Veprimet e sinkronizuara dhe humbja e relevancës politike
SALAJDIN SALIHU
Politika e dominimit kombëtar, kulturor, gjuhësor, religjioz, e projektuar dhe e zbatuar nga VMRO-DPMNE, e ka shndërruar Maqedoninë në shtet kontradiktash të skajshme, që janë shkaktare situatash të tensionuara. Gjendja e krijuar është reflektim edhe i paaftësisë së partisë shqiptare në pushtet për të penguar projektin etnocentrist maqedonas kundrejt interesave shqiptare. Kjo paaftësi ka shkaktuar ndjenjën e mosbesimit të qytetarëve shqiptarë kundrejt përfaqësuesve politik, të cilët, me veprimet e tyre, sillen brenda skemave të programuara politike maqedonase. Elitat politike maqedonase veprojnë brenda skemës së politikës serbe. Ka një sinkron të theksuar ndërmjet politikës së Beogradit dhe Shkupit kundrejt shqiptarëve. Së fundmi ajo është orientuar në shfytyrimin e imazhit të shqiptarëve në sytë e faktorit ndërkombëtar. Synimi kryesor është përfitimi strategjik e politik me anë të kësaj propagande dhe dobësimi i shqiptarëve në rajon.
Propaganda serbe vazhdimisht ka synuar t’i paraqesë shqiptarët si “element të rrezikshëm” kundrejt Evropës. Kjo propagandë, në mënyrë më të sofistikuar, tani bëhet nëpërmjet zgjatimeve në Maqedoni. Goditja e një vlere shqiptare, siç është toleranca ndaj diversitetit fetar, tentohet që të bëhet nëpërmjet e-mailave adresuar mediave prestigjioze evropiane, me përkthim në disa gjuhë dhe nëpërmjet përfaqësuesve të politikës.
Propaganda e këtillë kundër shqiptarëve ka qenë e përhershme. Millosheviqi e filloi politikën e gjenocidit dhe krimeve serike kundër shqiptarëve dhe popujve të tjerë, me kremtimin e 600 vjetorit të Betejës së Kosovës. Duke i krijuar ndjenjën e viktimës, e homogjenizoi popullin serb. Kur një popull beson se është i viktimizuar, atëherë e humb ndjenjën për realitetin. Futet në dimensionin e mitit dhe manipulohet më lehtë. Një metodë që tani ndiqet nga Gruevski nëpërmjet procesit të antikizimit dhe krijimit të një atmosfere të përgjithshme se maqedonasit janë të rrethuar me armiq – të jashtëm dhe të brendshëm.
Së dyti, Millosheviqi tentoi që të bindte Evropën se ishte shpëtimtari i cili e mbronte kundrejt “rrezikut islam”. Nëpërmjet “retorikës së shpërdorimit”, përgatiti terrenin për zbatimin e projektit të tij gjenocidal. Vuk Drashkoviqi, më pas, propozoi dy sisteme qeverisje në Kosovë: demokratik për serbët dhe me kondita fetare për shqiptarët! Kjo propagandë vazhdon të shumëfishohet nga qarqet diplomatike serbe dhe maqedonase. Qëllimi kryesor është që shqiptarët (siç thotë Çabej, janë populli më perëndimor se sa gjithë popujt tjerë të Ballkanit), të paraqiten si kundërshtues të vlerave të qytetërimit evropian…
Pushteti maqedonas vazhdimisht ka luajtur me ndjenjat e shqiptarëve, duke krijuar situata të tendosura, njëkohësisht ka tentuar t’i mbajë nën kontroll dhe ka dashur t’i shfrytëzojë për qëllime të tij. Një praktikë që është zbatuar edhe nga pushtetet paraprake. Veprimet e këtilla kanë synuar që të humbnin relevancën e politikës shqiptare. Në fakt kështu ka ndodhur. Si pasojë, në një periudhë kohe, shqiptarët e Maqedonisë pothuajse humbën interesimin për gjithçka ndodhte në shoqëri. Por pas çdo indiference vjen trazimi. Mosbesim i shqiptarëve ndaj përfaqësuesve të tyre po shkon drejt kulmit, por ndryshimi është se tani ata nuk janë mosnjanës. Kjo paraqet uverturën e një situate të rrezikshme dhe me të panjohura. Kur qytetarët humbin besimin te përfaqësuesit e tyre, atëherë humbet kontrolli mbi situatën, e cila mund edhe të keqpërdoret nga shumëkush.
Kritikat që kam adresuar kundër partnerit shqiptar të koalicionit, në asnjë rast, nuk kanë qenë qëllimkëqija, por me motivin që të forcohej dhe të mos ishte vetëm dekor në qeverisje. Dobësimi i pozitave të BDI-së, në këto rrethana, çoi në rritje të këtij mosbesimi, që po shkakton çekuilibrime shoqërore.
Pavarësisht sinjaleve të vazhdueshme, partia shqiptare në pushtet jo që nuk ka arriti të pengojë veprimet etnocentriste të politikës maqedonase, por në vazhdimësi ka përligjur veprimet e saj, duke bërë avokatin. Politika nuk është art i së mundshmes, por përllogaritje matematikore. Edhe gjërat e rastësishme projektohen për të qenë të këtilla. Veprimet e vonuara në politikë janë pa impakt te masat.
Për të dalë nga kjo situatë e rënduar duhen veprime të shpejta dhe të guximshme politike. Duhet konsolidim radhësh brenda korpusit politik shqiptar, me qëllim që proceset të mos degjenerojnë tërësisht dhe të shkojnë në drejtim të frikshëm. Çdo vonesë është e kushtueshme. Jam i bindur se ndaj këtij konstatimi ka shumë kundërshtime në këtë kohë nervoze të justifikueshme. Megjithatë, artikulimi dhe realizimi i kërkesave bëhet brenda sferës politike. Konsolidimi duhet bërë për të riparuar defektet e deritanishme dhe jo për të realizuar mashtrimin e radhës, siç ka ndodhur shpesh. Sado t’i fshehësh problemet, sërish shfaqen. Sa më shumë vonon evitimi i tyre, aq më shumë shtresëzohen, bëhen më të pazgjidhshme dhe më të rrezikshme. Ende ka shpresë, por nuk është herët për të filluar zgjidhja e tyre.