Amin për totalitarizmin
XHELAL NEZIRI
Gazetaria është të shkruash atë që dikush tjetër nuk dëshiron të shkruhet. Gjithçka tjetër është marrëdhënie me publikun. Kjo thënie e George Orëell tani është largët në Maqedoni, e paarritshme pasi çdokush që dëshiron të merret me gazetari do të thotë të merret me marrëdhënie me opinionin. Pra, t’i duartrokasë sundimtarit dhe për çdo ditë të punojë që të dëshmojë lojalitetin ndaj tij.
Të mërkurën pushteti i dha dy goditje gazetarisë në Maqedoni – mbylli televizionin A2 dhe shpalli marrëveshjen me Shoqatën e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) për dekriminalizimin e shpifjes.
Si duket, ky pushtet me performanca totalitare, ka projektuar limitet e demokracinë në vend dhe profilin e mediave dhe çdokush që del jashta këtyre kornizave ballafaqohet me gijotinën e sistemit.
Mbyllja e A2-shit kaloi pa shumë zhurmë pasi më nuk përbën lajm. Vitin e kaluar të njëjtin fat e kishin tre media tjera, që kishin qasje opozitare apo që refuzonin të ishin mjete të pushtetit për marrëdhënie me publikun dhe shkruanin atë që nuk e dëshironin qeveritarët. Fillimi i funksionimit të këtij televizioni me teknologji të limituar por me një koncept të hapur dhe me debate të përditshme sërish ngujoi shikuesit para ekraneve televizive. Problemi ishte se këto debate nuk janë në skemën e “demokracisë” së projektuar të sundimtarit. Ishin të hapura, të drejtpërdrejta, interesante që do të thotë nuk ishin të kontrolluara nga pushteti. Një ndër arsyet e mbylljes, ashtu siç kuptova nga mediet, ishte fakti se këto emisione nuk kanë startuar me aminin e drejtorit falimentues. Pra ky drejtues i televizionin i deleguar nga sistemi ka vlerësuar se nuk duhet të ketë debate mbi temat e nxehta nga të cilat varët edhe ardhmëria e qytetarëve. Pastaj, Këshilli Radiodifuziv ka bërë matjen me sekonda të skemës programore të këtij televizioni dhe paska konstatuar se ka lëvizur disa sekonda nga koncesioni që ka dhe paska reprizuar emisionet më shumë herë sesa është e nevojshme. Kjo i bie të kërkosh qime në vezë dhe ta gjesh atë. Ky akt është një paralajmërim për të gjitha televizionet tjera që promovojnë debatin, fjalën e lirë dhe lirinë e shprehjes si shtylla të demokracisë. është një sinjal se mund të përballen me gijotinën e sistemit nëse dalin jashta kornizave të demokracisë së projektuar nga sistemi. Mbyllja e televizioneve tani më është çeshtje e 11 votave pro në Këshillin Radiodifuziv.
Në të njëtën ditë qeveria dhe SHGM-ja shpallën marrëveshjen për dekriminalizimin e shpifjes. Nëse shifet lartësia e gjobave për shpifje, nga njëra anë, dhe rrogat e gazetarëve, kryeredaktorëve apo edhe kapaciteti financiar i vetë mediave, nga ana tjetër, atëherë kjo marrëveshje është një vetëvrasje për profesionin. Një vetvrasje e firmosur nga SHGM-ja, e cila është e obliguar të mbrojë interesin e gazetarëve e jo të qeveritarëve. E them këtë për tre arsye: e para, sistemi gjyqësor i vendit është cak i kritikave të institucioneve ndërkombëtare për politizim të skajshëm dhe moszbatimin e drejtësisë. E dyta, nocionet e shpifjes dhe ofendimit janë nocione të gjera kurse konstatimi i tyre varet nga profesionaliteti i gjykatësit apo pavarësia e tij e mjaftueshme nga politika. Dhe e treta, paditë veçmë janë shndërruar në një mjet deri diku efikas për presion ndaj gazetarëve pikërisht nga ana e politikanëve dhe të gazetarëve-megafonë të tyre. Pranimi i kësaj marrëveshje dhe shpallja e kontratës pikërisht në ditën e mbylljes së televizionit A2 të jep bazë të fuqishme dyshimi se SHGM, njëjtë si Këshilli Radiodifuziv, është bërë mashë e pushtetit për vendosjen e totalitarizmit në ambientin medial në Maqedoni.
Rregullimi i hapësirës mediale dhe saknskionimi i shipfjes dhe ofendimit janë çështje që duhet zgjidhur me qëllim të krijimit të një ambienti të pastër në sferën e informimit të drejtë dhe objektiv. Por, mendoj se kjo gjë nuk është prioritare për gazetarët. Në dialogun me qeverinë si pika të para të platformës së negociatave është dashur të jetë rregullimi i mekanizmit të shpërndarjes së reklamave të institucioneve shtetërore, të cilat paguhen me paratë tona si taksapagues. Pra, konkurset dhe shaplljet të botohen dhe emitohen në bazë të shikueshmërisë apo lexueshmërisë e jo sipas shkallës së lojalitetit të tyre ndaj pushtetit. Duke pasur parasysh faktin se mediat në Maqedoni funksionojnë të ndara në dy sfera gjuhësore, duhet të instalohet principi i ndarjes së drejtë të kulaçit reklamues të institucioneve, me ç’rast 25 për qind të atyre mjeteve do të dedikoheshin për mediat në gjuhën shqipe, ku njëlloj do të shpërndaheshin në bazë të kriterit të tirazhit apo shikueshmërisë. Një çështje tjetër që kërkon zgjidhje të menjëhershme është vënia në funksion e Ligjit për qasje të lirë në informacione, i miratuar në vitin 2005. Ky ligj që implementohet me sukses në të gjitha vendet demokratike, është një mjet kyç për gazetarinë hulumtuese, por për fat të keq nuk implementohet në Maqedoni. Nëse dikush hamendet në këtë që po e them, atëherë le të kërkojë dokumente duke shfrytrëzuar dispozitat e këtij ligji për koston e projektit “Shkupi 2014”. Apo, për rrogat që marrin drejtorët e ndërmarjeve publike, shpenzimet mujore të funksionarëve shtetëror për reprezentacion, për furnizime publike, për ndarjen e granteve apo subvencioneve qeveritare…Derisa ky Ligj nuk implementohet në përpikmëri gazetarët do të ballafaqohen me mungesë të informacioneve të dokumentuara, të cilat shpesh mund të vlerësohen si shpifje nga ana e gjykatësve. Dhe, do të duhet të paguajnë gjobë prej 2 mijë eurove ndërkohë që rroga e tyre mesatare është vetëm 300 euro. Andaj, s’ka mbetur rrugë tjetër përpos t’i thuash amin totalitarizmit.