Aksidenti i rëndë në autostradën Shkup-Tetovë.Tre viktima dhe mbi 20 të lënduar
Ekipi i televizionit Alsat jozyrtarisht mëson për tre viktima si pasojë e aksidentit në autostradën Shkup- Tetovë, ndonëse bilansi mund të jetë edhe më i madh. Ndërkaq personat e lënduar po transportohen në Qendrën Klinike në Shkup dhe në Spitalin 8 shtatori në Shkup.
Rreth 20 persona të aksidentuar në autostradën Shkup-Tetovë janë transportuar deri më tani në spitalin “8 shtatori” në Shkup, njoftoi para pak çastesh televizioni Alsat.
Siç transmeton Gazeta Express, patrullat policore kanë bllokuar dhe siguruar perimetrin e aksidentit.
Zv. ministri i Brendshëm, Agim Nuhiu, si dhe ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe, janë duke shkuar në vendin e ngjarjes.
Kalimtarët e rastit dhe qytetarët të cilët gjenden në vendngjarje janë mbledhur grup dhe po mundohen që të rrokullisin autobusin, për të mundësuar tërheqjen e udhëtarëve që kanë ngelur brenda autobusit të nxirren jashtë.
Mjete të rënda janë sjellur në vendngjarje për të mundësuar që të lëvizin autobusin, kujtojmë që autobusi është rrokullisur në kilometrin e shtatë të autostradës Shkup-Tetovë.
Ekipet e ndihmës së shpejtë janë mbledhur në vendngjarje nga ku po ndihmohen nga kalimtarët e rastit dhe banorët përreth, për të nxjerrë nga autobusi udhëtarët të cilët kanë ngelur brenda, dyshohet edhe për të vdekur.
Sipas dëshmitarëve thuhet se shkak i aksidentit ishte plasja e gomës me çrast autobusi ka përfunduar në korsinë e kundërt të autostradës.