Stop inkurajimit të politikës luftënxitëse të Gruevskit
Bashkimi Demokratik Shqiptar përmes një deklarate me shkrim dënon të gjitha deklaratat që inkurajojnë politikën luftënxitëse të Gruevskit dhe bën apel që të ushtrohen presionet e nevojshme ndërkombëtare për t’u zbatuar me përpikëri dhe urgjentisht Marrëveshja Kornizë e Ohrit.
“Pa lirimin e shqiptarëve që padrejtësisht mbahen nëpër burgjet e Maqedonisë, pa ndërprerjen e proceseve të montuara gjyqësore, pa rregullimin e statusit të ish ushtarëve të UÇK-së, pa zyrtarizmin e gjuhës shqipe në të gjitha nivelet shtetërore, pa heqjen e të gjitha formave të diskriminimit racial që Maqedonia aplikon kundër shqiptarëve, NUK mund të ketë stabilitet të qëndrueshëm në këtë pjesë të Evropës”, thuhet në reagimin e BDSH-së.
Kjo parti vlerëson se h eshtja nëntëvjeçare përballë politike antishqiptare të Maqedonisë e cila, jo vetëm nuk realizon marrëveshjen që i dha fund luftës së vitit 2001 por e ka rënduar edhe më tepër pozitën e shqiptarëve, ishte sinjal inkurajues për qarqet politike të Shkupit.
“Injorimi në vazhdimësi i kërkesave legjitime të shqiptarëve në Maqedoni dhe vazhdimi i diskriminimit racial në të gjitha fushat e jetës shoqërore dhe politike, nuk ka mobilizuar as për së afërmi qarqet ndërkombëtare aq sa atë e ka arritur Komunikata Nr.1 e UÇK-së”, thuhet më tej në reagimin e BDSH-së.
BDSH thotë se fatkeqësisht, edhe në këtë situatë të vështirë, nuk shohim një mobilizim për të parandaluar konfliktin eventual.
“Orientimi i akuzave kundër grupeve të armatosura dhe deklarimet publike për domosdoshmërinë e asgjësimit të tyre dëshmojnë paaftësinë e institucioneve demokratike në botë që të merren me gjeneratorin e vërtetë të krizave: politikën antishqiptare të shtetit maqedonas. Këto prononcime publike nuk mund të ulin tensionet por përkundrazi vetëm mund të inkurajojnë politikën luftënxitëse të Nikolla Gruevskit”, vlerëson BDSH.