksesit tonë të përbashkët në ndërtimin e një Kosove shumetnike, e përkushtuar për paqe, liri dhe drejtësi”, përfundon Presidenti Thaçi.

Ministri i Tregtisë dhe Telekomunikacionit të Serbisë, Rasim Ljajiç ka folur së fundmi për efektin negativ që pati taksa 100% e vendosur nga qeveria kosovare ndaj mallrave serbe, në ekonominë e vendit të tij.

Ai tha se dëmet aktuale në ekonominë serbe janë rreth 66.2 milionë euro, por nëse Prishtina së shpejti nuk heq taksën, dëmet do të shumëfishohen.

Si saktësoi ai nga importi i përgjithshëm nga vendet e CEFTA-së, Serbia në Kosovë ka marr pjesë me 60%, ndërkohë tani është rritur importi nga Sllovenia për 123%, Greqia 114%, Shqipëria 60% dhe Maqedonia 40%.

Serbia në dhjetor të 2017 ka marrë pjesë me 15,7% ndërsa në dhjetor 2018 vetëm me 1,7% në importet e Kosovës”, deklaroi Ljajiç.

Ljajiç shprehu hapur frikën se “lojtarët tjerë” do të marrin tregun e Kosovës, të cilin deri para vendimit të qeverisë Haradinaj, e kishte Serbia.

Nëse sot do të hiqej taksa, një pjesë e prodhuesve do të kthehej në Serbi, por nëse ajo zgjat, kjo nuk do të ketë efekt sepse lojtarët tjerë do të marrin atë hapësirë dhe dëmet do të jenë shumëfish më të mëdha“, ka thënë Ljajiç.

Pas përfundimit të takimit të liderëve shtetëror me ambasadorët e QUINT-it për koordinim në procesin e dialogut me Serbinë, kryenegociatori i delegacionit shtetëror të Kosovës, Fatmir Limaj tha se ka marrë mbështetje të plotë nga ambasadorët për vazhdimin e dialogut dhe se kanë kërkuar unitet nga partinë në Kosovë pë këtë proces, raporton “Zëri.info”.

“Ambasadorët shprehën përkrahjen e plotë, duan unitet, na inkurajuan për të angazhuar edhe të tjerët në këtë process dhanë mbështetje për idenë dhe angazhimin tonë dhe shprehën gatishmërinë pë të ndihmuar Kosovën në këtë hap final”, ka thënë Limaj.

Limaj tha se ideja e këtij takimi ishte të njoftoheshin ambasadorët për qëllimet dhe angazhimet që ka ekipi negociator për këtë process.

“Ideja ishte pë të treguar seriozitetin dhe përkushtimin e Kosoës në procesin e dialogut me Serbinë njoftuam ambasadorët për ecurinë deri te krijimi i delegacionit, qëllimin e delagacionit dhe angazhiimin në krijim e platformës , fazat e ndërtimin e platfomës, përkushtimin për të vazhduar përpjekjet për një consensus më të gjerë, angazhimet për të mbajtur një process transparent”, u shpreh Limaj.

Limaj tegoi se janë duke bërë përpjekjet e fundit për mledhjen e të gjitha materialve dhe marëveshjeve që janë diskutuar me Serbinë  dhe se kanë marë zotim edhe nga Presidenti thaci se do t’ua dorëzojë këto materiale./Zëri/

“Ndryshime të rëndësishme në menaxhimin e kufirit me Kosovën. Kontrollet e dyfishta hiqen. Policitë e të dy vendeve do të kryejnë së bashku kontrollet sipas parimit një ndalesë një kontroll”, shkruan Lleshaj, cili i referohet vendimit të Këshillit të Ministrave një ditë më parë, duke shtuar se “Qeveria miratoi dje vendimin për këtë ndryshim të rëndësishëm, që lehtëson ndjeshëm lëvizjen e lirë ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës”.

Por ky nuk është ndryshimi i fundit që do të bëhet, më tej Lleshaj, shton se “Lehtësimi i lëvizjes së lirë nuk mbaron me kaq. Së shpejti ndërmerren hapa shumë më të rëndësishëm, për të vendosur standarde plotësisht europiane në kufirin Shqipëri-Kosovë”.

Eurodeputeti gjerman, Markus Ferber ka deklaruar se korrupsioni, mos besueshmëria, moszbatueshmëria e ligjeve nga udhëheqësit kosovarë, janë duke e penguar liberalizimin e vizave.

Kurse Markus Ferber, deputet në Parlamentin Evropian, theksoi se korrupsioni, mos besueshmëria, moszbatueshmëria e ligjeve nga udhëheqësit kosovarë, janë duke e penguar liberalizimin e vizave.

Ai gjithashtu theksoi se elita politike e Kosovës është duke përdor standarde të dyfishta me popullin e tyre, duke i punësuar familjarët, kurse popullin janë duke e lënë në rrugë.

Ferber gjithashtu theksoi, se asnjëherë nuk mund të luftohet korrupsioni nga të korruptuarit.

Ai i numëroi shumë ministra të Qeverisë Haradinaj që janë të korruptuar dhe kane dosje në gjykata, megjithatë vazhdojnë të udhëheqin me vendin.

Ndërsa, Ilir Seferi potencoi se nëse është kështu, atëherë futbollistët francez do të duhej të sanksionohen, pasi që Michelle Platini është i korruptuar.

Sido që të jetë, Markus Ferber theksoi se Parlamenti Evropian është i vetmi institucion evropian, i cili zyrtarisht ka njohur Republikën e Kosovës dhe ka dhënë dritën e gjelbër për liberalizimin e vizave.

Albin Kurti, kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, përmes një postimi në facebook, ka shkruar se Serbia nuk na urren neve pse jemi shqiptarë, por urren edhe të tjerët pse nuk janë serbë.

Sipas Kurtit, Jugosllavia e Parë ishte monarki dhe u formua si platformë për Serbinë e Madhe

“”Ku është një serb, aty është Serbi” nuk paraqiste analizë faktesh por projekt hegjemonik. Andaj nisi kolonizimi i hapsirës së ish Jugosllavisë përmes popullimit me serbë dhe shpronësimit të të tjerëve. Serbia nga Kosova ka dëbuar shqiptarë për Turqi, por edhe nga Vojvodina ka dëbuar gjermanë e hungarezë. Pra, Serbia nuk na urren vetëm neve pse jemi shqiptarë, por edhe të tjerët pse nuk janë serbë”, shkruan Kurti, përcjellë “Bota sot”.

Ky është postimi i plotë:

Para një shekulli, gjashtë vjet pasi e pushtoi Kosovën, me të mbaruar Lufta e Parë Botërore, Serbia e aneksoi Vojvodinën. Jugosllavia e Parë ishte monarki dhe u formua si platformë për Serbinë e Madhe. “Ku është një serb, aty është Serbi” nuk paraqiste analizë faktesh por projekt hegjemonik. Andaj nisi kolonizimi i hapsirës së ish Jugosllavisë përmes popullimit me serbë dhe shpronësimit të të tjerëve. Serbia nga Kosova ka dëbuar shqiptarë për Turqi, por edhe nga Vojvodina ka dëbuar gjermanë e hungarezë. Pra, Serbia nuk na urren vetëm neve pse jemi shqiptarë, por edhe të tjerët pse nuk janë serbë.

Para tri dekadave, me ushtri e polici të ish Jugosllavisë, Serbia iu pat sulur Kosovës, mandej Sllovenisë, pastaj Kroacisë, pastaj Bosnje dhe Hercegovinës dhe në fund edhe njëherë Kosovës. Beogradi, si kryeqytet i Jugosllavisë, për ta krijuar Serbinë e Madhe, e shkatërroi Jugosllavinë e Dytë, meqë s’u dukej më mjaftueshëm e keqpërdorshme. “Ku është një varr serb, atje është Serbi”, bërtisnin akademikët dhe priftërinjtë serbë. Kështu, serbët duhet të vdisnin, duke vrarë e pasi të kenë vrarë kroatë, boshnjakë e shqiptarë. 160.000 joserbë u vranë, miliona njerëz u bënë refugjatë.

Pas shkatërrimit të Jugosllavisë së Dytë, Serbia vazhdoi edhe me shkatërrimin e njësive konstituive, pra republikave, veç e veç. U përpoq t’i rrënojë ato nga brenda me konstruksione juridike dhe struktura paralele të cilat republikat i shndërrojnë në shtete jofunksionale. Në Kroaci nuk i eci. Në Bosnje e instaloi Republikën Serbe. Në Kosovë po mundohet të na e kurdis ‘Zajednicën’.

Serbia edhe sot gjithqysh është e madhe. Ajo i ka brenda Vojvodinën, Sanxhakun, Luginën e Preshevës dhe Krahinën e Timokut. Pra, Serbia i ka brenda vetes Novi Sadin e Suboticën, Novi Pazarin e Pirotin, Preshevën, Medvegjën e Bujanocin. Ata Kosovën e quajnë Kosovë dhe Metohi, pikërisht pse vetë ata do të duhej të quheshin: Serbia, Vojvodina, Sanxhaku, Lugina e Preshevës dhe Krahina e Timokut.

Ne nuk jemi kundër popullit serb, ashtu siç kurrë nuk kemi qenë dhe kurrë nuk do të jemi. Nuk i barazojmë serbët me Serbinë, ashtu qysh nuk e barazojmë pjesëtarin e një populli me veprimet e një shteti