Pjesët e ujit që qëndrojnë në sipërfaqe ndërrojnë paprerë: ngjiten nga fundi, nga maja zbresin në humnerë, formojnë shtjella, nivelime, zhvendosje. Mua më duket i pasur, i shndritshëm dhe i aftë për të qenë i lumtur, ai shpirt shqiptari që përparon vazhdimisht drejt një shtegtimi dhe shkëmbimi nga errësira e thellë tek zona e dritës.

Aurel Dasareti, 13/05-2010, Arizona

Pavarësisht nga përmbysjet e shumta, LIRIA i ka fituar betejat. Në këto beteja shumë kanë mbetur me bindjen se të vdisje në luftën kundër shtypjes ishte më mirë se sa të jetoje pa liri.

Betejat për lirinë u bënë nga të shtypurit, nga ata që aspironin një liri të re, kundër atyre që kishin privilegje për të mbrojtur. Duke luftuar për çlirimin e tyre nga tirania, çdo klasë besonte se luftonte për lirinë në vetvete dhe kështu mund t’i bënte thirrje një ideali, dëshirës për liri të rrënjosur tek të gjithë të shtypurit. Megjithatë, në betejën e gjatë dhe të vazhdueshme për lirinë, klasat që në një moment të përcaktuar historik luftuan kundër shtypjes u ndodhën nga ana e armiqve të lirisë kur fitorja ishte e siguruar dhe kishte privilegje të reja për të mbrojtur.

Liria zakonisht shihet si një e drejtë ose një sërë të drejtash – liria e fjalës, e lëvizjes, e besimit – të përcaktuara me ligj apo me Kushtetutë. Një pikëpamje e tillë është tepër e ngushtë. Mua më pëlqen t`i jap kësaj fjale një kuptim më të gjerë. Lirinë unë e shoh si mundësi rrugësh të ndryshme në dispozicion. Nëse rrugët tjera të mundshme të një situate aktuale janë tepër më të ulëta nga niveli, apo nëse lëvizja kërkon mundime e sakrifica të mëdha, njerëzit mbeten të varur nga sistemi ekzistues kolonialist dhe vihen përballë lloj-lloj shtrëngimesh, poshtërimesh e shfrytëzimesh. Nëse kanë në dispozicion rrugë të tjera, atëherë inferiorë janë vetëm në shkallë më të ulët, por janë të lirë nga trysnitë e mësipërme. Po të ushtrohet trysni, ata thjesht lëvizin e ndërrojnë vend. Liria është atëherë funksion i aftësisë së njerëzve për t`u larguar nga dispozicionet ekzistues. Kur këto rrugë të tjera nuk janë inferiorë veçse në gjëra të dorës së fundit, atëherë liria është në shkallën më të lartë.

Kjo pikëpamje ndryshon mjaft nga mënyra si shihet liria zakonisht, pra kur liria përgjithësisht shihet si ideal e jo si fakt. Si ideal, lirinë zakonisht e lidhin me sakrificën. Si fakt, ajo qëndron në mundësinë për të bërë atë që dëshiron pa qenë nevoja për sakrifica.

Ata njerëz që besojnë te liria si ideal mund të luftojnë me zjarr për të, por kjo nuk do të thotë se edhe e kuptojnë se ç`është. Përderisa ajo u shërben si ideal, ata priren ta shohin si një fatmirësi absolute. Në të vërtetë, liria nuk është pa aspekte të padëshiruara. Një gjë e tillë mund të bëhet më e dukshme jo kur liria është ideal, por sakrificat në emër të saj të kenë dhënë frute dhe liria të jetë arritur. Megjithatë, unë parapëqej shumë më tepër dikë që është gati t`i përkushtohet edhe idealit më naiv sesa dikë që megjithëse flet plot inteligjencë për parimet dhe idealet e botës s`është i zoti të bëjë asnjë sakrificë për to. Në kohën tonë afshi i heroizmit ka rënë, solidariteti i bazuar në një ideal të përbashkët është dobësuar, intelektualët kanë dështuar, politikanët kanë tradhtuar. Ajo çka mbetet është një shumicë individësh, ku secili ndjek interesin vetjak siç e koncepton ai. Ky konceptim mund të përkojë ose mund të mos përkojë me interesin publik. Kjo është liria, ashtu siç mund të gjendet në një shoqëri të hapur, një liri që mund t`u duket zhgënjyese atyre që kanë luftuar për të./13 May 2010/A.D. në www.lajmet.com