Presidenti, sot takohen Berisha dhe Rama
TIRANE – Kryeministri, njëherësh dhe lider i Partisë Demokratike, Sali Berisha do të takohet të sot në orën 20.30 më Kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama në në ambjentet e kryesisë së Kuvendit.
Burime nga selia blu konfirmojnë se, Berisha e Rama do ta zhvillojnë takimin e kërkuar, mbrëmjen e nesërme, të shoqëruar nga kryetarët respektivë të grupeve parlamentare, përkatësisht Astri Patozi dhe Gramoz Ruçi.
“Kemi marrë ftesën për takim dhe kemi pranuar. Ndoshta është vonë, por më mirë vonë se kurrë”, konfirmoi me pas kryetari i PS, Edi Rama ne nje interviste sot pasdite per TV Top Channel.
Ulja në tryezën e bisedimeve është vënë si kusht nga kreu i PS-së Edi Rama, në të kundërt ka paralajmëruar se nuk do të japë konsensusin për zgjedhjen e Presidentit të ri. Nga ana e tij, Kryeministri Berisha ka shprehur gatishmërinë që të ulet për bisedime me kreun e selisë rozë, por duke mos pranuar kushte dhe pazare në tavolinë, në kërkim të një procesi që do të sjellë rezultat.
Bashkë me këtë kusht, Rama renditi edhe tre të tjera që kanë të bëjnë me reformat, ndërkohë që vazhdoi të këmbëngulë në takimin në nivel kryetarësh.
Por ai që apeloi më tepër për një takim të mundshëm mes dy drejtuesve të pozitës dhe opozitës, ishte kreu i LSI-së Ilir Meta. Kreu i LSI-së e quan të domosdoshëm një takim mes Kryeministrit Sali Berisha dhe kreut të opozitës Edi Rama. Sipas tij Presidenti i ri i Republikës mund të zgjidhet në raundin e dytë, vetëm nëse takohen dy liderët kryesorë të politikës për të negociuar. “Kam kërkuar të zhvillohen takime të niveleve të larta dhe kam apeluar për takim Rama-Berisha në mënyrë që paragjykimet që burojnë nga distanca të shkrihen e të ecët në rrugë të mirë një zgjedhje dinjitoze e Presidentit të ri dhe mbyllje e reformave. Një takim midis Kryeministrit Berisha dhe kryetarit të PS zotit Rama do të ndihmonte përshpejtimin e këtij procesi”, – theksoi z.Meta.
Gjithsesi të dielën pritet takimi mes Berishës dhe Ramës. Ndërsa raundi i dytë i votimit për presidentin është përcaktuar të hënën, rezultatet e takimit mes Berishës dhe Ramës do të konfirmojnë nëse në këtë votim do të shkohet zyrtarisht me një kandidat apo jo.
Nga ana e tjetër, kandidati i vetëshpallur për postin e Presidentit,ish-kryeministri socialist Fatos Nano ka zhvilluar sot takime intensive në zyrën e tij me ish-deputetë, ish-drejtues qendrore dhe lokalë të PS-së, si edhe me drejtues e aktivistë të shoqërise civile dhe të rinj e të reja, ku ka shpjeguar se vetëofrimi i tij më së shumti ka synuar te pikëtakohet me PS-në dhe kandidimi i tij të niset dhe mbështetet nga PS edhe pse Fatos Nano ka qënë për 15 vjet Kryetar i PS-së.
Ndër të tjera është diskutuar edhe për mundësine e moskandidimit të Fatos Nanos per shkak të mosmbështetjes nga Edi Rama. Në një rast të tillë, nëse Rama nuk e mbështet Nanon në kandidimin për President, u përcaktua gatishmëria për fillimin e përgatitjeve për një levizje të re politike përfaqësuese dhe gjithëpërfshirëse për të gjithe ata qe duan ti dalin për zot fateve të Shqiperise dhe që e duan Shqipërine Europiane.
Nga ana tjetër Xhezair Zaganjori, kandidati i pa zyrtarizuar i dalë nga tryeza e mazhorancës, ishte dje në selinë e Partisë Socialiste, në një iniciativë që sipas tij e ka ndërmarrë vetë për të njohur krerët e partive parlamentare me platformën e tij për drejtimin e shtetit