OJQ-të shqiptare kanë reaguar ashpër ndaj akcionin të fundit policor në Radush të Shkupit, ku u ekzekutuan katër shqiptar.

Sh.m.a.i.k Illyricum Libertas, thotë se me dhimbje të thellë e mori lajmin e tmershëm për vrasjen e katër shqiptarëve në Radushë, afër kufirit me Republikën e Kosovës më 12 maj.

“Duke pritur sqarimin e plotë të rastit, u kuptua se kemi të bëjmë me eliminim klasik, një atentat i përgatitur nga shteti maqedonas ndaj kryetarit të Alternativës Kombëtare dhe ish anëtarit të UÇK Harun Aliut, ish komandatit të UÇK Shaban Zenuni dhe dy bashkëveprimtarëve të tyre të afërt, Xhafer Shalës dhe Qemal Fejzullahut”, theksoi kryetari i kësaj organizate, Valon Kurtishi.

Illyricum Libertas e dënon fuqishëm këtë akt terrorist, dhe njëkohësishtë kërkonë që në zbardhjen e plotë të këtij atentati të shëmtuar dhe barbar të kyçen ekspertë ndërkombëtarë të mjekësisë ligjore në mënyrë që të zbardhen plotësisht rrethanat e kësaj vrasjeje.

Kjo organizatë gjithashtu dënon aktin e shëmtuar të bastisjeve të djeshme në fshatin Novo Sellë të Tetovës, në të cilin policia maqedonase ka traumatizuar familje të shumta shqiptare dhe ka arrestuar qytetarë të pafajshëm.

“Rastet e këtilla që ndodhin në vazhdimësi, paraqesin provokime të pastra të kreut aktual maqedonas kundër gjithë shqiptarëve të këtij vendi si dhe e tensionojnë situatën e përgjithshme si në IRJM ashtu edhe në rajon.Shihet qartë se kjo është një fushatë për kriminalizimin e komunitetit shqiptar, si fajtor kujdestar për gjendjen si dhe për të tërhequr vëmendjen e opinionit ndërkombëtar nga kokëfortësia maqedonase në lidhje me kontestin absurd të emrit me Greqinë, i cili ka bllokuar integrimin euroatlantik të vendit”, theksoi Kurtishi