Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi iu përgjigj interesimit të mediave, në përfundim të veprimtarisë së organizuar sot në Muzeun Historik Kombëtar, ku dekoroi (pas vdekjes) me Urdhrin “Nderi i Kombit” Muzafer Pipën, Vilson Blloshim, Genc Lekën dhe Havzi Nelën.

Pyetje: Alsat – Elona Gjylmi

Zoti President, po për negociatat me partitë politike?

Presidenti Topi:“Së pari, unë duhet t’ju them që i tërë procesi që shoqëron dialogun mbetet një moment, i cili përbën detyrimin moral, personal dhe institucional për t’u bërë transparent në çdo kohë. Jo rastësisht e thashë këtë qysh në fillim, sepse çdo tentativë, qoftë edhe e segmentuar që vjen jashtë kësaj linje, presupozon një spekullim. E kam fjalën këtu për ndonjë media, e cila kërkon të dalë jashtë këtij realiteti dhe për të dalë drejtpërdrejt në përgjigje të pyetjes suaj, ende nuk ka një dialog institucional që ka të bëjë me situatën politike në Shqipëri.

Kam qenë në përpjekje dhe vazhdoj të jem në përpjekje të vazhdueshme. Nuk është e thënë që përpjekjet të jenë publike, të demonstruara, por janë një impenjim i punës sime dhe i aktorëve të tjerë institucionalë, pa diskutim, por edhe i bashkësisë ndërkombëtare që këtë situatë të pakëndshme ta zgjidhim sa më shpejt. Kjo në fakt po futet në një shtrat kronik, sepse u bënë muaj, muaj e muaj që kthehemi tek dialogu, dalim nga dialogu. Ka një shprehje që ju duhet ta dini: ‘Për t’u marrë vesh, duhen dy palë. Për të bërë divorc, mjafton një pale.’ E thashë këtë, që është domosdoshmëri kur të diskutojmë për dialogun, është domosdoshmëri që partitë politike, mazhoranca dhe opozita të ulen në tavolinën e dialogut.

Problemi i formalizimit të tryezës është një problem sekondar. Më e rëndësishmja është që të kenë vullnetin politik për të dalë nga kjo situatë që është e pakëndshme. Është dhe në koshiencën edhe të qytetarëve, të cilët janë larg politikës, që kjo situatë duhet të mbyllet në mënyrën më korrekte të mundshme. Se si e mbyllin, janë partitë politike. Presidenti ka vullnetin, ka predispozicionin, ka dëshirën që të vendoset dialogu, të rifillojë komunikimi institucional. Presidenti nuk ka në dorë asnjë instrument ligjor që të detyrojë palët. Kjo ka qenë arsyeja që në mënyrë të vazhdueshme, unë kam thënë: ‘gjithçka varet nga vullneti politik i partive.’

Shqipëria nuk është një republikë presidenciale. Ju duhet ta dini! Shqipëria është një republikë parlamentare. Çdo gjë projektohet sipas vullnetit të popullit, projektohet në parlament. Është vullneti i tyre për të instaluar dialogun, për të marrë vendime të rëndësishme, dhe mos harroni që në harkun kohor dhe jo në retrospektivë të largët, partitë politike shqiptare, mund t’i referohem datës 21 prill 2008, kanë gjetur një konsensus që unë e kam përgëzuar, me votat e 115 deputetëve, kur kanë ndryshuar Kushtetutën e Shqipërisë. Atëherë, kanë detyrimin të rikthehen, të marrin të gjitha vendimet. Unë do të respektoj, si President i Republikës, të gjitha vendimet që janë në favor të Shqipërisë, të shqiptarëve, të institucioneve, të imazhit të Shqipërisë, të interesit të çdo qytetari. Ka shumë qytetarë, të cilët nuk merren me politikë. Ka shumë qytetarë që janë mërzitur nga politika, por kjo nuk do të thotë që qytetarët shqiptarë, që edhe s’merren me politikë, që s’kanë dëshirë të merren me politikë, të dënohen nga politika. Pra, duhet të jetë në koshiencën e klasës politike shqiptare, pa vënë gishtin tek askush, të jenë korrektë, të jenë njerëz që të përfaqësojnë interesat madhore të Shqipërisë, pastaj zgjidhjen e kanë më të afërt. Unë kam predispozicionin konstant që kam pasur gjithmonë. Tryeza e Presidentit mund të riinstalohet në çdo kohë, por tryezë që të jetë me rezultate, jo tryeza për tryezë që të fillojë t’i bjerë dhe vlera. Pra, duhet të kemi respekt jo thjesht për individin, individi është pjesëtar i shoqërisë. Sot është President, nesër është një qytetar i thjeshtë i Shqipërisë, por duhet të kenë respekt për tryezën e Presidentit, për institucionin e Presidentit, për çdo institucion të Shqipërisë në mënyrë që edhe bota të na ketë më në konsideratë. Ju faleminderit”.