Ardhmëria mbrohet në Shkup
Shumica e “parashikuesve” i kanë dhënë dhe po i japin peshë dhe rëndësi të veçant vitit 2012, duke e paraqitur si vit i kthesave të madha në historinë e njerëzimit në përgjithësi, madje disa të prirë për parashikime apokaliptike, këtë vit e paraqesin si vit të shkatërrimeve të mëdha. Sido që të jetë dhe sido që të bëhet, kësaj radhe qëllimi nuk është që të ndjellë kob e frikë, por dëshiroj që të përkujtoj se viti 2012 ka një rëndësi të veçant dhe simbolikë për shqiptarët që jetojnë në Maqedoni, e veçanërisht në Shkup.
12 gushti i vitit 1912, si datë që kah moti është lënë në harresë, më 2012 do të shënojë 100 vjetorin e çlirimit të Shkupit, që mundësoi në tetor të të njëjtit vit në kuvendin e Shkupit të merret vendim për shpalljen e pavarësisë pikërisht në Shkup, e që si rezultat i pushtimit dhe depërtimit të forcave serbe në këtë qytet, kjo u desh të bëhet në Vlorë.
Sot, gati dy vite para këtij përvjetori, Shkupi nuk është më ai që duhet të jetë. Në Shkup gati se u shua elementi shqiptar. Në asnjë shkrim, material, broshure apo prezantim publik nuk përmendet fare si kjo ngjarje e rëndësishme për shqiptarët, poashtu edhe personalitetet që kontribuuan në këtë drejtim.
Sot Shkupi ka marrë dhe po merr tjetër fizionomi. Ai po deshqiptarizohet me të madhe, në shesh po grumbullohen revolucionar e ideolog, jo për të festuar 100 vjetorin e çlirimit, por për të ndryshuar historinë, për të maqedonizuar gjithçka. Sot në Shkup po punohet jo për projektin “Shkupi 2012”, por për “Shkupi 2014”.
Në Shkup vjen Goce Dellçevi nga Kukushi, përmes Selanikut e Sofjes. Nga Smileva përmes Sofjes e Beogradit erdhi Dame Gruevi, do të vijnë “Car Samuili”, Metodija Andonov – Çento dhe “Gemixhinjët” e Velesit , Kratovës e Ohrit, të shoqëruar me “Luanët”. Do të ketë vend për Kirilin e Metodin, për Klimentin e Naumin, për Toshe Proeskin, Milladinovët, Racinin, Përliçevin e Shopovin, do të vij edhe Aleksandri me Buqefalin, e kush jo tjetër. Do të ngritet porta me emrin “Makedonia” ose “Lufta maqedonase” e si variant i fundit “Porta e pamvarsisë maqedonase”. Në të gjithë këtë “maqedonizim” – maqedonase kjo e maqedonase ajo, mungon realiteti, mungon fryma shqiptare në te.
Në anën tjetër në këtë projekt mezi se do të zënë vendin e vet, Nexhati Agolli, kufoma e të cilit pas torturave shtazarake u ekzekutua në sheshin e Shkupit, Pjetër Bogdani që punoi dhe drejtoi bashkësinë fetare katolike të Shkupit e Dervish Cara që udhëhoqi me kryengritjen e kësaj ane. Ata do të mbeten të vetëm përballë heronjve “maqedonas”, nuk do të kenë afër askund dhe në asnjë formë Isa Boletinin, Idriz Seferin e Hasan Prishtinën, do të jenë larg Zefit të Vogël , Bajram Daklanit, Bajram Currit e shumë të tjerëve që ishin pjesë e çlirimit dhe historisë, por jo të së sotmes e ndoshta edhe ardhmërisë.
Anashkalimi dhe degradimi në këtë nivel i elementit shqiptar në Shkup, i atyre që kanë lënë gjurmë në historinë e këtij qyteti, barazimi i atyre që dhanë trup, shpirt e vepër me figurat maqedone që thuajse fare apo vetëm pak kan lidhshmëri me te është turp e dështim për shqiptarët, po qoftë edhe me fajin e atyre që mbrojnë apo duhet të mbrojnë interesat e tyre, është turp për “bashkëqeverisjen” aktuale shqiptare në Maqedoni.
Viti 2012 do të kalojë, do të vijë edhe 2014-ta, dallimi do të jetë i madh. Jo dallim në dy vite, por dallim shekullor. Në Shkup nuk do të jenë ata që kishin ëndërr për Shkup të lirë e të barabartë për të gjithë, në Shkup nuk do të gjenden më shenjat për të cilat la amanet Hasan Prishtina në thënien e tij:“Na luftojmë e ndoshta nuk e gëzojmë (lirinë) , por ata që vinë mbas nesh, kanë me i gjet shejet tona”.
Shenjat që po lëmë sot nuk janë nga kjo thënie. Ato po i zhdukin pikërisht ata që u thirrën në liri e çlirim. Sot po lëmë shenja që dallojnë nga të parat, andaj do të kisha pyetur në fund, a thua çka do të gjejnë ata që vine mbas nesh në Shkupin e vitit 2112?!
