Dëshmori Bahri Fazliu-thesar i çmuar për brezat
Të nderuar të pranishëm! Përsëri në këtë vend të bekuar, erdhëm për t’i nderuar dy vëllezër heronj. Sot me 7 maj 2010 na mblodhi Bahri Fazliu, i cili me veprimtarinë e tij dha kontribut të madh, fitojë pavdekësinë në histori sepse qe pishtarë i dritës në lëvizjen kombëtare të popullit shqiptar për t’u çliruar nga robëria. Duke qenë pjesëtar i një familjeje të denjë, me traditë atdhetare, Ai bërë një jetë të shkurtër e cila do t’i për shërbej gjithnjë si thesar popullit tonë, bijve dhe bijave të tij në arritjen e aspiratave dhe idealeve për bashkim kombëtar e përparim. Rrjedh nga një familje e shëndoshë e cila i dha kombit dhe atdheut, Fahri Fazliun. Bahriu si pasues i të vëllait ishte i thjeshtë, në të vërtetë të tillë janë e duhet të jenë njerëzit që janë të gatshëm për të marrë përsipër detyra të mëdha. Përvoja jetësore na mëson, se: pati dhe ka të atillë njerëz që nisin një punë çfarëdo, por edhe punë të rëndësishme dhe i lënë në gjysmë, dikush tërhiqet nga puna ende pa ia nisur, dikush gjatë punës lodhet, dëshpërohet, bëhet i mërzitshëm dhe e lë fare ose e braktisin të tjerët, ata që duan të punojnë, dikush dorëzohet, dështon etj. Të tillët janë njerëz, të cilët edhe nëse mbahen mend, na mësojnë se si nuk duhet të veprohet.Mirëpo, historia na mëson edhe ndryshe sepse jep dëshmi të gjalla se AI që e nis punën për një qëllim të lartë, vazhdon dhe nuk ndalet përpara asnjë furtune, shkrihet si qiriri për t’i bërë dritë të tjerëve, sqaron dhe mobilizon njerëzit, ua ngroh zemrat dhe i fut në veprim liridashësit, futet vetë në vijën e parë të fronteve më të vështira, kurrë nuk vdesë, por do të rrojë përherë në kujtesën tonë. Nga njerëzit e tillë ne mësojmë, se si duhet të jetohet, punohet e vdiset me nder dhe me veprat e mira që i lënë pas, të krenohen pasardhësit.
Ka prej atyre që shkruajnë dhe nuk dinë çfarë thonë, por edhe prej atyre që mbushin faqet pa thënë diçka të qartë. Të tillët jo rrallë edhe paraqiten si intelektualë, ani pse i shërbejnë vetëm egos së tyre dhe nuk bëjnë diçka me rëndësi për popullin e vet. Por, Bahri Fazliu i shërbeu me mendje të shëndoshë dhe me ide të qarta popullit të vet dhe Ai në të vërtetë në këtë drejtim bëri shumë, duke shëmbëllyer mu si një intelektual i mirëfilltë.
Bahri Fazliu ishte vazhdues i rrugës së vëllait të tij. Në fillim si bashkëveprimtar i Fahriut, edhe përkundër se ishte i ri në moshë, dhe pas rënies heroike, të Fahriut e Afrimit, jo vetëm se nuk u ndal, por u bë një personalitet me rol të veçantë. Bahriu si themelues i LKÇK-së, ishte përkushtuar për të hapur shtigjet e luftës çlirimtare dhe natyrshëm me dëshmitë dhe shembujt që i dha gjatë këtij rrugëtimi, doli në ballë të LKÇK-së sepse në kohë thyerjesh e goditjesh, në kohë kthesash të mëdha, si gjithnjë tregoi se është i gatshëm që ta çonte përpara misionin e çlirimit të atdheut të robëruar. E tërë jeta e Bahri Fazliut është luftë për t’i dhënë jetë të lirë atyre që janë të lidhur me pranga. Bahriu ishte i qartë, prandaj përhapte qartësi kudo, sepse e dinte se populli i lodhur nga pushtimi, duhej të ngrihej dhe ta gjejë rrugën e duhur për ta fituar lirinë. Në themelet e veprës së Bahri Fazliut janë mendja, dija dhe guximi për veprim.
Misioni i një organizate të cilën Bahriu e themeloi me shokë, së cilës iu bashkuan shumë djem e vasha, për shkak të rrethanave edhe mund të mos përmbushet, sado i rëndësishëm dhe i domosdoshëm ky mision të jetë për interesat e kombit tonë, por kur në një lëvizje të tillë politiko-ushtarake, siç qe LKÇK-ja, janë në ballë burra si Bahri Fazliu, vullneti është i madh, aq i madh sa edhe të vdekurit duket se po zgjohen për të bërë diçka, kurse të gjallët ecin drejt, pa u lëkundur, misioni prodhon suksese, prandaj rëniet e burrave si Bahri Fazliu, Agron Rrahmani janë rënie që shkaktojnë dhembje të mëdha sepse krijojnë boshllëk në shpirt, në trup, dhe dëme të mëdha e të pa kompensuar në strukturën e organizuar.
Të mësojmë nga vepra e madhërishme e Bahri Fazliut. Ajo është e kuptueshme, e qartë, e kthjellët si loti, e pastër, origjinale, ashtu siç ishte vetë AI. Ne mund dhe duhet ta bëjmë këtë sepse do të fitojë e përgjithshmja së cilës heronjtë ia kushtuan rininë, ëndrrat, jetën dhe gjakun e tyre.
Ne i kemi të gjitha dhe s’kemi asgjë.
Ne jemi komb, por sillemi si të pakokë.
Ne kemi tokën tonë-varrin tonë.
Ne kemi të drejtë për gjithçka tonën, por gjithçka tonën e kemi lënë në të drejtën e ujqve.
Ne e kemi të drejtën ndërkombëtare në anën tonë, por ne nuk e kemi vetveten në anën tonë.
Ne në vend të ujit pimë lotët e mallit, të vetmen gjë që lanë vëllezërit tanë, motrat tona, baballarët tanë, nënat tona, fëmijët tanë, të katandisur dyerve të Evropës.
Ne për t’i nderuar dëshmorët vazhdojmë t’i vajtojmë. Harrojmë se nderimi më i madh për ta është ecja në rrugën e tyre.
Bahri Fazliu fliste me këtë gjuhë të fakteve në tetorin e vitit 1995, të cilat fakte i shohim edhe tani dhe po e rëndojnë gjendjen. Mjerisht gati 15 vite pas, duket sikur tingëllon fuqishëm zëri i qartë i Bahriut, por edhe na kujtohet mirë puna dhe vetëmohimi i tij. Prandaj, neve të gjallëve nuk duhet të na mbetet vetëm zëri i zbehtë dhe të ngushëllohemi me kaq, sepse mbi të gjitha ia kemi borgj atdheut, në të njëjtën kohë, vetëm duke vazhduar rrugën e nisur, do të vlerësojmë dhe nderojmë veprën e pavdekshme të dëshmorëve që luftuan dhe ranë për çlirimin dhe bashkimin e kombit tonë.
Ndërsa, për zymtësinë dhe gjendjen e rëndë dje, Bahri Fazliu e kishte zgjidhjen: çante përpara drejt ndryshimit të gjendjes me punë dhe vullnet të hekurt. Dje, i pagjumi Bahri Fazliu ishte i vendosur të bënte jetë të mundimshme për t’i zgjuar të përgjumurit, për t’i ngritur në këmbë liridashësit, që ata ta marrin sa më parë fatin në duart e tyre. Po sot, edhe pse jemi në kushte të tjera, pakrahasimisht, më të mira se sa dje, na mungojnë shumë angazhimet, shihet se janë të pakta sakrificat, prandaj janë të pakta edhe rezultatet sepse do të thoshte Bahri Fazliu, “gjithçka tonën e kemi lënë në të drejtën e ujqve”. Sot jemi në gjumë, në vend që të jemi të zgjuar, në këmbë, duke ecur.
Ky homazh për heroin Bahri Fazliu, këto varre heronjsh, janë thesar i madh i çmuar që ruan përplot dëshmi për të cilat, sado që mund të flasim ne, ato flasin vetë. Ato janë dhembja jonë dhe për ta mundur dhembjen që kemi për ta, për t’i nderuar dëshmorët, kërkohet nga ne të gjallët, të reflektojmë thellë, në atë mënyrë, që t’i japim përmbajtje angazhimit tonë, duke e kuptuar qartë, se është detyrim yni për ta vazhduar rrugën e tyre.
Llaushë, me 7.5.2010
Smajl Latifi, kryetar i Lëvizjes për Integrim dhe Bashkim
__________________________
Smajl LATIFI
Kryetar i Lëvizjes për Integrim dhe Bashkim
Rr. Rrustem Statofci, nr.9
10000 Prishtinë
tel: +377 44 116974
E-mail:smajl.latifi@gmail.com;
smajl.latifi@lib-ks.org; info@lib-ks.org