Bexheti nuk ndëshkoi sot gardianët, të cilët maltretuan të paraburgosurit
Ndonëse ishte paralajmëruar as sot nuk u morën masa ndaj personave përgjegjës për keqtrajtimin e dy të paraburgosurve që po mbahen në burgun e Manastirit për rastin e vrasjes së pesëfishtë në Smillovcë. Ministri i Drejtësisë, Blerim Bexheti ka vizituar sot burgun e Manastirit për të inspektuar nga afër gjendjen lidhur me këtë rast dhe në një prononcim për Alsat M tha se ka urdhëruar drejtorinë që hetoj rastin dhe të veproj në përputhje me dispozitat ligjore.“I dhashë urdhër drejtorit që edhe njëherë në formë të të gjitha procedurave të parapara me ligj që të krijon hulumtimin brenda ditës së sotme dhe pas asaj që biseduam dhe konstatuam, me siguri se shumë shpejtë do të njoftojmë opinionin edhe për përgjegjësinë që do të bartin të gjithë personat që kanë bërë maltretime duke dhënë kështu edhe njëherë porosinë e fuqishme deri tek opinioni se institucionet nuk do të lejojnë që të shkilen liritë dhe të drejtat e njeriut, qoftë edhe të paraburgosurve, të burgosurve dhe kështu me rradhë. Mbetet vetëm të përcaktojmë se deri në cilin nivel do të jetë përgjegjësia”, tha Blerim Bexheti, Ministër i Drejtësisë. Lidhur me rastin e keqtrajtimit të të paraburgosurve Alsat mëson se dje kanë diskutuar edhe delegacionet e BDI-së dhe VMRO-DPMNE-së, lidhur me masat dhe personat që mund të ndëshkohen. Por, si duket përgjegjësi nuk do të bartë edhe drejtori i këtij institucioni ndëshkimor. Ndryshe nga Ministria e Drejtësisë, zyra e Avokatit të Popullit veçmë ka paraqitur denoncim penal për 4 të punësuar në burgun e Manastirit, për dyshime të bazuara të kryerjes së veprës penale keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës dhe e njëjta i është dorëzuar prokurorisë së Manastirit. Lajmi i keqtrajtimit të të paraburgosurve u denoncua nga familjet e tyre ndërsa pas vizitës që bëri në burgun e Manastirit kjo u konfirmua edhe nga Avokati i Popullit i cili në një intervistë për Alsat M tha se posedon fotografi mbi keqtrajtimin e tyre në hapësirat e burgut. Valmir Kuçi