Të shiturit të shesin, apo jo?
Çështjet që i pat ngritur Kai Eide në raportin e tij u trajtuan më pas në Vjenë nën ndërmjetësimin e Martti Ahtisaarit. Çështjet që i ngriti Ban Ki-mooni në 6 Pikëshin e tij do të trajtohen në bisedimet e ardhshme. Korniza dhe temat tashmë janë aty, bisedimet do të bëhen për sasinë e koncesioneve të reja. ‘Pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme’. Kjo deklaratë që paraqet të përbashkëtën e secilit zyrtar ndërkombëtar që iu adresua Kuvendit të Kosovës në dy vitet e fundit, tash ka filluar ta shpërfaq qartë kuptimin e saj. Hapur po planifikohen bisedime të reja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ku thuhet se nuk do të flitet për statusin e Kosovës.
Vizitat e politikanëve dhe diplomatëve të ndryshëm perëndimorë në Prishtinë dhe në Beograd, e posaçërisht të ministrave të punëve të jashtme të vendeve evropiane, në mënyrë retroaktive po e marrin formën e trysnisë ndërkombëtare për negociata të reja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Krerët institucionalë e partiakë të Kosovës këto vizita dhe takime të disa muajve të fundit i kanë përshkruar si takime shumë miqësore. Na treguan se këto vizita janë mbështetje për shtetin më të ri në botë dhe nuk lanë të kuptohet se kishte diçka të veçantë tek to. Sikur dëshironin ta krijojnë përshtypjen që këta emra të njohur të politikës e diplomacisë botërore erdhën të na vizitojnë meqë ne jemi shumë interesantë dhe ata kanë kohë tepër.
Pas këso takimesh, politikanët e Kosovës flisnin vetëm për miqësinë ndërkombëtare në mënyrë që të mos flisnin për qëndrimet e parimet vendore (që thjesht nuk i kanë). Kuptimi i këtij theksimi të ‘miqësisë ndërkombëtare’ është që politikanët ndërkombëtarë shtruan kërkesa për politikanët vendorë, të cilët i pranuan ato sepse nuk deshën që të bëhen armiq të ndërkombëtarëve. Pra, nuk kemi të bëjmë me kërkesa të drejta apo nevoja të Kosovës, por vetëm me ato të ndërkombëtarëve ndaj Kosovës. Pas fjalisë për ‘miqësinë ndërkombëtare’ politikanët vendorë vazhdimisht flasin për obligimet dhe përgjegjësitë ndërkombëtare të Kosovës. Thuajse pavarësia e Kosovës u shpall jo që të fitojmë më shumë të drejta dhe të kemi më shumë mundësi, por që të marrim më shumë obligime e përgjegjësi.
Bisedimet e reja të Kosovës me Serbinë në këto dy vitet e fundit rregullisht i ka kërkuar Serbia. Krerët zyrtarë të Kosovës rregullisht i kanë refuzuar ato. Tash kur kërkesa për negociata vjen prej ndërkombëtarëve, të njëjtit politikanë, jo vetëm që pranojnë, por duket sikur iu erdhi keq pse po i pyesin kur ata janë më shumë se të gatshëm. Nëse ishin kaq të gatshëm për bisedime aq të nevojshme, atëherë, pse vetë këta nuk i propozuan e kërkuan bisedimet me Serbinë?
Natyrisht që bëhet fjalë për politikanë që përgjithësisht janë të korruptuar e të shantazhuar. Pasuritë dhe privilegjet që i gëzojnë i kanë rritur e fryrë ata por edhe i kanë bërë shumë të lëndueshëm. Tamam si flluskat e sapunit, që sa më të mëdha që bëhen, aq më të brishta janë. Këta politikanë kundërshtimin më të vogël ndaj ndërkombëtarëve nuk e bëjnë dot pa e menduar ndëshkimin që mund të pasojë për veten e tyre. Dhe, kur ta mendojnë ndëshkimin, atëherë ose e zbusin aq fort kundërshtimin saqë ai bëhet kundërproduktiv, ose s’e thonë fare atë. Pasuria e pandershme që kanë nuk i lë të veprojnë. Ata vetëm dëgjojnë në mënyrë që të jenë.
Këta politikanë e kanë dëshmuar që nuk hezitojnë ta shesin territorin, pasuritë, kulturën e ardhmërinë e Kosovës vetëm që të mbesin në pushtet. Po të kishte mundësi teknologjike, edhe ajrin e Kosovës do ta shisnin, duke thënë që nuk po e shesin por vetëm po e japin me koncesion për disa dekada dhe, për më tepër, do të na premtonin që të gjithë banorët e Kosovës do të pajisen me boca oksigjeni përmes kredive që ua ka premtuar FMN-ja. Të shiturit të shesin, apo jo? Vetëm duke e shitur vendin si në aspektin politik po ashtu edhe në atë socio-ekonomik ata mbeten të përdorshëm për ndërkombëtarët që, mbi të gjitha, duan stabilitet rajonal në një kontekst ku Serbia imponohet si faktori me potencialin dhe gatishmërinë më të madhe për destabilizim.
Dhe mu këta politikanë të qullosur që prej një dekade po i hyjnë edhe një pazari të ri me Serbinë për Kosovën. Mbase Serbia vazhdimisht kërkon bisedime me ta edhe për shkak se i njeh mirë dhe pse ia kanë lënë ëmbël asaj me kompromiset marramendëse në negociatat e Vjenës të vitit 2006.
Metoda ka ndryshuar vetëm në masën në të cilën kemi harruar. Sërish po sugjerohet krijimi i grupeve punuese për bisedime për çështjet teknike ashtu siç u bë edhe në vitin 2005 para se të arrinim te Vjena 2006. Nëse bazë e bisedimeve të shkuara ishte raporti i Kai Eides si i dërguar special i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Kofi Anan, kësaj radhe si bazë do të shërbejë Raporti i Ban Ki-moonit nga nëntori i vitit 2008, i cili shumë më tepër njihet si 6 Pikëshi famëkeq. Çështjet që i pat ngritur Kai Eide në raportin e tij u trajtuan më pas në Vjenë nën ndërmjetësimin e Martti Ahtisaarit. Çështjet që i ngriti Ban Ki-mooni në 6 Pikëshin e tij do të trajtohen në bisedimet e ardhshme. Korniza dhe temat tashmë janë aty, bisedimet do të bëhen për sasinë e koncesioneve të reja. Sa gjykatës e prokurorë serbë të emëruar nga Beogradi t’i kemi në veri, sa përqind të mjeteve nga pikat doganore 1 dhe 31 të ndalen në veri, sa pushtet shtesë t’u jepet komunave me shumicë serbe të dalura nga decentralizimi etnik, edhe sa zona të tjera të veçanta për kishat e manastiret ortodokse etj.
E, kur nuk ke qëndrime e parime, gjithçka bëhet e mundur, apo jo? Prandaj edhe do të na thonë që nuk është mirë ta prejudikojmë rezultatin.
Prishtinë
07.05.2010