Demiri: 'Institucionet para sfidës
Analisti politik Alajdin Demiri vlerëson se Ministria e Brendshme, Prokuroria dhe Gjyqësori ndodhen para një sprove të rëndë, se si të dëshmojnë fajësinë për ‘radikalizëm islam’ ndaj personave të arrestuar për vrasjen e pesëfishtë në Smillkovcë. Analisti Gjyner Ismail tha se gjithë situata me ‘radikalizmin islam’ ishte bërë dhe prezantuar qëllimisht nga ministrja e Brendshme Gordana Jankullovska. “Se si do të del situata është vështirë të parashihet, por tash do të jenë sprova të rënda, MPB-ja ta dëshmojë fajësinë, prokuroria ta dëshmoje fajësinë, Gjykata ta dëshmoje fajësinë se me një fakt kjo situatë doli jashtë skenarëve të parapara dhe jashtë atyre mundësive të kontrollit dhe tash do të bëhet situata e pa kontrolluar që as Ali Ahmeti me partinë e vet as VMRO-ja me partinë e vet nuk do të mundin për arsye se mori atë pjesën e ndërkombëtarizimit, rritjes së problemit, për arsye se VMRO-ja vet e rriti problemin se e kërkoi që të bëhet partnere në luftën kundër radikalizmit islam”, tha analisti politik Alajdin Demiri.“Ministrja patjetër duhet ta dijë se çka është radikalizmi islam. Ajo nuk duhet të dijë çka janë metodat e policisë dhe askush nuk pret një gjë të tillë. Por t’i thuash ato fjalë, në një konferencë për shtyp, në tekst të lexuar, ajo tregon një qëllim”, tha Gjyner Ismail, analist politik. Duke komentuar protestat e shqiptarëve dhe maqedonasve javën e kaluar, Demiri dhe Ismail thanë se ato vijnë si pasojë e pakënaqësisë së qytetarëve dhe humbjes së durimit. “Këtë protesta, për herë të parë kemi situatë që selia e BDI-së dhe Komuna e BDI-së të sulmohen, e tash ato do të kërkojnë armiq, ato janë të njëjtit njerëz që dje luftuan për ta, që dje i votuan që ndoshta janë dhe anëtarë mirëpo i mashtruan si ish luftëtarët që nuk u gjetën as pensione, s’di çka u premtuan asgjë nuk u bënë”, tha analisti politik Alajdin Demiri. “Po të isha në vendin e partisë BDI-së, do të isha menduar thellë. Simbolika e gjuajtjes me gurë ndaj Komunës së Çairit dhe selisë së partisë në Reçicë flet për kreditin e harxhuar politik. Gjegjësisht është krediti politik me të cilin BDI dispononte dhe fitonte zgjedhjet”, tha analisti Gjyner Ismail. Duke folur për zhvillimet pas samitit të NATO-s, Ismail tha se pas samitit gjithçka është në duart e Ahmetit, ndërsa Demiri kundërshton tezën e Ismail. “Pas Çikagos, çelësi i storjes së Maqedonisë nuk do të jetë as në duart e Gruevskit e as në duart e Cërvenkovskit, por çelësi do të jetë, figurativisht të them në duart e Ali Ahmetit. Partneri në Qeveri, dhe realisht partia më e madhe e shqiptarëve në Maqedoni”, u shpreh Ismail. “Më duhet të reagoj se shumë e hiperbolizon këtë situatë, se ata njerëz nuk e meritojnë, ajo parti nuk e meriton. Konceptualisht do të duhej të ishte kështu, por definitivisht në fund doli se ajo është një parti e cila është e krijuar prej një grupi të azilantëve dhe një grupi të mashtruesve. Pse? E mashtruan situatën me luftën, tash tentojnë të mashtrojnë me anëtarësim në NATO”, tha analisti politik Alajdin Demiri. Analistët u shprehën të ndarë në mendime edhe rreth opozitës maqedonase dhe asaj shqiptare dhe paralajmërimeve të Cërvenkovskit për protesta në disa qytete të Maqedonisë. Alajdin Demiri vlerëson se opozita në vend është peng e Branko Cërvenkovskit dhe Menduh Thaçit. Sipas tij LSDM-ja përsëri do të përdorë kartën e njëjtë kundër shqiptarëve. Megjithatë Demiri dhe Ismail vlerësojnë se vjeshta në Maqedoni do të sjell zgjedhje të parakohshme parlamentare. Shkëlzen Aqifi