Vrasës ose viktima
XHELAL NEZIRI
Dy muaj pas sulmeve terroriste në SHBA në vitin 2001, policia e Maqedonisë kishte hartuar një plan se si t’i vardisej NATO-s dhe SHBA-ve pas një periudhe të përkeqësimit të marrëdhënieve midis qeverisë së asaj kohe me këto struktura. Konflikti kishte mbaruar kurse zgjedhjet po afroheshin, andaj asaj partie qeverisëse i nevojitej një legjitimim dhe miqësi amerikane me shpresë për të fituar sërish pushtetin. Strukturat e asaj partie, pra VMRO-DPMNE-së, të instaluar në aparatin e sigurisë kishin projektuar një aksion monstruoz për të “dëshmuar” përkushtimin e Maqedonisë në luftën kundër terrorizmit global. Në dorë kishin pesë pakistanezët Muhammed Riaz, Omar Farooq, Syed Bilal, Hussein Shah, Asif Javed dhe Khalid Iqbal, si dhe një shtetas të Indisë, të cilët i kishin kapur gjatë tentimit të tyre të mundimshëm për të gjetur një jetë më të mirë në ndonjë nga shtetet e zhvilluara të Bashkimit Evropian. Nga Dellçeva, ku emigrantët mbaheshin të mbyllur, u dërguan në vendin Vreshtat e Rashtakut në afërsi të Shkupit ku u ekzekutuan mizorisht. U montuan armë zjarri, i maksuan si terroristë dhe që këtu spektakli medial filloi. Mirëpo, në zgjedhjet e vitit 2002, partia që inskenoi luftën donkishotiane kundër terrorizmit e humbi pushtetin dhe garnitura e re qeverisëse hapi rrugë dhe krijoi kushte për hetimin e rastit. U vërtetua se emigrantët nuk kanë qenë terroristë që kanë planifikuar të sulmojnë Maqedoninë, por se kanë qenë viktima të një komploti monstruoz nga qeveria e mëparshme. Ndaj familjarëve të viktimave nga Pakistani dhe India shteti pagoi dëmshpërblim dhe me këtë rasti u mbyll. Por, turpi i institucioneve të Shkupit mbeti kurse kredibiliteti ndaj tyre u zbeh në maksimum.
Në vitin 2003, në afërsi të Kumanovës, tragjikisht humbën jetën dy ushtarë të NATO-s, makina e të cilëve shkeli në një bombë të vendosur në rrugën nëpër të cilën ishin duke lëvizur. Rasti ishte tejet misterioz, me pak gjurmë që çonin deri te autorët e aktit kriminel, gjë që hutoi organet e sigurisë në Shkup. Të gjetur para testit për të dëshmuar efikasitetin institucional, sidomos për shkak të faktit se bëhej fjalë për ushtarë të NATO-s, sigurimsat e drejtuar nga LSDM-ja e atëhershme qeverisëse erdhën në përfundim se autorë të veprës janë 11 shqiptarë kryesisht nga fshati Sopot i Kumanovës. Këtyre pretendimeve hëpërhë thuajse u besuan edhe ndërkombëtarët. Shtatë vite më vonë, pra në vitin 2010, ish-funksionarë të NATO-s në Maqedoni dolën me qëndrimin se autorë të krimit nuk janë njerëzit që mbahen në burg. Rinisi procesi gjyqësor ndaj të burgosurve dhe, pas shumë taktizimeve, ata u lanë në liri. Asnjëri nuk ka kërkuar dëmshpërblim nga shteti për shtatë vitet e humbura të jetës. Megjithatë, edhe në këtë rast institucionet e sigurisë ranë nga provimi, bashkë me pushtetin ekzekutiv dhe atë gjyqësor.
Në prill të këtij viti në vendin e quajtur Liqeni i Smilkovcës, që gjendet në afërsi të qarkores së Shkupit, u ekzekutuan mizorisht pesë të rinj maqedonas. Ata nuk kishin dosje kriminele, nuk kishin armiqësi apo lidhshmëri me nëntokën e vendit, po thjeshtë kishin patur fatin e keq të jenë viktima të përplasjeve midis strukturave ende të pa definuara qartë. Policia arrestoi 20 persona, midis të cilëve gra dhe pleq, të cilët u etiketuan si vrasës pa mos mbaruar hetimi, pa mos konfirmuar gjykata. Fotografitë e tyre u publikuan pa cenzurë në gazetat proqeveritare me ç’rast ata u vulosën si vrasës pa mos patur rastin të dalin para gjykatës.
Arrestimi i tyre nga institucionet sigurisë, që tani më kanë humbur kredibilitetin si brenda ashtu edhe jashtë vendit, kanë ngjallur dyshimet nëse bëhet fjalë për një inskenim të radhës për të mbuluar paaftësinë e funksionimit të këtyre institucioneve.
Ky rast ka ngjashmëri me dy skandalet e mëhershme. Dyshimi i parë është se bëhet fjalë për një skenar të njëjtë si në rastin “Vreshtat e Rashtakut” për t’ju vardisur NATO-s dhe SHBA-ve kinse lufton terrorizmin islamik. Pra, dyshimi ka të bëjë me afrimin e Samitit të NATO-s në Çikago, i paralajmëruar të fillojë më 20 maj, ku tentohet që Maqedonia të futet nën ombrellën e sigurisë së kësaj aleance pa mos përmbushur kushtin kryesor – zgjidhjen e çështjes së emrit.
Dyshimi i dytë është gjetja e viktimave për të mbyllur rastin, njëlloj si me Sopitin, me qëllim të hiqet qafe presioni nga opinioni i gjerë, apo edhe të amnistohen vrasësit e vërtetë zbulimi i të cilëve do t’i kushtonte shumë Maqedonisë. Apo, mbase bëhet fjalë për një pjesë të një skenari më afatgjatë për destabilizimin e vendit me qëllim të ndarjes, qoftë edhe me kufij të brendshëm federalë.
Nëse gazetarët dhe opinioni dyshojnë atëherë ky dyshim nuk duhet kuptuar si obstruksion i hetimit por si tentim për gjetjen e vrasësve dhe dënimin maksimal të tyre, kushdo qofshin ato, të cilësdo bashkësi etnike apo fetare. Fajësia apo pafajësia e të akuzuarve duhet të dëshmohet nëpërmjet një procesi gjyqësor korrekt, të drejtë, pa emocione dhe transparent. Deri në sjelljen e vendimit nga ana e gjykatës nevojitet respektimi i asaj që quhet prezumpcion i pafajësisë, apo çdonjëri i akuzuar është i pafajshëm deri në momentin kur të dëshmohet fajsia e tij. Me qëllim që të evitohet edhe një kurth i radhës nga ana e institucioneve kompetente, ky proces gjyqësor nevojitet të survejohet me syçelësinë më të madhe nga ana e misioneve ndërkombëtare. Nuk duhet të lejohet që të dënohen njerëz të pafajshëm përderisa vrasësit e vërtetë të shëtitin lirshëm nëpër lagjet tona. Praktika e mbylljes së këtyre rasteve enigmatike me arrestimin dhe viktimizimin e njerëzve të pafajshëm duhet të ndërpritet menjëherë dhe tani.