Shaqiri e kërkon vendin e titullarit te Bayerni Alban Lumi–Për mesfushorin shqiptar, Xherdan Shaqiri, nuk janë me rëndësi sukseset momentale të Bayern Munchen. Ai ka thënë se synon të bëhet pjesë e rëndësishme e skuadrës dhe përkundër mossuksesit në Budesliga, bavarezët mbesin fuqi e futbollit gjerman.

Futbollisti shqiptar nga Zhegra e Gjilanit, Xherdan Shaqiri është vënë në qendër të vëmendjes në mediet botërore në vitet e fundit, ndërkaq që pre kur 20 vjeçari kaloi te skuadra gjermane, Bayern Munchen interesimi për të vetëm sa është intensifikuar. Gazeta zvicerane Blick, ka kërkuar mendimin e Shaqirit, të cilin e quan “Xhuxhi Magjik” për rezultatet momentale të Bayern Munchen. Skuadra e re e Shaqirit thuajse është dorëzuar për titullin e kampionit në Bundesliga pasi tri javë para përfundimit të edicionit, kampioni në fuqi, Borusia Dortmund është shkëputur në tetë pikë. Por ky fakt pak i intereson Shaqirit, ai ka pohuar se Bayern është një skuadër e madhe dhe nuk është shumë me rëndësi që këtë vit nuk do të stoliset me titullin gjerman. “Bayern Munchen ka skuadër që çdo vit e kërkon titullin, andaj nëse jo këtë edicion, vitin e tjetër Bayern do të mundohet të përvetësoi titullin”, ka thënë fillimisht Shaqiri. Ai ka shtuar se fakti që skuadra bavareze nuk ia doli të fitoi titullin nuk është gjë e mirë por megjithatë atij nuk ia ndryshon bindjen që ka për ta. “Sigurisht se nuk është mirë që skuadra nuk e fitoi titullin, por tek unë ky fakt nuk e ndryshon aspak situatën”, ka thënë ai. Shaqiri që te skuadra e Baselit është i pazëvendësueshëm dhe gjithashtu në përfaqësuesen helvetike ka marr mbështetjen e fortë nga përzgjedhësi Ottmar Hitzfeld, i cili mbështet shumë në shërbimet e tij, ka deklaruar se qëllimi i tij është që të fitoi vendin e titullarit te Bayerni për t’u shndërruar në lojtarë të rëndësishëm. “Për mua e rëndësishme është që të bëhem pjesë e rëndësishme e skuadrës sime të re. Do të vazhdoi të punoi në vazhdimësi që të jem titullar edhe te Bayerni”, përfundoi mesfushori që shpesh herë dinë të shndërrohet në sulmues tipik. Me skuadrën e Baselit ai është afër të mbrojë titullin e kampionit në Zvicër, në ndërkohë janë inkuadruar në finale të Kupës së Zvicrës, që do të përballen me Luzernin e vendit të dytë. Gjithashtu ky vit për Baselin do të mbahet gjatë në mendje, pasi skuadra kishte kaluar fazën e grupeve në Ligën e Kampionëve, duke lënë pas ish kampionët evropianë, Manchester United. Ndërkaq gjiganti gjerman, Bayern Munchen për dallim nga Baseli, derisa në kampionat nuk ia doli të rikthen titullin, në garat evropiane është treguar më e suksesshme. Bavarezët do të mundohen të shpëtojnë stinorin pikërisht në garën më prestigjioze, Ligën e Kampionëve. Ata për të ëndërruar finalen që do të zhvillohet në stadiumin tyre “Allianz Arena”, do të duhet të eliminojnë skuadrën më të trofeshme në këtë garë, Real Madridin, që ka mbi supe katër tituj, ndërkaq Bayern ka fituar katër herë këtë trofe.
Shqiptari i parë dhe “zvicerani” i tretë te Bayerni
Shaqiri është futbollisti i parë shqiptar që ka firmosur me skuadrën më të trofeshme gjermane, ndërkaq që është edhe futbollisti i tretë që ka nënshtetësi zvicerane që do të luanë për këtë skuadër, më parë ishin edhe Alain Sutter dhe Ciriaco Sforza. Edhe pse Shaqiri shpesh herë e ka përsëritur faktin që është shqiptar nga Kosova, mediet zvicerane janë munduar në vazhdimësi që ta prezantojnë si një futbollist të suksesshëm zviceran. Edhe nga uefa.com, ai ishte vlerësuar në mesin e shtatë futbollistëve më të mirë zviceran që do të bënë karrierë në bundesligë. Shaqiri është konsideruar i barabartë me legjendën, Anton Allemann, Stephane Chapuisat, Alain Sutter Ciriaco Sforza, Alexander Fre dhe Diego Benaglio. Futbollisti i tetë që do të mund të kalonte nga futbolli zviceran në atë gjerman, është mesfushori tjetër shqiptar i Baselit, Granit Xhaka. Ai është duke u kërkuar me ngulmë nga Borusia Monchengladbah.