image

 Këshilli i organizatave shqiptare ka reaguar ndaj presionet që u bëhen disa anëtarëve të këtij këshilli nga struktura të caktuara policore. Reagimi vjen një javë pas keqtrajtimit të dy anëtarëve të këshillit në vendkalimin kufitar Tabanovc, ku janë mbajtur për rreth 5 orë. Për rastin në fjalë janë njoftuar edhe OSBE dhe Komitetin e Helsinkit.
“Hajredin Kaza dhe koordinatori Baki Sulejmani, këto janë mbajtur në zyrat e policisë kufitare nga ora 12:40 deri në ora 16:50. Sigurimi shtetëror është interesuar për aktivitetin e tyre në këshill, për anëtarët tjerë të këshillit dhe për aktivitetet tjera që i ndërmerr kjo organizatë jashtë këshillit të protestave të 10 majit. Gjatë marrjes së pyetje kanë qenë të provokuar dhe fyer rëndë në baza të ndryshme”, deklaroi Ibrahim Koça, koordinator i këshillit të organizatave shqiptare.Me gjithë këto presioneve, këshilli i organizatave shqiptare tha se nuk heq dorë nga mbajtja e protestës më 10 maj kundër proceseve të montuara gjyqësore dhe kundër diskriminimit të shqiptarëve.
“Këshilli i organizatave shqiptare vazhdon me punë intensive. Është shtuar numri i organizatave që bëhen pjesë e këshillit si dhe personaliteteve tjera që përkrahin protestën e 10 majit. Këshilli u bën thirrje gjithë organizatave shqiptare në vend si dhe figurave publike që t’i bashkëngjiten atij në mënyrë që ndikimi të jetë sa më i madh”, shtoi Koça.
Protesta do të mbahet më 10 maj me moton “Për drejtësi” ndërsa deri tani ka gjetur mbështetjen e DR-së dhe partive më të vogla shqiptare BDK e BDSH ndërsa është kundërshtuar vetëm nga BDI.

Gjyltene Rexhallari