Lirohet vrasësi i 15 vjeçarit Isein Berisha
Lirohet vrasësi i 15 vjeçarit Isein Berisha, i ekzekutuar gati 1 vit më parë. 67 vjeçari Zhivko Kuzmanovski ka lënë paraburgimin, megjithë veprën e rëndë kriminale, vrasjen me plumb në mes ballit, në oborrin e ish hotelit “Shar” në Çarshinë e Vjetër të Shkupit. Arsyetimi i Prokurorisë Publike të Shkupit për lirimin e vrasësit Kuzmanovski ishte se nga dëshmitë e siguruara është vërtetuar se vepra në fjalë është kryer për vetëmbrojtje. Por nuk mendon kështu nëna e Iseinit të vrarë. Ajo rrëfen me lot në sy për ALSAT M, dhimbjen për humbjen e djalit të saj 15 vjeçar, duke theksuar se drejtësia në Maqedoni nuk ekziston, përderisa një vrasës fëmijësh do të shëtisë lirshëm.
“Kur e pash djalin tim ashtu të shtrirë, më thanë se ai është në burg, unë nuk e kam ditur se djali im është i shtrirë, djali im ishte vrarë për asgjë, kjo është katastrofë! Nuk dua që t’i ndodh askush kjo…unë jam nënë e 5 fëmijëve, unë i rrita ata dhe unë e di se si. Ky fëmijë ishte më i miri, pas tre vajzave. Zoti ma fali atë dhe dikush të ma vrasë për asgjë… Kjo është katastrofë, shumë keq por tani… si ta them, më vjen keq pse vrasësi shëtitet i lirë, edhe pse ka vrarë fëmijë…”, shprehet Suada Iseini, nëna e djalit të vrarë.
Suada, nëna e 15 vjeçarit të vrarë thotë se do të ankohet tek të gjitha institucionet përgjegjëse. Ajo më këtë rast kërkoi nga kompetentët, të mos mbyllin sytë, por drejtësinë ta zbatojnë ashtu siç duhet.
“Do të ankohem në të gjithë Evropën që të shihet se çfarë po bën Maqedonia…. dhe Gruevski, ku është tani? Sot një qen të vrasësh, duhet të përgjigjesh… a është kështu? Ky ka vrarë fëmijë, madje për asgjë …. ndoshta ky fëmijë ka parë diçka dhe ai e ka vrarë atë që të mos tregojë”, tha Suada Iseini, nëna e djalit të vrarë.
Avokatja që përfaqëson familjen e 15 vjeçarit të vrarë, Tanja Çaçarova-Ilievska thotë se nuk pajtohet me vendimin e Prokurorisë. Ajo tregon se dëshmimi i fajësisë së Kuzmanovskit është një proces i vështirë, por jo mision i pamundur. Çaçarova-Ilievska thotë se është e përgatitur t’i dalë në ndihmë kësaj familjeje me qëllim që drejtësia të vihet në vend. Vrasja e adoleshentit ndodhi në qendër të Çarshisë së Vjetër të Shkupit, në ish objektin e njohur me emrin “Sharr”, pranë birrarisë së vjetër. Sipas pretendimeve të 67 vjeçarit Kuzmanovski, ai hapi zjarr në vetëmbrojtje pasi 15 vjeçari kishte hyrë për të vjedhur. Por dëshmitarët e tjerë aso kohe patën deklaruar se Kuzmanovski ishte një njëri problem.