Bruksel, 6 maj – Përderisa në Kosovë dhe  në Serbi flitet ndryshe se çfarë bisedash do të mund të zhvilloheshin ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, pasi të nxirret mendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, në Bruksel dhe në qendrat e vendeve të Quintit janë alarmuar me propozimin, kësaj radhe të pakamufluar, të Serbisë për ndarje të Kosovës. “Kohës Ditore” nga disa burime diplomatike të vendeve perëndimore i është thënë se në biseda private atyre u është thënë nga “niveli më i lartë në Serbi” se Serbia dëshiron ndarje të Kosovës. Këto burime i kanë thënë gazetës se këtë e kanë dëgjuar hiç më pak se nga ministri i Jashtëm, Vuk Jeremiq, por edhe nga kabineti i presidentit të Serbisë, Boris Tadiq, që për ta ka qenë ndoshta dëshmia më e mirë se, ndonëse ka dallim në paraqitjet publike ku Jeremiq duket më radikal se Tadiq, sa i përket politikës ndaj Kosovës, Tadiq dhe Jeremiq janë unikë. Në pyetjen e përsëritur disa herë se a kanë thënë udhëheqësit dhe diplomatët serbë se “nuk përjashtohet ndarja”, burimet diplomatike perëndimore janë përgjigjur negativisht duke thënë: “Jo, e kanë thënë shumë qartë, ata duan ndarjen e Kosovës”.