FIFA suspendon KF Pobedën, KF Shkëndijës ia merr 6 pikë
Shkup, 3 maj – Federata Ndërkombëtare e Futbollit Botëror (FIFA) ka dënuar dy klubet e Maqedonisë, Pobedën e Prilepit dhe Shkëndijën e Tetovës. Në shkresën e arritur nga FIFA në zyrat e FFM-së thuhet se Shkëndija është dënuar për shkak se nuk i ka kryer obligimet ndaj lojtarëve nga Senegali (Papa Jusu Sol, Papa Birame Fal dhe Mustafa Muhamedu Diop).
Komisari për gara në FFM, Mile Spirkoski vetëm ka implementuar vendimet në garat e sistemit të FFM-së. Në këtë mënyrë skuadrës së Shkëndijës i hiqen 6 pikë në sezonin 2009/10. Shkëndija tani kalon në pozitën e tretë me 48 pikë, kurse në vend të parë del ekipi i Skopjes me 51 pikë, pason Bregallnica me 50. Kuqezinjtë tani nuk e kanë të sigurt plasmanin në elitën e futbollit të Maqedonisë dhe kualifikimin me gjasë duhet ta kërkojnë përmes ndeshjes së barazhit.Ky lajm ka shokuar të gjithë në radhët e Shkëndijës. “Nuk kemi ndonjë koment rreth kësaj që ka ndodhur, sepse tani e kuptuam lajmin. Kjo ka ndodhur në kohën kur Samet Rasimi ka drejtuar Shkëndijnë, pra në vitin 2005. Ai kishte marrë obligimin që të paguaj lojtarët e Senegalit me këste, por nuk e ka bërë. Në muajin prill ne paguam 6 mijë euro, kurse me FIFA-n u morëm vesh që për 42 mijë eurot e tjera ta lëmë të hapur. Mirëpo ja sot na erdhi dënimi”, tha drejtori sportiv i Shkëndijës, Besir Shaqiri.
Ndërsa Pobeda e Prilepit është suspenduar nga garat kampionale në periudhë prej tetë vitesh, duke filluar nga sezoni 2009/10. Këtë vendim e ka vërtetuar Gjyqi Arbitrar në Lozanë të Zvicrës. Klubi nga Prilepi është akuzuar për shkak të kurdisjeve të rezultatit në ndeshjen e vitit 2005 kundër Pynikut nga Armenia, e cila kishte përfunduar 1-4 për mysafirët. Ndeshjet të cilat Pobeda i ka luajtur në rrethin e parë dhe të dytë në sezonin vijues mbesin me rezultatet e arritura, kurse në tre javët e ardhshme (29, 30, 31) ekipet që duhet të takohen me Pobedën do t’i fitojnë me rezultat zyrtar 3-0.
Burim info: / Zhurnal /