Osmani: Pranuam me vullnet nismën e Lobit shqiptaro – amerikan

“Dëshiroj të sqaroj se ne pranuam me vullnet iniciativën e Lobit shqiptaro-amerikan dhe të disa asociacioneve të tjera shqiptare në SHBA, të cilët janë të brengosur për degradimin dhe rrënimin institucional dhe politik të pozitës së shqiptarëve, të cilët janë të brengosur për devalvimin e politikës që përfaqësojnë shqiptarët dhe të cilët e përsëritën një ide që e dhanë edhe gjatë zgjedhjeve të kaluara”, theksoi mes tjerash prof.Dr.Rufi Osmani në paraqitjen e tij në Strugë, në Kuvendin zgjedhor të RDK-së, Dega në Strugë.

Ai në vazhdim elaboroi nga e kaluara jo e largët që pasi kishte dështuar një iniciativë e mëhershme për formimin e një blloku politik shqiptar, për arsye dhe argumente banale politike,  Rufi Osmani shtoi:  “atëherë ne duhet ta forcojmë këtë trung politik shqiptar, duke ofruar  rreth vetes partitë që ndoshta kanë më pak përkrahje politike, por nuk është me rëndësi se kush sa ka përkrahje politike. Ka shumë rëndësi që ne të racionalizojmë numrin e subjekteve politike që garojnë në skenën politike, që të fuqizojmë radhët tona e të jemi një opsion politik, që ka gjasa reale që në zgjedhjet e radhës të jetë faktori vendimmarrës në politikbërje në kuptim të zgjedhjeve në veçanti në Strugë, Kumanovë, Shkup, Dibër në Tetovë etj, që në fazën e parë do ta ketë bazën në bashkëpunimin parimor, potencialin kadrovik etj etj, që do të përcaktojë edhe platformën e veprimit, duke krijuar edhe listat e kandidatëve për këshilltar dhe kryetar të komunave”.

Duke vazhduar në këtë kontekst, Rufi Osmani shtoi se është i bindur se edhe partnerët tjerë politik shqiptar, janë pot ë njëjtit mendim duke thënë: “Edhe partnerët tjerë kanë një disponim të pa-sherr dhe të sinqertë, sepse edhe dy kolegët tjerë që udhëheqin dy parti tjera alternative, Demokracinë e Re dhe Bashkimin Demokratik Shqiptar, janë kolegë të prof.Shpëtim Pollozhanit (ish të burgosur e të persekutuar politik), kështu që në politikë nuk janë për të bërë karierë politike por  për ti dhënë shtytje përpara çështjes politike shqiptare”.

Para se të marrë fjalë prof.Dr.Rufi Osmani, përderisa organet punuese të Kuvendit të RDK-së bënë verifikimin e të pranishmëve dhe veprimet tjera, tëp ran ishmëve iu drejtua deputeti prof.Dr. Izet Zeqiri, i cili foli për aktivitetin parlamentar, duke dhënë shumë shembuj të heshtjes gjatë sjelljes së ligjeve diskriminuese për shqiptarët. “Parlamenti ka mbajtur 35 seanca, në të cilat janë sjellë mbi 2.000 ligje, ku interesi shqiptar ka qënë nën nivel të duhur, dhe janë sjellë shumë ligje diskriminuese me përjashtim të disa ligjeve gjysmake për shqiptarët. Kjo ndodhë sepse shqiptarët nuk kanë kurrfar qasje në hartimin dhe përpilimin e këtyre ligjeve diskriminuese dhe shqiptarët heshtin në Parlament”.

Në vazhdim Izet Zeqiri shtoi se vetë buxheti është diskriminues dhe është gjenerator i diskriminimit të shqiptarëve. RDK-ja ka mbështet Ligjin për të burgosurit dhe të persekutuarit politik, me shpresë se do të rehabilitohen personat në fjalë, por kjo nuk ndodhi, sepse mazhoranca heshti. Po ashtu, RDK-ja ka dhënë dhe jep mbështetje Ligjit për lustrim, duke kërkuar edhe raporte dhe hollësi lidhur me dosjet që ndodhen në arkivat tjera të ish Jugosllavisë.

Kur është fjala te buxheti, në këtë Kuvend u tha se gjatë rebalancit të buxhetit të RM-së, ku reduktohen projekte të ndryshme, por nuk reduktohen mjetet për ate që quhet “varri fiskal”- projekti “Shkupi 2014” për të cilin harxhohen 400 milion euro. Nga ana tjetër, u redukohen mjetet buxhetore shkollave dhe ato nuk kanë mundësi të funksionimit normal-u than ë këtë Kuvend zgjedhor të RDK-së.

Pasi u bë verifikimi i numrit të pranishëm të kuvendarëve, ku ishin 62 nga 75 sa numëron Kuvendi, u zgjodh me aklamacion Kryesia e Degës së RDK-së, prej 21 anëtarëve, ndërsa për kryetar të Degës së RDK-së u zgjodh avokati, Ardian Demiri, i cili  iu drejtua të pranishmëve me një fjalë rasti.

Në fillim të punimeve të këtij Kuvendi zgjedhor, me një minutë heshtje, u nderua Riza Istrefi, një nga aktivistët nismëtar të Degës së kësaj Partie në Strugë dhe bartës i listës në zgjedhjet e fundit parlamentare, i cili ndërroi jetë para disa kohësh.