Libraria e Çarshisë së Shkupit margaritar për lexuesin shqiptar
ARSIM SINANI
Nëse Rilindësit tanë arritën që përpjekjet e tyre ti kurorëzojnë me përpilimin e abetares në qytetin e Manastirit që me të drejtë lipset të jetë qytetet i pelegrinazhit. Nëse jo për shumë kë, të paktën të jetë për inteligjencën tonë si simbol i përpjekjeve për unifikimin dhe si vend ku lindi gjuha moderne shqiptare. Shikuar nga distanca e sotme atëherë del se sot Libraria e çarshisë është garant jo vetëm për ekzistencën e gjuhës shqipe dhe kontinuitetit kombëtar por refleksion i mendjeve të ndritura që në vend se të investojnë paranë në diçka profitabile parapëlqejnë që të investojnë në sektorin e librit, aty ku ne më së shumti çalojmë. Dhe pikërisht në përvjetorin numër 100 të shtetndërtimit të Shqipërisë vjen në zemër të Shkupit në Çarshinë e vjetër të këtij qyteti projekti simbolik e modest “Libraria e Çarshisë”, si një prodhim multidimensional i mendjes shqiptare. Dilemat se çka është Libraria e Çarshisë besoj se lehtë i deshifrojnë ata që e kuptojnë kodin e librit, kodin e ngritjes kulturore e shpirtërore të një kombi, si këtu në Shkup e gjetiu kemi shumë nevojë sot për vlerën e librit dhe mesazhin e librit. Nëse dje kishim nevojë të mësonim këndim e lexim, sot kemi nevojë për libra cilësorë të cilat do të na garantojnë të ardhme, prosperitet, mirëqenie dhe vizion mbi të ardhmen tonë.
Do parashtroj një parantezë që të them disa mendime të miat mbi atë që unë e quaj me të drejtë: Qendra kulturore shqiptare-Libraria e Çarshisë së Shkupit. Pse lindi Libraria e Çarshisë dhe cili është vizioni i këtij projekti multidimensional ?; Në përpjekje për të sjellë diçka që është mëse e nevojshme dhe e domosdoshme për shoqërinë shqiptare në Republikën e Maqedonisë, një mendim intelektual shqiptar që mendon hapur e qartë si ky nëpërmjet këtij projekti, që ka vizion e ide, ideoi dhe promovoi në Shkup projektin e Librarisë si një përpjekje për krijimin e një vendi ku do bëhen aktivitetet e librit. Por jo vetëm kaq Libraria e Çarshisë ka për synim që në këtë vend të grumbullojë elitën e penave shqiptare si nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Diaspora dhe krijues e intelektualë edhe të kombeve të tjera duke sjellë gjithnjë vlerën si kuptim i asaj që sot shkruhet në hapësirat shqiptare dhe përtej saj. Jo thjeshtë Libraria e Çarshisë do të jetë një vend ku do të shitet libri, por projekti ka për synim të kalojë pragun e një librarie të thjeshtë sepse brenda vetes ka promocionin e librit, debatin e librit, sjelljen e autorëve eminent shqiptarë e tjerë, promovimin e librit për fëmijë si një domen shumë i rëndësishëm për edukimin e brezit të ri. Libraria e çarshisë është vendi ku do ekspozohet piktura dhe do jetë një galeri e vogël por elitare, ku të rinjtë do kenë mundësi të dëgjojnë fjalën e bukur dhe të çiltër shqipe nga Tirana e Prishtina, nga Ulqini e Vlora, Presheva e Mitrovica . Do të thotë dikush vetëm kaq, jo, Libraria do ketë me vete edhe teatrin e kukullave, performancën artistike, projeksionin filmik elitar dhe gjithçka që ka të bëjë me artin dhe kulturën ndërsa ambientet ku pihet kafja është një shkas më shumë për tu takuar aty dhe për të debatuar për librin, mbi librin, për artin në tërësi.
Nëse në shekullin e kaluar ishte vështirë që libri të qarkullojë dhe shitet posaçërisht ne që jetonim në hapësirat e quajtura Federata Jugosllave dhe që vuanim për të lexuar librin që botohej në Shqipëri dhe pavarësisht nga kjo sërish arrinim që ta kemi në dorë “Koncertin në fund të dimrit” dhe ta lexonim dorë më dorë të fotokopjuar, sot kemi një kënaqësi tjetër që bashkë në një vend si dy vëllezër gjenden edhe veprat e Ismail Kadaresë edhe ato të Rexhep Qosjes dhje kjo flet shumë besoj s’do koment kjo punë.
Sa shumë kanë ndryshuar gjërat, shiheni sot i kemi të gjitha shtëpitë botuese prestigjioze nga Tirana e Prishtina të cilat prodhime janë edhe në Shkup dhe ne shqiptarët që jetojmë në këto hapësira po e kapim trenin kulturor shqiptar atë që më së shumti i duhet publikut tonë dhe përtej kësaj po krijojmë vatër kulturore të vërtetë shqiptare. Dhe kur sot është krijuar ky komunikim ndërkulturor shqiptar Shkupi kishte nevojë për një vend dhe hapësirë të këtillë që të jetë pjesë e zhvillimeve kulturore brendashqiptare.
Dikush do të mendojë se jam romantik dhe absurd. Jo jam i qartë dhe i sigurt në këtë që e them. Nuk shkruaj shkarravina, i kam urryer shkarravinat dhe fjalët e kota gjatë gjithë jetës sime, nuk manipuloj me tastaturën sa për ti thënë ca fjalë. Në këtë vijë të mendimit duke dashur të përkujtoj penën e babait tim, shkrimtarit dhe poetit, profesorit dhe mësuesit tim Ramadan Sinani i cili më mësoi dhe edukoi që ta dua librin, ta lexoj librin, ta shpërndaj dijen e librit, të bëj miq nga libri për mua kjo mbetet pasuria më e madhe, mbetet biblioteka e tij të cilën e ruaj si gjënë më të shtrenjtë në jetën time. Dhe këto libra i kam shpërnda dhe ia kam mundësuar gjithsecilit që ka nevojë ti lexojë, ti studiojë ndonjëherë edhe mos ti kthejë por gjithnjë duke dashur ta ruaj këtë mision që sot po sheh dritën. Për mendimin tim libri shqip sot po e sheh dritën e vetë dhe po i shtohet jetëgjatësia e tij pikërisht në Librarinë e Çarshisë së Shkupit. Me të drejtë thoshte babai im i persekutuar dhe pa të drejtë të thotë fjalën e tij mbi 3 dekada “ Në Tetovë shtëpi të kesh të cilën si inspirim nga Libraria e çarshisë po e them në versionin e sotëm të tij,, u bë edhe një shtëpi në Shkup, shtëpia e librit”. Nëse libri konsiderohet pasuria më e madhe për shqiptarët në këto hapësira Libraria e Çarshisë është një vend ku ne do vendosim në qarkullim mendjet e ndritura.
Rilindasit kishin disa misione dhe ato i përmbyllën me shumë sukses pavarësisht nga çmimi që e paguan, kur shoh në raftet e Librarisë sot derisa po shkruaj më inspiron një titull i një libri “Elitat shqiptare” them se po lëvizim në drejtimin e duhur sepse libri është forma më e mirë për laboratorin kombëtar si ky i yni që ka një gjeografi të pafundme si artistike, kulturore, letrare pse jo edhe kombëtare. Sot Faik Konica, vëllezërit Frashëri, Fan Noli dhe shumë emra të tjerë u kthyen në Shkup kjo është për tu gëzuar është për të festuar një ëndërr e bukur po e sheh jetën e vetë.
Nëse rilindasit si Josif Bageri me shokë përmbushën misionin e tyre mendoj se edhe kjo gjeneratë me vizionin e vetë po tregon se veprat e ndritura të këtyre rilindasve nuk janë harruar dhe ne mund lirisht ti quajmë rilindas modernë, vizionar dhe njerëz me vetëdije të lartë njerëzore e kulturore. Vetëm kështu ngrihet vetëdija kombëtare, ruhen vlerat kulturore, kultivohet dija pavarësisht nga shpifjet e të paditurve të cilët lusim zotin ti fal për injorancën e tyre. Libraria e Çarshisë është margaritari më i madh që kanë sot e tutje shqiptarët jo vetëm në Shkup po gjithë andej ku flitet shqip sepse digjitalizimi e ka bërë të veten dhe drejtpërdrejtë nga Shkupi do shohim performancën e librit dhe artit shqiptar kudo që të jetë lexuesi shqiptar. Po e përmbyll me një thënie të një rilindasi tonë i cili me të drejtë thotë kështu: “pavarësisht nga pamja që ka margaritari mbetet gur i çmuar”. Shpresoj kështu ta trajtojmë edhe ne Librarinë e çarshisë si një margaritar kombëtar.